Prof. Alqi Naqellari: Kooperativat e Enverit si organizime bujkrobëish dhe neokoloniale. Statuti dhe vendosja e çmimeve

955
Sigal

Partia Komuniste menjëherë pas Reformës Agrare nisi kolektivizimin, krijimin e kooperativave bujqësore. Si shembull u mor Lindja, dhe u zbatua vetëm forma artel e tyre. Nuk u aplikua asnjë formë e ndërmjetme siç u aplikua në Bashkimin Sovjetik, apo në vendet e tjera të lindjes. Më vonë u krijuan KTL dhe NB-të.Në lindje kishte kolkoze, sovkhoze, krahas pronës së vogël private. Partia Komuniste krijoi një klasë të re, krahas klasës punëtore, shfatarësinë kooperativiste, e cila u shfrytëzua në mënyrë barbare nëpërmjet kuotave dhe llojeve të prodhimit, që detyrohej të realizonte, nëpërmjet çmimeve diskriminues e formave të tjera. Fshatarësia kooperativiste ishte klasa e bujkrobërve të sistemit socialist shqiptar.

Në Shqipëri, me kalimin e viteve, u kolektivizua gjithçka, ju la fare pak tokë si kopsht fshatarit, një numër i kufizuar pulash që do mbaheshin të mbyllura në kotec, ndërsa për bagëti të imta dhe gjedhë nuk bëhej fjalë. U krijuan tufat dhe arëzat.  Fshatari u zhvesh plotësisht jo vetëm nga prona private por edhe nga prona individuale. Ai u bë argat në tokën e tij. Burimi i vetëm i të ardhurave i mbetën krahët e punës, prandaj forcat e afta në fshat kërkonin të sistemoheshin në punë në ndërmarrjet shtetërore.

Kjo mënyrë organizimi bëri që fshatarët të varfëroheshin në maksimum dhe të vuanin për bukën e gojës. Kishte raste që fëmijët vdisnin nga mungesa e ushqimit. Pas viteve 85 fshatarët, pavarësisht nga propaganda “për mirëqënien në socializëm” filluan të shprehnin pakënaqësi të dukshme ndaj mënyrës së trajtimit të tyre. Në këtë shkrim, në vijim të shkrimit të parë  “Socializmi i  Enverit nuk ka asnjë lidhje me Marksin” do t’i përgjigjem disa pyetjeve për kooperativat bujqësore në socializmin shqiptar.

=A mbështetej në Kushtetutë krijimi i kooperativave bujqësore?

Në Art 4 të Statutit(Kushtetutës) të 1946 thuhej: “Në Republikën e Shqipërisë mjetet e prodhimit përbëhen prej pasurisë së përbashkët të popullit që gjëndet në duart e shtetit, prej pasurisë së organizatave kooperativiste popullore dhe prej personave privatë, fizikë ose morale”.

Në Kushtetutën e vitit 1976 në Nenin 15 thuhet: “Ekonomia e RPSSH është ekonomi socialiste që mbështetet në pronën socialiste mbi mjetet e prodhimit’. … Është baza e paprekshme e rendit socialist… Prona socialiste mbi mjetet e prodhimit përbëhet nga prona shtetërore dhe nga prona kooperativiste në bujqësi”(Neni 16).

“Prona kooperativiste i përket grupit të punonjësve të fshatit, të bashkuar vullnetarisht në kooperativën bujqësore për rritjen e prodhimit dhe të mirëqënies, për ndërtimin e socializmit në fshat dhe në gjithë vendin”(Neni 21). Janë pronë kooperativiste ndërtesat, makineritë e pajisjet, mjetet e transportit, veglat dhe mjetet e punës kafshët e punës dhe të prodhimit, kulturat drufrutore, produktet bujqësore e blegtorale si dhe mjete të tjera të nevojshme për veprimtarinë e saj”(Neni 21).

Në grupin e mjeteve të listuara në pronësi të kooperativës nuk përmendet “toka”. Nuk përmendet, sepse ajo nuk ka qenë ndonjëherë pronë e kooperativave bujqësore. Ajo i është dhënë nga shteti një grupi njerëzish për përdorim kolektiv.

