Pirro Loli: Si i sekuestruan medaljen gjimnazistit Thanas Dhespas

160
Sigal

Sekuestrimi i Medaljes së Artë

  • Si e burgosën Thanas Dhespan me akuzat: Sabotim në bujqësi, tentim për arratisje
  • – Policia sekuestroi edhe Medaljen e Artë të gjimnazistit, që e kishin arrestuar në bankat e shkollës në Gjirokastër.
  • – Po pse, pse arrestuan dhe e burgosën këtë shqiptar të rrallë!?
  • -Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje edhe sot pas 78 vjetësh.
  • -Për atë nuk u organizua asnjë hetim e rrjedhimish rezulton  i pafajshëm…
  • U dënua 20 vjet. Pa prova, pa dëshmitarë, pa dëgjues, pa avokat.
  • Thanasi do përgjërohej veçmas për fshatarin e tij, Trifon Çarkën, që e vizitonte shpesh burgjeve e kampeve të punës në Qafbar, Tiranë, Elbasan, Lushnjë, Kuçovë etj. Dhe gjithmonë e furnizonte me libra.
  • – Pse nuk ia dhanë triskën e frontit në mbarim të dënimit, paçka se e përmbante dhe ligji?!

 Dy ditë pas arrestimit të liceistit Thanas Dhespa në Gjirokastër, ata uzurpuan në shtëpinë e tij në Zhej të Zagories dhe sekuestruan gjithçka. Ata rrëmbyen orenditë e shtëpisë që kishin vlerë deri te veshmbathjet, çarçafë e  tofra të ndryshme si dhe dy kuti  me bizhuteri luksi si: vathë, unaza e gjerdanë floriri, trashëgimi stërgjyshore të shtëpisë. Të gjitha i ngarkuan në disa mushka duke udhëtuar tetë orë për t’u kthyer në Gjirokastër. Ishin tre veta. Tre hije të frikshme nga policia e fshehtë dhe prokuroria. Thanë vetëm, “jemi shteti dhe do bëjmë kontroll”. Kaq. Ata sekuestruan edhe Medaljen e Artë të gjimnazistit, që kishin arrestuar në bankat e shkollës në Gjirokastër. Nuk ishte e zakonshme kjo medalje; nuk ishte vetëm e artë. Vlera e saj e tejkalonte vlerën e artit të përpunuar në të, por dhe motivacionin e gjatë që e shoqëronte. Gjimnazistit në klasën e katërt ia kishte akorduar Departamenti i Shkencave të Akademisë së Shkencave franceze. Kjo akademi kishte organizuar një konkurs (olimpiadë) midis 20 vendeve evropiane me 2300 kandidatë, në matematikë-fizikë në vitin 1951. “Medalja e Artë iu dorëzua Thanasit në një ceremoni para gjithë nxënësve dhe trupës pedagogjike të liceut ( gjimnazit) nga përfaqësuesi i Ambasadës Franceze në Tiranë. Motivacioni i asaj Medaljeje është firmosur nga akademiku ZHAN PIER SHEVALIE dhe është rreth një faqe. Lauranti i këtij konkurrimi- olimpiadë ekselenti Thanas Dhespo i përket së ardhmes dhe progresit. I përket botës shkencore. Pa asnjë mëdyshje ai mbetet kandidati parësor për të vijuar studimet në universitetin e Kembrixhit apo të Sorbonës” Thanas Dhespa nga Zheji i Zagorisë, shpallet  i pari fitues, laurant i olimpiadës. Ky nxënës, gati e pabesueshme edhe për jurinë, kishte zgjidhur një ekuacion intergral me dy të panjohura në afatin më të shkurtër në një nivel të përpiktë. Në intervistën që organizoi kryetari i jurisë franceze, me fituesin së pari u habit me frëngjishten e kulluar të nxënësit, sikur ky djalosh sykaltër nuk kish lindur në shkurret e Zhejit, por në mes të Parisit. Dhe jo vetëm kaq, akademiku francez Zhan Pier Shevalie në motivacionin e gjatë firmosur prej tij, midis të tjerave kumtoi se …Lauranti i këtij konkurrimi – olimpiadë, ekselenti Thanas Dhespa i përket së ardhmes dhe progresit, botës shkencore…Pa asnjë mëdyshje ai mbetet kandidati parësor për të vijuar studimet në universitetin e Kembrixhit ose të Sorbonës….

