Prof.Dr.Xhevdet Zekaj
“Mjeshtër i Madh”
Nëse duam të shohim tragjedinë e tarikatit bektashian, në ditët e para të vitit 1914, e për të gjykuar gjithë atë zemërim ndën komandën e Haxhi Qamil Fezës, duhet të shohim në një kontekst më të gjerë, sidomos në aspektin kohor dhe atë fetar. Ka patur një atmosferë shumë të rëndë, mbytëse, pothuaj shkatërruese për bektashizmin qysh në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, atëherë kur në drejtim të tij u vërsulën jo vetëm pushteti sulltanor, por edhe ulemaja islame në sinkron me vëllazëritë e tarikateve të tjera të kësaj familjeje. Sipas urdhrit sulltanor të datës 10 korrik 1826, Sulltan Mahmudi i Dytë, konstatohen shumë dëme që shteteve i kishin ardhur prej trupave jeniçerë dhe të gjitha këto nën ndikimin e klerikëve bektashinj. Tekstualisht këtu thuhej se “nëse bektashinjtë që kishin lidhje me jeniçerët do të vazhdoheshin të liheshin në gjendjen që ishin, numri i tyre do të rritej ditë pas dite, çfarë do të mundësonte nxjerrjen e popullsisë nga rruga e Zotit…’
Pas urdhrit sulltanor të 10 korrikut 1826, vijuan të tjerë akoma më kërcënues, ku teqetë bektashiane jo vetëm do të mbylleshin, por ndaj klerikëve dhe besimtarëve të këtij tarikati u sanksionuan masa ndëshkimore të paekspozuara deri asaj kohe, siç ishte syrgjynosja, largimi me dhunë nga teqetë, burgosja, madje në shumë raste edhe vrasjet e hapura të tyre. këto masa të egra, u pasuan me konfiskimin e të gjitha pasurive të teqeve, në mënyrë të veçantë e asaj shpirtërore, çfarë përfshinte librat e ndryshëm të baballarëve, përkthimet e sufistëve ndër shekuj, fletore lutjesh që lidheshin me trashëgiminë fetare të Haxhi Bektash Veliut si edhe krijimtari letrare e deriatëhershme. Për Portën e Lartë ishte e qartë se duhej zhdukur pikërisht kjo traditë shekullore, e cila kish mundësuar shtrirjen e gjerë të tarikatit nga Azia në Ballkan dhe përpiqej dita – ditës të shtrihej në peizazhin fetar evropian.
Sipas dokumenteve të arkivave, paralelisht me represivitetin policor ndaj teqeve dhe klerikëve bektashianë në viset aziatike, Porta e Lartë mori një varg masash edhe në Ballkanin e sotëm, ku për hir të së vërtetës, bektashizmi me atë substancën përbashkuese dhe liberale të tij, ishte shumë i pranishëm në shumë aspekte jetësore. Nga një informacion i kësaj periudhe mësojmë midis të tjerave se “Administrata Qendrore është e mendimit se pjesa më e madhe e popullsisë së Rumelisë, ka i mënyrë jetese, atë të bektashinjve…”. Ndërkaq kur flasim për bektashizmin në vise të Rumelisë, kemi parasysh sidomos këtë tarikat të përhapur aq shumë në Shqipërinë e Jugut, në Kosovë apo trevat shqiptare në kufijtë e sotëm të Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore.
