“Pse i duhet ky inflacion i ulët qeverisë? I duhet sepse qeveria është e detyruar të indeksojë pagat dhe pensionet me normën e inflacionit çdo vit. Nëse do llogaritej ndryshe atëhere pagat dhe pensionet nuk do indeksoheshin me 6-7% por do ishin indeksuar me 10 apo 15% siç është realiteti. Sot në Shqipëri nuk kemi rritje pagash dhe pensionesh, por kemi indeksim të vonuar dhe të pasaktë të tyre.”
Pas viteve 1990, me përmbysjen e sistemit të centralizuar, qeveritë, që erdhën në pushtet në Shqipëri synuan të ndërtojnë një sistem kapitalist të ekonomisë së tregut. Kanë kaluar afro 32 vjet nga ato vite dhe vazhdimisht shtrohet pyetja a u krijua baza e sistemit të ekonomisë së tregut në Shqipëri? A ka Shqipëria një shtet të së drejtës, a është një vend me demokraci funksionale me një sistem ekonomik konkurues? A u realizua ëndra e shqiptarëve për një Shqipëri si gjithë Europa? A janë sot më mirë shqiptarët nga sa ishin para 30 vitesh? Përgjigja merret nga rezultatet që ka arritur Shqipëria në këto vite tranzicioni. Sesa arritje ka Shqipëria në fushën ekonomike e tregojnë një sërë treguesish makroekonomik. Prej tyre shikojmë se sa e qëndrueshme është ekonomia shqiptare në treguesin e rritjes së PBB-së, të inflacionit, të papunësisë, të pagave, të mirëqënies, në shpërndarjen e të ardhurave sipas grupeve të popullsisë etj. Në këtë shkrim do t’ju japim përgjigje dy prej këtyre shqetësimeve që janë lidhur drejtpërsëdrejti me mirëqënien e popullit shqiptarë. Pse çmimet dhe inflacioni janë të larta?
“Rritja e çmimeve ndikohet nga funksionimi i Bordit të Transparencës. Përcaktimi i çmimeve nga ana e këtij Bordi ka sjellë si pasojë rritjen e nivelit të çmimeve. Nuk ka vend në botë që çmimi të lëvizë në treg të pakicës çdo ditë.”
-Pse janë çmimet e larta?
Rritja e çmimeve në Shqipëri nuk filloi me fillimin e luftës në Ukrahinë, por ajo ka filluar që në vitin 2019 duke vazhduar deri në ditët e sotme. Rritja e çmimeve në Shqipëri nuk ka një trend të caktuar, ajo ndikohet nga keqeverisja e brendëshme dhe nga faktorët e jashtëm. Pasojat e keqeverisjes reflektohen edhe në sektorët shtetëror të ekonomisë që janë sektor kyç, në sektorin e energjisë elektrike dhe në sektorin e karburanteve. Keq qeverisja ka ndikuar negativisht edhe në sektorin e bujqësisë dhe të blegtorisë.
Faktori i parë që ndikoi në rritjen e çmimeve të karburanteve është shkatërimi i Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Nën këtë qeverisje u shkatërua dhe u çua për skrap Kombinati i Përpunimit të thellë të Naftës në Ballsh i cili prodhonte 12 nënprodukte dhe realizonte thuajse të gjitha nevojat e vendit për karburante. Sot Shqipëria i plotëson nevojat e saj për karburante nëpërmjet importit, sepse ajo nuk përpunon më asnjë litër. Nëse ky Kombinat do futej në procesin e rinovimit të teknologjisë sot Shqipëria nuk do kishte problem me çmimet e larta të tregut të huaj
Faktori i dytë është tregu jo konkurencial në fushën e karburanteve. Në fushën e importit të karburanteve ekziston tregu monopol dhe oligopol, ndërsa tregu i shpërndarjes te konsumatori është konkurencë monopolistike. Egzistenca e tregut jo konkurencial në importe bën që çmimet ti përcaktojë vetë firma dhe jo tregu. Nëse do kishte shumë firma të licensuara për importet atëhere do kishim treg konkurencial dhe do kishim çmime konkuruese. Për këtë situatë monopol dhe oligopol është përgjegjëse qeveria, ajo lejon krijimin dhe funksionimin e tyre.
