Ramazan Çeka: Rrugëtimi i Zef Dedës, “Mjeshtër i Madh”

439
Sigal

Intervistë me artistin dhe aktorin Zef Deda në rrugëtimin e tij drejt suksesit si “Mjeshtër i Madh” i skenës dhe humorit.

 

Zef Deda, aktori i madh i humorit, që na bëri të qeshnim në të dy sistemet e këtyre dy gjysëm shekujve të fundit, lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 në një familje plot kulturë e vlera shkodrane, pjesë e së cilës ishin shumë intelektualë dhe artistë në zë për kohën.

Familja Deda ka nxjerrë muzikantë, ndërsa daja ka qenë At Benardin Palaj,  muzikant, etnograf e psikolog. Nanagjyshja e tij ka qenë gastore. Në këtë familje lindi Zefi. Babai i tij ka punuar në Teatrin “Migjeni” piktor, skenograf, pjesëmarrës si aktor që në krijimin e teatrit profesionist.

Në këtë familje lindi dhe u rrit Zef Deda, por në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku babai punonte, Zefi përfitoi kulturën, artin dhe frymën entuziaste e komike të kësaj familjeje.

Janë vitet e para të sistemit monist, të cilat lanë gjurmë edhe në fushën e artit e kësisoj edhe në rrugëtimin e artë të Zef Dedës, i cili premtoi shumë që në në realizimin e rolit të pare, kur ishte fare fëmijë.

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe enkas për të hyrë në gjurmët e kujtesës së këtij aktori të madh, të cilin do ta përfshij së shpejti në një libër timin mbi artistët më në zë të Shkodrës, realizova një intervistë mjaft të këndshme me “Mjeshtrin e Madh” , Zef Deda.

Çfarë kujtoni mbi rolin tuaj të parë?

(Me ato gjestikulacione që e karakterizojnë, aktori Zef Deda, nisi të flasë mbi kujtimet pikërisht tek ky rol, ku jo vetëm me fjalë, por edhe në mimikën e fytyrës i shihej qartë nostalgjia për rolin e tij të parë të fëmijërisë, që mesa duket peshonte sa e gjithë karriera.)

-Në studion e babës u rrita, kujton Zefi, dhe në moshën 5-vjeçare ai më aktivizoi në një dramë në vitin 1956, në dramën ruse “Nëna” të dramaturgut Maksim Gorki, përkrah aktores së madhe Roza Anagnosti (Xhuxha) dhe muzikantit Karlo Radoja. Në rrugën e ndritur të artit hyra që në moshën 6-vjeçare me rolin e Antonit, një lypsar i shoqëruar nga motra dhe vëllai i tij, më të mitur, ku do u dilnin përpara revolucionarëve që dilnin nga kisha për të bërë mbledhjen e Revolucionit.

Veç njohjes me aktorë të mëdhenj si Adem Kastrati, Zef Jubani, Bep Shiroka, Lec Bushati, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, etj. me nostalgji e mall kujtoj kënaqësinë që ndjente babai im në ato momente kur unë, Zefi i vogël, një nga fëmijët e tij, do i hyja  botës së artit, rrugës të cilën ai e njihte dhe vetë, pasi asokohe babai im punonte si skenograf në teatër.

Sa ka ndikuar familja juaj në rrugëtimin tuaj artistik?

-Në formimin tim kulturor e artistik merita të mëdha ka pasur familja ime, pjesë e së cilës ishin muzikantë, artistë, mësues që më edukuan dhe mësuan shumë gjëra, sidomos pas vdekjes së babait, gjëra të cilat më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në interpretimin e roleve në skenë.

 

Në cilin vit u bëtë pjesë e Teatrit?

-Deri në vitin 1969, isha aktor amator. Atë vit u bë një audicion në kërkim të talenteve të reja, të cilin e fituam unë dhe Zyliha Miloti. Ajo filloi punë menjëherë si profesioniste, kurse unë shkova ushtar për tre vite, ku bashkëpunova me Estradën e “Ushtarit” në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në dhjetor të vitit 1972, pak javë më vonë më 13 janar 1973, më emëruan të punoj si aktor profesionist në estradën e Shkodrës.