Por le t’u kthehemi teqeve kryesore në Elbasan, Teqeja e Madhe, e cila në traditën gojore të besimtarëve përkufizohet si teqeja e Fakri Mustafa Babait, është themeluar në vitin 1803 bën përkujdesjen e drejtpërdrejt të klerikut të famshëm Shememi Babait të Fushë Krujës. Ajo u mbyll siç konstaton edhe studiuesi Elsie, në korrik të vitit 1826, ndonëse studiuesja e njohur e bektashizmit Hasluck, pohon midis të tjerave se ndjekësit e sprovuar të Haxhi Bektash Veliut, i kryenin aktivitetet e tyre lehtësisht në Shqipëri, pavarësisht masave represive të ushtruara nga Porta e Lartë. Mendohet se një shkak tjetër akoma më i madh, e ka shtyrë baba Xheta: Ibrahimin që në krye të disa dervishëve të tij, të niset për në teqenë e Dimotekës, ndër më të famshmet në Ballkan, në kuptimin e një shkolle të specializuar për dervishët rishtarë, të cilët pas studimeve aty shkonin në çdo teqe të mundshme. Po sipas dokumenteve osmanë, ky klerik kapet dhe ekzekutohet nga repartet osmane, pasi nuk dëgjonte të zbatonte urdhërat sulltanorë për rrënimin e teqesë së Dimotekës. Në fillim të vitit 1827, dervishët e mbetur në këtë teqe u muarën me forcë dhe u dërguan syrgjyn, duke u hequr forcërisht edhe veshjet e tarikatit. Mjediset e teqesë u kthyen në medrese, duke propaganduar me zë të lartë se ky tarikat ishte kundër fesë islame ndaj duhej të shuhej përfundimisht. Në mungesë të plotë të klerikëve, mallrat dhe krejt ndërtesa, iu dha komunitetit. Në mungesë të plotë të klerikëve, mallrat dhe krejt ndërtesa, iu dha komunitetit syni të Elbasanit, i cili sipas dëshmive, me rikthimin e klerikëve bektashianë, u largua përfundimisht nga kjo vatër e Haxhi Bektash Veliut. Klerikët që erdhën dhe vijuan misionin e tyre fetar në këtë teqe, janë: baba Daut Agjahu, baba Mustafa Qefshi, baba Mustafa Baltëza, baba Hysen Duhanxhiu, baba Sali Elbasani dhe të tjerë. Për këta mund të thuhet se vijuan traditat dhe parimet e tarikatit jo vetëm në frymën e paraardhësve të tyre, por u përpoqën ta shndërronin teqenë në model për vetë jetën e banorëve të Elbasanit, duke zhdukur në një kuptim ato gjurmë të liga të opinioneve të shpërndara pas vitit 1826.
Haxhi Baba Admir Selmani dhe Haxhi Baba Faik Selmani
Në simetri të plotë me vetëdijen e tyre fetare, këta klerikë të urtë dhe të pajisur me koncepte të përparuara për atë periudhë, kanë padyshim meritën e madhe të sakrificave të tyre për ndërgjegjësimin kombëtar të përkrahësve të tyre. siç dihet në fillim të shekullit të njëzet, teqetë bektashiane anekënd viseve shqiptare, kishin çelur klasa të fshehta për mësimin e gjuhës shqipe, dervishët e tyre merrnin e jepnin libra shqip, ndërsa në shumë raste, komitët shqiptarë gjenin strehë të sigurtë në këta konakë të mikpritjes karakteristike bektashiane. Në një prej udhëtarëve të rrallë të asaj periudhe, ka përshkruar mjaft qartë shpirtin kombëtar të dervishëve të kësaj teqeje. Gabriel Luis Jaray shkruan: “Dervishi që gjendej afër meje më ftoi të ulesha nën pemët që shikonin mbi luginën ku hijet po rriteshin. Një tavolinë ishte vendosur dhe ishte mbushur me rrushin e shpëlarë me ujin e freskët dhe filxhanë aromatikë të kafesë… Njëri nga shoqëruesit e mij padyshim i mbërthyer nga kujtimet e ditëve të kaluara, filloi të këndonte një melodi krenare, me tingëllimë të trishtuar, që mori të tjerët në gji, këngë shqiptare për Skënderbeun”
Një tjetër dokument autentik i Arkivit të Shtetit Shqiptar, na bën me dije se në fillimet e shekullit të njëzetë, teqeja ishte jo vetëm një institucion për mësimin e gjuhës shqipe, por edhe një kuvend i burrave intelektualë dhe atdhetarë elbasanas, në kuvendet e të cilëve diskutohej me idenë e rrugëzgjidhjeve për problemet aq madhore që kalonte vendi ynë, nën dhunën dhe padijen pesë shekullore. Dokumenti bën fjalë për baba Sali Matohasanin dhe thuhet se ky ka ndenjur plot gjatë vjet në teqenë bektashiane të Koshtanit, i pajisur me mësimet teorike dhe ritet zakonorë të tarikatit dhe pas kësaj periudhe sakrificash të përditshme, sipas traditës kërkoi leje të vizitonte teqetë e tjera. “Si e mori lejen shkoi për në Elbasan të vizitoj teqenë e Xhefai Babait. Aty ka qëndruar një kohë për gjashtë muaj, ku edhe u takua me disa patriotë të thjeshtë: Jani Vreton, Kristoforidhin, Aqif Pashën dhe të tjerë. Prej këtyre mësoi shkrim e këndim në gjuhën shqipe me germa të Naim Beut…”
Pra mendoni për një çast që ajka e atdhetarëve dhe intelektualëve elbasanas, kishin gjetur strehë në Teqenë e Madhe të Xhafai Babait.
