Përparim Hysi: Ju tregoj ngjarjet me oficerët madhorë shqiptarë

440
Sigal

 

 Sejdo Harka


Kush e njohu Përparim Hysin, dhe nuk u mbrekullua nga bisedat e ngrohta dhe pasioni për të treguar histori dhe ngjarje të panumërta të të sotshmes dhe të shkuarës, herë me sqimën e skrapaliut të sertë, nga buron gjaku i të parëve të tij, dhe herë me butësinë e myzeqarit të Fierit, ku u lind, u rrit dhe ushtroi gati një jetë të tërë profesionin e bukur të mësuesisë. Sapo ai nis të tregojë, të sundon me vështrimin e tij të mprehtë, nëpërmjet të të cilit duket sikur të thotë: ’’Më dëgjo me vëmendje…’’, me zërin e tij të kthjellët e imponues dhe gjuhën e tij të ngrohtë, plot sentenca, fjalë të urta dhe shprehje të gjalla të gurrës popullore. Oratoria e lindur dhe profesioni i bukur i mësuesit, ndoshta janë sekretet që e bëjnë fjalën e Përparim Hysit të ngjitë si me zam duke sunduar me bisedat e tij të ngrohta, tregimet e jetuara mes shokësh e miqsh të shumtë dhe në auditorë kumtesash. Përveç tregimtarisë gojore, Përparim Hysi spikat edhe me krijimtarinë e tij të bollshme artistike, të cilës i ka dhënë jetë nëpërmjet shumë librave të botuara. Dhe me gjithë atë vazhdon të shkruajë e të shkruajë pa mbarim edhe sot e kësaj dite. Nga 16 libra që ka botuar, 11 janë me poezi, me një problematikë e teknikë vjershërimi, sa të gjerë, aq dhe të larmishme. Janë të shumta poezitë, me të cilat i këndon dashurisë, e cila sipas tij është e vetmja ndjenjë e lirë që i jep kuptim jetës.Vend të dukshëm në poezitë e Përparim Hysit zë edhe dashuria e malli për Atdheun. Ky mall shfaqet më i thellë sidomos në poezitë e krijuara në Amerikën e largët, ku jetoi për12 vite me radhë. Përparim Hysi, edhe pse shkroi shumë poezi, ai shquhet për tregimtarinë e tij brilante dhe veçanërisht për ngjarje e histori të vërteta e të jetuara. Pesë vëllime me tregime ka botuar deri tashti, por ai që ka tërhequr më shumë vëmendjen e lexuesit, është libri me titullin intrigues’’Çehovka’’, që ka dalë në qarkullim kohët e fundit, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve të shkurtëra. Shumica e tregimeve të këtij libri janë rrëfime emocionale për ngjarje të jetuara me personazhe e karaktere me vlera universale njerëzore, që përçojnë histori, pasione, virtyte e vese të njerëzve, të cilët me bëmat e tyre tërheqin vëmendjen e lexuesve për t’i lexuar me kërshëri. Një vend të dukshëm në tregimtarinë e Përparim Hysit zë tema e Luftës për liri e pavarësi. Një nga këta lloj tregimesh është ai me titullin “Kjo ndodhi në vitin 1933’’, ku narratori, nëpërmjet gojës së protagonistit kryesor të tregimit, Gjeneralit Neshat Hysi, bir i Vërzhezhës, në një përvjetor të çlirimit të Skraparit, tregon me dhimbje e krenari për ato ditë të vështira lufte: -Me porosi të Riza Cerovës, ika nga Vërzhezha për të filluar punë në një ndërrmarrje Botore në Fier. Një natë, sa hyra në fshat, dikush ma jep me një hu mbi shpatulla. Të nesërmen mora edhe beretën me vete. Në kafen e fshatit pashë Mestanin, i cili tek m’i ngulte sytë, dukej sikur më thoshte: ‘’E firaun, si më je sot? Ta tregoj unë Botoren….’’Sa erdhi mbremia, unë përsëri me biçkletë në dorë… Këtë herë nuk më sulmoi qeni, por çobani. Sa ngriti hurin të më binte, unë, pa u ndalur ja zbraza beretën në gojë. Por atë që Mestani s’ma bëri dot atë natë të tridhjetë e treshit, ma ruajti për vitin 1935, në kryengritjen e Fierit. Më kapën e torturuan çnjerëzisht. Pastaj u munduan të më helmonin me ilaçet që më jepnin në spital. Ishte mjeku italjan që më shpëtoi. Pas çlirimit, vazhdon Gjenerali, ishte puna ajo që na bëri të rinjihemi me ish-xhandarin, Mestanin, që tashmë ishte bërë major i ushtrisë popullore. Pasi e ftova në një kafe e pyeta: ‘’Në ato vite të errëta të vitit 1933, di që është vrarë një çoban. A e zbuluat se kush e vrau? – Atëhere,- tha Mestani, ndiqja një ‘’firar’’, por nuk e zbuluam dot. -Ai ‘’firar’’ isha unë, thotë Gjeneral Neshat Hysi. Kështu mbyllet dialogu i ngrohtë mes dy luftëtarësh të kundërt të asaj kohe, që idealet dhe qëllimet e përbashkëta, më vonë, do t’i bashkojë e vëllazërojë si dy miq të ngushtë.

