Nasho Bakalli: Ju tregoj veprimtarinë patriotike të stërgjyshit të Kryeministrit Edi Rama

Stërgjyshi i Kryeministrit, Kristaq Rama lindi në Kozarë, Berat, në 20 Dhjetor 1866, dhe vdiq në Durrës, në vitin 1924

Mihal Rama vëllai i Kristaqit cilësohet si një nga publicistët e parë të qytetit të Durrësit, ku artikujt e tij kishin tematikë ekonomike, sociale, politike.

– Kristaq Rama, mori pjesë në çeljen e klubeve nacionaliste 1908-1909 në Durrës bashkë me Sali Nivicën, Mytesim Këlliçin (atë kohë myfti), Aleks Dukën etj,

NOA

– Kristaq Rama mësoi në shkollën e Kristaq Zografit në Qestorat të Lunxhërisë, ku u diplomua mësues në “Shkollën e Mësimit të Pikturës”.

-Kristaq Rama ishte sekretar në shoqërinë tregtare Paftali/imp.exp, që punonte shumë me Greqinë dhe Italinë.

-Kristaqi u martua me Athina Truja; kurse Pavli me Ksanthipi Truja.

– Kristaqi dhe Pavli ishin baxhanakë ku i bashkoi çështja kombëtare shqiptare e klubeve “Vllaznia”(1908) dhe “Bashkimi”(1909), ku ata ishin anëtarë themelues.

 Si, Pavli Terka dhe Kristaq Rama e paralajmëruan mitropolitin grek në Durrës që të mos trazohej në meshë për të psallur greqisht.

– Sipas burimeve të huaja, familja Rama është shpërngulur në Kozarë të Beratit mbas shkatërrimit të qytetrimit të Voskopojës.

– Gazeta “Arbëria”, 14 gusht 1930, njoftonte se në vitin 1929 “…për caktimin e kufijve shqiptaro-jugusllav qe ngritur një komision i përbërë nga gjeneral Gilardi, Fejzi Alizoti, dhe Mihal Rama.”

 

Nasho Bakalli, Punonjës i Shkencave Politike

Punët patriotike shqiptare të individit Kristaq Rama (1866-1924) jam përpjekur t’i paraqes të pashkëputura nga mjedisi që e rrethoi, dhe si një sfidë, e cila përmban shenjat e gjetura që provojnë aktivitetin e tij mes paqartësive ngjyrë plumbi të kohës kur ai jetoi.

Truallin ku rrojmë e kemi trashëguar nga Ilirët. Në inventarin e periudhës qytetare ilire përveç mureve të kalave, qeramikave, objekteve metalike dhe kocke, monedhave etj, ka edhe kionisk-e (kolonë që vihej mbi varr, me emrin e të vdekurit). Ato janë zbuluar në qytetet Berat, Durrës, Apolloni, edhe në Kozarë të Beratit të murosura nga jashtë në kishën e Ungjillizimit të Virgjëreshës që u ndërtua në vitin 1768, dhe u shkatërrua mbas vitit 1990 nga zjarri.

Fatmirësisht teologu Theofan Popa (1914-1985), martir i shkencës, ka mbledhur e prezantuar mbishkrime në veprën e tij. Ndër gjetjet që ai ka botuar është edhe ky mbishkrim i vitit 1806.

Përkthimi: “U pikturua ky tempull në vitin shpëtimtar 1806, në muajin prill, në kohën e të gjithhirshmit mitropolitit, shenjtit të Beratit, zotit Josaf, me dorën time të Jan Çetirit dhe Naumit birit të tij, të priftërinjve prezent: Gjergjit, Pjetrit në kohën e kujdestarisë së Magjio Korazit dhe të subashëve Martir Ramos.”

Shënim: “Mbishkrimi gjendet i pikturuar mbi portën jugore, brenda kishës së Ungjillëzimit të Virgjëreshës, në Kozarë të Beratit. Kisha është e stilit bazilikal, trinefshe, me tavan e me madhësi 17.15 x11.50m.”