Është me vend të theksojmë edhe një fakt tjetër domethënës. Periudha 1908 – 1912, krahas rritjes së ndërgjegjes dhe lëvizjes sonë autonomiste, u shoqërua edhe me masa të egra represive nga ana e Portës së lartë. Pavarësisht se ndodhej në ditët e fundit të saj, Perandoria Osmane, bëri çfarë ishte e mundur të kontrollonte situatën në viset shqiptare, duke menduar se ne, do të mbeteshim kurdoherë një enklavë turke në Ballkan, gjë e cila nuk ndodhi asnjëherë, për shkak të vizionit modern dhe evropian të lëvizjes sonë kombëtare. Por teqetë bektashiane kishin fituar prej kohësh një status të veçantë në jetën sociale të kohës. Për bektashinjtë, fshehtësia në veprime përbënte një normë të paevitueshme, të sanksionuar edhe në doktrinë. “Dogmant e bektashinjve janë të fshehta. U shfaqen vetën atyre që kanë hyrë në “rrugën, por edhe atyre, jo të gjitha, sepse ndjekësit janë ndarë në shkallë dhe secila shkallë zbulon një cep të të fshehtave. Bektashinjtë e shkallës së lartë janë ata që dijnë më shumë. Po edhe midis tyre ka njerëz më të ndritur dhe më të zgjedhur, që dijën ca më tepër, ndëmos të gjitha…”. Pikërisht këto praktika u kanë dhënë mundësi baballarëve të teqesë së Xhefai Babait në Elbasan, të ofrojnë në fshehtësi nxënës e mësues të shqipes, për të realizuar detyrat kombëtare dhe për t’u bashkuar në gjirin e lëvizjes madhore për liri të Shqipërisë.
Përsa i përket zhvillimeve të historisë sonë në vitet 1912 – 1913, është katërcipërisht e drejtë të njehsosh aktin e madh të atdhetarisë së teqeve bektashiane në vitet shqiptare, me veprimet e klerikëve të Teqesë së Madhe në Elbasan. Nën drejtimin e Aqif Pashë Biçaut, një ndër myhibët më të respektuar të kësaj teqeje, në janar – shkurtin e vitit 1913, u organuzan, armatosën dhe dhanë besën për të luftuar rreth katërqind trima bektashianë, ndërkohë që forcat serbe në bashkëpunim me ato malazeze, të yshtura edhe nga Rusia, mbanin nën kontroll territoret tanë të Lindjes, duke dashur t’i bëjnë presion fuqive evropiane, se u takonin atyre. Ka dëshmi që flasin për atë bashkëpunim të ngushtë të luftëtarëve të Aqif Pashë Elbasanit me prijës të Kosovës dhe viseve shqiptare të Maqedonisë, për të koordinuar veprimet kombëtare në ruajtje të tërësisë territoriale dhe shtetit të sapokrijuar shqiptar.