Të bashkuar vullnetarisht thuhet në Kushtetutë, në fakt jo të gjithë ishin futur me dëshirë në kooperativë. Partia u kishte shkuar shtëpi më shtëpi fshatarëve për t’i bindur, duke filluar nga fiset më të mëdha dhe nga njerëzit më me influence, sepse askush nuk donte të dorëzonte bagëtitë dhe tokën në kooperativë, askush nuk kishte ndonjë eksperiencë për këtë formë organizimi. Një pjesë e fshatarëve u futën me forcë dhe me presion, ndërsa e përkrahën këtë sistem dhe u futën menjëherë në kooperativë ata që ishin të varfër, që nuk kishin shumë bagëti dhe tokë. Shumë prej këtyre njerëzve që kundërshtuan këtë sistem u burgosën dhe një pjesë e tyre  u shpallën kulak. Kundër tyre bëhej e ashpër lufta e klasave.

Në Tepelenë dhe në rrethe të tjera kishte fshatarë që nuk u futën kurrë në Kooperativë Bujqësore. Këta njerëz neve na dukeshin si të çuditshëm, ata shikoheshin me një sy krejt tjetër nga organet e partisë dhe të pushtetit në çdo aspekt të jetës. Kjo sepse pushteti nuk qe i popullit, por pushteti qe i partisë.

Në fakt kolektivizimi në shumë vende të Lindjes nuk u bë “me shembulla”, u bë me forcë, me dhunë, me gjak dhe jo me iniciativë.

Cili ishte dokumenti bazë i krijimit dhe organizimit të kooperativave bujqësore?

Ishte Statuti. Ai përcaktohet si: “Akt normativ themelor për rregullimin e marrëdhënieve kooperativiste. Sintezë juridike e politikës së PPSH në fushën e marrëdhënieve kooperativist”, është përmbledhje parimesh, rregullash e normash, sipas të cilave ndërtohet dhe zhvillon veprimtarinë e vetë një organizatë shoqërore/kooperativë. Statuti i parë i kooperativave bujqësore u miratua nga Kongresi I i Kooperativave Bujqësore më 17.2.1949.

Pjesa I e Statutit fillon me qëllimin e krijimit të kooperativave bujqësore. Këtu shpjegohet se përse do bëhet bashkimi i mjeteve të prodhimit. Bashkimi do të bëhet “… në mënyrë që të sigurohet fitorja e plotë mbi kulakët, mbi të gjithë çfrytëzuesit dhe armiqtë e masave punonjëse dhe të arrihet një produktivitet i lartë i punës, për të siguruar një jetesë më të mirë kooperativistëve”.Partia nuk e shikon këtë lloj organizimi si një mënyrë për të rritur prodhimin, punësimin e mirëqënien, por para së gjithash si mënyrë për të luftuar kulakët së pari, dhe së dyti, siç theksohet më poshtë të plotësojnë detyrimet ndaj shtetit.

Partia rrugën e vendosjes së kooperativave e shikon “si rrugën e vetme të drejtë” për fshatarësinë. Statuti, menjëherë fillon me detyrat dhe një nga detyrat kryesore është ,“të plotësojnë me kohë detyrimet kundrejt Shtetit”dhe nga detyrimi kalon te shpërblimi, pra parësor është dorëzimi në shtet. Më tej “ndajnë të ardhurat sipas punës” që në këtë mënyrë ta bëjnë kooperativën ekonomi të “madhe kolektive me të vërtetë socialiste”.Sipas tyre synimi është që ta bëjnë ekonomi të madhe dhe e dyta socialiste. Qëllimi final “ të lartësojnë nivelin ekonomik-kultural të anëtarëve”.Pra, të gjitha konceptet që përdoren tregojnë qartë se synohet krijimi i një strukture ekonomike me qëllim shfrytëzimin e saj në interes të qëllimeve të Partisë Komuniste.

Në pjesën e II (2) të Statutit thuhet se: Të gjithë kufijtë që ndanin më parë tokat e anëtarëve të kooperativës zhduken dhe toka bashkohet duke hyrë në përdorim kolektiv të kooperativës”.Fshatarët akoma pa u tharë vendimet e reformës agrare për ndarjen e tokës, detyrohen ta dorëzojnë token, që morën, “duke zhdukur kufijtë”. Kjo tokë do të shfrytëzohej kolektivisht, pa qenë pronë e kolektivit, pronë e kooperativës. Tokat e kooperativës nuk mund të shiten, të blihen, të jepen me qira ose të hipotekohen”.Këtu shihet që kooperativat nuk kanë asgjë në pronësi të tyre.Nga ana e shtetit i’u jepet toka që kishin fituar nga reforma agrare për shfrytëzim të përbashkët, pa të drejtë hipotekimi dhe shitblerje. Atëhere shtrohet pyetja. A mund të jetë pronar i tokës së kolektivizuar një subjekt që nuk e hipotekon tokën mbi të cilën është krijuar? Ligjërisht nuk është pronar, kështu që toka e kooperativave nuk ishte pronë e tyre, por pronë e shtetit, që u ishte dhënë kooperativave në përdorim kolektiv.