Cilat janë rolet më të spikatura të karrierës tuaj artistike?

-Të gjitha rolet unë i kam dashur dhe vlerësuar, madje kisha kënaqësi kur të tjerët shkruanin role për mua, si artistë-shkrimtarë, si shkrimtarë-artistë, por dhe humoristë. Kam pasur fatin e mirë që kam punuar me regjisorë dhe krijues të famshëm, si i madhi Paulin Sekuj, Edmond Mhilli etj, të cilët kanë ditur të na i përshtasin edhe rolet që të kishim vazhdimisht sukses, pasi Estrada Profesioniste përbëhej nga artistë të mëdhenj e të fuqishëm, artistë të mrekullueshëm që ishin një shkollë e madhe për mua dhe që na mësonin të luanim dhe interpretonim me zemër, si: Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Jolanda Shala, Gëzim Kruja i madh, Drande Xhai, Besnik Çinari, Anton Krosaj më i fundit i mohikanëve, si i thonë.

Ka qenë një fat i madh, i madh fort që kam bashkëpunuar me këta shkrimtarë, këta artistë, por njëkohësisht kam pasur edhe përgjegjësi shumë të madhe të luaj rolin që kanë shkruar për mua dhe që regjisori ma ka besuar mua. Unë të gjitha rolet që kam luajtur i kam dashur, i kam pasë për zemër, pra merre tipin, formoje dhe interpreto fort dhe jepja spektatorit dhe Ai po ta pëlqeu ta ruan përgjithmonë, për gjithë jetën në kujtesën e tij.

Ndikim pozitiv kishin edhe shkrimtarët e mëdhenj si Paulin Selimi, Kolec Pepa, Ahmet Kameri, Gjergj Vlashi, Paulin Preka, Nonda Bulka, Dritëro Agolli e shumë të tjerë, të cilët e kishin për krenari të punonin për kolosët e Estradës Profesioniste të Shkodrës, sikurse edhe unë.

Pra, të gjithë këtyre artistëve, me Musa Ademin prej në fillim rreth viteve  ’58-’59,  kur isha fëmijë u kam qëndruar afër dhe i kam dashur me pasion dhe më kanë mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, pra për çdo gjë, por duke lexuar dhe duke mësuar për artin skenik, për të dalë sa më real, duke krijuar tipa, karaktere, pjesë që më kanë pëlqyer gjithmonë.

A mund të na veçoni ndonjë rol me të cilin jeni lidhur më shumë?

-Po…mund të veçoj rolet me imitime me aktoren Rita Ndoci, kur imitonim këngëtarët e asaj kohe, imitimin e mjeteve të para teknologjike, imitoja motorët, makinat, aeroplanët, trenat, imitime në gjuhë të huaja dhe role të suksesshme me të madhin Gjosho Vasia, që jam rritur në duart e tia, duke më aktivizuar me Estradën e Vaut të Dejës e më gjërë, ku në të gjitha ato role spikaste ai humori edukativ, duke vënë në dukje të metat e asaj kohe si dembelizmi, mendjemadhësia, hipokrizia e shumë vese, që me anë të humorit shoqëria etiketonte dhe vinte në lojë njerëz të ngjashëm me ta.

Një përvojë të madhe profesionalizmi në interpretim mora në Shtëpinë e Pionierit, ku jam rritur edhe kam mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme si me dashtë rolin dhe interpretimin, skenën, spektatorin, si dhe me e zbërthyer mirë çka don me thanë aktrim. Të gjitha këto nga mjeshtri që kemi pasur, aktorin e famshëm të Teatrit “Migjeni” Paulin Laca, i cili  më mësoi kordinimin e gjestikulacionit me zërin dhe kjo ka qenë një akademi arti për mua, për mjeshtrinë e interpretimit skenik.

Suksese pata me rolin e Çarli Çaplinit dhe kunatin e shokut Xhemal, të cilin njerëzit ma kujtojnë edhe sot.

