SPAK dërgon në gjyq ish-kryebashkiakun e Pogradecit dhe 5 ish-zyrtarë

198
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

SPAK ka mbyllur dje, hetimet për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprin dhe 5 ish-zyrtarët e kësaj Bashkie, ndërsa çështja ka shkuar tashmë në Gjykatën e Posaçme. Kapri dhe 5 ish-zyrtarët e tjerë do të gjykohen në lidhje me akuzat për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017 dhe tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019.

Akuzat e SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 12.7.2021, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.69 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve:

Eduart Kapri, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal;

Avdulla Cano, me detyrë ish-zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;

Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal.

Enkeleida Kllomollari, me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal.

Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

Ky procedim është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248-25 dhe 258-25 të Kodit Penal dhe në objekt të hetimit të tij ka patur dy fakte penale: Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”. Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.