Kryeministri Rama: Tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë e saj në Shqipëri

17
Sigal

Rama tha se janë tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë në Shqipëri duke cituar se: “E para falë jush dhe qeverisë tuaj, Kosova u njoh si Republikë e Pavarur, pak minuta pasi parlamenti i saj shpalli Pavarësinë. E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e menjëhershëm për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja. E treta, kur Shqipëria, populli shqiptar, bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë, të Ballkanit Perëndimor u ndjenë si peshku pa ujë, në momentin kur bota u godit nga koronavirusi dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizorëve evropiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do të ishte Turqia dhe ju personalisht, kush e di se sa njerëz do kishin humbur jetën. Këto janë tre momente në njëfarë mënyre mes jetës dhe vdekjes, që nuk harrohen dot kurrë. Pastaj ka shumë për të thënë”,- tha Rama.

Presidenti turk Erdogan: Konfirmuam përforcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

“Në mbledhjen e parë të këshillit tonë konfirmuam vendosmërinë për të ngritur në nivel më të lart marrëdhëniet tona. Rëndësinë që i jep Turqia zhvillimit të Shqipërisë. Përforcuam bazën juridike. Kam besim me përpjekjet e sektorit tonë privat do t’ja arrijmë kësaj shifre në një kohë të shkurtë. Turqia është ndër investitorët më të rëndësishëm të Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke, do të vazhdojmë përpjekjet tona përmes agjencisë Tika. Marrëveshja që nënshkruam pak më parë, do të përforcojë bashkëpunimin tonë. Në konferencën e shtypit që mbajtën në Janar dhamë lajmin e mirë se do të ndërtonim brenda tre muajve një spital në Shqipëri, madje vendosëm një bast. E mbajtëm fjalën dhe e ndërtuam spitalin e miqësisë, do vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital ku gjejnë shërim pacientët, ashtu si deri më sot do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit shqiptar”-tha ndër të tjera Erdogan në fjalën e tij.