Faktori i tretë është krijimi nga Qeveria dhe funksionimi i Bordit të Transparencës. Përcaktimi i çmimeve nga ana e këtij Bordi ka sjellë si pasojë rritjen e nivelit të çmimeve. Marrja në konsideratë e ndryshimeve të çmimeve duke u bazuar në Bursën e Mesdheut ka bërë që importuesit të mos realizojnë kontrata afatgjata, por tërësisht afat shkurtëra. Kjo sepse nëse kursi i rradhës do jetë më i ulët atëherë e gjitha sasia stok do shitej me çmimin e ri e për pasojë firma do dilte në mënyrë automatike me humbje. Ja si shprehet një përfaqësues i Shoqatës së Shoqërisë së Hidrokarbureve(2022): “Çmimi në bursa shënon luhatje të mëdha, me +- 200-300USD/ton. Në një treg të lirë, secili operator, me studimin që u bën tregjeve merr rrezik të mbyllë kontrata në momentin e uljes së tregut. Por në kushtet që Bordi qëndron mbi kokë nuk guxon askush të bëjë blerje më shumë se nevojat ditore se ka frikë se një rënie më e madhe e kalon direkt në humbje e pa mundësi shitje. Nuk ka vend në botë që çmimi të lëvizë në treg të pakicës çdo ditë. Edhe në vendet që përpiqen ta bëjnë kontrollin e çmimit në ekstrem lëvizjet i bëjnë maksimumi një herë në muaj, kur tregu ka tendencë të fortë. Kjo që bën Bordi ynë është e paprecedentë. Është pa kuptim që dikush në orën 5 pasdite e blen naftën 243 lekë e në orën 6 pasdite, një tjetër e blen me 252 lekë”. Dhe më tej: “Kjo nuk i vlen gjë as konsumatorit as sipërmarrjes, thjesht krijon kaos e stres për të gjithë. Prandaj në një treg të lirë me shumë operatorë është e pamundur të tentosh të caktosh çmim unik pa logjikë ku çdo sipërmarrje ka kosto të ndryshme si në operim, si në mundësi blerje. Transparencë do të thotë të analizosh tregun a ka pengesë për hyrje të operatorëve të rinj dhe nëse ka, atëherë bën reformë dhe hap tregun. Po ashtu dhe Autoriteti i Konkurrencës të vëzhgojë a ka marrëveshje për fiksim çmimi, ndërsa tatimet të kontrollojnë nëse deklarohen saktë blerjet e shitjet dhe a paguhen në mënyrë korrekte taksat”.
Faktori i katërt, janë taksat e rënduara që shoqërojnë çmimin e karburanteve. Karburantet krahas kostos së importit shoqërohen edhe me 8 taksa:
Emërtimi | 31.8.2022 | |
I | Taksa për 1 litër në All(Lekë/litër) | |
1)Akciza | 38.2 | |
2)TVSH(20%) | 41.3 | |
3)Taksë qarkullimi | 27 | |
4)Taksë karboni | 3 | |
5) Taksa të tjera(markim, skanim, kolaudim i pompave, rilicensim) | 10 | |
6)Taksë markimi(përfshirë te 5) | (1) | |
7)Taksë skanimi(përfshirë te 5) | (4) | |
8)Taksë për kolaudimin e pompave | ||
Shuma (a+b+c+d+e+f+g) | 119.5 | |
II | Çmimi përfundimtar në tregun e pakicës | 248 |
Numri taksave | 8 |
Përgjegjësia për këtë çmim të lartë është e qeverisë, sepse ajo nëpërmjet Bordit përcakton marzhin e fitimit, por nuk ka pranuar të uli asnjë taksë.
Në këtë mënyrë përgjegjësi kryesor për çmimet e larta të karburanteve është qeveria shqiptare dhe jo lufta në Ukrahinë. Këto çmime të larta nuk janë çmime të luftës, por çmime të një qeverie amatore autokrate.
Nëse marrim energjinë elektrike mund të themi se me prodhimin e vendit mbulohen tërësisht nevojat e tij, por për keqmenaxhim (keqshpërndarje dhe humbje në rrjet) qeveria detyrohet të blejë energji. Veç keqmenaxhimit qeveria pezulloi punimet në hidrocentralin e Kalivaçit mbi lumin Vjosa, i cili tashmë do ishte vendosur në funksion. Me prodhimin e tij do të garantohej rritja e nevojave për energji dhe do shpërndahej burimi i prodhimit të energjisë.
