Qeveria kundër ushtarakëve veteranë

763
Sigal

Shoqata e ushtarakëve: Ja si po diskriminohemi nga ISSH-ja, ministria e Financave dhe e Mbrojtjes. Jemi i vetmi vend ku “Statusi i Ushtarakut” nuk respektohet për pensionet,  trajtimin shëndetësor, ilaçet me zbritje, strehimin dhe pushimet

Ja si diskriminohen ish-ushtarakët shqiptarë. Jemi i vetmi vend ku “Statusi i Ushtarakut” përdhoset dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pensionet nuk zbatohet. Mungesa e trajtimit shëndetësor, dhënia e barnave me 80% zbritje, trajtimi për të pastrehët, i qëndrimit në kampet e pushimit etj.  

Qeveria e “Rilindjes” kundër ushtarakëve veteranë

Institucionet  e ndërtuara nga pushtetet  e përkohshëm politikë  në Shqipëri  nuk e respektojnë sa dhe si duhet, figurën atdhetare të ushtarakut veteran; madje nuk janë në gjedje t’a konceptojnë dhe vlerësojnë  atë, si gjenerali famëmadh  Xhorxh S. Patton, i cili ka thënë: “Pavarësisht nga njohja apo respekti që i japin burokratët  politikanë  apo zyrtarë, ushtaraku  është ushtarak për tërë jetën. Detyra dhe privilegji i tyre kurrë nuk mbaron, as kur del në pension, dhe as kur vdes, sepse, pasi ka veshur atë  uniformë nderi  e respekti, ushtaraku  kurrë nuk e heq atë, me të ai edhe varroset.”  Miratimi i ligjit  organik  nr.10142/2009,  e zgjidhi në favor  të interesit publik trajtimin  e ushtarakëve  që merrnin  41,000 lekë e lart pension të parakohshëm  për vjetërsi shërbimi në muaj, sepse në nenin 14, pika 2,  gërma “a”  të ligjit të lartpërmendur  ligjbërësi  ka sanksionuar  se masa e pensionit  të parakohshëm:  “..nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë,.”,  ndërsa në pikën 4 të po këtij neni,  sanksionoi se: “në rastet kur punësohet  në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm  për vjetërsi shërbimi  bëhet sa një pension bazë.”  Por pushtetet e përkohshëm  politikë në  Shqipëri,  gjatë periudhës 3 korrik 1991 deri  më 29 Shkurt 2020,  asnjëherë nuk e kanë rreshtur luftën e tyre antiligjore  kundër  statusit organik të ushtarakut, duke shkelur haptazi nenin 1 (ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit),  të Protokollit nr.12  të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku përcaktohet:  “1. Gëzimi i çdo të drejte të parashikuar me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim  të bazuar në shkaqe të tilla, si..{..}, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare  ose shoqërore,..{..}..ose çdo situatë tjetër. 2. Askush nuk duhet të diskriminohet nga një autoritet publik për ndonjë nga arsyet e parashikuara në paragrafin 1.”

  1. Gjykatat e nivelit të zakonshëm të gjykimit shkelin nenin 48 të ligjit nr.9210/2004

 

Asnjë gjykatë, e tre niveleve të sistemit të zakonshëm të gjykimit, nuk ka reaguar kundër përmbajtjes antikushtetuese të pikës 1 të nenit 29 të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009;  ku mëtohet përmbajtja vijuese  absolutisht e pavlefshme: “1. Dispozitat e ligjeve nr.8087, dt.13.3.1996  “Për sigurimin shoqëror  suple-mentar  të ushtarakëve  të Forcave të Armatosura  të Republikës së Shqipërisë ”, të ndryshuar..{..}.. zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

