Publicisti Ylli Polovina/ Dokumente dhe fakte në librin “Mehmet Shehu dhe Tito, takim në “Queen Elizabeth”

1322
Sigal

 Udhëtimi drejt Amerikës me vaporin ku ndodhej Randolf Çërçilli i Inteligjenc Servisit dhe Harri Fulc. Të pathënat për trajtimin mjeksor në Moskë, enigma e takimeve të Mehmetit me Kosiginin dhe pse lindën dyshimet e Enverit.

Publicisti Ylli Polovia sapo ka mbaruar së shkruari librin e tij të ri “MEHMET SHEHU DHE TITO TAKIM  NË “QUEEN ELIZABETH”?”,  i cili aktualisht është vetëm në formën elektronike, ku nëpërmjet  fakteve, dëshmive, analizave, dokumenteve historike, hedh dritë mbi një nga enigmat më të mëdha të akuzave që Enver Hoxha i ngriti pas vetvrasjes: Mehmet Shehu, agjenti i CIA-s. Enver Hoxha u mundua të ndërtojë, ta argumentojë këtë akuzë ndaj bashkëluftëtarit të vet Mehmet Shehu, pikërisht, në një udhëtim të Mehmet Shehut në vaporin Queen Elizabeth”, në të cilën ndodheshin njëkohësisht edhe Josif Broz Tito dhe Harri Fulc i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Inteligjent Servis-it e që në vapor u paraqit si gazetar. Gazeta “Telegraf” duke filluar nga ky numër dhe në vazhdimësi do të botojë të plotë librin e publicistit Ylli Polovina: “MEHMET SHEHU DHE TITO TAKIM NË “QUEEN ELIZABETH”?”.

Tek “Tabloja sinoptike…”

Enver Hoxha pohon se në 1960 Mehmet Shehu kishte kryer një vizitë në Nju Jork dhe se ndërsa udhëtonte drejt brigjeve amerikane me transatlantikun “Queen Elizabeth”, në kthinat e saj pati kryer takime agjenturore. Hoxha shkruan gjithashtu se Shehu qe në krye të delegacionit qeveritar për në OKB. Po ashtu nënvizon: “Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg, se me këtë anije udhëtonte edhe Harri Fulc i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Inteligjent Servis-it e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fullcin e R. Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë. Strategjitë e tri agjenturave, jugosllave, amerikane dhe angleze përputheshin dhe i sugjeruan super agjentit të tyre “të mbështeste” pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së Partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik”.