Si një aktor i afirmuar dhe shumë aktiv gjatë periudhës së monizmit, çfarë ndryshimi solli tek ju periudha e pas viteve ’90-të?

-Në vitet  ’90-’92 , u duk sikur fituam lirinë, sikur i shpëtuam censurës së mendimit të lirë dhe të ëndrrës për të realizuar ambicjet tona, ku për fat të keq “si e nisëm nuk bitisi”. U zhgënjyem totalisht nga depërtimi i politikës në këto institucione me vendosjen e nënpunësve të paaftë në drejtimin e tyre, sidomos kohëve të fundit, ku mund të them se ka pësuar një regres total arti, kultura dhe arsimi në vendin tonë, pa të cilat populli është amorf, fle, vdes.

Institucionet janë të marra peng nga mafia, nuk investojnë por përfitojnë, aq sa sot aktivitetet numërohen me gishtat e dorës, në një kohë kur kujtoj se para viteve ’90 kemi dhënë mbi 250 shfaqje në vit në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë fajin ia ve politikës, e cila jo vetëm që e lejon të degradojë, por investon në platforma që keqedukojnë dhe tjetërsojnë artin dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Për t’iu shmangur pak politikës dhe kësaj gjendjeje që realisht jemi koshient se qëndrojnë, na fol pak mbi vlerësimet që ke marrë për gjatë gjithë karrierës nga institucionet e artit dhe të kulturës.

-Jo për modesti, por vlerësimin më të madh, para të cilëve përulem me respekte e kam marrë nga duartrokitjet e spektatorit dhe artëdashësve shkodranë e shqiptarë anë e mbanë botës për gjatë gjithë karrieres sime.

Që fëmijë kam marrë shumë mirënjohje, vlerësime e medalje, ku do veçoj atë të vitit 1967, kur mora çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin e estradave amatore në Vaun e Dejës, ku mora titullin “Laurat i Republikës së Shqipërisë” në moshën 17-vjeçare. Mandej në Estradën e Ushtarit mora çmimin “Naim Frashëri”, të njëjtin e fitova edhe në Estradën Profesioniste të Shkodrës. Më vonë, në vitin 1985 me “kunatin e shokut Xhemal”, “Laurat i Republikës” dhe shumë shpejt, pasi fitova edhe “Naim Frashërin e Artë” në vitin 1986,  më vlerësojnë me titullin “Artist i Merituar” në moshën 36 -vjeçare.

Në vitin 2010 me vlerësojnë me titullin “Mjeshtër i Madh”. Veç këtyre vlerësimeve kam marrë edhe shumë e shumë të tjera si “Krenaria e Shkodrës”, “Mirënjohja e Qytetit”, etj. Megjithëse qytetarëve të mi dhe artëdashësve shqiptarë, djepit që më rriti, Teatrit “Migjeni” u kam falë jetën, prej tyre kam marrë jetë edhe unë.

Me interes për lexuesin dhe artëdashësit është të dimë diçka mbi rikthimin tuaj në teatër pas viteve ’90-të?

-Rënia e diktaturës solli edhe rënien e ekonomisë familjare, që më detyroi të emigroja në Gjermani, ku qëndrova për 6 -vite. Falë aftësive dhe njohurive që kisha në gjuhët e huaja gjeta veten në profesionin tim, ku pata shumë sukses në skena dhe shfaqjet që organizonin aktorët më të mëdhenj gjermanë, ku për fat të mirë m’u njohën edhe diplomat dhe vlerësimet shqiptare në atë shtet për punë dhe pagesë.

Dy ishin arsyet që u ktheva në Shkodër. Nëna dhe spektatori im i dashur me kolegët e mi të shtrenjtë.

Megjithëse u ktheva për të interpretuar në një shfaqje në “Pallatin e Kongreseve”, pashë se në ç’gjendje kishte rënë Teatri. Shumë pak investime dhe krejt pak vëmendje nga shteti. Megjithatë kemi punuar fort me kolegët dhe kemi realizuar disa komedi e shfaqje me të cilat kemi patur shumë sukses, deri në daljen time në pension.

