Presidenti Meta çoi në SPAK ligjin për “Metrologjinë”/ Reagon Konfidustria: Nëse nuk rishikohet, do ketë pasoja

275
Sigal

Presidentit i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu pak ditë më parë në Kuvend, ligjin për Meterologjinë që i hap rrugë koncensionarit të zhvillojë kontrolle pa tavan në pikat e karburantit dhe për pasojë rrit pagesat. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Konfederata e Industrisë, ku mbështet dekretin e kreut të shtetit, duke i kërkuar Kuvendit që të rishikojë ligjin. Sipas Konfindustrisë, ligji do të sjellë pasoja negative jo vetëm për tregun strategjik të meterologjisë, por për tërë ekonominë kombëtare. Pas kthimit të Ligjit në Kuvend, Presidenti Meta gjithashtu bëri një kallëzim pranë SPAK.

Reagimi i plotë nga Konfindustria

Konfindustria mbështet dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit për meterologjinë për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të shfrytëzojë rastin e dhenë për të kryer ndryshimet e domosdoshme të problematikave të mprehta në ligjin në fjalë. Në rast të kundërt rrezikojmë të kemi pasoja, që prekin interesin publik, duke tejkaluar ndjeshëm jo vetëm ndikimin negativ në tregun strategjik të meterologjisë, por shtrihen në gjithë ekonominë kombëtare.

Së pari, rrezikojmë, që të thellojmë edhe më shumë problematikën serioze të deritashme të përdorimit të PPP dhe koncesioneve për gjithë sektorët e ekonomisë, duke e kthyer në një proces të pakontrolluar, deri në anarshi të plotë. Shqipëria ka lidhur deri më sot kontrata PPP në vlerë mbi 2.2 miliard dollarë, më e larta krahësimore në Rajon.

Së dyti, kalimi me ligj në monopol privat i shërbimit të kontrollit të meterologjisë prek drejtpërdrejt financiarisht qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare. Mungesa e parashikimeve ligjore dhe pamundësia teknike sesi do të kontrollohet “kontrollori privat” nga abuzimet e mundshme gjatë ushtrimit të detyrës si dhe mundësitë për prishje të rregullave të konkurrencës së lire ndërmjet operatorëve në treg, e bën tërësisht të dyshimtë dhe të pambështetur interesin publik nga PPP në fjalë.

Vlerësojmë se e gjithë kosto e shërbimeve të kontrollit të pompave të karburanteve të kryera nga operatori privat, kalon në rritje të mëtejshme të cmimit fundor për qytetarët dhe biznesin. Shqipëria zë sot ndër vendet e para në botë për cmimin më të lartë të karburanteve, që përbën një nga arsyet kryesore të goditjes së biznesit, mirëqënies së qytetarëve dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare.

Gjergj Buxhuku

Administrator i Përgjithshëm