Një vështrim realisht të ngjarjeve në këtë kohë, na e jep Mid’hat Frashëri, në artikullin e botuar në revistën “L’indipendance Albanaise”, ku thotë: “Shqipëria pra, e braktisur në fatinë vet, e dobët dhe e paformuar mirë, gjendej përballë armiqësive të hapura e të deklaruara jo vetëm të Greqisë që e kish marrë flamurin dhe po e shkretonte vendin pamëshirë, por edhe të dy shteteve sllavë. Malit të Zi dhe Serbisë. Këtyre tri fqinjëve të tërbuar u ishte bashkuar edhe Turqia, që nuk mund të pranonte një shtet të pavarur, mbas një vartësie shekullore. Pra grekë, serbë dhe turq ishin kapur dorë më dorë nën vështrimin atëror dhe tutelën e gjashtë Fuqive të Mëdha.”. Në arkivat e teqesë së Xhefai Babait në Elbasan, ka pasur edhe një tog me letërkëmbime të Mid’hat Frashërit me dervishë e baballarë të kësaj teqeje, të cilat fatkeqësisht u kapën befasisht dhe u dogjën nga rebelimi absurd i vitit 1914.
Siç e dijmë, mbrapshtitë e këtij viti fillojnë qysh në 24 janar 1914, kur Ismail Qemal Vlora dha dorëheqjen, i detyruar nga disa rrethana ndërkombëtare të koklavitura, por sidomos edhe nga veprimi reaksionar i disa të quajtur “bejlerë” të cilët nën drejtimin e Abdyl Ypit, themeluan organizatën “krahu kombëtar” duke synuar pushtetin dhe duke u shndërruar në vegla të kombinacioneve të Fuqive të Mëdha Evropiane. Këta shërbyen ndërkaq edhe si bërthamë e qeverisë së Durrësit, të kryesuar nga Esat Pashë Top tani, i cili asaj kohe u shërbente në të njëjtën kohë interesave serbe dhe italiane. Forcat serbe kishin filluar inkursionet e tyre ushtarake në territoret shqiptare, duke harruar që vetëm pak kohë më parë, në prag të takimeve të Londrës, Pashiç kish deklaruar midis të tjerave se “regjimi serb bazohet mbi vëllazërinë, barazinë dhe lirinë…”
Kaosi në vend nuk u luftua me energjinë e duhur edhe nga Princ Vidi, tek i cili me të drejtë shqiptarët kishin menduar se do të shihnin prijësin e tyre në kohëra kaq të errëta. Pavendosmëria e tij në shumë situata, në mënyrë të veçantë për zhvillimet në Jugun e Shqipërisë, ku andartët grekë dualën hapur në zbatim të orekseve shovene – shekullorë, por edhe qëndrimi i fjetur ndaj makinacioneve politikë të Esat Pashës me kompani, të cilit i pat dhënë kompetenca të shumta, si edhe mosnjohja e plotë e mentalitetit fisnor shqiptar, bënë që ai të largohej akoma pa ardhur mirë, për ta lënë vendin tonë në ato dallgë të trazuara, në dorë të Kontrollit Ndërkombëtar të Kufijve, me kompetenca të plota dhe një afat dhjetë vjeçar, por që rezultoi tepër afatshkurtër.