Cili është vlerësimi juaj mbi gjendjen e teatrit sot?

-Të mjerueshme është pak të thuash nga mënyra e menaxhimit apo dhe gjendjes në të cilën ndodhet aktualisht ky tempull.

Sot, Estrada Profesioniste nuk ka as edhe një aktor profesionist. I fundit ishte Anton Krosaj që u nda nga jeta para pak kohësh. Në këtë institucion mungojnë politikat apo qasjet me interes për rekrutimin e talentëve të reja, ku për mendimin tim nuk ka rëndësi shkolla profesionale, sa ka rëndësi dhuntia e aktrimit.

Ndër të gjithë aktorët e Estradës, të cilët mund të identifikohen si korifenjtë e këtij teatri, vetëm dy-tre kanë pasur shkollat përkatëse, por ama janë të gjithë me titujt më të lartë të karrierës, pra nuk duhen shumë formalizma zyrtare, sesa duhen talente e figura të dashura për publikun. Momentalisht janë disa grupe të rinjsh që vërtetë i shoh si një e ardhme e ndritur për estradën, por prapë duhen edhe mosha të pjekura e me përvojë nga të cilët të marrin shembuj.

   Çfarë do të thotë për Ju puthja e murit të Teatrit?

   (I prekur nga kjo pyetje, aq sa iu njomën sytë me lot, vazhdoi bisedën tashmë me një qëndrim krenarie.)

-Ashtu si besimtarët falen në kisha e xhamia, apo në institucione të tjera fetare, ashtu si sportistët apo shkencëtarët u japin shpirt objekteve ku punojnë e veprojnë në mënyrë të pashmangshme, të gjithë aktorët përulen para Teatrit (dhe duke shpërthyer në lotë me buzën që i dridhej vazhdon.)

– Ai Teatër është djepi që më ka rritur mua, ka rritur dhe edukuar breza të tërë. Ka dhuruar emocion, kënaqësi dhe shpresë. Ka edukuar këtë popull me virtute të mira, ka ruajtur e përcjellë ndër breza trashëgiminë tonë të lashtë kulturore. Ai Teatër është vetë jeta ime, të cilin e puthi me krenari edhe prej në shtëpinë time, sapo zgjohem në mëngjes.

   (I përfshirë emocionalisht edhe unë si gazetar në këtë bisedë e për ta thyer pak atë gjendje përlotjeje e krenarie vazhdoj me pyetjet.)

Si një artist i madh e një baba me virtute të larta, me interes për lexuesin është të dimë si ndiheni kur shikoni fëmijët tuaj tek ndjekin rrugën tënde në fushën e artit?

Shkodra e këngës dhe e humorit është një thesar që nxjerr vazhdimisht talente e siç e përmenda më lart talente ka, por duan t’i kenë me shkollë, e kjo më ka shtyrë  t’i mbështes, gjë që më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë, deri edhe krenar, jo vetëm se janë fëmijët e mi, por se duam që brezave të rinj t’u lëmë amanet Teatrin. Si baba më bëjnë krenar për faktin që kanë qenë të përgjegjshëm, kudo kanë mësuar e punuar shumë mirë. Sot secili jep më të mirën e tij drejt suksesit në fushën e artit për çka i falenderoj jashtë mase si prind.

Zef, megjithse e përmende disa herë fjalën pensionist, ky status sikur nuk ka lidhje me ju. A mund të dimë diçka në lidhje me planet tuaja për të ardhmen?

   (Me të qeshur përgjigjet.)

-Dikur ishte me dalë në pension  55 -vjeç, por rreth viteve  ’97 u shty në 65, e megjithëse e pritëm me gëzim, për mua si aktor nuk ka pikë rëndësie, pasi aktivitetin dua ta bëj aktivitet me apo pa mbështetjen e institucionit.  Sot edhe pse quhem i jashtëm, ndjej nostalgji të madhe sa herë hypi në atë skenë, ku vazhdoj të punoj e të jem aktiv nëpër shfaqje të ndryshme. Dridhem sa herë luaj në atë skenë, aq krenari e dashuri kam për skenën e Teatrit “Migjeni”.