Tempulli u shkatërrua nga zjarri, por fatmirësisht mbishkrimi ishte dokumentuar më herët nga Theofan Popa. Përmenden piktorët, mitropoliti, biografi, priftërinjtë. “Martir Ramos” do të thotë, sipas ekspertëve grekë, që “Ramos vërteton” punën e kryer. Mbiemri i tij nuk është përjetësuar rastësisht, po si homazh ngase ishte banor në Kozarë. “Subash” quhej personi i ngarkuar për mbledhjen e të drejtave të timarliut (feudalit). Kjo konfirmon, edhe sipas burimeve të tjera, se aty kanë pas jetuar paraardhësit e Kristaq Rama.

Kristaq Rama lindi në Kozarë, Berat, në 20 Dhjetor 1866, dhe vdiq në Durrës, në vitin 1924. Në një burim tjetër qyteti Berat përmendet si vendlindja e tij.

Në vitin 1866 kur lindi Kristaq Rama, lindi edhe Pavli Terka por në Durrës, dhe vdiq në Korfuz në vitin 1941. Pavli studio në shkollën Kapodistria, Korfuz; kurse Kristaq Rama në shkollën e Kristaq Zografit në Qestorat të Lunxhërisë, ku u diplomua mësues në “Shkollën e Mësimit të Pikturës”.

Athina Rama. Stërgjyshja e Edi Rama ( foto që botohet për here të parë)

Ata u takuan për herë të parë në Durrës, mbas mbarimit të studimeve. Në vitin 1895 Pavli Terka ishte bankier, i sanxhakut të Durrësit. Kristaq Rama ishte sekretar në shoqërinë tregtare Paftali/imp.exp, që punonte shumë me Greqinë dhe Italinë. Kristaqi u martua me Athina Truja; kurse Pavli me Ksanthipi Truja. Kristaqi dhe Pavli ishin baxhanakë, dhe jo vetëm kaq. sepse, çështja kombëtare shqiptare e klubeve “Vllaznia”(1908) dhe “Bashkimi”(1909), ku ata ishin anëtarë themelues, i afroi edhe më pranë nga ç’ishin.

Shkolla fillore e Qestoratit, Lunxhëri, ku nisi mësimet Kristaq Rama, u hap në vitin 1870. Pastaj ai vazhdoi Shkollën Normale, Qestorat – që u themelua në vitin 1874 me miratimin e Shoqatës Filologjike Stamboll – dhe mori titullin: Mësues. Koto Hoxhi, pioner i arsimit dhe gjuhës shqipe, punonte në Qestorat si mësues dhe kryekujdestar i shkollës i emëruar nga Kristaq Zografi, pronari i Shkollës, ngaqë kishte lidhje krushqie me të. Koto Hoxhi e shkruajti, dhe e vuri në skenë dramën e parë në gjuhën shqipe: Dasmë Lunxhiote. Shkolla Normale i përndriti si atdhetarë nxënësit e saj, sidomos ata që kryen atje ciklin e plotë, fillor dhe normal, të studimeve. Mes tyre ishin edhe Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Kristaq Rama(Shiko, Skendi 1967, fq. 133). Koto Hoxhi kur pa se në këtë shkollë po zinin vend propagandat antishqiptare u përball me K. Zografi, dhe nguli këmbë që situata të ndryshonte. Vendosmëria e tij u mbështet paprerë nga një numër jo i vogël nxënësish, ku nuk mungonte Kristaq Rama. Shkolla e Qestoriatit u mbyll në vitin 1891. Koto Hoxhi vdiq në vitin 1895, i burgosur në Jedikule, Stamboll, si përkrahës i paepur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.


Kristaq Rama. Stërgjyshi i Edi Rama. Ai shfaqet me veshje evropiane, duke demonstruar përshtatje me kulturën e veshjeve të njerëzve që vijnë nga Perëndimi, dhe që kanë të ardhura shpirtërore dhe materiale po aq të larta sa shqiptarët.

Ndërkohë, në Durrës, Kristaq Rama pat filluar të konturojë të ardhmen e vet si zëri i një brezi që kërkonte reformimin e arsimit dhe besimeve fetare në gjuhën shqipe, si dhe të përfshirjes popullore në jetën politike.

