Numrin më të lartë të studentëve pjesëmarrës në konferencë për këtë vit e përbënë studentët e Departamentit të së Drejtës, duke qenë se ky departament u përfaqësua nga 34 studentë përfaqësues të Master i Shkencave në e Drejtë Publike, viti i I-rë dhe viti i II-të dhe studentë të Programit të Integruar 5-vjeçar në Drejtësi.
Në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Humane të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në bashkëpunim me fakultetin e Informatikës, fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe fakultetin e Shkencave Ekonomike u zhvillua Konferenca e III-të Shkencore Studentore me temë “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria”. Dr. Luljeta Kodra, zëvendës dekania e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, e cila ka qënë një nga organizatoret kryesore të kësaj konference shkencore studentore, tregon se kjo konferencë ishte rezultat i një pune të palodhur dhe bashkëpunimi të ngushtë me studentët dhe stafin akademik. Ajo theksoi se kjo temë u zgjodh për shkak të dëshirës se studentëve për t’u fokusuar në ҫështje që lidhen me zhvillimet bashkëkohore të teknologjisë dhe ndikimin e teknologjisë në marrëdhëniet shoqërore dhe se tema u bë një nga arsyet e një pjesëmarrjeje kaq të gjerë të studentëve me punime shumë cilësore. Dr. Luljeta rrëfen se punimet vijuan sipas sesioneve të organizuara përkatësisht në katër sesione: Sesioni tematik i Shkencave Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; Sesioni tematik i Psikologjisë, Shkencave të Edukimit dhe Mjekësisë; Sesioni tematik i Teknologjisë së Informacionit dhe Ekonomisë. Sipas saj punimet e plota të studentëve të paraqitura në konferencë pas përzgjedhjes nga komiteti shkencor do të botohen në një numër të veçantë të Revistës shkencore POLITEIA, Revistë shkencore për studime juridike, sociale dhe politike, botim i Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”.
Deklarata e Dr. Luljeta Kodra: Në vijim të punës tonë të përditshme në drejtim të realizimit sa më cilësor të gjithë procesit mësimor, realizimit të objektivave për ndërkombëtarizimin e programeve të studimit, çuarjen përpara të kërkimit shkencor duke u fokusuar te aktivitetet shkencore dhe puna kërkimore shkencore e studentëve nën drejtimin e pedagogëve si dhe realizimi i shumë punimeve të pavarura nga ana e studentëve, që finalizohen me punimet e diplomave që janë punë të mirëfillta shkencore, këtë vit akademik vendosëm të organizojmë edhe një konferencë shkencore studentore. Në fakt ideja e konferencës si një aktivitet, që mbledh bashkë një numër të konsiderueshëm studentësh për të shkëmbyer ide me njëri-tjetrin në fushat e tyre përkatëse të studimit dhe kërkimeve nuk është e re për ne si pjesëtarë të stafit akademik të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane. Tashmë është viti i tretë që iu krijojmë studentëve mundësinë e një shkëmbimi mendimesh në nivel konference shkencore pas konferencave të organizuara në dy vitet e fundit akademike 2022-2023 dhe 2023-2024, të cilat rezultuan shumë efektive dhe të suksesshme. Me inciativë të dekanit të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane profesorit të mirënjohur Ksenofon Krisafi dhe me një vendim të përbashkët të dekanatit të këtij fakulteti që gjeti menjëherë miratimin dhe përkrahjen e rektoratit të Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë” u vendos që fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane të organizojë konferencën e III-të shkencore studentore me temë “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria”.
Kam përzgjedhur dhe kam përfshirë në këto aktivitete kryesisht studentët më të talentuar dhe më të përkushtuar të fushave të drejtësisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, administratës publike, biznes dhe ligj si pjesëmarrës në këto takime.