Por atë që ia dhuroi Parisi si djepi i kulturës evropiane, ia grabiti  shteti i tij. Edhe pas 78 vjetësh me kërkesë të familjes së nxënësit të arrestuar deri te kreu i shtetit dhe ambasadës franceze nëTiranë, Medalja e Artë nuk u gjet. U gjet vetëm një kopje e motivacionit, që e kish rrëmbyer motra e Thanasit gjatë sekuestrimit të shtëpisë dhe e kish fshehur në trupin e saj. Kjo kopje është botuar në librin“Zhejoti fisnik që sfidoi kalvarin “  me autor publicistin e njohur Kiço Kapedani.

Burgu i parë

..Nxënësi Th. Dh. U arrestua  më 18 janar 1952, (bashkë me dy shokë të klasës) në vitin e fundit të gjimnazit. Ai kishte shkuar në qytet të vazhdonte shkollën shtatë vjeçare ku tre vjet i mori për dy me rezultate maksimale. Në vitet e gjimnazit u dallua si nxënës i veçantë duke u renditur i pari në çdo lëndë me nota të shkëlqyera. Në çdo listë emri i tij rreshtohej i pari në tabelën e nderit të gjimnazit, madje në vitin e fundit, kur kish filluar semestri i dytë,vetë drejtoria e shkollës i kish propozuar për medalje të artë …

***

Por nuk arriti. Në vend të medaljes i hodhën prangat. Çanta me librat e tij, mbeti mbi bankë disa ditë pa lëvizur. Pedagogët dhe nxënësit të heshtur ngrinin supet. Frynte erë e ftohtë: ato ditë janari dhe kalldrëmet e Gjirokastrës ishin mbuluar me akull.

Akuzat ishin absurde: Sabotim në bujqësi, tentim për arratisje, (në disa skuta të errëta të sigurimit, përgojohej sikur do helmonte konviktorët ose ndonjë udhëheqës që mund të vizitojë qytetin). (!?) U dënua 20 vjet. Pa prova, pa dëshmitarë, pa dëgjues, pa avokat. Dhe nga bankat e shkollës, me pranga në duar përfundoi në burgun mesjetar të kalasë që nga tavani i lashtë mesjetar, rridhnin pika të ftohta uji edhe në verë. Quhej dhe burgu i shtatë penxhereve. Kishte filluar kështu rruga e tmerrshme e kalvarit nëpër Shqipërinë socialiste. Në burg në një gjysmë errësirë të ftohtë do shkruante një poemth me dyzet vargje si :“Të tharë lotët në sy më qëndrojnë /dhe në buzë qeshja më ka ngrirë!/ Pranverën e bukur më nuk e shoh!/ Mbetem i akullt, beton në humbëtirë”.

Lirohet në vitin 1967.

E arta brenda tij.