Momentet që po kalonte vendi ishin tepër delikat. Pavarësisht ndërhyrjeve të fuqive evropiane (të cilat në shumë raste nuk mund të konfrontoheshin me e tyre ballkanike) tanimë territoret shqiptare po rrudheshin dita ditës dhe vetë shqiptarët ndodheshin në udhëkryq të një lëvizjeje që nuk dinte nga t’ia niste dhe çfarë të kërkonte. Me të drejtë për këtë situatë, Zavalani do të shkruante: “Shtetet e Ballkanit shpallën në mënyrë të premë se, të gjitha tokat e Perandorisë Osmane në gadishull iu takonin atyre, mbasi kishin dalë fitues në luftën kundër Turqisë. Ata nuk dojshin me ditë, se kishte një komb shqiptar…’
Siç dihet, kryengritja absurde e kryesuar nga Haxhi Qamili dhe e mbështetur nga reaksioni antishqiptar nisi në Kavajë në majin e vitit 1914. Shtabi i kësaj kryengritjeje tanimë i kish të qartë objektivat: rrëzimin e Princ Vidit dhe largimin e tij nga Shqipëria, sjelljen në vend të tij, të një përfaqësuesi të Sulltanit dhe bashkimin e trojeve shqiptare nën osmanët. “Duam Babën!” ishte parulla që mobilizoi mijëra forca rebele, të cilat në të vërtetë, përveç paditurisë së tyre dhe mercenarizmit aq të njohur të shqiptarëve, nuk do të kishin asgjë të përbashkët me ëndrrën shekullore të kombit tonë, për t’u radhitur në krah të vendeve evropiane, atje ku na takonte historikisht.
Një tablo të qartë të këtyre ditëve na vjen e qartë edhe përmes kujtimeve të Princ Vidit, (përkthyer nga gjermanishtja) në lidhje me ngjarjet në fjalë. “Më 10 qershor u dërgova një notë zyrtare të gjithë përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Në të theksoja se sigurisht Shqipëria kish një të ardhme, por ishte e pamundur të punoje për të mirën e vendit, nëse nuk do të respektoheshin vendimet e Konferencës së Londrës. Grekët mbanin të pushtuar Jugun, malazezët kishin kaluar kufirin verior dhe kryengritja brenda vendit ushqehej nga serbët, grekët dhe malazezët… Njerëzit e thjeshtë nuk e kishin fare idenë se çfarë po ndodhte. Këtë gjë e vërtetojnë deponimet e të plagosurve dhe robërve. Ata ishin detyruar të bashkoheshin me kryengritësit rebelë. Në rast të kundërt do t’u digjej shtëpia dhe tokat e mbjella…”
Në fillim të qershorit 1914, rebelët iu drejtuan qytetit të Elbasanit. Më përpara nga shtabi i tyre u dërguan disa telegrame përfaqësuesve diplomatikë të disa fuqive evropiane, por këta mbajtën qëndrim indiferent, duke ditur se ky nuk ishte zëri i vërtetë i shqiptarë. Në Elbasan sipas dëshmive, komandot rebele kërkuan bashkëpunim me përfaqësuesit e synive dhe të krishterëve ortodoks të qytetit. Ky bashkëpunim “me një anë përpiqeshe të prishte krejt elementin mysliman dhe të krishterë kombëtarë, me tjatër anë merrte me vete, me zorë, të gjithë ata të krishterë shqiptarë që kujtonte se mund t’i bënte vegla të verbëra për të fituar pikët e saj përpara Evropës…”
Po ndërkohë që disa hoxhallarë e klerikë të kishës ortodokse të Elbasanit, u bënë bashkë si e si të gatuanin këtë çorbë antikombëtare, qëndrimi i tyre ndaj teqeve bektashiane ishte i prerë, i qartë dhe i egër pa asnjë mëdyshje. Ato duheshin djegur, plaçkitur, rrënuar dhe klerikët, ata që kishin shpërndarë dije dhe shqiptarizëm, duheshin arrestuar, gjykuar dhe vrarë. Deri në ditët e sotme në Elbasan dëshmohet se baba Salih Elbasanin e kanë rrethuar shumë myhib e besimtarë të tij pa e lënë të dalë nga teqeja. Por rebelët dike njohur makinacionet më dinake të mundshme, dërguan në Teqenë e Madhe vetëm një grup ushtarësh, të cilët me urtësi kërkuan ta përcillnin këtë klerik deri në post komandë, duke përhapur fjalë se Haxhi Qamili pat thënë: “Kush ma prek baba Sali Elbasanin, do ta var me dorën time tek Sheshi i Namazgjasë!”.