Përzgjodhëm këtë temë në një diskutim të gjerë mes drejtuesve të katër departamenteve, dekanit dhe zv dekanëve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane jo vetëm për faktin se marrëdhëniet shoqërore janë objekti kryesor i studimit në programet e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, por për të krijuar mundësi të shprehen për zhvillimet teknologjike dhe ndikimin e tyre në të gjitha fushat e jetës studentëve të programeve të ndryshme të studimit sipas fushës së tyre përkatëse të studimit. Tema e konferencës “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria” u zgjodh jo vetëm, sepse zhvillimet në fushën e dixhitalizimit janë aktuale, por edhe sepse kemi vënë re prirjen dhe dëshirën e studentëve për tu fokusuar në ҫështje që lidhen me zhvillimet bashkëkohore të teknologjisë dhe ndikimin e teknologjisë në marrëdhëniet shoqërore. Përzgjedhja e kësaj teme kryesore të konferencës mendoj që ishte edhe një nga arsyet e një pjesëmarrjeje kaq të gjerë të studentëve me punime shumë cilësore. Pavarësisht se organizimi i konferencës së III-të shkencore studentore është iniciuar nga fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane, këtë vit akademik u mendua që të organizohej në bashkëpunim me tre fakultetet e tjera të Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë”, fakultetin e Informatikës, fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe fakultetin e Shkencave Ekonomike, për të krijuar një aktivitet shkencor studentor ku të mund të përfshiheshin të gjithë studentët e interesuar nga të gjitha fakultetet e Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”, dhe të gjitha programet e studimit.
Puna me studentët përtej detyrimeve që unë kam si pjesëtare e stafit akademik të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, të Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”, është për mua pasion dhe kënaqësi e vërtetë. Në pozicionin e zëvendës dekanes për kërkimin shkencor e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane jam gjithmonë në krye të punës me studentët duke gjetur format më të reja dhe më të ndryshme çdo vit akademik për të realizuar interesat e tyre në fushën e kërkimit shkencor, për të bërë sa më interesant gjithë procesin mësimor që ata zhvillojnë duke iu krijuar mundësi njohjeje dhe bashkëpunimi me institucionet në mënyrë që të dalin jashtë kornizave të procesit të përditshëm mësimor, duke iu krijuar mundësi për zhvillimin e praktikave mësimore në shumë institucione me të cilat ne si fakultet dhe si Universitet kemi realizuar marrëveshje bashkëpunimi. Do të veҫoja për këtë vit akademik organizimin e pjesëmarrjes së studentëve në Trajnimin me temë: Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe roli i Autoritetit të Konkurrencës, (Raste praktike)” me specialistë të Autoritetit të Konkurrencës; Pjesëmarrjen e studentëve në leksionin e hapur me temë: “Të drejtat e njeriut si udhërrëfyes për të ardhmen: sfidat e të drejtave të reja në kohët moderne dhe roli i Avokatit të Popullit”, mbajtur nga Avokate e Popullit Erinda Ballanca; Diskutimin me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë Z. Skender Durmishi mbi Politikën e jashtme, Diplomacinë dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin Kosovë –Shqipëri, në ambjentet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë etj.
Kam përzgjedhur dhe kam përfshirë në këto aktivitete kryesisht studentët më të talentuar dhe më të përkushtuar të fushave të drejtësisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, administratës publike, biznes dhe ligj si pjesëmarrës në këto takime. Studentët pjesëmarrës në konferencën e III-të shkencore studentore “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria” u përshëndetën në seancën e hapjes së konferencës nga rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë profesor Adrian Civici, nga Avokate e Popullit Znj Erinda Ballanca dhe nga dekani i fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane profesor Ksenofon Krisafi. Më pas vijuan punimet sipas sesioneve të organizuara përkatësisht në katër sesione: Sesioni tematik i Shkencave Juridike; Sesioni tematik i Shkencave Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; Sesioni