KLSh: Shteti të verifikojë pronësitë para se të japë toka me qira

456
Sigal

 

Konfliktet me pronarët pengojnë zhvillimin e biznes-planeve në Bujqësi

Konfliktet me pronarët pretendues të tokave po sjellin problematika në zhvillimin e planeve të biznesit nga investitorët që marrin me qira nga shteti tokat bujqësore. Këto çështje kanë si rrjedhim dështimin e shumë investimeve që synojnë të zhvillojnë tokat bujqësore. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të bërë në Ministrinë e Bujqësisë ka dalë në përfundimin se ” Shumica e qiramarrësve, për shkak të konfliktit me pretendentë të pronës nuk e marrin nën administrim të gjithë sipërfaqen e saj, për rrjedhojë dhe zhvillimi i saj nuk kryhet sipas plan bizneseve të paraqitura prej tyre. Në një pjesë të kontratave, në rrethin ku ndodhet toka bujqësore nuk janë depozituar për regjistrim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Paluajtshme vendore.”

Gjithashtu sipas KLSh-së vlerësohet se nuk janë bërë monitorime për të parë nëse sipas afateve të përcaktuar në kontratë janë bërë apo jo investimet. Me ligj nëse subjekti nuk ka bërë të paktën 20 % të investimeve kapitale deri në fund të vitit të tretë qiradhënësi në këtë rast shteti mund të kërkojë prishjen e kontratës.

Para dhënies me qira të verifikohen pronat

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që të bëhen verifikimet përpara dhënies me qira të tokave shtetërore për të shmangur përplasjet me ish-pronarët. “Këto toka nuk duhet të jepen me qira nëse fillimisht nuk është dhënë zgjidhje ligjore për pronësinë.”-thotë raporti. Nga ana tjetër theksohet se nga Ministria duhet të kryhen monitorime periodike për realizmin e kontratës vit pas viti ndërkohë që sipas hapësirave ligjore mund të aplikojë edhe penalitete.