Prof. Lush Susaj: Katër cilësitë e rralla të Luigj Gurakuqit  dhe veprimtaria shtetformuese e tij

28
Sigal

– Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

– Kontributi si ministër i parë i Arsimit dhe si delegat në Konferencën e Londrës.

– Roli në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në Kongresin e Manastirit.

-145-vjetori i lindjes-

 

Telegraf.al / Luigj Gurakuqi është shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe kontributit në dobi të unitetit, të zhvillimit dhe të përparimit kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. Ai ka lindur në 19 shkurt, 1879 në qytetin e Shkodrës nga prindërit Pjetër dhe Leze Gurakuqi. Mësimet e para i ka marrë në Kolegjin Saverian të Shkodrës, për t’i vazhduar më pas në kolegjin arbëresh “Shën Adriano” të Shën Dhimitër Koronës dhe në Napoli të Italisë ku pati fatin e madh që të mësojë dhe të edukohet nga Jeronim De Rada që është njëri nga themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ndriçuesi më i mirë i projektit dhe rrugës europianiste të zhvillimit shtetëror e shoqëror të shqiptarëve. Luigj Gurakuqi, përveç gjuhës shqipe, shkruante dhe fliste shumë mirë edhe 6 gjuhë të huaja, si latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. Aftësitë dhe puna e madhe e Luigj Gurakuqit në dobi të Shqipërisë bien në sy në disa prej zhvillimeve më kulmore të historisë sonë kombëtare si në Kongresin e Manastirit, më pas në rrugën e përgatitjes dhe të shpalljes së pavarësisë përkrah Ismail Vlorës më 28 Nëntor 1912, në Kongresin e Lushnjës në 1920, në Konferencën e Paqes në Paris, në veprimtarinë parlamentare dhe shtetërore të viteve 1920-1924, në Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924, e deri në vrasjen e tij me 2 Mars 1925 në Bari të Italisë.

Kontributi në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në Kongresin e Manastirit

Luigj Gurakuqi ka spikatur edhe si njëri nga figurat kryesore të lëvizjes për alfabetin dhe shkollën kombëtare. Falë dashurisë trashëgimisë kulturore, vizionit Europerëndimor dhe aftësive intelektuale, Luigj Gurakuqi ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), përkrah Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Ndre Mjedës, Bajo Topullit, Simon Shuteriqit, etj, ku dhe është zgjedhur nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.

Kontributi në përgatitjen dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë

Luigj Gurakuqi ka qëndruar përkrah Ismail Vlorës gjatë gjithë procesit të përgatitjes, të shpalljes dhe të njoftimit të pavarësisë për mediat, për diplomacinë dhe për qeveritë kryesore të kohës. Ai ka marrë pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, ka qenë i pranishëm edhe në takimin e Vjenës me ministrin e Jashtëm Austro-Hungarez Bercthold. Ndërsa në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, Luigj Gurakuqi është zgjedhur sekretar i parë i Kuvendit të Vlorës dhe me dorën e tij ka shkruar dhe më pas e ka nënshkruar vendimin historik përmes të cilit shpallej se: “Shqipënia më sot do të bëhet më vehte, e lirë e mos- varme”. Teksti i shpalljes së Pavarësisë është shkruar nga Luigj Gurakuqi.

Kontributi si ministër i parë i Arsimit dhe si delegat në Konferencën e Londrës

Në votimin e parë të kuvendit për ministrat, Luigj Gurakuqi është propozuar për ministër Arsimi dhe është zgjedhur duke marrë 54 vota nga 58 që morën pjesë në votim. Luigj Gurakuqi ka hedhur themelet e para të arsimit kombëtar në Shqipëri. Ai ka ideuar dhe realizuar programet e para shkollore që karakterizohen nga fryma, nga përmbajtja dhe nga funksioni në shërbim të konsolidimit të shtetit, të shoqërisë dhe idealeve tona kombëtare. Që në ditët e para të fillimet e punës si ministër i Arsimit mori kontakt me mësuesit patriot dhe filloi punën me hapjen e shkollave të para shqipe në Dukat, në Kaninë, në Kullas në Smokthinë, në Tragjas, në Drashovicë etj., e në të gjithë Shqipërinë. Mě 13 shtator ka lëshuar urdhëresën e parë, përmes të cilës porosiste për hapjen e shkollave fillore (4 vjeçare) shtetërore në të gjithë vendin. Ndërsa gjatë periudhës Prill-Qershor 1913, Luigj Gurakuqi ka qëndruar në Londër së bashku me Ismail Qemalin, në mbrojtje të çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës.