Tashmë viti 1960

Në fund të viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar e gjithë bota qe nën trysninë e ashpërsuar të përplasjeve të mëdha. Gjendja ndërkombëtare dukej si e zënë peng prej një ndjenje hutimi, dëshire për të ndryshuar dhe po aq për të vijuar si më parë. Siç në vitin 1956 Tirana nuk i dëshirohej zbutjes së Nikita Hrushovit me Josip Broz Titon, priti njëlloj me nervozizëm edhe atë që kryekomunisti sovjetik kreu në maj 1959: vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me presidentin Duajt Ajzenauer (Dëight Eisenhoëer) dhe prej Uashingtonit udhëtoi për të parë si turist edhe Nju Jorkun. Ndryshe nga çfarë mendonte Enver Hoxha dhe njerëzit e tij shtypi perëndimor këtë ngjarje e konsideroi si më të bujshmen pas Luftës së Dytë Botërore, po ashtu edhe më paqësoren e vetë Luftës së Ftohtë. Ato ditë nga amerikanët dhe sovjetikët në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare qe premtuar mos përdorim dhune dhe si shembull i kuptimshëm për këtë frymë të re të bashkekzistencës paqësore do të ishin bisedimet si edhe një marrëveshje e mundshme për Berlinin e ndarë në dy pjesë. Edhe pse Hrushovi gjatë vizitës në SHBA deklaroi se në rivalitet paqësor socializmi sërish do ta mundte kapitalizmin, në kryeqytetin shqiptar gjithçka u vlerësua si një provë e re e asaj që tashmë patën përcaktuar: frymës së tij revizioniste dhe sjelljes tradhtare ndaj marksizëmleninizmit. Këtu vijonin në mosbesim të idesë së zbutjes së luftës së papajtueshme ideologjike mes dy sistemeve dhe qenë të sigurt se pas asaj periudhe loje politike ndeshja për jetë a vdekje do të ridilte në shesh. Fitorja e Fidel Kastros në Kubë disa muaj më parë se 1960- ta të niste, e kishte rritur entuziazmin mes komunistëve kudo në glob. Duke triumfuar jo përtej oqeaneve, në Evropë apo në Azi dhe Afrikë, por tamam në dyert e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qenë shtuar shpresat se revolucioni marksist do të përhapej si flakë benzine jo vetëm në gjysmën jugore të atij kontinenti të madh, por edhe në zemër të hapësirës veriore, atje ku ishte vetë kështjella e sistemit kapitalist. Ky ndryshim i ri në rendin politik global kanoste prishjen e ekuilibrave të mëparshëm dhe shënonte një epërsi të dukshme të kampit komunist, bashkësi ideologjike e cila zotëronte një të tretën e sipërfaqes së rruzullit dhe nga që në të përfshiheshin dy shtete mjaft të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik dhe Kina, edhe të një popullsie një miliardëshe. Kjo e kishte riegërsuar ndeshjen mes dy sistemeve: amerikanët në një përpjekje këmbëngulëse për ta dështuar revolucionin e porsa ngadhënjyer në Havanë dhe sovjetikët tërësisht të mobilizuar për të kryer të kundërtën. Në 1 maj 1960 Fidel Kastro pat hedhur hapin më të bujshëm: kishte shpallur zyrtarisht rreshtimin politik me vendet socialiste. Në të njëjtën ditë në qiellin mbi qytetin rus Zvjerdllovsk u qëllua me raketë një avion spiun amerikan i lartësive të mëdha, U-2. Piloti e shpëtoi jetën, duke u hedhur me parashutë. Megjithëse qeveria e Uashingtonit e kërkoi ngulshëm t’u rikthehej, në Moskë kundërshtuan. Ai u mbajt në burg. Si të qenë pjesë të këmbyeshme të njëra-tjetrës, pra ç’ka fitohej në një krah humbej në tjetrin, mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës disa mosmarrëveshje të buta teorike në fushën e marksizmit, u shndërruan papritur në kontradikta të thella mospajtimi shtetëror. Veç tanimë qenë në majë të tehut edhe ato mes Moskës dhe Tiranës. Pas denoncimit nga Nikita Hrushovi të krimeve të Stalinit, Enver Hoxha kishte zgjedhur të vijonte rrugën e mëparshme të ndërtimit të shoqërisë socialiste. E pat zbatuar projektin stalinist menjëherë pas çlirimit dhe nuk qe lëkundur asnjëherë. Kursin e ri të Moskës dhe vendeve të tjera të kampit, pa u përplasur që në fillim, u mundua ta refuzonte butë.

