Prof.Dr. Lush Susaj: Bujqësia shqiptare aktuale, mangazinë pa derë, pa çati e dritare, strategjitë nuk bëhen nga profesionistë, por militantë

297
Sigal

Në të gjitha zgjedhjet dhe kabinetet qeveritare të dala prej tyre, Ministria e Bujqësisë duket se ka qënë më e lakmuara

Bujqësia shqiptare aktuale: magazinë pa derë, pa ҫati e pa dritare

– Për vite me radhë bujqësia u shkatërrua pa mëshirë nga dosjet fiktive, studimet, strategjitë dhe ligjet, që kurrë nuk u bënë nga profesionistët

– Asnjëherë nuk u dëgjua mendimi shkencor dhe nuk u përfillën studimet shkencore

– Në mënyrë absurde vazhdon të mbahet i mbyllur debati mbi zgjidhjet dhe zhvillimet e duhura bashkëkohore

– Pandëshkueshmëria është bërë normë pasi për shkatërrimet e përditshme të pasurisë tokësore nuk ka llogaridhënie

– Mbjellje të bëra kuturu, pa asnjë studim apo testim paraprak

– Nuk mund të fajësojmë temperaturat e ulëta për mbjelljet e panevojshme të kultivarëve të rrushit me lastarizim e lulëzim të hershëm

-Nuk mund të fajësojmë temperaturat e ulëta për tharjen e të gjitha ullishteve në periferinë e qytetit të Koplikut

Në shkrimin e gazetës Albania (gusht 1906), Faik Konica shkruan: “Në Shqipëri, gjithkënd e quajnë edhe më shumë “të madh” – sidomos kur është fjala për ndonjë politikan dhe kur surrati nuk i shqitet nga televizioni dhe mediat e parapaguara. E tek nuk rreshtin së shkruari e së foluri për të, ai, me ton të rëndë (ngaqë i di të gjitha!) na bën diellin, shiun e erën, s’e ka për gjë të qeshë e të tallet, të ironizojë e të krekoset (si gjeli majë plehut), por edhe të ulërijë, gjëmojë e akuzojë, bile frikshëm, me gishtin tregues mesjetar shoqëruar nga mimikë gjithë ngërdheshje e zgërdheshje…..”.

Kjo sëmundje e rëndë po dhunon dhe shkatërron pa mëshirë resurset tona natyrore e njerëzore. Në të gjitha zgjedhjet dhe kabinetet qeveritare të dala prej tyre, ministria e bujqësisë duket se ka qënë më e lakmuara. Për kushtet tona specifike bujqësia ka qënë dhe mbetet burimi kryesor i punës dhe mirëqënies edhe pse për vite me radhë u shkatërrua pa mëshirë nga dosjet fiktive me projektet, investimet, studimet, strategjitë dhe ligjet, që kurrë nuk u bën nga profesionistët dhe as në kohën dhe mënyrën e duhur. Bujqësia është fusha dhe mali që mund të përmbyten, mund të digjen, mund të inspektohen nga “doktor gjilpërat” dhe nga kronikanët e televizioneve të paguara sa herë që klanet abuzuese duan të mbulojnë dhe të justifikojnë shpërdorimet e tyre me projektet, me studimet dhe me investimet që u filluan copë copë e që mbetën rrugës gropë mbi gropë.

Bujqësia është ajo magazina e njohur pa derë, pa ҫati e pa dritare ku ҫdo politikan apo klan partiak, që ka patur sado pak pushtet mbi investimet, teknologjitë, emërimet në administratën bujqësore, etj, ka bërë ҫ’farë ka dashur për të ushqyer pa frikë e pa siklet injorancën, egon dhe interesin e tij të ngushtë. Në këtë mënyrë, për vite me radhë i është kontribuar shkatërrimit të tokës, të fermave dhe të prodhimeve dhe tregjeve bujqësore.

Pandëshkueshmëria është bërë normë pasi edhe për shkatërrimet e përditshme të pasurisë tokësore, që u duhen lënë brezave, nuk ka llogaridhënie dhe nuk përgjigjet askush. Për fiktivitetin, injorancën, dezinformimin, pseudoreformat, studimet dhe strategjitë shkatërruese që kanë rrënuar dhe po rrënojnë miljona euro investime, nuk përgjigjet askush. Ndodh kështu, sepse për vite e dekada me radhë nuk ka patur dhe nuk ka kërkesë llogarie ndaj fasadës dhe demagogjisë mashtruese. Asnjëherë nuk janë kontrolluar dhe nuk janë krahasuar letrat e dosjeve fiktive me terrenin dhe miljardat, që shkuan tek xhepat e të korruptuarve, në vend që të shkonin tek kanalet, tek strukturat e duhura varietore, tek rajonizimet shkencore e profesionale, tek ligjet dhe teknologjitë bashkëkohore etj. Asnjëherë nuk u dëgjua mendimi shkencor dhe nuk u përfillën studimet shkencore. Në mënyrë absurde vazhdon të mbahet i mbyllur debati mbi zgjidhjet dhe zhvillimet e duhura bashkëkohore, mbi zgjidhjet imediate apo zgjidhjet afatgjata në sektorin e bujqësisë. Administrata është bërë tepër hermetike, shpërfillëse dhe konspirative. Askush nuk është i interesuar të dëgjojë dhe as të veprojë në përputhje me standartet dhe prirjet rajonale e botërore të tregjeve të punës dhe të prodhimeve bujqësore.