Kontributi në Konferencën e paqës në Paris

Në vitin 1918, Luigj Gurakuqi, përsëri është rizgjedhur ministër i Arsimit në qeverinë e Durrësit. Në përgjigje të situatës së rëndë ku ndodhej çështja jonë kombëtare, në mbledhjen e datës 22-23 dhjetor 1919, qeveria e asaj kohe pati autorizuar Imzot Luigj Bumçin si kryetar të delegacionit shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris të përbërë nga mendjet më të ndritura të kohës, si At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Mehmet Konica. Falë punës dhe performancës së shkëlqyer të këtij delegacioni për- faqësues dhe gjithpërfshirës, është siguruar mbështetja e madhe e shteteve Europiane dhe e ShBA. Performanca e shkëlqyer e delegacionit tonë arriti të sigurojë mbështetjen e Vatikanit dhe të Uashingtonit, të Papa Benediktin e XV dhe të Presidentin Uillson, për sigurinë e Integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror në kufijtë e vitit 1913.

Vrasja politike e Luigj Gurakuqit

Për shkak të prishjes së procesit zgjedhor, të propagandës dhe të dhunës së vazhdueshme ndaj opozitës, me 1 Qershor 1924, duke filluar nga Shkodra, filloi revolta popullore ndaj mënyrës së qeverisjes. Në këto rrethana, Ahmet Zogu me Osman Gazepin., etj, janë larguar nga Tirana për në Beograd, në pritje të momentit për t’u rikthyer me 24 Dhjetor 1924. Në këtë mënyrë, opozita e asaj kohe e mori pushtetin me mjete jodemokratike, me anë të kryengritjes së armatosur, që u quajt “Revolucion Demokratik”. Ndërsa 6 muaj më vonë, me 24 Dhjetor 1924, edhe Ahmet Zogu është rikthyer në pushtet me mjete jo- demokratike, me dhunë. Pas rikthimit të Zogut, Gurakuqi ka emigruar në Itali ku i është organizuar edhe atentati vdekjeprurës i 2 Marsit 1925. Për nga shkalla e implikimit të trupit diplomatik të shtetit të kohës, për nga mënyra e organizimit dhe për nga dora e zgjedhur për të bërë ekzekutimin e Gurakuqit, padyshim që është vrasja politike më e pisët e këtyre 105 viteve. Luigj Gu rakuqi (në moshën 46 vjeçare) është vrarë nga dora e Baltjon Stambollës, djalit të tezes së tij (kushëririt të parë). Pas vrasjes, Fan Noli ka shkruar: “Nëno moj, vajto, merr malin, / Larot ta përmbysnë djalin !/ Që me Ismail Qemalin ngriti flamur trimëror./Nëno moj, ç’është përpjekur ,/ Gojë mjalt e zemër hekur,/Syrgjyn gjall’ e syrgjyn vdekur, /Ky vigan Liberator”. Ndërsa Sejfi Vllamasi, që ka qenë kundërshtar i Luigjit, duke vlerësuar Gurakuqin, ka shkruar: “Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Luigj Gurakuqi qe një meteor, një flakadan i çështjes kombëtare shqiptare. Pas kapjes së atentatorit Stambolla, refugjatët politikë shqiptarë i patën kërkuar MPJ të Italisë që të mbante nën mbikqyrje konsullin shqiptar Çatin Saraçi që ishte marrë gjatë me organizimin e ekzekutimit mafioz. Në lidhje me këtë ngjarje, gazeta “Il Gior- nale d’Italia”, e datës 13 mars 1925, ka dalë me titullin e madh: “Misteri i arratisjes së konsullit shqiptar në Bari pas vrasjes së ish-ministrit Gurakuqi”. Më vonë, ish konsulli i Shqipërisë në Bari (Çatin Saraçi), në kujtimet e tij ka pohuar se: “Ia dola t’i fitoja zemrën Zogut dhe të bëhesha njeriu i tij më i besuar”. Ndërsa dy muaj më pas (sipas A Gjergji, 2012), Ceno Beg Kryeziu i ka deklaruar gazetës serbe “Novosti” se: “Unë e kam xanë dhe e kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviqin… Unë kam vra Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin – për paqen tuaj e tonën..”. Në këtë mënyrë, në këto 105 vite, herë hapur e herë në mënyrë të nëndheshme, gjithnjë ka dominuar dhe ka fituar dhuna, fryma dhe sjelljet orientale. Në mënyrë të vazhdueshme ka funksionuar mërzitja, mënjanimi, dhunimi, dëbimi e deri dhe vrasjet politike të elitës shtetformuese dhe njerëzve me kulturë, me sjellje e me mendësi Europiane. Edhe kjo vrasje e pistë antishqiptare, njëlloj si të tjerat, ka patur për bazë interesat e klaneve dhe aleancave të njohura antishqiptare dhe antieuropiane, vrasja e Gurakuqit i ka shërbyer prapambetjes së thellë dhe vazhdimësisë së despotizmit dhe sundimit oriental në Shqipëri.