Prof. Asoc. Dr. Vesel Hoxha: Studimet gjeologjike dhe kambanat e tërmetit

842

 Prof. Asoc. Dr. Vesel Hoxha*

Mendova të mos shkruaja, pasi kam shkruar edhe herë të tjera për të njëjtat probleme por ndryshova mendje. Ra ky tërmet dhe çfarë nuk pamë e dëgjuam. Kush nuk doli të flasë para ekraneve. Kush nuk doli nëpër studio të ndryshme dhe nuk bëri të diturin? Dikush me të drejtë, pasi kishte lidhje me problemin bashkë me përgjegjësinë, ndonëse pa e pranuar këtë të fundit, dikush pa e ditur se çfarë po flet! Intervista pa fund, opinione pa fund. Ajo që ra në sy. ishte fakti se nuk kishte gjeolog ose më saktë ditët e fundit u kujtuan t’i ftojnë në studio televizive. Emergjenca, ka qenë fjala e ditës kudo, kur realisht duhej që vite më parë të shpallej emergjencë kombëtare për studime shkencore paraprirëse që të mos kishim 26 nëntor asnjë jetë të humbur dhe, sa më pak dëmtime në të gjithë zonat e prekura nga lëkundjet e tërmetit. Në një artikull të gjatë të botuar në një gazetë të përditshme me datë 04 shtator 2011 nën titullin redaksional “Ngërçi në studimet gjeologjike”, midis të tjerave trajtova edhe dukurinë e tërmeteve ku nënvizova:

«…kemi përcjellë rëndom emisione nëpër ekranet e televizioneve të ndryshme, pa përjashtuar dhe TVSH-në, ku njerëz të kategorive dhe profesioneve të ndryshme, që nga zyrtarë të administratës shtetërore e deri tek njerëz të thjeshtë, të prononcohen e të flasin para kamerave për këto dukuri të natyrës, duke komentuar dhe arsyet e ndodhjes së tyre, sigurisht me një shpjegim amator e aspak profesional. Në të tilla raste dhe në të tjera të kësaj natyre, gjithmonë kam pyetur veten: Nuk e dinë gazetarët apo autoritetet e shtetit në qendër dhe në bazë se për të përcaktuar zonat me rrezik të tokës janë gjeologët? …Janë ata dhe vetëm ata, që duhet të japin versionin shkencor të shkaqeve të vërteta të ndodhjes së dukurive të tilla natyrore që lidhen me rrëshqitjet e tokës, me erozionin, me sizmicitetin dhe me dukuri të tjera, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me fatkeqësitë që i shkaktojnë popullatës, si në drejtim të dëmtimit të banesave apo ndërtimeve të tjera prodhuese etj., ashtu dhe në çarjet apo gërryerjet e shumta të sipërfaqeve të mëdha të tokës në përgjithësi dhe asaj bujqësore në veçanti…?!».

Kur ndodh një fatkeqësi natyrore, siç qe tërmeti i 26 nëntorit 2019, për habinë time dhe për fat të keq si gjithmonë, vura re përsëri që gazetarët të vërshonin nëpër zyrat e institutit ku ndodhet Departamenti i Sizmologjisë, për të intervistuar sizmologët? Nuk kam asgjë me sizmologët, por të parët që duhen intervistuar në një situatë post-tërmeti, gjykoj se të parët janë gjeologët në bashkëpunim me sizmologët. Nëse nuk gaboj, ne nuk kemi sizmologë me diplomë në Shqipëri. Di që disa fizikanë me kurse specializimi dhe me përvojë, kanë ushtruar këtë profesion ndër vite (veç inxhinierëve të mirëfilltë gjeofizikë që dalin nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, dhe që janë brenda llojit me gjeologët). Ka ardhur koha që kjo traditë emërimesh të shikohet me përparësi nga organizmat e larta shtetërore dhe në vazhdimësi t’i gjejnë vendin këtij departamenti duke e inkuadruar në strukturat e SHGJSH-së, pranë një institucioni qendror, jo “i fshehur” pas një instituti apo pas një universiteti si gjerë më tani. Edhe dukuria jo pozitive në emërimet e specialistëve në këtë lëmi duhet riparë në themel duke u vlerësuar si institucion i sigurisë kombëtare dhe duke e pastruar nga specialistët që nuk e kanë vendin aty. Po në këtë artikull nënvizova:

“…Në jetën e përditshme, njerëzit nuk ndeshen vetëm me rrëshqitje dhe erozion. Natyra ka shumë rreziqe natyrore që emërtohen në tërësi si rreziqe gjeologjike për nga origjina dhe, për faktin e thjeshtë se kjo shkencë merret me studimin dhe minimizimin e tyre në favor të shoqërisë njerëzore. Është e vërtetë që tërmetet nuk parashikohen, të paktën për nivelin e sotëm të shkencës, por studimet gjeologo – sizmologjike orientojnë shtetin nëpërmjet ndërtimit të hartave të rajonizimeve sizmike në një shkallë të caktuar, që në këtë apo atë zonë duhet ndërtuar, me këtë apo atë shkallë sigurie, me këtë apo atë lartësi kati etj. etj., pa dashur të futemi në detaje profesionale dhe studime të tjera në shërbim të kësaj sigurie. Problemet e përmbytjeve, problemet e rrezatimit radioaktiv, të sizmicitetit, të tsunameve që shkaktojnë tërmetet me epiqendër në dete në rastin e vendit tonë, të gërryerjeve, të rrëshqitjeve, rezervuarëve të ndryshëm të ndërtuar anë e kënd atdheut për vaditje, minierave të braktisura, ortekëve, etj. etj., nuk duhet të jenë objekt i studimeve emergjente kur na godasin pa mëshirë, por objekt i studimeve normale të shkencave gjeologjike, që të kemi mundësi t’u shmangemi sa të jetë e mundur, në parametrat maksimalë që na lejojnë studimet e thelluara, që nesër të mos themi se nuk e kemi ditur, që nesër të mos shkojmë të numërojmë viktimat apo të dërgojmë çadrat dhe ndihmat ushqimore. Shkenca ndryshon nga emergjenca. Ajo synon ti parashikoj fatkeqësitë që krijojnë situata emergjence, që qeveritë të marrin masa zbutëse ndaj pasojave. Askush nuk mund ti ndaloj tërmetet, tsunamet, përmbytjet, rrëshqitjet etj. por studime për minimizimin e tyre duhen bërë, dhe këtë e bëjnë shkencat gjeologjike…”.

A thua se me këto intervista që kemi parë gjatë gjithë këtyre ditëve të zymta, do të shpëtonin popullatën nga situata e rëndë që pllakosi vendin? Në këtë situatë emergjence, ato duhet të nxjerrin mësime e jo të japin intervista, pasi akoma nuk kanë marrë përgjegjësitë e mos regjistrimit të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, një e dhënë tejet e rëndësishme për ne dhe për brezat që do vinë? Ky fakt po kalohet në heshtje të madhe dhe nuk arrij ta kuptoj arsyen e vertet dhe deri diku dhe fshehjen e mos regjistrimit të tërmetit. Dikush duhet të përgjigjet. Pikërisht për këtë punë janë operatorët në sallën e monitorimeve. U gëzova kur shikova pas shumë ditësh në televizor një profesor të gjeologjisë, Avni Meshin. Ashtu siç me të drejtë iu dha hapësira për të folur në televizione profesoreshës Luljeta Bozo, një figurë emblematike e gjeoteknikës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës, ashtu duhej vepruar edhe me specialistët e fushës së gjeologjisë, si profesorët Alaudin Kodra, Ibrahim Milushi etj. Krahas profesorit të shquar të profilit Shyqyri Aliaj duhej të ftohej dhe profesori i gjeologjisë inxhinierike Përparim Hoxha etj. Ndjesë që nuk i përmenda të gjithë pasi janë shumë. Punova mbi një dekadë në atë institut, i cili sipas meje, ka nevojë për një reformim rrënjësore shumë dimensional, ku shumë probleme duhen zgjidhur me urgjencë, pasi koha e tërmeti nuk harrojnë dhe nuk do na falin. Personalisht e kam ngritur zërin me kohë për ndryshime në strukturën e institucionit në fjalë. Në një fshat të Dibrës ka një proverbë. Ai mund të perifrazohet: Puna e aparaturave të tërmetit është si pushka e Ali Pekës, që e mbajti atë 40 vjet për krahu për ta përdorur një sekondë kur ajo do t’i duhej!?