Mehmet Shehu kurohet në Moskë: ka spazmë cerebrale

Në 7 qershor 1960, ditë e martë, me një avion sovjetik udhëtarësh “Il 18”, Mehmet Shehu zbarkoi në Moskë. Shoqërohej nga bashkëshortja, mjeku neuropsikiatër Xh.Gj. dhe një infermiere. Dy ditë më pas ai i dërgoi këtë radiogram të shifruar shefit të tij në Tiranë: “Shoku Enver, mbaroi kontrolli i mjekëve. Konkluzioni: Spazmë cerebrale e shkaktuar nga lodhja dhe mungesa e ushqimit si rezultat i dietës së ekzagjeruar. Asgjë patologjike. Profesorët thonë të qëndrojë medoemos 10-15 ditë në mbikëqyrjen e tyre për të vazhduar kontrollin përfundimtar dhe pastaj pushim në Shqipëri. Pushimi duhet dy herë në vit, etj. Nesër do të shkoj në Barvihe, ku do të rri deri më 19 qershor dhe më 20, të hënën, kthehem, kurse doktor Gj. e Fiqireti kthehen të hënën që vjen. Përqafime, Mehmet”. (Barviha është një vend klimaterik në rrethinat e Moskës. Atje ka një kompleks spitalesh, kryesisht sanatoriume. Kur drejt njërit prej pavijoneve të tij shkoi për pak ditë shërimi Mehmet Shehu, atje edhe më parë qenë shtruar kolegë të tij nga Shqipëria. Në Barviha në vitin 1949 pat ndërruar jetë, i sëmurë rëndë nga diabeti, edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kominternit, Gjergj Dimitrovi). I dëshiruar për t’u kuruar e shlodhur, Mehmet Shehu nuk e dinte se pikërisht ato ditë të qershorit do të qenë të mjaftueshme të bënin krejtësisht të kundërtën. Partia e Punës e Shqipërisë kishte hyrë tërësisht në vorbullën e mosmarrëveshjeve me sovjetikët. Në të njëjtën kohë anëtarja e Byrosë Politike dhe Sekretarja e Komitetit Qendror, Liri Belishova, ndodhej në Pekin në një delegacion të lartë nga Tirana. Hysni Kapo, figura po aq e spikatur e partisë së vetme në pushtet gjendej në Bukuresht. Ndërsa qe ende në Barviha Mehmet Shehun e vizitoi Aleksej Nikollajeviç Kosigini, anëtar i Politbyrosë sovjetike. Shehu nuk e rrëfeu ndonjëherë publikisht këtë ngjarje, por është Enver Hoxha që e përshkruan në librin e tij “Hrushovianët”: “Katër-pesë ditë përpara se të fillonte mbledhja në Bukuresht, kur unë me Hysniun po bisedonim për qëndrimin që do të mbante ky në kongresin e partisë rumune, na erdhi një radiogram nga Mehmet Shehu, i cili kishte ditë të tëra që ndodhej në Moskë për t’u kuruar. Në radiogram ai na paralajmëronte për një “vizitë” të papritur që i kishte bërë Kosigini. Ai i kishte folur një orë e gjysmë për kontradiktat që kishin me Partinë Komuniste të Kinës. Mehmeti e dëgjoi e dëgjoi dhe pastaj i tha: -Të gjitha sa më thatë janë shumë të rënda. Çuditemi pse këto janë lënë të trashen deri në këtë shkallë. Kosigini kishte theksuar: -Ne nuk do të lejojmë asnjë lëshim, asnjë, -dhe kishte shtuar, -na pëlqeu shumë qëndrimi burrëror, heroik i shoqes Belishova në Pekin në bisedimet me kinezët. Mehmeti ende s’ishte në dijeni të këtyre veprimeve dhe intrigave të Liri Belishovës, por megjithatë i tha ftohtë e prerë Kosiginit: -Unë s’di ç’ju ka thënë juve Liri Belishova, -i tha Mehmet Shehu, -Unë di që, kur biseduam me Mikojanin, ai na porositi të mos i bisedojmë me njeri këto çështje”. Por është ndërkohë edhe Nikita Hrushovi që në librin e tij “Kujtime” e përshkruan atë që ndodhi me Shehun në spitalin e Barvihas. “Dëshironim të bënim gjithçka për të shmangur një ndarje me shqiptarët, por të gjitha përpjekjet tona rezultuan të padobishme…Po e ndjenim tradhtinë e tyre, kur një delegacion shqiptar kaloi nëpër Moskë, ndërsa kthehej nga Kina. Një nga anëtarët e delegacionit, një grua e ndershme, erdhi tek ne dhe na tregoi çfarë kishte ngjarë. Besoj se pak kohë më pas të shkretën grua e mbytën. Dhe nuk qe Gastapo që e mbyti; jo, ishin “vëllezërit” e saj. E them këtë sepse ajo ishte një komuniste, madje të tillë edhe vrasësit e saj. E mbytën sepse ajo, një komuniste, erdhi tek ne, në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, për të dëshmuar rreth takimeve sekrete midis shqiptarëve dhe kinezëve. Sa naivë që ishim! Në të njëjtën periudhë Mehmet Shehu po kurohej në një spital të Bashkimit Sovjetik. Kur e informuam se ishim në korrent të takimeve mes vendit të tij dhe Kinës, ai kërceu nga shtrati dhe u kthye drejt për së drejti në Shqipëri”.