Derrat e “Fermës së Kafshëve“ i grabitën medaljen që i dhuroi shkenca franceze, por jo të artën që kishte vetë ai në qenien e tij. Në të gjitha ditët dhe netët e burgjeve, pak nga pak, por në çdo çast, i dukej sikur priste hekurat e burgut dhe me një këmbëngulje heroike, me vullnet të rrallë, ndërtoi lirinë e brendshme. Kjo liri e heshtur, gati e fshehtë pa gojë e pa poza, do të vinte me vullnet të hekurt, me sakrifica përmes dhimbjeve fizike dhe shpirtërore. Atij iu mohua rinia, dashuria, familja, shkolla, vlerësimi, lëvizja. Ai mbeti një monedhë e pavlerësuar, e pakonvertuar për të kontribuar shkencërisht për të mirën e tij dhe të shoqërisë, që kish aq shumë nevojë vendi ynë. Kjo liri individuale, si një nga akumulimet më intelektuale që mund të fitojë njeriu, e arta për të, fitoi emra të tjerë: dituri, tetë gjuhë, shkencë, histori, filozofi, poezi, bibliografi- libra, fjalorë. Ai ndërtoi në veten e tij një enciklopedi gjithpërfshirëse’’. Ai e kishte të artën e medaljes dhe motivacionin në mendjen dhe shpirtin e tij. Kur shkonin shqiptarët për të takuar njerëzit e tyre burgjeve, sillnin ushqime e veshje, Thanas Dhespa u lutej jo vetëm të tijve, por të gjithëve sa mundej, t’i sillnin libra, libra e fjalorë në çdo gjuhë që të mundnin. Jo për të ngrysur ditët, jo, por për të përvetësuar tetë gjuhë të huaja,( ai përkthente në gjuhën angleze dhe franceze) duke futur dhe greqishten e vjetër dhe latinishten. Thanasi do përgjërohej veçmas për fshatarin e tij, Trifon Çarkën, që e vizitonte shpesh burgjeve e kampeve të punës në Qafbar, Tiranë, Elbasan, Lushnjë, Kuçovë etj., dhe gjithmonë e furnizonte me libra. Ai më solli dhuratën më të çmueshme, thotë- “La Rousse”: Enciklopedinë e madhe franceze. Administrata e burgjeve dhe ajo shtetërore në të gjitha instancat, edhe fshati i tij e Zagoria, nuk mund ta vlerësonin atë, pavarësisht se e njihnin me trung e me dega. Zhejoti ballë gjerë nuk ishte keqbërës, e aq më tepër armik i pushtetit. Ai dallohej vetëm se ishte nxënës ekselent. Ata, edhe sikur të donin, nuk mundnin, nuk zgjateshin dot në lartësitë e këtij individi të jashtëzakonshëm. Hijet i grabitën medaljen e artë ( sendin), por jo të artën e moralit të tij dhe personalitetit. Këtë të artë ai e ndërtoi vetë dhe nderin e parë dhe të fundit e mori nga Europa e shkencës dhe kulturës. Mirë thonë që profetët nuk kanë duk në vendin e tyre. Duhej të priste një kohë tjetër që Thanas Dhespa do habiste personalitete të shquara të politikës dhe shkencës europiane si në Francë, Londër, Berlin, Athinë etj.

Burgu i dytë

Pas lirimit nga burgu më 1967, atë e priste një burg tjetër, fshati i tij – Zheji. Nuk e mori me mend se ky burg i ri prej 25 vjetësh, e priste në fshatin e tij të dashur, Zhej. Rraskapitës, ofendues dhe më i neveritshëm iu duk ky burg special nga njerëzit e tij, që i përfytyronte me duar në qafësi në atë ditë kur kishte sjellë Medaljen e Artë franceze. Fshati shihte tek ai armikun e klasës. Zheji iu bë burg, burg i gjatë, torturë psikologjike, që komunikonte vetëm me një copë brigadier bujqësie, i cili nuk harronte ta caktonte në punët më të rënda atë, armikun e sajuar të klasës. Ishte tjetërsuar njeriu shqiptar si sajesë lejfeniste tru shpëlarë. Burg i gjatë, izolim shpirtëror për armiqtë e pushtetit popullor. Vigjilencë. Edukim klasor. Mallkim njerëzor, urrejtje e pakuptimtë, që nuk u shua dhe me rrëzimin e shtetit diktator.

Pse nuk ia dhanë Triskën e Frontit në mbarim të dënimit, paçka se e përmbante dhe ligji?! Ai e kishte shlyer “Krimin.” (kjo triskë, kjo paçavure që e ndau Shqipërinë socialiste më dysh duke mbjellë vetëm urrejtje). Zheji i tij i dashur që ishte i dëgjuar për mikpritje shëmbëllor për mikun, ditën dhe natën, djalit të tij i dukej si varr i hapur ( Porta “Dhespa” nuk u hap as për ngushëllime kur i vdiqën prindët. Edhe ato që mund të ishin gëzime njerëzore, bëheshin si për kësodh në vetmi. Sigurimi kish akuzuar dhe vëllanë e tij, Jorgon. Para se ta shkarkonin nga detyra si mësues, ata e kishin akuzuar për sabotim, sikur po bënte plane t’i vinte flakën Zhejit (!?). E arrestojnë, e mbajtën tre ditë e net pa bukë e pa ujë që të pranonte dhe, kur nuk nxorën gjë, e lëshuan në një mes rruge gati pa ndjenja. Dhe dikush dha urdhër: të pushohet si mësues e të punojë si punëtor.