Ngaqë kish popullaritet të veçantë, madje në vitet 1912 – 1914, baba Salih Elbasani ish thirrur shpesh nga paria e vendit dhe fjala e tij respektohej, besimtarët e Teqesë së Madhe iu besuan forcave rebele, madje shumë prej tyre e shoqëruan vetë klerikun atdhetar dhe të urtë. Mendohet se në post – komandën e rebelëve, baba Salihu është trajtuar fillimisht mirë, sa për të larguar vëmendjen e bektashinjve të qytetit, më pas, në fshehtësi, natën, ai është larguar prej andej për t’u dërguar në Durrës, aty ku pushteti i rebelëve ishte në majat e tij. Këtu, pas disa muajve i lënë në harrim të plotë dhe i torturuar, “ndërron jetë në vitin 1915”. Pas largimit nga pushteti të rebelëve, largimit të Esat Pashë Toptanit dhe vendosjes së një lloj qetësie në jetën e bektashinjve elbasanas, jeta dhe vepra e baba Salih Elbasanit u respektua dhe nderua sipas të gjitha rregullave trashëgimore të tarikatit në fjalë.
Ndërkohë që Teqeja e Madhe u mësy nga haxhiqamilistët, disa myhib u kujdesën të mbronin bashkë me jetën e klerikëve edhe një ndër bibliotekat më të mëdha të asaj kohe në qytetin e Elbasanit. Por edhe këtu, rebelët u treguan shumë të vëmendshëm. Ata organizuan shërbim të rregullt në teqe dhe sidomos në dhomën ku ndodheshin librat, për të cilët kishin urdhër të prerë që të digjnin jo vetëm librat por edhe raftet e drunjtë. “Teqeja u dogj në qershor 1914 nga rebelët myslimanë synitë që mbështesnin kryengritjen e Haxhi Qamilit…” Pak vite më vonë kur parlamentari francez Godard do të bënte një vizitë në teqenë e ringritur të Xhefai Babait, do të konstatonte midis të tjerave: “Kohët e fundit është bërë një përmirësim në marrëdhëniet mes synitëve dhe bektashinjve në Shqipërinë Veriore, madje edhe në Elbasan, ku thuhet se tani janë rreth 500 familje bektashiane. Arsyeja qëndron kryesisht në theksin që bektashinjtë i japin patriotizmit si virtyt.”
Ngjarjeve makabre dhe shkatërruese të vitit 1914, nuk i shpëtoi dot as teqeja bektashiane e fshatit Dushk, në malësi të Gramshit, e cila qysh në ditët e para të themelimit të saj, pati mbështetjen ekonomike, shpirtërore dhe administrative të Teqesë së Madhe të Elbasanit. E themeluar në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga baba Ahmet Nazereci, teqeja mblidhte në gjirin e saj mijëra besimtarë bektashianë të Gramshit, madje në vitet 1910 – 1912, teqeja përmendet si shkollë shqipe e fshehtë për djemtë e atyre fshatrave. Pikërisht në këto vite, teqeja udhëhiqej nga baba Rexheb Plevishti, i cili një pasuri të konsiderueshme të trashëguar prej paraardhësit baba Shaban Barmashi, e dha për lëvizjen autonomiste shqiptare dhe Qeverinë e Përkohshme nën drejtimin e Ismail Bej Vlorës. Çeta më e mirë organizuar dhe armatosur në vitet 1912 – 1913 në ato treva, ishte pikërisht ajo e teqesë së Dushkut.