Këtë vit mbushe plot 70 -vite jete.

   Nuk më bindni dot pasi unë them se në pension të ka dalë mosha, por nuk ka dalë artisti.

(Me atë lirshmërinë e tij të këndshme prej humoristi Zefi vazhdon.)

-A çka kisha dashtë me jetue deri në vitin 2027 more Ramazan, me mbush 77- vjet,  kur bashkë me muajin më ishin ba pesë shtata e kisha me ba  xhekpot, e kisha me fitue 1 500 000 mijë £ e me u ba milionier. (Dhe vazhdon) E në mos m’i dhanshin do pres të bahem 80- vjeç e me festue në Pjacë me spektatorin e shpirtit tim.

Gjithë emocion e mbylli bisedën, të cilën me plot bindje do ta quaja ndër intervistat e mia më të bukura. U largova duke i uruar në emër të lexuesit dhe dashamirësve të tij edhe shumë vite jetë dhe suksese “Mjeshtrit të Madh” Zef Deda, këtij aktori të madh të skenës dhe humorit, i cili gjatë bisedës shprehu dëshirën më sublime prej artisti “do doja që shpirti im të pushonte në skenën e Teatrit “Migjeni” tue interpretue për spektatorin më të mrekullueshëm, artëdashësin shkodran”.

Artistë si Zef Deda janë të rrallë, nuk përsëriten dy herë, por edhe nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë përgjithmonë në memorjen e popullit shqiptar.

Pasi përfundova këtë intervistë kaq të këndshme me mjeshtrin e madh të humorit Zef Deda, mendova ta pasuroj këtë shkrim edhe me disa opinione e vlerësime të kolegëve të tij, jo më pak të vlerësuar në këtë fushë.

Për intervistat e mëposhtme Zefit nuk i tregova asgjë, për t’ia lënë surprizë, kur të marrë në dorë dhe të lexojë gazetën:

Roza Anagnosti “Nder i Kombit”:

Zefi është artist unik i pazëvendësueshëm, është Çaplini shqiptar. Talenti dhe puna e tij e jashtëzakonshme e ka bërë atë të arrijë majat më të larta të karrierës së tij artistike.

Në këtë karrierë brilante ai fillon që në moshë të re me role të vogla, por të një niveli të lartë artistik, të cilët me kalimin e viteve piqen duke e formuar këtë artist, duke i dhënë atij individualitetin artistik, për të shkëlqyer edhe në gjini më të mëdha të artit skenik, siç janë komeditë, etj.

Unë do të kujtoj gjithmonë me respekt jo vetëm Zefin, jo vetëm Besnik Çinarin, që janë më të rinj, por edhe aktorët e mrekullueshëm si Tano Banushi, Gjosho Vasia, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Katerina Biga e ndonjë që mund t’ja kem harruar emrin, që për rreth 20 vite krijuan një ansambël artistic, që rrallë mund ta ketë pasur fatin ta ketë ndonjë teatër tjetër në Shqipëri.

Ç’të them më shumë kur fjala është për Zefin. Ai është mjaft i dashur për publikun shqiptar e sidomos për atë Shkodran.

Zyliha Miloti “Mjeshtre e Madhe”:

Zef Deda është një aktor i mrekullueshëm, i gjithanshëm dhe i kompletuar, me një vokal shumë të bukur dhe shumë i intonuar, sa që edhe këngëtarët ia kanë lakmi. Kush nuk ka qeshur me artin e tij. Zef Deda është padiskutim një prej ikonave të humorit në Shkodër dhe Shqipëri.

Karaktere të panumërta, interpretime me mjeshtra të mëdhenj të skenës ku mund të përmendim Tano Banushin, Gjosho Vasinë dhe buzëqeshje pa fund të dhuruara për artdashësit, në ditë të mira e të vështira për kombin.