Nuk trokiste askush në derën e Dhespos, nuk i flisnin as mirëmëngjesi, nuk e ngushëlluan as kur i vdiqën prindërit. Në fshatin kuqalash, Zhej, ndërtuar në gjunjët e Shkëmbit të Zhejit – ose pranë“Buzës së Rripës”, drejtonin ca komunistë frikacakë e dogmatikë, funksiononte vigjilenca revolucionare dhe lufta e klasave. Por djali i tyre Thanasi me sy të kaltër ishte po ai që njihnin ata: i pafajshmi, sykaltri e ballëgjeri. Veçse tani ishte plotësuar e zgjeruar me përmasat e pabesueshme të lirisë së tij të brendshme me atë urtësi engjëllore, me atë etikë fisnike, me atë enciklopedi dijesh , me atë formim kristian shëmbëllor si njeri i Zotit. Mundohej ta kapërcente cinizmin e imponuar të fshatarëve me një buzëqeshje të lehtë, paçka se përbrenda një lot i nxehtë si prej jodi i përcëllonte fytin.

Duhen falur, i thoshte vetes, nuk i bëj me faj; u kanë shpëlarë trurin sistematikisht dhe tani i orientojnë e i urdhërojnë si lej-fenë të devotshëm për diktatorin.

Porta e madhe e lirisë

Duhej të shembej regjimi totalitar, duhej të hapej porta e madhe e lirisë që, dhe ajo liria e vetmuar që ruante njeriu shqiptar së brendshmi, të dallohej, të shpërthente. E bashkë me të edhe demokracia që, nuk pritet me shirit inaugurimi, por është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm që ka zgjedhur shoqëria njerëzore si rendin më progresiv të deritanishëm. Ndoshta, Thanas Dhespa si fenomen e përligj më së miri këtë. Së pari atij i erdhi fati në derë në zgjedhjen e shoqes së jetës, zonjën e nderuar Vergjenica ( Nica) Bërxulla; them fati se nuk ndodh gjithmonë që të qëllojë bashkëshorti ashtu siç e dëshiron; Ata sikur prisnin njeri tjetrin të bashkoheshin. Lidhën martesën në pranverën e vitit 1992 dhe për tridhjetë vjet e kthyen jetën e tyre në pranverë. Ky epilog u takon njerëzve të mirë. Nica rridhte nga një familje e nderuar delvinjote dhe kish punuar 42 vjet në shërbim të shëndetit të njerëzve si ndihmës mjeke duke merituar vlerësime të shumta dhe dekorime. Gojë mjaltë me të gjithë, një grua e shkathët, fisnike, e dashur me një nivel kulturor të kënaqshëm e të admirueshëm, ajo të imponon respekt. Për nga urtësia, për nga shpirti dhe cilësive të larta njerëzore, për nga mirëkuptimi, shërbesat, humanizmi që gëzonin të dy, ata qëlluan si “alter ego.”të njëri tjetrit. – Për mua ishte fati që më bashkoi me Thanas Dhespon, një intelektual i rangjeve më të larta -rrëfen ajo, – Ne na lidhi dashuria, respekti, mirëkuptimi, karakteri i njëjtë, të gjitha vlerat që mbartim , ndjenjat e çiltra për njeri tjetrin. Vetë  Zoti na bashkoi me dorën e tij .

***

Në qershor 1992 ata nisen për në Greqi. Në Athinë fati i priu të njihen me një nga personalitetet më të larta të kulturës, diplomacisë dhe shkencës, akademik Dhimitris Papastamos, prof. dr. në arkeologji, ambasador i Greqisë në UNESKO dhe anëtar nderi i Akademisë së Luvrit. Ai ishte një burrë i dashur dhe së bashku me zonjën e tij, Babeta i ofruan Thanasit shtëpinë e tyre me trajtime mbresëlënëse. Shpejt të dy si dy çiftet u miqësuan dhe që ndjenin kënaqësinë e njohjeve reciproke. Prof. Dhimitri në Athinë shërbente edhe si drejtor i përgjithshëm i Akropolit. Ai vlerësoi kapacitetet intelektuale të këtij burri, dhe për një kohë të shkurtër arriti ta njihte, ta vlerësonte dhe të debatonte me të për gjithçka dhe për arkeologjinë. Thanasi njihte me rrënjë greqishten e vjetër dhe korifejtë e kulturës së lashtë greke dhe akademikut i kish bërë përshtypje ideja e këtij shqiptari ekselent se Greqia është e bukur dhe e pasur jo vetëm për këtë që na sheh syri, por sidomos nën dhe. Akademiku i mençur e trajtoi Thanasin si koleg dhe prezantoi në vende të ndryshme të Evropës me një predispozicion të merituar intelektual, që tërhoqi vëmendjen e të mëdhenjve të Evropës sidomos, në Francë, Londër, Berlin, Greqi.