Elisa Spiropali i është përgjigjur thirrjes së Edi Ramës, i cili deklaroi më parë se është gati të presë draftin për “Shqipërinë e re”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, duke folur për protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama u bëri thirrje protestuesve por edhe përfaqësuesve të politikës që të sjellin draftin e tyre për “Shqipërinë e re”, ndonëse shprehu skepticizëm se një plan i tillë ekziston.
Por ,Spiropali ka sfiduar Ramën duke u zotuar se do të ketë një “Marrëveshje të re për Shqipërinë”.
Sipas saj, për ta arritur këtë, fillimisht Partia Socialiste duhet të gjejë forcat e të vetëpastrohet.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë
Shqipërinë që duam të ndërtojmë, duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane.
Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.
Ta bëjmë Marëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin.”
Kujtojmë se deputetja socialiste, prej disa muajsh është përfshirë në përplasje verbale me Ramën, që prej kohës kur ky i fundit e shkarkoi nga posti i Ministres së Jashtme. Disa herë Spiropali ka dalë kundër Ramës, ndërsa ky i fundit e ka paralajmëruar edhe për përjashtim nga radhët e PS-së.


