Profesoresha Eleni Nikolaidou, Universiteti Janinës, në studimin e saj “Propagandat e Huaja…”, viti 1978, tregon mes tjerave edhe për takimet e turbullta të zhvilluara në vitin 1902 mes Pavli Terka (kryetar i pleqësisë ortodokse të Durrësit dhe Tiranës), Dervish Bej Elbasani, Kristaq Rama, priftit Konstandin të krahinës të Shpatit. “Janë interesante – komenton Nikolaidou – pikpamjet që Dervish Bej Elbasani i shpreh Pavli Terkës dhe Kristaq Ramës tek të cilët zbulon për ditë e më shumë mjetet që ata përdornin në shërbim të lëvizjes kombëtare. Terka dhe Rama, nga bisedimet me Dervish beun, kishin arritur në përfundimin se Dervish beu i takonte asaj pale të shqiptarëve që kishin si emblemën e tyre ‘Shqipëria për shqiptarët’…dhe se shumë shqiptarë në Elbasan kishin të njëjtën pikpamje me Dervish beun.”

Nënkonsulli austro-hungarez, Halla, në Durrës, raportonte në MPJashtme Vjenë, 8 Janar 1909), se “Kryepleqësia ortodokse e Durrësit kishin vendosur që mitropoliti grek J.Dhjakumakas të mos ishte i pranishëm në ditën e parë të meshës të krishtlindjeve, sepse ai kërkonte që mesha të mbahej në gjuhën greke. Pavli Terka dhe Kristaq Rama e paralajmëruan mitropolitin që të mos trazohej në meshë dhe mitropoliti u largua nga kisha!”Të nesërmen ai tentoi të zgjidhte një Kryepleqësi të re ortodokse të Durrësit, veprim ky që dështoi. Mbas debatesh të gjata me konsullatën greke në Manastir, dhe Patriakanën e Stambollit mitropolitin J.Dhjakumakas e larguan nga Durrësi, dhe në vend të tij erdhi Jakovi një “antishqiptar i tërbuar ”(Shiko H.Isufi, A.Bido).
Ish Dogana Durrës.

Sipas burimeve, edhe të huaja, familja Rama është shpërngulur në Kozarë të Beratit mbas shkatërrimit të qytetrimit të Voskopojës. Po mund të kenë shkuar edhe më herët për qëllime tregtare, pasi Berati ishte në rrugën e karvaneve që transportonin mallra në Durrës-Venecia-Trieste, dhe Dubrovnik. Gjithashtu, islamizimi i Trojeve shqiptare (mbas shek. XVI), çoi në shpërndarjen e ortodoksëve. Kronikani i perandorisë Otomane E.Çelebi shkruan për të krishterët në Berat. Nga Berati familja Rama u vendos në Durrës.

Papa Gjergji Rammo paraardhës i familjes në Durrës, anëtar i komunitetit ortodoks të Durrësit, dhe prift në Manastirin e Shën Vlashit kishte disa djem, mes tyre Kristaqin dhe Mihalin. Papa Gjergji dhe djemtë e tij Kristaqi dhe Mihali punuan fort për futjen e gjuhës shqipe – në institucionet fetare – aq sa Prof. El. Nikolaidou i akuzon, në librin Propagandat e Huaja, se “ata u blenë nga italianët dhe ngjarja ishte mega skandal në komunitetin grek.”(kështu i pëlqente!? Znj. Nikolaidou ta përcaktonte komunitetin ortodoks shqiptar të Durrësit. N.B.).

Jahja Ballhysa (1849-1928) firmëtar i Pavarësisë në kujtimet e tij, që janë një burim i rëndësishëm historik, thekson se; Kundërshtari më i fortë i kishës ortodokse të Durrësit ishte Mihal Rama, publicist. Kundërvënia e Mihal Ramës ndaj mitropolitit Jakov, grek, kishte bërë që propaganda e tij te shqiptarët ortodoksë të ishte në një masë të kufizuar; kur mashtroheshin nga Jakovi me lëmosha dhe me ndonjë para që u vinte nën dorë ortodoksëve fukarenj të qytetit.”

Manastiri Shën Gjon Pagëzorit, Voskopojë, ku “Në 24 qershor kremtohet ditëlindja e tij me një ceremoni solemne, në të cilën pelegrinë të ndryshëm nga rrethina, në mesin e të cilëve shumë myslimanë, hyjnë zbathur në tempull. Manastiri u themelua në vitin 1634”(S.Manta).