Qeveria ka përgjegjësi për rënien drastike të sektorit bujqësor e blegtoral. Ulja e numrit të krerëve të bagëtive është faktori kryesor i rritjes së çmimeve të produkteve blegtorale. Më poshtë kemi paraqitur një tabelë ku tregohen të dhënat për vitin 2004 dhe 2022. Në këto 18 vite numri i gjedhëve thuajse është përgjysmuar, në vitin 2021 Shqipëria ka mbarështruar 51.5% të numrit që mbarështronte në vitin 2004, 63.8% të lopëve dhe 82.4% të të imtave. Njëthundrakët janë ulur me 80 mijë krerë ose në 2021 ka pasur 48.52% të numrit që ka pasur në vitin 2004. Të gjithë këta tregues kanë dhënë pasojë negative në prodhimin blegtoral dhe në sektorin e agropërpunimit. Shtesë ka pasur vetëm në koshere bletësh dhe në derra.
2004 | 2021 | 21-204 | 21/004 | |
Gjedhë | 654.0 | 336.8 | -317.2 | 51.50 |
Lopë | 435.0 | 277.8 | -157.2 | 63.86 |
Të imta dele/dhi | 2738.0 | 2255.8 | -482.2 | 82.39 |
Të leshta | 1794.0 | 1480.5 | -313.5 | 82.53 |
Dele | 1348.0 | 1115.9 | -232.1 | 82.78 |
Të dhirta | 944.0 | 775.3 | -168.7 | 82.13 |
Dhi | 702.0 | 599.0 | -103.0 | 85.33 |
Derra | 143.1 | 159.2 | 16.1 | 111.25 |
Dosa | 13.0 | 12.2 | -0.8 | 93.85 |
Njëthundrakë | 155.8 | 75.6 | -80.2 | 48.52 |
Shpendë total | 6275.3 | 7651.6 | 1376.3 | 121.93 |
Pula | 5722.2 | 5248.9 | -473.3 | 91.73 |
Bletë (koshere) | 131.8 | 393.6 | 261.8 | 298.63 |
Produktet e bulmetit janë rritur nga 9 në 30%, çmimi i gjalpit të lopës në fillim të tetorit arriti 1500-1600lekë/kg nga 1250 l/kg që1 ishte në shtator. Çmimi është rritur 20-28%. Gjiza është rritur me 27% ose nga 220 në 280 l/kg, çmimet e djathit kaçkavall janë rritur nga 9 -13% çmimi i djathit të lopës është rritur me 28% etj.
Çmimet e larta në nënproduktet blegtorale kanë një argument objektiv të cilin e analizuam më lartë, uljen drastike të numrit të bagëtive. Nga viti 2014 deri në 2022 numri i krerëve në blegtori është përgjysmuar. Është e vërtetë që është rritur numri i fermave të mëdha me lope, por kjo nuk e mbulon dot reduktimin e fermave të vogla që janë me mijra. Largimi i të rinjve në emigracion, braktisja e fshatit ka bërë që me qindra fshatra të boshatisen ose të mbeten me dy tre familje ku në përgjithësi predominojnë pensionistët. Shumë pak të rinj kanë mbetur në fshat për pasojë gjithë blegtoria e këtyre zonave është tregëtuar dhe nëse do vazhdohet me këto rritme numri i krerëve do vazhdojë të ulet akoma.
Kjo boshatisje dhe shpopullim i fshatrave ka për bazë punën e keqe të qeverisë dhe strategjisë së gabuar lidhur me perspektivën e sektorit bujqësor. Qeveria shqiptare me objektivin e 100 fshatrave për t’i kthyer në fshatra turistikë e la tërë zonën malore të Shqipërisë në mëshirë të fatit, pa ujë, pa shkolla, pa mjekë, pa rrugë për tregëtimin e produkteve. Në këtë mënyrë mungesa e kushteve minimale në fshat bëri që qindra fshatra të braktisen plotësisht. Këto shqetësime janë ngritur edhe në Parlamentin Shqiptar. Sipas deputetit B.Sula kemi këtë situatë të çmimeve:
Bukë masive nga 80 lekë në 120 lekë ose rritur 50%
Sheqeri nga 75 lekë në 125 lekë ose rritur 66%
Mielli nga 80 lekë në 120 lekë ose rritur 50%
Vaji nga 180 lekë në 380 lekë ose rritur 112%
Makaronat(500gr) nga 75 lekë në 115 lekë rritur me 53%
Orizi nga 100 lekë në 190 lekë ose rritur 90%
Buka pa maja nga 60 lekë në 90 lekë ose rritur 50% etj.