Në mënyrë të pashëmbullt, janë mënjanuar nga vendimarrja, nga politikëbërja dhe nga administrimi i projekteve dhe teknologjive specialistët e terrenit dhe ekspertiza më e mirë e vendit. Arroganca dhe mungesa e theksuar e zhvillimit dhe funksionimit ligjor të gjërave ka arritur në nivele shqetësuese.  Nesër mbushën 30 ditë nga inspektimet e mia të përvitshme që bëj nëpër vreshtat, pemëtoret dhe ullishtet e Shqipërisë. Është një situatë e rënduar nga tharjet masive për shkaqe subjektive, të ndihmuara edhe nga klima. Janë dëmtuar miljona euro të investuara në vreshta, pemëtore dhe ullishte, janë goditur fermat bujqësore që po t’kurren dhe rrënohen në kapacitetet e tyre prodhuese e tregëtare. Për t’u justifikuar, në mënyrë jo korrekte është gjetur rruga më e lehtë duke ia faturuar gabimet njerëzore rastisjeve të motit, sidomos regjimit të temperaturës.

Nuk mund t’ia faturojmë temperaturës përhapjen pa kriter dhe pa prova fushore të kultivarëve spanjollë të ullirit apo kultivarëve të tjerë që fermerët i paguajnë për frantojo e ju dalin leҫino, i paguajnë për kalinjot e ju dalin arbekuino. Nuk mund t’i faturohen motit gafat e financimit të projekteve dhe studimeve mediokre, që stimuluan mbjelljen e ullirit dhe të vreshtave në lugina e në toka të rrafshëta me kanale të papastruara prej 30 vitesh, apo mbjelljen e kultivarëve shumë të hershëm dhe të hershëm të qershisë në Korçë, Pogradec, Dibër, etj. Mbjellje të bëra kuturu, pa asnjë studim apo testim paraprak. Nuk mund të fajësojmë temperaturat e ulëta për mbjelljet e panevojshme të kultivarëve të rrushit me lastarizim e lulëzim të hershëm në pjesën e ulët të lugonave dhe në tokat me kundrejtim verior, apo për mbajtjen e tyre në spaliera me trup të ulët, etj. Nuk mund të fajësojmë temperaturat e ulëta për tharjen e të gjitha ullishteve në periferinë e qytetit të Koplikut. Ata që firmosën, që udhëzuan apo që stimuluan ngritjen e ullishteve në atë zonë (dhe në zona të tjera të ngjashme), pa patur përvojë të mëhershme dhe pa bërë testimet e kultivarëve i kanë shkaktuar një dëm shumë të madh fermave të rajonit të Lezhes, Shkodrës, Malësisë së Madhe, etj.

Si gjithmonë, dëmi i shkaktuar nga shkelja e ligjeve dhe e rregullave bazë të përhapjes dhe introduktimit të kultivarëve të ri si dhe protokollit të importit dhe tregëtimit të fidanave pa identitetin dhe pa pastërtinë e duhur varietore e sanitare, mbetet pa emër dhe pa u ndëshkuar. Kohë më parë, thuhet që një fermer nga malësia, pasi kishte blerë ca fara lakre kokë në pazarin e Shkodrës, ishte tallur me plakën që i shiti farën. Plaka e kishte duruar talljen e tij duke i murmuritur fjalët: “gazi i madh kur të mbijë rasati-fara”.

Farat e abuzivizmit dhe sjelljes antiligjore ka mbirë me kohë dhe është rritur në qindra e mijëra ferma bujqësore që po falimentojnë dhe po braktisen nga dita në ditë. Pasojat e studimeve dhe strategjive të bëra me ngut nga militantët e partisë apo nga servilët e përjetshëm të zyrave dhe korridoreve të institucioneve, janë shfaqur dhe po shfaqen çdo ditë e më shumë. Në këtë kohë të vështirë që po kalon bujqësia, bien në sy edhe pasojat e abuzimit me specialistët e terrenit që në jo pak raste u zevendësuan me militantë, me pesanjos, e mos e thashtë zoti që ndonjëri prej tyre të jetë zevendësuar edhe nga ndonjë ish polic, ish oficer ushtrie, ish mekanik apo mjek pediatër me diplomë kristali. Ka ardhur koha që të ndalet abuzimi me investimet dhe projektet e bujqësisë, duhet të ndalet zhvillimi i fragmentuar, spontan dhe jashtë logjikës së tregjeve dhe prirjeve rajonale e botërore. Duhet të ndalet historia me dosje fiktive dhe me sjellje dhe konferenca për fotografi e kronika demogogjike. Bujqësia është konkrete, elitare, frutëdhënëse dhe duhet të trajtohet si e tillë, duke e integruar dhe zhvilluar mbi baza shkencore e ligjore.