Unë kam interpretuar skeçe, parodi e kuplete pa fund me Zefin. Ai është i veçantë, sidomos në lojën e karaktereve. Kemi luajtur një skeç të Kolec Pepës të titulluar “Fejesa”, i cili për mua mbetet një ndër interpretimet më të bukura.

Zef  Deda renditet në brezin e artë të humoristëve të shkëlqyer dhe urimet janë të pakta përballë kontributit që i ka dhënë artit me talentin e tij.

E uroj nga zemra: “Qofsh i lumtur përherë pranë Rozit, djemve, nipave e mbesave dhe të uroj nga zemra jetë të gjatë dhe gjithmonë i freskët dhe i shkëlqyer në skenë!”.

Besnik Çinari “Mjeshtër i Madh”:

Zef Deda ka “thyer” pallatet e sportit të të gjithë Shqipërisë, ku nuk diskutohen pastaj teatrot, bile edhe verore. Shumë i dashur me të gjithë publikun, sidomos me rininë.

Kam punuar 38 vjet si profesionist me të, mjeshtër i krijimit të figurës artistike, i pantomimës dhe i gjithë zhanreve dhe nënzhanreve të estradës.

Zefi ka një dhunti që i bie të gjitha instrumenteve muzikore dhe ka një zë shumë të ëmbël, deri në operistik dhe kjo dhunti ka bërë që ai të jetë i veçantë edhe si imitues.

Zefi ka dhe dy djem të talentuar, fatmirësisht dhe “fatkeqësisht” në Tiranë. Unë i uroj shokut tim Zef  Deda mos u plaksh kurrë dhe gjithmonë qofsh i pranishëm në skenat tona!

Gjergj Vlashi “Nderi i Kombit”:

Estrada e Shkodrës është shquar gjithmonë për aktorë cilësorë, madje të veçantë që e kanë ngritur lart emrin e kësaj estrade. Një ndër ta është pa dyshim aktori Zef  Deda, i cili njihet në gjithë vendin tonë si një aktor disi i veçantë, pasi në bagazhin e tij krijues në skenë ai është një imitues i rrallë, gjë që nuk e kanë shumë aktorë të tjerë. Këto cilësi e bëjnë atë një ndër aktorët më të mirë e më të njohur të humorit në gjithë Shqipërinë.

Pra, sipas meje, Zef Deda nuk e ka shokun në të gjithë teatrot shqiptare. Karakteristikë e veçantë e tij është freskia e përhershme. Ai vjen në skenë përherë i freskët e befasues, me një galeri të madhe personazhesh të ri e të vjetër, fshatarë, punëtorë, intelektualë, të cilët i tipizon, i gdhend dhe i fut në kujtesen e spektatorit.

Kam punuar me Zefin disa premiera në teatrin e Shkodrës dhe të them të drejtën shumë herë kam mësuar unë prej tij. I uroj jetë të gjatë dhe suksese në karrieren e tij, që sipas meje nuk njeh moshë.

Drande Xhai “Mjeshtre e Madhe”:

Zef Deda është një nga aktorët më të shquar shqiptarë. Aktor me dhunti si asnjë tjetër. Zef Deda është një aktor me plasktikë balerini, me zë këngëtari, instrumentist, imitues i shkëlqyer e aktor i madh. Ai është aktori më i dashur, jo vetëm për spektatorin apo artdashësin e rritur, por i pa zëvendësushëm edhe për spektatorin e vogël, pra për fëmijët.

Zef Deda me madhështinë e tij i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, që kur Shqipëria ishte e mbyllur me boten. Zef Deda do të mbahet mend si Çaplini Shqiptar.

Ai ka interpretuar e skalitur me dhjetra role që edhe unë kam luajtur me të e që do kujtohen gjithmonë nga artëdashësit.

Duke të falenderuar ty Ramazan për kontributin e madh në vlerësimin e figurave të shquara të artit e kulturës shkodrane, Zefit i uroj jetë sa më të gjatë dhe faleminderit që m’u dha rasti të interpretoj krah teje!”

 

Shtator 2020