Shikoni, të gjitha zërat e përmenduar kanë rritje dy shifrore, afro mbi 50%. Përveç këtyre çmimeve të përmendura janë edhe me dhjetra produkte e shërbime që kanë pësuar një rritje dy shifrore. Por nëse çmimet kanë pësuar një rritje dy shifrore si shpjegohet që inflacioni maksimumi arriti në 8.3%?
“Qeveria ka përgjegjësi për rënien drastike të sektorit bujqësor e blegtoral. Ulja e numrit të krerëve të bagëtive është faktori kryesor i rritjes së çmimeve të produkteve blegtorale. Kjo boshatisje dhe shpopullim i fshatrave ka për bazë punën e keqe të qeverisë dhe strategjisë së gabuar lidhur me perspektivën e sektorit bujqësor.”
-Pse është rritur inflacioni?
Çfarë është inflacioni? Inflacioni është një dukuri ekonomike, që shkaktohet nga faktorë të brendshëm dhe faktorë të jashtëm. Inflacioni është rritje në nivelin e përgjithshëm të çmimeve. Ai matet nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit, IÇK. Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve të konsumit të një shporte fikse mallrash e shërbimesh në periudhën korrente krahasuar me një periudhë tjetër e konsideruar si periudha bazë. Për llogaritjen e IÇK-së merren në konsideratë 331 shërbime të ndara në 12 grupe kryesore. Inflacioni mat shkallën e uljes së standardit të jetesës, uljen e fuqisë blerëse të lekut shqiptar.
Inflacioni i shkaktuar në Shqipëri nuk është inflacion i natyrës monetare. Në Shqipëri inflacioni është inflacion i importuar së pari dhe së dyti i shkaktuar nga keq qeverisja. Për të parë se si do jetë tendenca e inflacionit merret në konsideratë edhe Indeksi i Çmimeve të Importit. Nëse ai rritet do rritet edhe IÇK-ja.
Indeksi i Çmimeve të Importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas, në Industri Nxjerrëse, Industri Përpunuese, Furnizimi me Energji Elektrike, Gaz e Avull dhe me Ajër të Kondicionuar, Aktivitetet me ujë të ngrohtë, kanalizimeve, menaxhimit të mbeturinave dhe rregullimit. Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të 2022 indeksi çmimeve në industrinë nxjerrëse u rrit me 114.8%, në industrinë përpunuese me 108.8%, brenda këtij grupi përpunimi i produkteve ushqimore u rrit me 117.2%, i pijeve me 115.6%, përpunimi koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës me 113.1%, metalurgjia me 115.7%, prodhimi paisjeve elektrike me 110.2%, prodhimi mjeteve të tjera të transportit me 113.6% etj. Grupi D Energjia elektrike, gaz avull dhe ajër i kondicionuar me 183.4% dhe grupi E, Furnizim me ujë, aktivitete të trajtimit dhe të menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve me 112.7%. Gjithsej janë 25 nëngrupe. Nga nëngrupet që u përmendën më lartë asnjëra nuk është nën 7% pavarësisht nga pasha e tyre e vogël. Këto të dhëna tregojnë se indeksi i çmimeve të importit ka qenë 2 shifror, për pasojë edhe inflacioni i çmimeve ka qenë proporcional. Me këtë logjikë për të gjitha këto nën produkte çmimi i brendshëm është absolutisht më i lartë se 10%.
Thuajse të gjitha çmimet e grupeve të llogaritjes së IÇK-së përcaktohen jashtë Shqipërisë. Kjo do thotë që çmimet në Shqipëri janë më të larta sesa çmimet e vendeve nga ku importohen mallrat. Po si shpjegohet që norma e Inflacionit e deklaruar nga INSTAT është më e ulët se norma në këto vende? A është e vërtetë se inflacioni në Shqipëri është më i ulët sesa rritja e çmimeve të produkteve që ne blejmë e konsumojmë çdo ditë? Jo nuk është e vërtetë, inflacioni është më i lartë se inflacioni në Europë, por është pasha e 12 zërave ndaj totalit ajo që bën që norma e inflacionit të mos treggojë realitetin por të jetë më e ulët se në shumë vende të tjera. Kjo strukturë e shpenzimeve është llogaritur e tillë pikërisht që ta mbajë normën e inflacionit të ulët. Më poshtë po japim pasqyrën e peshave të shpenzimeve të 12 grupeve që llogaritet IÇK-ja.