 

A nuk është kjo ndodhi një papërgjegjshmëri e drejtuesve të institucionit dhe departamentit përkatës?!

Jo vetëm nuk analizohet gjendja, por kanë marrë hov nëpër takime deri në instancat më të larta të shtetit duke bërë karshillëk a thua se ato kanë në dorë edhe rënien e tërmetit! Fjalë dhe vetëm fjalë. Nuk ndërtoi askush një profil gjeologjik që të na shpjegonte, pse ra tërmeti dhe çfarë zhvillimesh gjeodinamike do të ketë në të ardhmen e afërt?! Shkenca merret me studime, analizon e përgjithëson faktet. Nuk merret me fjalë e me intervista çorientuese për popullatën me terma të pa kuptueshme për to.

Kjo ka qenë arsyeja që në një shkrim tjetër të gjatë të botuar në gazetën Ballkan me datë 8 qershor 2018 për reformën në shkencat gjeologjike, midis të tjerave kam shtruar si nevojë bashkimin e ish Institutit të Gjeoshkencave me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, pasi dhe Amerika gjigante, e ka brenda Shërbimit Gjeologjik Amerikan, shërbimin sizmologjik. Midis të tjerave nënvizoja:

“…Vendi ynë nuk duhet të këtë disa institucione gjeologjie të copëtuara, duke llogaritur këtu edhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN-në, aq më tepër të ndara, të dubluara, për të mos thënë dhe të përçara, apo institute të zhdukur si Instituti i Naftës e Gazit, Instituti i Minierave, në një Shqipëri të vogël e me shumë halle, në një Shqipëri ku truri, në veçanti në këtë fushë, ose është plakur shumë ose ka migruar jashtë vendit, pa përmendur këtu problemin e trashëgimisë profesionale që vazhdon të çalojë keqas edhe në sektorë të tjerë të shkencës shqiptare dhe, do të ketë pa diskutim pasojat e veta tejet të rënda në të ardhmen dhe për të cilën pothuaj ka heshtje të plotë. Nuk di nëse ka apo nuk ka kryeministri këshilltarë për gjeologjinë dhe minierat? Këtë pak pasuri truri që ka mbijetuar gjatë tranzicionit të tejzgjatur, duhet ta orientojmë e jo ta shpërndajmë në institucione dubluese, në rrugë të gabuara me organizime burokratike, siç mendoj se ka ndodhur, siç u veprua me reformën që u bë me institucionet e shkencave gjeologjike, pa folur për reformën shkencore në tërësi, ku në fund drejtimi i institucionit ka përfunduar në dorën e një kuadri që vetëm me gjeologjinë s’ka lidhje…… Ish Instituti i Gjeoshkencave (ku ndodhet Departamenti i Sizmologjisë) duhet të kaloj në varësi të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, me gjithë ambientet që ka sot…”.

Pati një periudhë qetësie ku shumë gjëra u vunë në gjumë ose u harruan. Kuptohen këtu dhe pasojat e reformave të gabuara në shkencë dhe financimet jo në drejtimet e duhura. Njerëzit në punët e tyre të përditshme punuan jashtë vëmendjes së shtetit dhe strukturave të sigurisë, duke e ngacmuar tokën dhe ndërtuar mbi të me mangësi të mëdha që na i demaskoi tërmeti i cili “na ngeli në klasë”, për mangësi studimesh speciale gjeologjike dhe mungese oponence nga institucionet kompetente të shtetit. U neglizhuan gabime në themele, në konstruksione, në cilësinë e shufrave të hekurit dhe diametrat e tyre, cilësinë e betonit dhe llaçit për suvatim, në shtesa pallatesh, në mbingarkesa tarracash të pallateve etj. duke i paguar me jetë njerëzish dhe fatura të kripura financiare, me trauma njerëzore që do duhen dekada për ti harruar. Po në atë shkrim kam nënvizuar:

Çfarëdo gërvishtje e tokës, sa do e thjeshtë të jetë ajo, pa fjalën e gjeologjisë (pa fjalën e “doktorit” të saj), pa recetën e saj, do të përbënte një gabim të madh e me pasoja. Ka ardhur koha dhe, mund të themi se jemi të vonuar, që në këtë drejtim të vendosim pikat mbi “i”. Institucionet gjeologjike, duhet të nisin punën për ndërtimin në mënyrë të organizuar e të detyruar nga shteti, për përgatitjen e informacionit gjeoshkencor bazë në shërbim të planifikimit të territorit, në çdo pëllëmbë të tij. Në përbërje të informacionit gjeoshkencor bazë duhet të jenë një seri hartash të specializuara e të certifikuara gjeomjedisore, si harta gjeologjike, tektonike, të mineraleve, litologjike, gjeologo – inxhinierike, të rreziqeve gjeologjike, hidrogjeologjike, të rajonizimeve sizmike, gjeomorfologjike, të vend depozitave të mbetjeve urbane, etj. Një pjesë e këtyre hartave po realizohen me sukses në format digjital nga SHGJSH-ja, ku po punohet me intensitet për të mbuluar gjithë territorin në shkallën 1 : 25 000. Një punë e nisur për t’u lavdëruar. Vërejtja që mund të bëjmë qëndron në faktin që të mos mbahen nëpër arkiva por, të promovohen në publik, në institucionet vendore etj., si një punë kolosale e brezave të specialistëve të shkencave gjeologjike, pasi të jenë kontrolluar ne detaje gjatë procesit të digjitalizimit e, deri tek miratimi në këshillat shkencore. Të gjitha këto duhet të jenë digjitale, që të jenë praktike e të shfrytëzueshme, duke filluar nga qarqet apo bashkitë më problematike e në vazhdimësi deri në mbulimin e gjithë territorit të vendit, pse jo edhe në nivel Njësie Administrative. Si prioritare për momentin duhet ndërmarrë në mënyrë të organizuar e të detyruar nga shteti, ndërtimi i hartës se re të rrezikut gjeologjik në shkallë vendi, edhe pse një hartë e tillë është ndërtuar vite e vite më parë. Në ndërtimin e një harte të tillë duhet të angazhohen të gjitha institucionet aktuale gjeologjike të vendit, të gjitha forcat intelektuale elitare të tyre. Kjo lloj harte ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe, nuk e teproj po të nënvizoj se një hartë e tillë ne shkallë 1: 200 000, e ndërtuar me seriozitet shkencor nga institucionet gjeologjike që ka sot Shqipëria, të qëndrojë e varur në zyrën e kryetarit të shtetit, kryeministrit apo në ndonjë zyrë tjetër të punës së tyre, midis hartave të tjera që mendoj se duhet të jenë të ndërtuara për çështjet e sigurisë kombëtare. E mira e të mirave, për rastin konkret, do të ishte që në vendin tonë të mos bëhet asnjë lloj ndërtimi, ose e thënë në mënyrë figurative, asnjë lloj gërvishtje e tokës, pa u pyetur gjeologjia, pa u identifikuar më parë rreziqet gjeologjike, pa u kryer më parë studimet gjeologo-inxhinierike, sizmologjike, hidrogjeologjike etj. të cilat janë garant që ndërtimi, i çfarëdo lloji qoftë ai, të jetë i sigurt në maksimumin e mundshëm, në maksimumin e asaj që varet nga njeriu. Studimet e tilla mund të kryhen nga persona apo studio private të licencuara dhe nga institucione shtetërore, por, duhet të jetë e detyrueshme të bëhet oponenca e këtyre studimeve dhe kjo oponencë duhet detyrimisht të bëhet nga institucionet shtetërore përkatëse, sepse pasojat që mund të vijnë nga fenomenet e mësipërme, janë sociale dhe, fatura e tyre bie në kurriz të popullit.

Këtu qëndron thelbi i problemit, në maksimumin e mundshëm që kërkohet të bëhet dhe që, është në dorë të njeriut për t’u bërë, duke pasur parasysh këto studime.

………………………………………………………………………………………

* Autori i shkrimit është ish-punonjës shkencor në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës