Amerika tani po jep haberin se do të eksperimentohet mbjellja e patateve në Mars, ndërkohë që miliona njerëz në tokë, vdesin nga luftrat lokale pushtuese imperialiste amerikane, ruse, etj; shuhen nga uria dhe sëmundjet, efektet e ilaçeve të gënjeshtra dhe krizave të tjera mjedisore, shpirtërore e psikologjike. Shteti ynë që është i lidhur tashmë me lloj-lloj fijesh të qarta e të padukshme me Amerikën, përjeton mpakjen, plakjen, zvogëlimin, deri edhe -larg qoftë-tjetërsimin. Kryetari ynë Edi Rama, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, e quan sukses të madh hedhjen në qiell të dy satelitëve për Shqipërinë! Nga ana tjetër ai nuk di apo nuk do që ta shohë se shqiptarët po ikin përditë gjetiu nëpër botë dhe këtu po vijnë pakistanezë, indianë, kinezë, filipinezë, jugafrikanë e bangladeshas me familje. Shtetet e mëdha europiane bëjnë thirrje përditë për fuqi punëtore dhe djemtë e vajzat tona largohen duke braktisur mëmëdheun ku kanë lindur, se këtu kjo qeveri nuk u siguron pagë sa më të afërt me ata të punëtorëve të shteteve fqinjë. E kemi fjalën te kombi dhe atdheu ynë: do të mbetemi popull me truallin tone, që na i kanë lënë të parët tanë heroikë apo do të shkojmë me këmbët tona drejt asimilimit nga globalizmi? Rreziku është i dukshëm, i qartë dhe fare pranë. Ja le të shohim faktet: molla, qepa e domatja jonë hidhet në lumë se e mbyti prodhimi i huaj. Ulliri mbeti në pemë e vaji i ullirit, aq sa mund të prodhohej, mbeti pa shitur dhe ministritë e dikasteret përkatëse nuk e vënë ujët në zjarr asfare! Një ministre firmos për konçensione e vendosje trarësh për të hyrë në rrugën e shtëpisë tënde si në Divjakë e Bërxull dhe tjetra firmos për shitje apo trajtim koncesionar të Butrintit…

Një ministër mjedisi arrestohet- më në fund! U gjend një kokë turku’(?!), kurse të tjerat hargalisen. Kryeministri, tashmë flet me kokë në qiell, se atje ka edhe satelitët që e ndihmojnë të kontrollojë situatën, si atë të krimit ashtu edhe atë të pastrimit, gjelbërimit, pasurimit, zhvillimit. Por me këmbët në zyrë, duke analizuar punën vjetore- analizë i thënçin! – lavdëron dhe kref sukseset e ministres Krifca: sepse ajo na paska rritur eksportet e produkteve bujqësore!? Shfryn kundër atyre që thonë ‘bujqësia jonë po vdes’ dhe profetizon maja të tjera të larta. Por a nuk është ajo ministreshë që del në televizor dhe fajëson fshatarët përse mbollën kaq shumë ullinj dhe mollë?! A nuk është ajo që nuk di kur mbillet gruri? A nuk është ajo që nuk pranoi të merrte fonde shtesë për bujqësinë në këtë fundviti? Politikat e kësaj ministrie ashtu si ato paraardhëset e saj, janë shumë larg ndihmës konkrete që duhet t’i japin fshatarit. Si nuk mund t’i kuptojë një kryeministër këto veprime? Dhe më tej, si nuk e kupton dot se prodhimi në tërësi, e posaçërisht ai bujqësor e blegtoral janë dy arteriet kryesore, që mbajnë gjallë trupin e popullit tonë? Se atje ku prodhohet buka e bulmeti duhet të investohet më shumë se sa atje ku abuzohet me asfaltin e ziftin prej atyre që e kanë ndërgjegjen të zezë si zifti! Se aty ku prodhohen frutat, gruri, misri, perimet duhet të vejë rruga dhe të funksionojë pa ndërprerje shkolla, qendra shëndetësore dhe interneti? Si mund të thuash se ke zhvillim bujqësor kur prodhimi shkon dëm, ngase qeveria nuk ndihmon, por