“Lum si ne ç’kemi tek porta…” -Sot gjysmën e përmbyt, gjysmën e shkrumbit-

1458
Sigal

 “Lum si ne ç’kemi tek porta,

Mrekullinë që s’e ka bota,

Nga Kalasa vjen tuneli,

U bë siç na tha Enveri.

Porsi krahët e shqiponjës,

Hapet në tokat e zonës…”

 

Dikur një valle e kënduar grash shumë e gëzueshme. Valle e kënduar e grave të fshatit Sasaj me tekst e koreografi të mësuesit të paharruar, Rakip Memi, pjesëmarrëse në një nga festivalet folklorike të Gjirokastrës. Është historia e një kënge që dikur i këndohej një realiteti të suksesshëm, ndërsa sot sjell një panoramë të dhimbshme. Kënga bën fjalë për tunelin Sasaj –Tatëzat, i cili filloi dhe mbaroi në fillim të viteve ‘70. Mali i Lavanit u ça tej për tej në një gjatësi prej 2350 metra linear dhe tanimë ujrat e lumit të Kalasës nuk do të derdheshin në det nëpër rrjedhën e tyre tradicionale shekullore, duke krijuar herë-herë edhe probleme përmbytjesh apo shkatërrime argjinaturash duke vërshuar egërsisht nga shtrati i tyre, por do të vadiste taracat e bregdetit të Jonit nga Qafë-Gjashta e deri në Borsh të NB- Lukovës dhe nga Volloderi në Shamar të NB-Stijarit. Tuneli me gjithë rrjetin ujitës u ideua dhe u realizua për ujitjen e masiveve të NB- Lukovës; Shkallë, Piqeras, Sasaj, Lukovë, Shën-Vasil, Nivicë, Volloder dhe Vanë. Për të shkuar uji në Volloder dhe Shamar u ndërtua përsëri një tunel në Shën-Vasil rreth 700 metra linear ku së bashku me tunelin e Sasait bëjnë aritmetikisht 3.05 Km. Përveçse tuneleve për ujitjen e masiveve me dru-frutorë, vreshtave, ullinjve dhe agrumeve si dhe perimoreve, u ndërtua dhe rrjeti ujitës me kanalin kryesor ujitës prej 34 Km., dega Sasaj-Piqeras-Shkallë prej 6 Km. Dhe dega Sasaj-Gjashtë (Sarandë) prej 28 Km. Gjithashtu nga sektori i investimeve të NB-Lukovës u ndërtua edhe rrjeti i kanaleve të brendshme ujitëse me tubo eterniti të mbuluara me dhe dhe me kanale e puseta, gjithsej 87 Km linear. Përfundimi i kësaj vepre madhështore me prurjen 1.6-2 metër kub ujë në sekondë, vuri nën ujë rreth 200 ha. tokë me kulturën e ullirit, agrumeve, pemëve frutore dhe vreshtave. Kështu me këtë vepër janë ujitur rreth 700 mijë rrënjë dru-frutorë dhe 140 ha. me vreshta deri në vitin 1989 dhe me përfundimin e masivit të dytë të dru-frutorve numri i rrënjve nën ujë kapi shifrën e rretj 1 milion rrënjve.

Po sot? Sot një pamje e dhimbshme. Nuk kanë mbetur as 10% e pemëve frutore të dikurshme të trashëguara nga ish-NB-ja dhe asnjë rrënjë vreshtë dhe fare pak përpëlitje mbijetese të disa fermerëve të vegjël të Bregut. Kanali kryesor ekziston, por uji nuk u vjen më në ndihmë fermerëve, sidomos nga Sasaj-Qafë-Gjashtë, ndërsa i reduktuar në pjesën Sasaj –Shkallë. Shkaku? Sipas banorëve, kjo e bërë publike edhe në një peticion, verës që shkoi, është shfrytëzimi i HEC-it të Bunecit jo vetëm të ujërave të tunelit, por duke shfrytëzuar edhe kanalin kryesor nga Sasaji në Lukovë. Pa iu futur detajeve të ndërtimit të HEC-it privat vitet e fundit, shohim se shkelet kontrata e shfrytëzimit të ujërave të tunelit, pasi në të thuhet se në periudhën maj-tetor nuk do të përdoren ujërat e tunelit për prodhim energjie elektrike, por vetëm nga banorët për ujitjen e pemtarisë dhe të tokave bujqësore duke shkrumbitur këtë hapësirë toke dhe tharë pemtarinë. Nga ana tjetër në Bunec nga shkarkimi i digës krijon përmbytje të pemtarisë dhe banesave në këtë luginë dhe një erozion të papparë e të rrezikshëm përgjatë kodrës mbuluar me shkurre nga rrjedhja e vërshimi i pakontrolluar i ujërave të digës. Kjo është pamja e zymtë që sjell sot uji i tunelit të Sasait, por në pafajësinë e tij rri sehirxhi ndaj kësaj masakre mjedisore që bën dora e njeriut dhe që pret përmirësim të situatës nga dora e shtetit që ujërat të shkojnë në destinacionin për të cilin është ndërtuar kjo vepër madhështore ujitëse, nga më të mëdhatë në vend.

Agron MEMA