Në pjesën IV (5) të Statutit “Detyrat kryesore të kooperativës, të kryesisë dhe të anëtarëve”, ndër të tjera thuhet: “Kooperativa ka për detyrë ta drejtojë ekonominë e saj kolektive në bazë të një plani, duke ju përmbajtur me përpikmëri planit bujqësor të prodhimit, që është caktuar nga organet e Pushtetit, dhe të respektojë detyrimet kundrejt shtetit”.

Këtu shihet qartë se kooperativa nuk ka gjë në dorë, nuk mund të përcaktojë kuota dhe lloje prodhimi, sepse këto “caktohen nga Pushteti”. Kooperativa vetëm “bindet” dhe prodhon atë që kërkon shteti, dhe pasi prodhon atë që dikton Pushteti do “respektojë detyrimet” ndaj Shtetit. Këtu sanksionohet centralizimi i planifikimit, këtu shihet qartë se ekonomia e krijuar është një krijesë artificiale që i është dhënë një tokë ta shfrytëzojë kolektivisht, pa qenë pronë kolektive. Kolektive ishin veglat e prodhimit, kafshët e punës e të prodhimit.

Organizimi, drejtimi dhe zbatimi bëhet nëpërmjet procesit të planifikimit.  Procesi i hartimit të planeve të zhvillimit të ekonomisë kombëtare socialiste dhe organizimi i prodhimit mbi bazën e një plani të vetëm shtetëror quhet planifikim.

Edhe në sistemin socialist prodhimet e punës janë mall, si në kapitalizëm, por me disa veçori, sepse mjetet e prodhimit janë shoqërore, prodhimi është shoqëror edhe përvehtësimi është shoqëror. Shkaqet pse ekziston si mall janë objektive, ato lidhen me ekzistencën e kooperativave bujqësore dhe me tregëtinë e jashtme. Krijimi i një klase, i një shtrese shoqërore, më të varfër se klasa punëtore, në mënyrë artificiale bëri të mundur ekzistencën e mallit me veçoritë e tij. Prona kooperativiste quhej pronë parashtetërore, sepse ishte e kolektivit dhe jo e gjithë popullit që përfaqësohej nga shteti. Pikërisht këta njerëz që jetonin e punonin në këto kushte cilësoheshin si kontigjent që preket më shpejt nga mbeturinat mikroborgjeze. Anëtarët e kooperativës, këta njerëz pa pronë, e pa shumë të drejta në krahasim me klasën punëtore që ishte klasë sunduese, shikoheshin si klasë që duhej t’ju shërbente, që duhej të ulte kokën dhe vetëm të bindej. Kooperativat bujqësore u kthyen në vende internimi. Kur nxehej Sekretari i Partisë në Ndërmarrje të thoshte “qepe se do të çojë në kooperativë bujqësore, ose “ti s’je për këtu, ti je për në kooperativë”.

Në pikën h) të Statutit ndër të tjera thuhet “… të ngrejnë nivelin kultural të anëtarëve, të nxjerrin gazetën e murrit, të organizojnë leximin e librave, dëgjimin kolektiv të radios, vajtje në kinema, të ngrejnë klube, biblioteka, banja e rojtore, të mbajnë pastër dhe të rregullojnë më së mirë rrugët e kooperativës, …”. Në këtë pikë duket që Kooperativa nuk është thjesht një ndërmarrje prodhuese bujqësore, por ajo ka për detyrë që të merret edhe me aktivitetet e tjera, që kanë nevojë njerëzit, njësoj si i organizon shteti në qytet, t’i organizojë edhe kooperativa në fshat. Në këtë aspekt ajo është si një “mikro shtet” më vete që do konsumojë sa të prodhojë, që do t’i plotësojë gjithë nevojat e anëtarëve me forcat e veta. E veçanta është se kjo do krijohet nga Shteti, i cili do t’i japi të drejtë të shfrytëzojë në mënyrë kolektive tokën, ndërsa anëtarët nga ana e tyre do kolektivizojnë mjetet e tjera materiale dhe kafshët e punës e prodhimit. Në këtë kuptim unë kam përdorur edhe fjalën “koloni” të sistemit socialist,

Çfarë donte të arrinte Partia nëpërmjet vendosjes së çmimeve? Donte të arrinte shfrytëzimin e kësaj klase të pa mbrojtur. Kooperativat nuk shisnin, por dorëzonin, nuk kishin plane shitje, por plane dorëzimi, kishin “detyrime” ndaj shtetit. Koncepti i shitjes është koncept që i takon kapitalizmit pasi e përball kërkesën me ofertën duke përcaktuar çmimin, ndërsa dorëzimi është koncept i feudalizmit, i bujkrobërisë.