Mbiemri Rama në formën e tij origjinale – Rammo – konfirmohet edhe nga studiuesi rumun C.N.Burileanu ish diplomat në Romë në 1905, viti kur ai ndërmori udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, dhe në Durrës. Një burim grek shpegon se mbiemrat Ramo, Ramoglu, Ramopoulo, Ramma, Rammo, Rammiadis, që përdoren në Ballkan, vijnë nga fjala turke ram(râm) që do të thotë “dash”.

Në një prokurë noteriale, të vitit 1900, Kristaq Rama, dëshmitar, nënshkruan “Kristaq Papa Gjergji Rammo”. (T. Toleva, C. Burileanu).

Më lart kam shënuar emërin Athina Truja. Ajo ishte njëra nga shtatë fëmijët, pesë vajza dhe dy djem, që kishin për prindër: Thoma Truja( të ardhur nga Voskopoja, Berati, në Durrës), dhe, Angjeliqi Truja (lindur Popa, të ardhur nga Voskopoja, Elbasani, në Kavajë).

Thoma Truja. (1813, Berat – 1873, Durrës). Katragjyshi i Edi Rama. Tregëtar. Thoma Truja, siç shkruante vetë, ishte “prej fisi dhe kombësie shqiptare”. Në Berat ai ngriti fillimisht një tregëti manifature të cilën e transferoi në Durrës, mandej e zgjeroi atë me shitblerje trojesh, dhe me exportin e kuajve për në Itali.

Angjeliqi Popa (1834, Kavajë 1919, Durrës). Katragjyshja e Edi Rama. Edhe familja ortodokse Popa, e vendosur në Elbasan, është me origjinë nga Voskopoja. Degë të saj ishin zhvendosur nga Elbasani në Durrës e Kavajë në fillim të shek.XIX. Nga familja Popa e Elbasanit vinte specialist i mekanikës bujqësore Moisi Themistokli Popa, lindur, 1895, dhe banues në Durrës; si edhe mjekët Petraq, Simon, Ylli, dhe At Gjergji Popa; teologu lart përmendur Theofan Popa, i diplomuar në Universitetin e Athinës; Prof. Kol Popa ish nënkryetar i Akademisë Shkencave të Shqipërisë.

Angjeliqi Truja. Katragjyshe e Edi Rama ( foto që botohet për herë të parë)

Athina Truja ishte mbesa e Aleksandra Karbunara (lindur Truja, dtl.1824), e cila ishte nëna e Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara,1842-1917) “Mësues i Popullit”, dhe, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Athina Truja u martua fillimisht me Nikolla Paftali. Lindën një vajzë, dhe një djalë me emërin Kostaq ose Kostë Paftali (1884-1949). Kryetari i bashkisë së Durrësit, arkitekti Kostë Paftali, ishte ai që mori iniciativën për thirrjen në 13 shtator 1922 të Kongresit të Beratit që proklamoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqipëtare, dhe shqipen gjuhë zyrtare të Kishës (Shiko A.Bido, A.Llukani)

Kur automjeti me trupin e balsamosur të Avni Rustemit, në 29 prill 1924, ndaloi në Durrës, në sheshin e qytetit u zhvillua një ceremoni nderimi popullor. Fjalën e rastit e mbajti Kostë Paftali nënkryetari i Kuvendit Kushtetues.

Në Vlorë, mbas varrimit madhështor të Avni Rustemit, u krijua Komisioni Administrativ i përbërë nga Fan Noli (për punët e jashtme), Kostë Paftali (për punët botore), Komisioni u deklarua si përfaqësues i vetëm i popullit shqiptar. Pak ditë më vonë Fan Noli u zgjodh kryeministër. (“Bisedime parlamentare”, 1924, f. 55).

Thoma Truja. Katragjyshi i Edi Rama (foto që  botohet për herë të parë)

Athina Truja, mbas vdekjes të burrit të saj Nikolla Paftali, u martua me Kristaq Rama. Familja e Kristaqit dhe Athinasë krahas Kleopatrës dhe Kostë Paftalit , të cilët kur ndodhi kjo martesë ishin fare të rinj, dhe u shtua edhe me tre fëmijë të tjerë: Vlashi, Marika, dhe Natalia. Vlashi është gjyshi i Edi Rama.

Vlash Rama ishte jo vetëm një mekanik i talentuar dhe njeri babaxhan – me një dorë aq të madhe saqë dora ime(N.B) “humbi” brenda dorës tij kur e takova për herë të parë – po edhe drejtues i pasionuar automjetesh, veçanërisht i veturave, aq sa në garat automobilistike të organizuara në vitet 1929, 1930, 1931 fitoi rradhazi titullin kampion kombëtar. Vlashi dhe Vera lindën Kristaq Rama “Skulptor i Popullit”.

“Ngremë sytë lart e ndjejmë, se ajo zotëron qiellin”: Monumenti Nëna Shqipëri. Në Madhërinë e Saj është madhështia e historisë kombëtare. Ndonëse i vdekur, Kristaq Rama, me krijimtarinë e vet artistike figuarative përfaqëson, riinterpreton, dhe rimodelon paparerë marrëdhënien e vet me shoqërinë, me historinë kombëtare shqiptare.

Mihal Rama. Vëllai i Kristaq Rama

Mihal Rama. Lindi në qytetin e Beratit(1873- 1958). Arsimohet fillimisht në vendlindje, dhe më pas në Athinë mbaron studimet e larta në degën ekonomi-financë.  Zotëronte gjuhët greqisht, frengjisht, italisht. Cilësohet si një nga publicistët e parë të qytetit të Durrësit. Artikujt e tij kishin tematikë ekonomike, sociale, politike dhe botoheshin në gazetat e kohës me inicialet M.R. Mbas themelimit të klubit “Bashkimi” në Durrës, më 4 të vjeshtës të parë të vitit 1909, në kryesinë e të citit ishin edhe vllëzërit Kristaq dhe Mihal Rama, u hap në Durrës, shkolla e parë kombëtare në gjuhën shqipe. Mihal Rama ishte përhapës thuajse i papërmbajtur i librave shkollorë në gjuhën shqipe, me albfabetin Latin, të cilat i sillnin fshehurazi, nga Manastiri, Sofja, Kajro, e Bukureshti tregtarët Nishku, Veveçka, Dovana, Beshiri, Beja, etj. Mihal Rama dhe të tjerë njohës të veprimit politik në Durrës shprehnin kudo bindjen se për “formimin e shtetit të pavarur shqiptar ishte absolutisht i nevojshëm një instrument ndihmës: ngritja e shkollave.”(Shiko H.Isufi, etj.).

Gazeta “Arbëria”, 14 gusht 1930, njoftonte se në vitin 1929 “…për caktimin e kufijve shqiptaro-jugusllav qe ngritur një komision i përbërë nga gjeneral Gilardi, Fejzi Alizoti, dhe Mihal Rama.”

Mësojmë gjithashtu, nga shtypi shqiptar i vitit 1930, se Mihal Rama ishte ngarkuar me detyrën: Administrator i përgjithshëm i pasurive të patundëshme të Kishës Ortodokse Shqiptare, autoqefalia e së cilës shënjtëron edhe sot e kësaj dite si rezultat i kongresit të KOSH mbajtur në Korçë nga 16-29 qershor të vitit 1929.

Ja si e kujton Agustin Serreqi, publicist, ditën e shpalljes të Pavarësisë në Durrës: “Ushtria serbe po i afrohej Durrësit për ditë e më tepër. Paria e Durrësit e pa se flamuri i Baba Dovletit do rrëzohej së shpejti, prandaj bashkëpunuan me patriotët për të ngritur flamurin kuq e zi më 26 nëntor1912. Ishte Hafiz Ali Podgorica (që bashkëpunoi me patriotët durrsak Dom Nikoll Kaçorri, Stef Kaçulini, Abaz Çelkupa, Mustafa Cara, Mihal dhe Kristaq Rama, Pavli Terka, Jahja Ballhysa, Sabri Dermani etj.) i cili e ngriti flamurin kombëtar mbi konakun e administratës së Durrësit më 26 nëntor 1912.”(Shiko H.Isufi, dhe “Kujtime Familjare nga Durresi”N.B.).

Në 28 nëntori 1913, përvjetori i parë i Pavarësisë, u festua me një miting të madh në Durrës. U mbajt edhe një meshë në kishën katolike të qytetit ku qenë të pranishëm myslimanë e të krishterë, mes të cilëve gazetari i kronikës dallon: “Primo Bianki, Jahja Ballhysa, Kristaq Rama, Sulejman Kadiu, Pavli Terka, Sheh Adem Roda, Hafiz Ali Podgorica etj.” Konsulli austro-hungarez pjesmarës në këtë ceremoni i raportonte Vjenës “Në fillim të meshës Dom Nikollë Kaçorri mbajti një fjalim të zjarrtë.”

Në fillim të vitit 1937 nisi punën në Tiranë komisioni kombëtar me emërin “Komision për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit”.

Për prefekturën e Durrësit komisioni përbëhej nga: zv.Prefekti i Durrësit, Mahmut Golemi, me anëtarë Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Hysen Çela, Harrilla Bakalli.

Në përfundim të punës Komisioni doli me një vendim ku pasqyroheshin biografitë zyrtare të 18 veteranëve të Durrësit, dhe emëri Kristaq Rama renditej i teti me këtë jetëshkrim zyrtar:  “Kristaq Rama, lindi në Kozarë, Berat, më 20 Dhjetor 1866 dhe vdiq në Durrës në vitin 1924. Mësimin fillor e kreu në shkollën e Kristaq Zografit në Qestorat, pastaj kreu shkollën normale (didaskalin) Greke, duke marrë titullin mësues. Kthehet në Durrës dhe merret me botimet, gazetat, dhe revistat Shqipe, që shtypeshin jashtë Shqipërisë: si “Bashkimi i Kombit” në Manastir, “Lirija” e Selanikut etj. Mori pjesë në çeljen e klubeve nacionaliste 1908-1909 në Durrës. Bashkë me Sali Nivicën, Mytesim Këlliçin (atë kohë myfti), Aleks Dukën etj, mori pjesë në komisionin për futjen e mësimit të gjuhës Shqipe në shkollat Osmane të vendit tonë. Në 1914 mbas ikjes së Princ Vidit nga Durrësi kapet nga rebelat dhe burgoset për 5 muaj. Që nga shpallja e pavarësisë shërbeu me detyra të ndryshme në doganën e Durrësit, duke e filluar si arkëtar e duke e mbyllur si drejtor kur vdiq në 1924.”

Biografitë zyrtare të 18 veteranëve të Durrësit u dërguan në Tiranë pranë “Komision për Kremtimin e 25-vjetorit të Vet-qeverimit”, i cili vendosi që emrat e 18 veteranëve të Durrësit – bashkë me emrat e veteranëve të prefekturave të tjera – të shënohen me gërma të arta në altarin e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

Përfundim. Sipas burimeve shqiptare të sigurta, sepse për një pjesë të mirë të tyre unë (N.B.) jam vetë dëshmitar, po edhe nga botime studimore austriake, greke, italiane del se Papa Gjergji, Kristaqi, dhe Mihal Rama mbanin lidhje të ngushta e të gjthanëshme, në Durrës, me këto familje: Pavli Andrea Terka. Mihal, Perikli dhe Tom Truja. Athanas, Vasil, Harilla, dhe Spiro Bakalli. Telemak, Lefter dhe Aleksandër Goga. Kadri, Iljaz dhe Krisavgji Reka. Dhimitraq Kazanxhi. Hafiz Ali Podgorica. Jahja Ballhysa. Dom Nikollë Kaçorri. Stef Kaçulini. Vlash, Alfons, dhe Niko Dovana. Sterio A. Koxhai. Jahja Kovaçi. Andrea Konomi. Jak Serreqi. Ilia Llavda. Kostandin, Menella, dhe Jani Leka. Kristaq, Perikli, dhe Nako Spiru. Konstandin A. Mima. Sulejman Kadiu. Abaz Çelkupa. Gjergji(Jorgji) dhe Vangjel Manushi. Shefqet Beja. Dhe me: Leonidha dhe Nikolla Nishku, Voilla-t, Santo-t, Hobdari, Prosi, Koja, Vuçani, dhe Dr.Janko Theodosi të Tiranës. Popa-t e Elbasanit dhe Kavajës. Mineu të Kavajës.

Të gjithë këta njerëz – e shumë të tjerë që për arësye vendi, të më falin, nuk i kam shënuar – ishin, në kohë të ndryshme, edhe rivalë politikë. Por, rivalë me kujtesë njerëzore të shëndetshme.

(VO: Stërgjyshi i Kryeministrit, quhej Kristaq Rama, emër të cilin e trashëgoi babai i Edi Ramës)