  1. Asnjë Gjykatë nuk ka mbajtur parasysh nenin 48 të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004,  ku i vihet detyrë  Këshillit të Ministrave, që  brenda  24 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, “..të paraqesë ndryshimet  përkatëse  në ligjin nr.8087, datë 13.3.1996,  i ndryshuar,  në zbatim të neneve 35 dhe 36 të këtij ligji.”
  2. Të gjitha nivelet e gjykatave të sistemit të zakonshëm të gjykimit  kanë “harruar” faktin se ligji nr.9418, datë 20.5.2005,  hyri  “..në fuqi në datën 1 janar 2006”,  dhe se, referuar nenit 32 të këtij ligji, Këshilli i Ministrave “brenda  3 muajve nga data e hyrjes në fuqi, të nxjerrë aktet nënligjore të neneve 3, 4 dhe 14  të këtij ligji .”,  kurse, në  bazë të nenit 33, gjykatat përjashtohen  “nga zbatimi i ligjit nr.8087,  dt.13.3.1996,   “Për sigurimin shoqëror suplementar  të ushtarakëve të Forcave të Armatosura  në  Republikën e Shqipërisë,”,  sepse:  “Ligji nr.8087, dt.13.3.1996 ..{.}, i ndryshuar, dhe  aktet e dala në zbatim të tij, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të zbatohen për ushtarakët e Forcave  të Armatosura  të Republikës  së Shqipërisë, që përfitojnë sipas këtij ligji.”

Ligji nr.9481,  dt.16.02.2006,  nuk  kish tagër të ndryshonte  statusin e ushtarakut, ose ligjin organic  nr.9210/2004;  nuk kish tagër t’i kundërvihej  ‘me evazivitete absurde’,  nenit 18 -të Kushtetutës, ku përcaktohet:  “1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.”,  gjithashtu nuk kish akses procedurial  t’i kundërvihej  pikës  nr.7 , të nenit 14 të ligjit nr.9418,  dt.20.05.2005,  ku është sanksionuar:  “7. Për ushtarakët,  të cilëve u ka lindur e drejta e përfitimit  të pensionit të parakohshëm  para datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.9210,  datë 23.3.2004,  ku  niveli i masës së përfitimit të llogaritur vendoset në kufijtë  e parashikuar  në këtë nen.

  1. Keqtrajtimi shëndetësor dhe social i ushtarakëve veteranë

Ndonëse grupi social i ushtarakëve  barabitet  me atdhedashurinë, ndershmërinë,  sakrificën sublime, respektin  e madh ndaj ligjit dhe besnikërinë  deri në vdekje  ndaj sovranit  Popull dhe Shtetit  të munguar Juridik;  Ministria e Mbrojtjes, pasi e nxjerr ushtarakun në lirim, rezervë dhe pension  pleqërie, për 28 vite rresht,  ngurron t’a pajisë atë me uniformë,  kundrejt  pagesës, siç parashikon ligji 9210/2004,  ose statusi ekzistues i ushtarakut.

Duke filluar nga shtatori i vitit 2005,  deri në shtator të vitit 2013, ushtarakët  në lirim, rezervë e pension  pleqërie,  nuk marrin për vete dhe familjet e tyre shërbim shëndetësor  falas në Spitalin Ushtarak; as pushime verore në shtëpitë klimatike të Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk zbatohet e drejta e ushtarakëve  në lirim, rezervë dhe pension pleqërie për rimbursimin  80 për qind të  ilaçeve; nuk janë pajisuar ata me uniformë parade,  kundrejt pagesës,  për t’a përdorur në raste përvjetorësh;  mungon paisja me kartën e Indentitetit  Ushtarak;  mungon  përcjellja  me ceremoni e ushtarakëve,  kur ndahen nga jeta; mungon rimbursimi  i qerasë së strehimit të familjeve të ushtarakëve  të nxjerrë në lirim dhe reserve,  të cilët paguajnë  për apartamentet e banimit,  sepse nuk zotërojnë prona të patundshme.

Aq e madhe konstatohet  moskokëçarja  për zbatimin e statusit të ushtarakut,  sa  Ministria e Mbrojtjes,  nuk është në gjendje të zbatojë as nenin 33 pika 2, (e drejta e pushimeve në shtëpitë e pushimit);  kurse QPR-ja e këtij digasteri,  sillet sikur të jetë në vartësi  të drejtorive rajonale të ISSH-së,  si dhe në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike,  lidhur me lëshimin e vërtetimeve për vjetërsinë e shërbimit ushtarak  dhe llogaritjen e pagave referuese.

Nuk është zbatuar neni 36 i ligjit nr.9210/2004, (e drejta për pension suplementar),  për ushtarakët e nxjerrë në lirim nga data 3.7.1991,  deri më 31.12.1995;  të cilëve, në bazë të  Vendimit  të  Këshi –llit  të Ministrave nr.225/1992,  u njihet si vjetërsi shërbimi peridha  që kanë ndjekur  studimet në shkollat  ushtarake, si dhe kryer studimet e larta civile si kontigjente të Ministrisë së Mbrojtjes.