pengon për gjetjen dhe sigurimin e tregjeve të shitjes? Edhe me ministritë e tjera regëtin po kjo gjendje. Ministresha luan “kukafshehti” me çmimet e energjisë elektrike dhe ato të naftës, të gazit e benzinës duke rënduar përditë e më tepër gjendjen ekonomike të bizneseve e të individëve. Ai tjetri ministër, edhe pse ka firmuar për inceneratorët e pandërtuar, siç rrëfejnë dokumentet, paska bërë detyra (!?)e qejfe gjithkund me fonde të paligjshme dhe vijon të vegjetojë i paqederosur. Emri sikur i është harruar fare! Madje shkarkimi nga detyra, lë që të kuptohet se paska qenë një lloj ilaçi apo maskë mbrojtëse për të dhe ndoshta edhe për të tjerë. Lere pastaj atë hatanë e madhe kur ministri firmos si të mirëqenë një propozim kryekëput antishqiptar dhe arrihet që të “evidentohet si pasuri jolëndore e njerëzimit kënga e isopolifonisë labe, e cila rrjedh nga meloditë e liturgjive fetare të kishës bizantine”!? Kjo, si në emërtim edhe në saktësi shkencore historike s’është veçse një kryetradhti në fushën shpirtërore të jetës së shqiptarëve. Dhe ministrat pasardhës, deri tek kjo që është tani, bëjnë sehir!? Asnjëri syresh nuk e shpie të vërtetën e polifonisë shqiptare në UNESKO dhe të hedhë poshtë gënjeshtrën e një palostudiuesi të verbuar nga paraja, i cili i shërben vetëm kishës ortodokse greke. Me tërë këto bëma, që s’janë as maja e aisbergut, si mund të mendohet se qeveria jonë i ka këmbët dhe kokën në vend? Ne, pensionistë, fshatarë e qytetarë të varfër, nxënës e studentë, mësues, shoferë e infermierë, duam që qeveritarët të kryejnë detyrat ashtu siç kanë premtuar, se do qëndronin pranë halleve të popullit e të kombit.

Është e qartë si drita e diellit që po na ngroh edhe në këtë janar në vend të dëborës, se po të ulen shpenzimet e qeveritarëve e të ngrihen pagat e punëtorëve nuk largohet askush nga vendi. Po të ngrihen pagat e policëve nuk do të ketë aq policë hajdutë. Edhe krime do të ketë më pak. Është po ashtu e qartë se kapitali i madh nuk e lë që të ngrejë kokën ai i vogli. Por, ndaj është qeveria që të mbajë ekuilibrin, të organizojë në nivelin më të lartë dhe forcojë të gjitha hallkat e zinxhirit të ecurisë normale të ekonomisë dhe të kulturës. Se mbrojtje nuk ka më! Ushtrinë e kemi vetëm për të pastuar plazhet dhe për të plotësuar kontigjentet e forcave demek paqeruajtëse! Paketat lëmoshë, jo pesë e jo tetë mijë lekë ‘një herë në mot’, demek për kompesim të çmimeve të larta janë hi syve e jo zgjidhje reale e gjendjes ekonomike të popullsisë tonë në pakësim numerik. Shqipëria bëhet edhe më e mirë se sa mendohet. Këtë e tregoi politika e drejtë kombëtare e zhvillimit ekonomik e kulturor e 45 vjetëve të sistemit shoqëror që u përmbys, ku u vërtetua se si nga thuajse primitiviteti erdhëm në gjendje krahasuese me botën e zhvilluar europiane. Këtu jetohet për mrekulli, shumë herë më mirë se në vendet e mëdha. Vetëm po qe se do të kemi qeveritarë atdhetarë e jo si këta, një herë të djathtë e tashmë prej 15 vitesh vetëm të majtë, të korruptuar të pangopur. Prandaj kënga e ngritur nga populli ynë në vitin 1939, kur fashizmi pushtoi Shqipërinë: “O, ju more ministrat tanë, haram e paçi paranë!” është plotësisht aktuale edhe sot pas 84 vjetësh. Dhe kur popullit i vete thika në palcë, ai nuk duron më!




















