Protesta e naftëtarëve: Vetëm e vdekur kthehem në Ballsh. Buka nuk është politikë!

328
Sigal

Vijon mes tensioneve të forta protesta e naftëtarëve të Ballshit para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Naftëtarët kanë ardhur nga Ballshi dhe kërkojnë takim me zyrtarët e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me pagat e tyre, që nuk i kanë marrë prej kohësh.

Një protestuese ka kërcënuar se nuk largohet nga aty, nëse zyrtarët nuk i japin sqarim, duke thënë se protestuesit i kanë marrë masat edhe për dhunë.

Të na japin rrogat, që kemi punuar. Të na japin librezat, detyrimet, qelbësirat, hajdutët. Nuk vjen njeri të na sqarojë. Janë të tërë të korruptuar, o nuk bëhet më ky vend.

O të hapet dera e ministrisë, o do vdesim këtu. Nuk kthehem më në Ballsh, vetëm e vdekur, se kam punuar, kam lënë gjakun atje.

Kemi tre vjet pa marrë rrogat, se pronari ikën në drejtim të paditur. Ç’është ky pronar, kush e sjell? Nafta është shumë cilësore. Të paktën nga shtatori deri në dhjetor na kanë dhënë një lëmsh, vetëm 230 mijë lekë.

Nga janari deri tani talli Edi Rama veten, duke na dhënë një pagë lufte 400 mijë lekësh. Tani na gënjejnë, bëmë kontratat nuk erdhi njeri, tani na sjellin policët të na hedhin gaz lotsjellës.

Ne nuk lëvizim që këtu, ta dinë mirë, i kemi marrë masat edhe për dhunë”, u shpreh protestuesja.

“Ju e çoni pagën në fund të muajit në shtëpi, e nëse ju vonohet një ditë, ankoheni, po ne me çfarë do jetojmë?

Ku do shkojmë, në çfarë dere të trokasim, ku do e marrim ndihmën?

Do votat ai, do mandat të tretë. Buka nuk ka ngjyra, është pa ngjyra, nuk është politikë. Ne duam bukën të ushqejmë fëmijët”, tha një protestuese tjetër.