tematik i Psikologjisë, Shkencave të Edukimit dhe Mjekësisë; Sesioni tematik i Teknologjisë së Informacionit dhe Ekonomisë. Numrin më të lartë të studentëve pjesëmarrës në konferencë për këtë vit e përbënë studentët e Departamentit të së Drejtës, duke qenë se ky departament u përfaqësua nga 34 studentë përfaqësues të Master i shkencave në e Drejtë Publike, viti i I-rë dhe viti i II-të, studentë të Programit të Integruar 5-vjeçar në Drejtësi, viti i V-të, viti i IV-të, viti i III-të, viti i II-të, viti i I-rë. Në konferencën e këtij viti u vu re një rritje e numrit të studentëve pjesëmarrës nga fakulteti i Informatikës, fakultet ky që u përfaqësua me 22 studentë të programeve të studimit Bachelor në Inxhineri Informatike, viti i III-të, viti i II-të, viti i I-rë si dhe Bachelor në Informatikë Biznesi, viti i II-të. Në konferencë morën pjesë edhe studentë nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, studentë nga Departamenti i Psikologjisë dhe Sociologjisë,studentë nga Departamenti i Edukimit, Komunikimit dhe Formimit Bazë. Ndërsa fakulteti i Shkencave Mjekësore, i cili në konferencën studentore të zhvilluar këtë vit akademik pati gjithashtu një rritje të numrit të studentëve pjesëmarrës në konferencë u përfaqësua nga studentë të programeve të studimit Bachelor në Infermieri e Përgjithshme, Bachelor në Fizioterapi, Bachelor në Teknik Laboratori. Fakulteti i Shkencave Ekonomike u përfaqësua nga studentë të Programit të Doktoraturës, Master i Shkencave në Administrim Biznesi, Bachelor në Biznes dhe Ligj, Diplomë Profesionale në Menaxhim dhe Marketing i Turizmit. Në konferencë morën pjesë gjithashtu studentë nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës. Temat e përzgjedhura dhe të referuara nga studentët ishin shumë interesante dhe ngjallën debate e diskutime në sesionet e veҫanta. Do të veҫoja temat: “Inteligjenca Artificiale dhe shkelja e të drejtave të autorit.” referuar nga Françeska Sadikllari, “Sfidat e Inteligjencës Artificiale në shoqërinë njerëzorë.” referuar nga Alda Cevani, “Krijimi i kornizave të duhura ligjore për të mbrojtur individët nga rreziku i përdorimit të të dhënave personale si rrjedhojë e zhvillimit shumë të shpejtë të teknologjisë.” referuar nga Etual Hoxha, “Ndikimi i Inteligjencës Artificiale në sistemet e drejtësisë dhe roli i saj në transformimin e procesit gjyqësor.” referuar nga Thanas Kosta, “Ligji i parë global për inteligjencën artificiale.” referuar nga Emi Omari, “Roli i së drejtës ndërkombëtare dhe OKB-së në rregullimin e inteligjencës artificiale.” referuar nga Abel Brahusha, “Inteligjenca Artificiale:Aleate apo kërcënim për drejtësinë?” referuar nga Mateo Gugashi, “Avantazhet dhe sfidat e inteligjencës artificiale si një mjet në luftën kundër korrupsionit.” referuar nga Enisa Kananaj, “Inteligjenca Artificiale një mekanizëm kontrolli apo një mekanizëm jashtë kontrollit?” referuar nga Eglantina Ndraçi, etj.
Punimet e plota të studentëve të paraqitura në konferencë pas përzgjedhjes nga komiteti shkencor njëlloj si në vitin akademik 2023-2024 kur u zhvillua konferenca e II-të shkencore studentore me temë “Studentët në epokën dixhitale”, do të botohen në një numër të veçantë të Revistës shkencore POLITEIA, Revistë shkencore për studime juridike, sociale dhe politike, botim i Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”.
Kam punuar shumë, me shumë dashuri, profesionalizëm dhe përkushtim për realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm shkencor me vlera të spikatura në përgatitjen dhe formimin shkencor të studentëve dhe për arritjen e suksesit të kësaj konference shkencore studentore, por një meritë të veçantë në gjithë këtë punë ka bashkëpunëtorja ime kryesore, studentja ekselente e vitit të III-të të Programit të Integruar 5-vjeçar në Drejtësi Ambra Kallari. Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë studentët pjesëmarrës të konferencës si dhe për profesorët e nderuar të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, të cilët kontribuan në orientimin dhe përgatitjen e studentëve për t’u paraqiur në mënyrë dinjitoze, me punime të mirëfillta shkencore në këtë konferencë.
























