Operacioni/ Prokurorë dhe drejtuesë të lartë të Policisë “koka” e trafiqeve të drogës

282
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gazeta “Telegraf” gjithë kohën ka ngritur shqetësimin që reforma në polici duhet të fillojë nga brenda rradhëve të saj, në gjithë piramidën, për shkak se drejtues, por edhe segmente të caktuara të Policisë së Shtetit, kanë bashkëpunuar me botën e krimit, shumë herë u kanë dhënë informacione, kanë dekonspiruar operacione, madje edhe të partnerëve ndërkombëtarë, për pasojë shumë here, ata e kanë humbur besimin tek Policia e Shtetit. Madje, shumë herë Policia e Shetit u bë palë me njerëzit e botës së krimit. Kështu, sipas denoncimeve edhe të opozitës, gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, kanë qene drejtuesë të Policisë së Shtetit, që kanë shoqëruar natën, (duke përfituar edhe nga ora policore) administratorë njësish dhe patronazhistë, për të ndarë edhe shpërblime tek votuesit, me qëllim që të blinin votat e tyre. Sipas burimeve tejet konfidenciale,  ‘SHISH 28 dhjetor 2018’, përcolli një raport në institucionet kushtetuese, ku theksonte se janë 128 drejtorë, shefë policie, inspektorë dhe oficerë policie të dyshuar për përfshirje në krime të lidhura më drogën, shumica në drejtoritë rajonale të policisë në të gjithë vendin, si Berat, Delvinë, Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë dhe në komisariatet që vareshin prej tyre.

Operacioni ndërkombëtar: Zyrtarë të lartë të Policisë bashkëpunojnë me trafikantë

Dje, autoritetet Shqiptare dhe Drejtoria e Antimafia-s së Barit, me ndihmën e Zyrës Ndërlidhëse të Forcave të Përbashkëta të Tiranës dhe të Policisë Shqiptare, agjensitë e tjera ligjzbatuese, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore, po zbatojnë në Shqipëri dhe në Itali, me vendim të SPAK e të DDA-së të Barit, – me koordimin e Eurojust-it (Hagë) – i drejtuar nga anëtari  kombëtar i palës italiane, një vendim mase sigurie të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kanë urdhëruar arrestimin e 38 personave, të konsideruar përgjegjës për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar,  të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Po zbatohen gjithashtu, vendimet e sekuestrimit për pasuri të luajtshme, të paluajtshme dhe aktivitete tregtare, në vlerë disa milionë euro. Ekzekutimi i operacionit ndërkombëtar është bërë i mundur, sidomos, falë Skuadrës së Përbashkët Hetimore, mjet i kooperimit gjyqësor i krijuar mes DDA-së së Barit,  Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar në Tiranë dhe Eurojust-it (Organizëm që mbështet kooperimin gjyqësor dhe luftën kundër formave të rënda të kriminalitetit transnacional), i cili i ka dhënë mundësinë personelit të DIA-s së Barit dhe Autoriteteve Shqiptare, Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit, të zgjerojnë hetimet, duke u mbështetur në rolin thelbesor të koordimit të siguruar nga Drejtoria Kombëtare e Anti-mafias e Anti-terrorizmit. Masat e sigurisë janë dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të Operacionit “Shpirti”, në lidhje me hetimet e bëra nga muaji maj 2019 deri në janar 2021, që kanë bërë të mundur të mblidhen të dhëna të rëndësishme ndaj 38 shtetasve shqiptarë, pjestarë të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara, vepruese nga viti 2014, deri në vitin 2017, në Shqipëri dhe në kontakt me organizatat kriminale bareze, në gjendje të dërgonin në Evropë – duke zbarkuar në Puglia – sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Autoritetet Shqiptare dhe DIA, gjatë hetimeve të mëparshme bërë në Shqipëri, në kuadër të operacioneve “Shefi” dhe “Kulmi”, në mars të vitit 2018 e në qershor të vitit 2020, kanë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të dhëna  për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive të kryera nga zyrtarë publikë shqiptarë; pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve pugliese me mjete lundruese  të fuqishme. Një e re absolute e këtij hetimi është kontributi i çmuar i bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të gjithë shtetas shqiptarë, deklaratat e të cileve, në lidhje me krimet e kryera në Shqipëri dhe në Itali, janë mbledhur në Bari nga prokurorët e DDA-së lokale e të SPAK-ut të Tiranës e pasi janë verifikuar përkatësisht, janë përdorur – në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore – në procedimin penal shqiptar. Masat e sigurisë të dhëna nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të zbatuara në Shqipëri, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë, plotësojnë kuadrin hetimor – të pasurive e masave të sigurimit personal,  të bëra në Shqipëri nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe në lidhje me fenomenet e korrupsionit e shpërdorimit të detyrës, që i përkasin zyrtarëve public,   kryesisht, pjestarë të forcave të policisë shqiptare,  të cilët kanë garantuar që “zinxhiri i prodhimit” të lëndës narkotike, të mos ndërpritej kurrë.

Arrestimet

Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Kulmi”), edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale,  në vitin 2016,  me detyrën e pjestarëve të grupit të shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm.  Zyrtarët publikë, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s,  të kryhej me siguri të plotë.

Sekuestrime të pasurive

Masat parandaluese të pasurive dhe konkretisht, sekuestro preventive, që i përkasin sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri të paluajtshme), 4 (katër) shoqëri tregtare bashkë me asetet e tyre dhe disa automjete, të cilat arrijnë në vlerën e disa miliona euro. Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milionë dozash njëshe, që dalin nga shpërndarja me pakicë. Personat e akuzuar në operacionin “Shefi” janë dënuar, në shkallë të parë e të dytë, për vepra penale të ndryshme, e dënime deri në 20 vjet burg ndërsa, në lidhje me operacionin “Kulmi”, me datën 29 qershor 2021, GjSP pranë Gjykatës së Barit, ka dhënë një vendim të parë dënimi ndaj 16 të pandehurve të dënuar, për vepra penale të ndryshme, me dënime deri në 13 vjet burg. Masat e sigurisë të zbatuara në ditën e djeshme,  në burg (25) persona e në arreste shtëpie (3) persona,  janë kryer në Shqipëri në qytetet e Vlorës, Kavajës, Durrësit, Tiranës, e Skrapar. Në Itali, Mali i Zi, e në Spanjë. “Masat parandaluese të pasurive dhe konkretisht sekuestro preventive, që i përkasin sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri të paluajtshme), 4 (katër) shoqëri tregtare bashkë me asetet e tyre dhe disa automjete, të cilat arrijnë në vlerën e disa miliona euro”.

Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar

Në total nga hetime e kryera janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike me vlerë mbi 55 milionë euro. “Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milionë dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë” – njofton SPAK.

Operacioni “Shpirti” vazhdim i dy aksioneve të mëparshme

Operacioni “Shpirti”, është vijim i aksioneve të mëparshme të autoriteteve italiane dhe shqiptare të kryera në të dy shtetet. Operacionet “Shefi” dhe “Kulmi” të kryera në këto dy shtete kanë pasur dy momente nga DIA e Barit me ekzekutimin e e 80 masave të sigurisë dhe sekuestrimet e pasurive për një vlerë prej 4 milionë eurosh, kishin bërë të mundur, ndër të tjera, në vitin 2016 të arrestoheshin “në det” në Polignano, dy skafistët me prejardhje nga Shqipëria, me një sasi prej një (1) ton lëndë narkotike. Gjithashtu është bërë e mundur të ndalohej në Bari, Carrassi, një korier italian me furgon, me më shumë se një mijë (1000) kilogram lëndë narkotike e trafikuar më parë në Torre e Mare nga Shqipëria, të identifikoheshin në autostradë në Grottaminarda e në Vasto dy korrierët italianë, ndërkohë që po transportonin lëndë narkotike e destinuar në Salerno e në Tortoreto (Te), të arrestoheshin dy korrierët shqiptarë me lëndë narkotike në Siçili (Rg) pasi kishte zbritur nga një autobus me prejardhje nga Bari; të identifikohej një tjetër depo në Mola të Barit, brenda te cilës janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, bashkë me një pako me kokainë; të kapeshin në flagrancë “në det” në Molfetta (Ba) dy skafistë nga Shqipëria me më shumë se një ton lëndë narkotike, të identifikohej dhe sekuestrohej në Savelletri (Br) një depozitë brenda të cilës ishin të ruajtura rreth 700 kg lëndë narkotike e të njëjtit tip (përveç fishekëve për Kallashnikov, njësi kontrolli elketronike për automjete, dokumenta, kapuça e gozhda prej hekuri me tre maja); të gjendej në Palagiano (Ta) një korrier që po transportonte lëndë narkotike e destinuar në tregun Lucan; të sekuestroheshin disa karta identiteti italiane të fallsifikuara në Shqipëri, në emër të qytetarëve puliezë, të cilët nuk ishin në dijeni, të përdorura nga shqiptarët për të shkuar në Evropën e Veriut.

Emrat e 28 të arrestuarve për trafik droge dhe korrupsion

1-Aleks Memaj

2-Jovan Memaj

3-Aleksandër Neço

4-Shkëlzen Kamberi

5-Benard Tahiraj

6-Marenglen Çaçi

7-Erind Hysomemaj

8-Klajdi Ademi (Hysomemaj)

9-Toni (Elton) Kushi

10-Erion Hoxhara

11-Çezar Gjomemo

12-Saimir Kurti

13-Malton Lleshi

14-Shkëlzen Daci

15-Eltjon Bregasi

16-Paul (Austin) Deda

17-Hekuran Marku

18-Hamid Seferi

19-Leonidha Sejdiaj

20-Ilir Gaga

21-Luan Zylyftari

22-Geri Zylyftari

23-Erlind Zylyftari

24-Artan Zylyftari

25-Artur Krasniqi, “arrest shtëpie”

26-Ilirjan Balla, shef i trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në “arrest shtëpie”

27-Maksim Sota, prokuror i Vlorës, në “arrest shtëpie”

28-Festim Lelaj, ish-efektv i policies, i dënuar për trafik droge.

Emrat e dy nga 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë

Zbulohen emrat e dy nga 4 personat bashkëpunëtorë të drejtësisë që ndihmuan në zbulimin e aktivitetit të 4 grupeve kriminale si dhe zinxhirin nga kultivimi i kanabisit deri tek mbërritja  në destinacion. Burimet bëjnë me dije se ata janë Aurel Lazaj dhe Jurdi Bedinaj. Ata kanë ardhur në Shqipëri për t’u marrë në pyetje.  Kreu i SPAK, Kraja, dhe prokurori Mara, nënvizuan rolin kyç që kanë pasur katër bashkëpunëtorë të drejtësisë në finalizimin e këtij operacioni.

Ministri i Brendshëm Çuçi: Ky është edhe një proces vetpastrimi

Policia e Shtetit ishte pjesë e një tjetër operacioni ndërkombëtar për goditjen me ashpërsi të elementëve kriminalë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, të dyshuar për korrupsion e pastrim parash, mes tyre edhe zyrtarë të agjencive ligjzbatuese. Ky është edhe një proces vetpastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit.

Shefi i Antimafias italiane, De Raho: Duhet kujdes ndaj “pabesisë së institucioneve”

Duhet të nënvizoj se në këtë operacion, që ndiqet prej disa muajsh nga SPAK, me Prokurorinë e Barit, me një skuadër investigative të përbashkët. Kjo skuadër e përbashkët, ndjek disa skuadra investigative që janë bërë në kohë. Sot në këtë pikë u arrit një objektiv që tregon se si bashkë mund të zbulojmë dhe aspekte që kanë të bëjnë me disa padrejtësi që bëhen nga disa institucione. Dua të nënvizoj faktin se operacioni i bërë nga EUROJUST ka bërë një ndarje konstante të informacionit. Bashkëpunimi Itali-Shqipëri konsiston që, të krijohen strukturat për të luftuar kriminalitetin e organizuar. Kjo është me rëndësi, pasi qytetarët mund të kenë besim tek strukturat e këtij operacioni. Dua të them se struktura hetimore italiane dhe policia shqiptare, kanë zhvilluar një punë me shumë delikatesë dhe për këtë, nënvizoj se falë punës së tyre, u arrit që të zbarkohej një grup kriminal transnacional. Sot është arritja e një objektivi, që tregon se si bashkë arrijmë të ndjekim edhe aspekte që lidhen me ‘pabesinë’ e disa institucioneve mbi të cilat vendet tona, duhet të tregojnë kujdes të veçantë.