Asnjëherë  s’është zbatuar neni 38 pika 2, e drejta për sigurim banese; ku taksativisht  mëtohet : “2. Ushtarakët  aktive të Forcave të Armatosura, (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/

profesionistë),  të cilët kur dalin në rezervë, lirim, ose në pension pleqërie,  dhe janë të pastrehë,

ose me sipërfaqe të vogël banimi,  trajtohen për strehim si ushtaraku  aktiv.”

Nuk është realizuar  zbatimi  i së drejtës së parashikuar  në nenin 40,  (trajtimi shëndetësor) pikat 3 e 4; ku mëtohet:  “3. Ushtaraku në rezervë,  në lirim ose në pension, (oficer, nënoficer) dhe pjestarët e familjes, që janë në ngarkim të tij,[..].., përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore  ushtarake dhe civile brenda vendit.  4. .. gëzojnë të drejtën për t’u kuruar ose për t’u diagnostifikuar  në institucionet  mjekësore  shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas.”.

Nuk zbatohet asnjëherë e drejta e parashikuar në nenin 41, (kompesimi i barnave),  pikat 1 dhe 4; ku mëtohet se oficerëve:  “1. ..të cilët kanë dalë në rezerve, në lirim, ose në pension pleqërie , u rimbursohen  barnat  në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë.

  1. Forma dhe kriteret e rimbursimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave

 

Konstatohet  fakti se nuk ekziston asnjë VKM-ë,  për kriteret e rimbursimit  të barnave për ushtarakët  në rezervë, lirim dhe pension pleqërie.  Nuk zbatohet neni 42 gërma “d” e statusit të ushtarakut, ose e drejta për të përdorur uniformën dhe gradat në ceremoni përvjetorësh ushtarakë dhe festa kombëtare;  si dhe e drejta e parashikuar në nenin 45 pika 2,  ku mëtohet e drejta e përcjelljes me ceremonial ushtarak, kur vdes ushtaraku  në rezervë, lirim dhe pension pleqërie. ISSH-ja  vijon  t’i  “grabisë financiarisht..”  ushtarakët e liruar, në rezervë dhe pension pleqërie. Gjatë periudhës nga data 1.06.2005,  deri më 30.06.2009,  ISSH-ja  dhe drejtoritë e saj rajonale,  nuk e kanë trajtuar  grupin e ish ushtarakëve,  të nxjerrë në lirim dhe rezervë nga 1.3.1991 deri më 30.04.2004, në përputhje me ligjin nr.9418, dt.20.05.2005,  “Për sigurimin shoqëror  suplementar  të ushtarakëve të FA të RSH”, i ndryshuar me ligjin nr.9481, datë 16.2.2006; (shih: nenet 1, 2, 4,),  ku përcaktohet: “2. Përfitimet suplementare  që jepen sipas neneve 12, 13, 19 e 23 të këtij ligji, rillogariten  sa herë që ndryshon paga referuese, me të cilën është bërë llogaritja e këtyre përfitimeve.”

S’është zbatuar Vendimi nr. 34, dt.20.12.2005  I  Gjykatës Kushtetuese,  dhe shkelur Vendimi nr.1 datë 31.01.2003  i Gjykatës  Kushtetuese, ku theksohet se: “Përsa i takon  aspektit  kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese  është i kundërshtueshëm,  në qoftë se cënon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese”.

3 – ISSH-ja nuk respekton vendimin nr.10, datë 6.03.2014,  të Gjykatës Kushtetuese

 

ISSH-ja  ka “shkelur” në dëm të ish ushtarakëve,  nenet: 1(dinjiteti njerëzor), 6 (e drejta për liri dhe siguri), 20 (barazia para ligjit),  21 (mosdiskriminimi),  25 (të drejtat e të moshuarve),  34/3 (sigurimet shoqërore dhe ndihma sociale),  41/2 gërmat ‘a, c’, (“ të drejtën e çdo personi që të dëgjohet përpara se kundër tij të merren masa që do ta cënonin atë); (c) detyrimin e administratës që të argumentojë  vendimet  e marra te  “Karta e të drejtave themelore  të Bashkimit  Europian”,  dhe nuk  ka mbajtur parasysh konceptin  juridik  të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit  Europian: “..pritshmëritë  e ligjshme duhet të mbrohen,  dispozitat prapavepruese, që vendosin  detyrime apo prapësojnë të drejta të fituara në mënyrë të ligjshme ndalohen,..”;

Nuk ka respektuar  Protokollit nr.12 të KEDNJ-së;  ku, në nenin 1, përcaktohet  ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit.

ISSH-ja,  asnjëherë nuk ka mbajtur parasysh vendimin nr.10, datë 6.03.2014,  të Gjykatës Kushtetuese  dhe as faktin se VKM-ja nr.5/2010,  konstatohet  nul, absolutisht e pavlefshme dhe pa asnjë fuqi juridike;  sepse bie ndesh me nenin 81/2 gërmat ‘a, d’,  të Kushtetutës;  kurse ligji nr.10142,  datë 15.05.2009,  është ligj organik, i miratuar me shumicë të cilësuar, (3/5, ose 84 vota), nga Kuvendi Popullor;  kurse akti normativ me forcën e ligjit nr.5/2010, është miratuar me shumicë të thjeshtë, (1/2 ose 71 vota), si ligj i zakonshëm nr.10367/ 2011;  ndaj nuk mund të sjellë ndryshimin e nenit 14 të ligjit organik nr.10142,  datë 15.05.2009.

Drejtoritë rajonale të ISSH-së  kanë ushtruar gjenocid  antiligjor  kundër  ish ushtarakëve; sepse nuk kanë respektuar  parimin e sigurisë juridike; kanë shkelur vendimin nr. 33, datë 24.06.2010, etj., të Gjykatës Kushtetuese;  kanë mohuar  të drejtat e fituara me ligjet e mëparëshme dhe 16 Vendimet që  ka nxjerrë  Këshilli i Ministrave,  për rritjen dhe indeksimin e pensioneve nga data 1.01.1999,  deri më 1.11.2011,  kurse nga data 1.06.2005,  deri më 30.06.2009,  nuk i kanë trajtuar ushtarakët  në përputhje  me ligjin nr.9418,  datë 20.05.2005,  “Për sigurimin shoqëror suplementar  të ushtarakëve të FA të RSH”.

  1. QPR-ja e Ministrisë së Mbrojtjes manipulon të dhënat për pagën referuese dhe vjetërsinë e shërbimit ushtarak

 

Ministria e Mbrojtjes  nuk e ka kryer drejt detyrimin ligjor të përcaktuar  në nenin 29 të ligjit nr.7496/1991,  në kuptim  të përcaktimit  të vjetërsisë së shërbimit për ish ushtarakët, që kanë përfituar  të drejtën për pension  të pjesshëm për vjetërsi shërbimi, siç përcakton  Kreu V, “Rillogaritja e Përfitimeve”,  gërma “B”, pika nr.5  e VKM-së,  nr.793,  datë 24.9.2010.  Ministria e Mbrojtjes  nuk  ka mbajtur  parasysh  plotësimin korrekt  të dokumentave  të ish ushtarakëve  “Për Pagën Referuese”,  conform  përcaktimeve  të kreut II, ‘gërma “B”,  të VKM-së nr.579, datë 8.12.1999,  “Për kushtet dhe masën e përfitimeve  nga sigurimi  shoqëror suplementar  i ushtarakëve dhe antarëve të familjeve të tyre në rastet e nxjerrjes  së tyre në rezervë, lirim apo pension”,  si dhe ka lejuar ISSH-në dhe Drejtoritë e saj rajonale,  të përcaktojnë  pagat referuese të ushtarakëve të nxjerrë në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, si dhe pagat e tyre mesatare referuese, në kundërshtim të hapur me përmbajtjen e VKM-së nr.393,  datë 3.9.1992,  “Për pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore”;  ku mëtohet  se pagat mujore përbëhen  nga: “..madhësia e pagës bazë dhe shtesës mbi pagë”. Shtesat mbi pagë janë: a) shtesa për vjetërsi pune; b) shtesa për funksion; c) shtesa për gradë; d) shtesa për vështirësi në vendin e punës.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka nxjerrë akte në zbatim të VKM-së nr.1619,  datë 2.7.2008,  ku përcaktohet se: “shtesa për vjetërsi në punë jepet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, deri në 25 vjet  vjetërsi  pune;  pra arrin deri në 50%  të pagës bazë.”  Nuk ka nxjerrë akte në zbatim të VKM-së nr.561, datë 12.8.2005,  “Për caktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”,  për periudhën  e sigurimit  para datës 1.1.1994. Antiprocedurialisht ka lejuar ISSH-në dhe Drejtoritë e saj Rajonale të bëjnë spekullime antiligjore, duke shkelur të drejtat e fituara nga ushtarakët sipas statusit të tyre.  Si dhe antiligjërisht  ka lejuar sigurimet shoqërore,  të diskriminojnë ushtarakët, duke ua llogaritur pagën referuese bazë,  para vitit 1994,  vetëm 4,384 lekë, ose thjesht si ‘specialistë të lartë’; d.m.th, pa shtesat për funksion, pa shtesat për gradë, pa shtesat për vjetërsi shërbimi dhe vështirësitë e vendit të punës.

  1. Kryeministri duhet të japë llogari për moszbatimin e statusit të ushtarakut

Konstatohet se zbatimi nen për nen i statusit ligjor organik të ushtarakut në Shqipëri, me dashje dhe paramendim  antinligjor, është shtyrë drejt “kalendave inekzistuese greke”; pra situata  ligjore ka degjeneruar krejt,  sepse për tridhjetë vite rresht, nga data 3 korrik 1991, deri më 1 mars 2020,  asnjë kryeministër  nuk jep llogari, nuk  kërkon zbatimin dhe nuk mban përgjegjësi  për moszbatimin e statusit të ushtarakut.  Ish kryeministri  Sali Berisha,  nga shtatori i vitit 2005,  deri shtator 2013,  nuk desh  t’a zbatonte statusin e ushtarakut, ndaj nxorri VKM-në  antikushtetuese nr.5/2010,  për të ushtruar gjenocid  financiar kundër  mijra ushtarakëve  patriotë.  Kryeministri Edi Rama,  për 7 vite rresht, nga shtatori i vitit 2013,  deri në 31 Maj 2020, nuk ka lejuar zbatimin e statusit të ushtarakut. Ai, kur ishte kryetar i opozitës, premtoi  shfuqizimin e VKM-së antikushtetuese nr.5/2010;  por kur erdhi  në pushtet politik,  vijoi rrugën antiligjore berishiane, madje shtoi keqtrajtimin,  duke thelluar gjenocidin  financiar  kundër ushtarakëve pas shpalljes së Vendimit,  gjoja Unifikues dhe antikushtetues,  nr.3/2016  të  Kolegjeve të bashkuara  të Gjykatës së Lartë, që kryesohej nga gjyqtari “shërbëtor  politik”,  Xhezair Zaganjori.

Në historinë e re  të Republikës  së Shqipërisë deri më sot,  asnjë kryeministër  nuk është hetuar, në pikëpamje gjyqësore, për shkelje të Kushtetutës, të ligjeve materiale dhe procedurialë organikë, për qëndrime  superligjore,  mospërfillje,  përbuzje,  moszbatim,  ose keqzbatim  shumëvjeçar  të kërkesave ligjore taksative.  Por dihet fakti se ish kryeministri i Republikës së Italisë, Silvio Berluskoni, në një nga shumë procedurat e ngritura kundër, u dënua nga gjykata për shkelje të ligjit, duke e detyruar më pas, të lerë edhe postin e kryeministrit.  Ky precedent mëton konkluzionin se kur një qytetar, i cili gjendet  në funksionin e përkohshëm  të Kryeministrit politik të vendit, paditet në Gjykatë, me pretendimin se ka shkelur ligjin;  ndonëse ishte person VIP, i pamposhtur  politikisht  në qendra votimi, mund të humbasë juridikisht  në gjykatë; nëse përpara kontrollit  të pushtetit të pavarur shtetëror gjyqësor provohet fakti se ka shkelur ligjin. Këtë pistë ligjore do ndjekim deri në fund.

Shoqata  “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë”,  nuk është politike,  as kundërshtare  e pushtetit  politik ekzistues..; por, duke mbajtur parasysh faktin,  se për 30 -vite rresht,  nuk ka gjetur zbatim statusi organik  i ushtarakut, ndjen detyrimin të denoncojë dhe kërkojë  të nxirren  përpara përgjegjësisë administrative e ligjore të gjithë personat zyrtarë  të çdo rangu, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre antiligjore  sfidojnë dhe shkelin  fshehtasi, ose haptazi, Sovranin Ligj.

 

Komiteti  Drejtues i Shoqatës “Lidhja  Kombëtare  e  Ushtarakëve  Atdhetarë” – qershor 2020.