Shpërthejnë mosmarrëveshjet Bashkimi Sovjetik-Kinë

Këtë kohë në kryeqytetin rumun mblidhej kongresi i tretë i Partisë Punëtore dhe atje qenë lajmëruar se do të shkonin shumica e sekretarëve të parë të vendeve të kampit socialist. Duke dërguar Hysni Kapon Enver Hoxha u tërhoq nga ndjekja e këtij shembulli, i cili qe shndërruar jo vetëm në një rregull, por edhe në një kod të nivelit të marrëdhënieve mes njëri-tjetrit. Mungesa e tij në Bukuresht u kuptua qartë nga sovjetikët si shenjë e hapët se nuk qe dakord me të gjitha çfarë bënin. Ata tashmë nuk kishin rrugë tjetër veç të ndiqnin me vëmendje si do të vepronte në kryeqytetin rumun bashkëpunëtori i tij Kapo. Në Bukuresht do të mbaheshin dy kuvende. Pas mbarimit të kongresit të rumunëve do të niste një takim i sekretarëve të parë të partive komuniste të shteteve socialiste me temë caktimin e datës dhe vendit të mbledhjes të përfaqësuesve të të gjitha partive komuniste e punëtore në botë. Një kuvend i tillë shumë i gjerë qe mbajtur pa ndonjë problem të brendshëm në 1957, por këtë herë, tre vite më pas, Nikita Hrushovi mendonte se çfarë ishte vendosur atje bashkërisht qe mospërfillur e madje shkelur nga kinezët. Ndërsa pritej që takimi i dytë të luante një rol koordinues, të vendoste vetëm për datën dhe vendin e kuvendit të ri të 81 partive komuniste e punëtore të botës, nga njerëzit e Moskës u shtrua për diskutim edhe çështja e mosmarrëveshjeve mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe asaj të Kinës. Madje jo vetëm kaq, por delegacioneve pjesëmarrëse nisi t’u bëhej hapur oferta të mbështetnin vetëm qëndrimin e Hrushovit, çka do të thoshte refuzimin e opinionit të palës tjetër. Këtë trysni Enver Hoxha e kishte provuar edhe vetë, ndërsa në fillim të atij viti, në shkurt, bashkë me Mehmet Shehun ndodhej në Moskë në krye të një delegacioni për të marrë pjesë në mbledhjen e të dërguarve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës për çështjet e zhvillimit të bujqësisë. Në një nga ditëqëndrimet e pati ftuar për një takim kokë më kokë nënkryeministri sovjetik Anastas Ivanoviç Mikojan, por ai mori me vete edhe Shehun. Ndërsa u ulën përballë tij ky për pothuaj tre orë i foli vetëm për mosmarrëveshjet që kishin me komunistët kinezë. Kur takimi qe mbyllur Mikojani u ishte lutur dy bashkëbiseduesve që gjithçka sa patën folur ta mbanin sekret. Ndërsa Hoxha dhe Shehu nuk ja kishin bërë të ditur askujt, qenë tashmë sovjetikët që po e mbillnin lart e poshtë nëpër Bukuresht. Kjo e pati zëmëruar kryekomunistin shqiptar dhe në njërin prej radiogrameve që në atë mes të muajit qershor i dërgoi Hysni Kapos, ngulte këmbë që në takim duhet të fliste me guxim dhe të dëshmonte se Partia e Punës e Shqipërisë nuk qe e mendimit se mes simotrave të saj komuniste, vetëm sepse ishte udhëheqje të një vendi të vogël, duhej të ndihej e pagojë dhe e nënshtruar. “Ne jemi për bashkekzistencën paqësore”, i shkruante ngulshëm Kapos, “por ashtu siç e konceptonte Lenini, jo për ta shtrirë atë në fushën e ideologjisë, pse kjo është tepër e rrezikshme”. Ndërkohë e porosiste “Mund tua themi ca gjëra sovjetikëve, për shembull që ju nuk demaskoni gjer në fund revizionistët jugosllavë”. Në radiogramin e mbyllur i tregonte gjithashtu edhe dy ngjarje. Të parën e thuri kështu: “Me të arritur shoku Gogo Nushi në Moskë e thirri Breshnjevi. Pasi e pyeti si jeni e si shkoni, i tha tezat e tyre për kinezët”. Në vijim episodin e dytë, tashmë të sipërcituar si fragment nga “Hrushovianët”, Enver Hoxha e paraqit në radiogram me këto fjalë: “Po kështu kur vajti edhe shoku Mehmet Shehu në Moskë i shkoi Kosigini dhe i foli një orë e gjysmë për këto çështje. Shoku Mehmet iu përgjigj duke i thënë se “kur qenka kështu këto gjëra pse janë lënë të trashen, gjersa ka qenë e mundur të zgjidhen në rrugën marksisteleniniste më parë midis dy partive dhe më pas, po të shihej e nevojshme, të shtroheshin me partitë e tjera”. Mehmeti i tha atij se “Partia jonë do të mbajë qëndrim të drejtë, parimor, marksist-leninist dhe nuk do të bjerë në pozita sentimentale dhe oportuniste”.

Vijon nesër

Do të lexoni:

-Kërkesa për vizë e Mehmet Shehut për në SHBA

– Provokimi i Teodor Zhivkovit ndaj Hysni Kapos në Bukuresht

– Roli i Liri Belishovës në krizën Bashkimi Sovjetik-Kinë

– Incidentet e rënda në Varshavë dhe Beograd

– Kërcënimi i Hrushovit ndaj Enver Hoxhës

– Blieta të prera për në “Queen Elizabeth”

– Enveri: Ne nuk kërcejmë alla amerikane