Por rebelët megjithë terrenin mjaft të vështirë, vetëm e vetëm për mos ta lënë atë vatër të Haxhi Bektashit të vijonte misionin e saj sa atdhetar, aq edhe në shërbim të Zotit. Me ndihmën e disa synive të verbër të Gramshit, duke rekrutuar me forcë edhe rreth 200 fshatarë të armatosur, rebelët iu drejtuan teqesë së Dushkut në fundin e muajit qershor të këtij viti dhe e sulmuan në tri – katër pozicione me shpresë të kapnin të gjallë klerikët bektashianë. Dëshmi të mbledhura kohë më pas në këtë trevë, na bëjnë me dije se rebelët luftuan rreth katër ditë e katër netë për ta marrë teqenë, por u ndeshën në qëndresën bektashiane të trimave, të komanduar nga baba Rexhep Plevishti. Në ditën e pestë, babai u njoftua se forca të reja të Haxhi Qamilit ishin nisur nga Elbasani për në teqenë e Dushkut dhe mbi këtë situatë, për të ndaluar gjakderdhjen midis shqiptarëve, organizoi daljen fshehurazi nga teqeja dhe vijoi për në malësitë e Grabovës. “Teqeja u dogj në qershor të vitit 1914, nga rebelët myslimanë synitë në mbështetje të kryengritjes së Haxhi Qamilit të shqiptarëve të Shqipërisë së Mesme…”.
Gjurmë të kësaj masakre nuk u shuan dot edhe në vitet e ardhshëm Madje siç dihet, vite më pas, në teqenë e Xhefai Babait u mblodhën një grusht klerikësh me misionin e shkëlqyer të përkthimit në gjuhën shqipe të lutjeve dhe faljeve kryesore të besimit bektashian. Duke iu referuar burimeve arkivorë, mësojmë midis të tjerave se “anëtarët e komisionit për përkthime janë: Hirësia e Tij, Gjysh Mustafa Elbasani, prind Ali Tomorri, të Përndershmit dervish Rexheb Gjirokastra, z.Sulejman Çelo dhe Abedin Shkëmbi, të cilët për të përmbushur këtë detyrë do të mblidhen në teqenë e Xhefai Babait, në Elbasan më datë 25 korrik 1930.”
Sipas dëshmive të vetë Gysh Mustafa Elbasanit, në këtë vit tyrbja e rrënuar nga forcat e Haxhi Qamilit ishte ende e papërfunduar dhe eshtrat e baballarëve të dikurshëm ishin fshehur në një vend të fshehtë. Dervish Rexhebi, së bashku me baba Ali Tomorrin, ndërsa merreshin me përkthime, e konstatuan këtë fakt. Në një prej udhëtimeve të tij nga Elbasani për në Gjirokastër, dervish Rexheb Beqiri u ndal në teqetë e Koshtanit dhe të Turanit në Tepelenë duke kërkuar ndihmë për ringritjen e tyrbes së Teqesë së Madhe në Elbasan. Pasi mblodhi një pjesë të këtyre ndihmave, ai iu lut myrshidit të tij, baba Selimit, postmbajtës në Teqenë e Zallit, në Gjirokastër, duke grumbulluar afërsisht treqind franga ari, çfarë bëri që tyrbja të hijeshonte sërish në atë vend të bekuar dhe eshtrat e klerikëve të mbështilleshin me mezaret e adhurimit.
Ngjarjet që erdhën më pas, janë të njohura për historiografinë shqiptare. Pas atyre trazirave të mëdha politike dhe ushtarake, kur shtjella e ngjarjeve u qetua disi, ku nën ndikimin austriak dhe atë italian për interesa të drejtpërdrejta të tyre, Shqipëria po kalonte momente topitjeje të reaksionit të brendshëm, edhe klerikët bektashianë shqiptarë konverguan lëvizjet e tyre për ringritjen nga hiri të atyre objekteve që kishin shpërndarë paqe dhe urtësi. Rreth vitit 1920 Teqeja e Madhe e Elbasanit ishte ngritur sërish, ndonëse kompletimi i saj, me të gjithë mjediset përkatës për të ushtruar rregullisht ritet e trashëguara, i takon vitit 1930. Edhe teqeja bektashiane në fshatin Dushk, pranë Gramshit në po këto vit, u ri ngrit sërisht nda baba Rexhep Plevishti, për t’u mbushur plot e përplot me ndjekës të Haxhi Bektash Veliut.
Ju faleminderit të gjithëve!