“Çmimet e shitjes me shumicë dhe çmimet e shitjes me pakicë të mallrave të prodhuara në vend ose të importuara… dhe tarifat e shërbimeve në përgjithësi caktohen nga shteti në mënyrë të centralizuar e të planifikuar dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga organet shtetërore, ndërmarrjet, institucionet dhe kooperativat bujqësore”.

Çmimet përcaktohen nga Këshilli i Ministrave dhe organet që caktohen prej tij. Organet që kanë të drejtë të caktojnë çmime kanë qënë: Këshilli i Ministrave, Komisioni i Planit të Shtetit dhe institucionet e tjera qëndrore, Byroja e Çmimeve në Komitetet Ekzekutive të Këshillave Popullore të rretheve, Drejtoritë e ndërmarrjeve dhe kryesitë e kooperativave bujqësore.”…

Nëpërmjet çmimeve diskriminuese, kooperativave bujqësore ju bëhej një shfrytëzim barbar. Ato mbulonin dështimet dhe humbjet e ndërmarrjeve shtetërore.

Ku e shikonte rëndësinë e politikës së çmimeve PPSh-ja?

E para, në forcimin e mëtejshëm të aleancës së klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativste.

E dyta, për të ndihmuar për zhvillimin e njëkohshëm të prodhimit industrial dhe bujqësor.

E treta, të përdoret me efektivitet për rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare, në interes të zhvillimit dhe rritjes së ekonomisë popullore me synim ngritjen e vazhdueshme të mirëqënies materiale e kulturore të punonjësve”.

E katërta, vendosja e çmimeve vepron edhe në stabilizimin e tregut, të qarkullimit monetar, për forcimin e fuqisë blerëse të lekut dhe për zbatimin e parimit socialist të shpërndarjes së secilit sipas punës.

E pesta, për harmonizimin e fuqisë blerëse të popullsisë me fondin e mallrave, të kërkesës me ofertën.

Shikoni, kërkesa dhe oferta nuk ndikohen apo të përcaktohen nga çmimi në socialize, sepse çmimi është i planifikuar dhe nuk përcaktohet nga tregu.

Të gjitha këto pika janë thjesht demagogji, sepse çfarë aleance do forcohej kur çmimet e drithrave, bimëve eterovajore, perimeve, produkteve blegtorale caktoheshin pa marrë në konsideratë koston e prodhimit të tyre, por apriori nga organe të veçanta shtetërore? Forcimi i fuqisë blerëse të lekut, i qarkullimit monetar dhe stabilizimi tregut binin mbi kurriz të anëtarëve të kooperativave bujqësore. Ishin ata që përballonin të parët dhe më shumë mungesën e prodhimeve. Ata blinin në qytet mallra industrialë me po ato çmime që i blente edhe një punëtor, i cili merrte minimumin pagë mujore sa dyfishi i të ardhurave të një fshatari.

Përfundimisht çfarë organizimesh ishin kooperativat bujqësore? Nga kjo analizë e shkurtër nën këto këndvështrime;

-Së pari, dhënia e tokës nga ana e Partisë-Shtet për përdorim kolektiv të kooperativave bujqësore.

-Së dyti, dërgimi nga ana e Partisë-Shtet i kuotave të prodhimit, ose përcaktimi i llojeve të produkteve me sipërfaqe të caktuara.

-Së treti, dërgimi nga ana e Partisë-Shtet i kuotave të dorëzimit të produkteve bujqësore e blegtorale.

-Së katërti, përcaktimi nga ana e Partisë Shtet i nivelit të çmimeve të produkteve që do dorëzoheshin dhe i bazës materiale që do furnizoheshin kooperativat.

-Së pesti, vartësia e plotë për çdo veprim, në çdo fushë nga Partia-Shtet, Kooperativat Bujqësore në Shqipëri mund t’i konsiderojmë organizime neokoloniale, organizime bujkrobërish.

Kishte anëtarë kooperative që nuk kishin parë asnjëherë detin, nuk kishin qenë asnjëherë në Tiranë, që nuk e dinin se çfarë qe  “ Leja e Zakonshme e pagueshme”.