Edhe po të shpërfillim kritikat e opozitës dhe sondazhet, shifrat zyrtare tregojnë një realitet të zymtë ekonomik, që është makthi më i keq i një presidenti.
Uashington. Telashe në ditën e 101-të të presidencës Trump.Në mëngjesin pasi presidenti Donald Trump festoi 100 ditët e para si president në Zyrën Ovale, me një miting të zhurmshëm në Miçigan, festa e tij u përplas me realitetin e zymtë ekonomik.Ekonomia amerikane u tkurr për herë të parë në tre vjet. Statistikat për tremujorin e parë të vitit u ndikuan nga tarifat e Trump, të cilat bënë që tregjet e aksioneve të binin ndjeshëm duke ulur edhe besimin e konsumatorëve. “KINI DURIM!!!”, bëri thirrje Trump në një postim në Truth Social, duke fajësuar ish-presidentin Biden për rënien ekonomike. Është e vështirë të thuhet nëse ky mesazh i Trump në median sociale, i shkruar me shkronja të mëdha, ishte menduar si një lutje apo kërkesë? Sidoqoftë, një president në detyrë nuk mund të fajësojë përgjithmonë paraardhësin për ato që po ndodhin tani me ekonominë e vendit, edhe kur ngjarjet janë jashtë kontrollit të tij. Në këtë rast, ekonomistët thonë se tronditjet që kanë goditur pothuajse çdo sektor të ekonomisë amerikane dhe pjesën më të madhe të botës, janë pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të Donald Trump.Tarifat e tij tregtare dhe mënyra e çoroditur dhe kërcënuese sesi i ka shpalosur ato, kanë dëmtuar ekonominë amerikane.Shifrat ekonomike zyrtare tregojnë qartë se ekonomia amerikane po ngadalësohet dhe vendi rrezikon të shkojë në recesion, gjë që është makthi më i keq i një presidenti.“Donald Trump është i vetmi president në histori, i cili trashëgoi një ekonomi të vrullshme dhe e fundosi atë brenda vetëm 100 ditëve”, tha Andrew Bates, ish-zëdhënës në Shtëpinë e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë bën një sy qorr
Shtëpia e Bardhë zgjodhi të shikonte anën e mirë. “Të dhënat e reja tregojnë se po përgatitemi për një vrull të fortë ekonomik”, deklaroi ajo, duke vënë në dukje se themeli i ekonomisë mbetej i qëndrueshëm.
“Projektligj i madh dhe i bukur”
Megjithëse tkurrja ekonomike nuk është asnjëherë një gjë e mirë, është më pak e dëmshme për një president kur ajo ndodh në fillim të mandatit të tij, sepse i mbetet kohë për t’u përgjigjur dhe për të bërë kthesë ekonomike. Popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm në një sërë sondazhesh që vlerësojnë 100 ditët e para të një presidenti. Donald Trump po e nxit Kongresin që deri në fillim të verës të miratojë atë që ai e quan një “projektligj të madh dhe të bukur”, me disa pika legjislative kyçe.Kjo paketë për uljen e taksave dhe shkurtime të mëdha në shpenzime, përballet me kundërshtime të forta nga demokratët në opozitë dhe nga disa republikanë që janë të shqetësuar për efektin që do të kishte në deficitin federal.Kështu, republikanët me një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, do ta kishin të vështirë ta miratonin projektligjin.