Struktura e IÇK | Struktura e IÇk sipas IHÇK | Struktura e IÇK për pensionistët | ||||
Grupet kryesore të konsumit | 2021 | 2019 | 2007 | 2017 | 2017 | 2017 |
Ushqim dhe pije jo-alkoolike | 41.3 | 41.3 | 47.6 | 35.1 | 353,35 | 58.8 |
Pije alkoolike, duhan | 3.8 | 3.7 | 4.3 | 5.1 | 54,01 | 1.9 |
Veshje dhe këpucë | 4.6 | 5.2 | 6.2 | 3.8 | 40,66 | 1.8 |
Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar | 10.0 | 10.1 | 7.4 | 19.3 | 61,07 | 12.5 |
Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës | 6.8 | 6.7 | 5.9 | 7.4 | 64,60 | 5.7 |
Shëndet | 5.4 | 4.3 | 4.1 | 4.4 | 54,71 | 5.5 |
Transport | 6.3 | 5.9 | 6.2 | 6 | 85,77 | 1.8 |
Komunikim | 3.9 | 3.7 | 2.9 | 3.1 | 19,39 | 2.8 |
Argëtim dhe kulturë | 2.8 | 3.8 | 3.1 | 2.5 | 27,25 | 1 |
Arsim | 3.3 | 3.1 | 1.7 | 3 | 41,88 | 0 |
Restorante dhe hotele | 5.5 | 4.9 | 5.0 | 4.7 | 153,74 | 4.2 |
Të tjera mallra dhe shërbime | 6.2 | 7.3 | 5.5 | 5.6 | 43,58 | 4 |
Gjithsej | 100.0 | 100.0 | 100.0 | 100 | 1000 | 100 |
Kjo pasqyrë tregon se Struktura e Buxhetit të Familjes nuk merret shumë në konsideratë nga INSTAT për të realizuar strukturën e shpenzimeve për llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Zëri i parë Ushqime dhe pije jo alkolike ka ndryshime të dukëshme, nëse në IÇK ai kap 35.1% të totalit në vitin 2021 ai zë 41.3% të shpenzimeve të buxhetit familjar. Për pensionistët ky zë 58.8% të totalit të shpenzimeve. Me Indeksin e Harmonizuar zë 353.35 në 1000. Ulja e kësaj shifre ndikon në uljen e inflacionit, prandaj INSTAT nuk merr shifrën e SBF por merr shifrën 35.1%.
Ndryshime të dukëshme ka edhe në zërin e katërt. Kjo strukturë favorizon inflacionin e ulët, sepse ka rritur zërat që nuk pësojnë shumë ndryshime në nivelin e çmimeve dhe ka ulur zërat që kanë ndryshime të dukëshme në nivelin e çmimeve. Duke e ditur që çmimi i energjisë nuk ndryshon atëhere këtij zëri i është dhënë peshë e madhe, nga 10% që e ka SBF, INSTAT e ka rritur në 19.3%. Ky zë i lartë ndikon në mbajtjen të ulët inflacionin.
Restorante dhe hotele zë 153.4 në 1000, ndërsa zë vetëm 4.7% në IÇK dhe 5.5% në SBF. Ky tregues është i lartë. Të kemi parasysh që çmimet në këto zëra nuk rriten shumë, sepse TVSH-ja e tyre është vetëm 6%. Kështuqë edhe ky zë ndikon në mosrritjen e normës së inflacionit.
Këto ndryshime bëjnë që të mos nxirret norma e vërtetë e inflacionit. Pse i duhet ky inflacion i ulët qeverisë? I duhet, sepse qeveria është e detyruar të indeksojë pagat dhe pensionet me normën e inflacionit çdo vit. Nëse do llogaritej ndryshe atëhere pagat dhe pensionet nuk do indeksoheshin me 6-7% por do ishin indeksuar me 10 apo 15% siç është realiteti.
Sot në Shqipëri nuk kemi rritje pagash dhe pensionesh, por kemi indeksim të vonuar dhe të pa saktë të tyre.