 

Një dashuri të veçantë tregon narratori Përparim Hysi, për vendin e të parëve të tij, Vërzhezhën e Skraparit. Dhe krenarinë për këtë vend ja shtojnë edhe më shumë vlerësimet që i bëjnë këtij fshati, intelektualë të shquar si prof,dr.Pandeli Çina, të cilët i njihnin me pëllëmbë këto anë. Kur dikush përmendi fshatin Vërzhezhë, profesor Pandeli Çina, tha: ’’Pse fshat është Vërzhezha? Si mund të quhet fshat një vend i tillë, me qytetari të hershme?! Dhe, për të motivuar përgjigjen e kësaj pyetjeje retorike vazhdon: “E rroka qytetarinë e Vërzhezhës tek dera e madhe e Kapllanajve. Oborret i kishin, t’i lëpije me gjuhë. A nuk është qytetari vetvrasja e Dervishit 17-vjeçar, i cili për të sfiduar burgosjen e lirisë së mendimit, çan barkun me brisk, dhe copton zorrët e tij me duar, për të vdekur në emër të lirisë?! A mund të quhet fshat një vend i tillë që lind klerikë si Dervish Iliazi, që ecën në gjurmët e bardha të Nënë Terezës ?! Nga Vërzhezha buron edhe gjaku i sopranos me famë botërore Ermonela Jaho, që me zërin e saj të rrallë ngre në këmbë dhe bën që t’i përulen me nderim të rrallë miliona njerëz të botës së qytetërur. Ja, kjo është qytetëria e Vërzhezhës, me të cilin krenohet edhe narratori i këtij tregimi të thjeshtë, por të bukur. Në tregimet e kësaj përmbledhjeje gjejmë edhe njerëz të thjeshtë si Baca i Petovës së Fierit, i cili forcën e tij e mat me veten dhe jo me të tjerët. Ndaj, edhe hasmit nuk ja donte të keqen. Kanë të drejtë ata që thonë: “Duaje mikun, por më shumë duaje armikun’’! Pa të, mund të dembelosesh e mund të bësh gabime. Një ditë, tregon narratori, Bacën e gjeta duke i rënë një briri. Qënke i gëzuar Bacë, i thashë unë? Jo, ma ktheu, jam i trishtuar, se mora vesh vdekjen e hasmit. Hasmi im plasi, kur pa, se unë po bëhesha mirë. Ndërsa kur më morën tokën dhe qetë skërrmiste dhembët e fërkonte duart. Ndaj unë shtërngohesha më shumë për të dalë nga bataku. Po tani që hasmi plasi, me kë do të luftoj unë …?! Një figurë interesante e tregimtarisë së jetuar të P.Hysit është edheTahir Bejo, Shefi i Shtabit të repartit, ku ai kreu detyrimin ushtarak. Ishin të shumtë ushtarakët e atij reparti, tregon narratori, që rregulloren ushtarake e zbatonin në mënyrë të verbër. Ndërsa Tahir Bejo e zbatonte me mençuri, pa e kthyer atë në skllavëri për ushtarët. Ja ç’tregon ai më poshtë:-Punoja në zyrën sekrete të repartit, bashkë me Shefin tim të mirë, kur papritur brenda hyn mysafiri i rrezikshëm, Gjenerali Hito Çako. Pasi më hodhi një vështrim zhbirues, më pyeti: -Ti, shoku ushtar, je komunist?! -Jo, i thashë, i tronditur nga vështrimi i tij prej tigri. Pastaj iu derdh Shef Tahirit : -Dëgjo Tahir, nëse një ditë zyra sekrete do të digjet, nuk do të thonë e dogji ushtari, por ti, që mban akoma gruan ruse. Ishte koha, kur historia e kokave të prera, brenda asaj lukunie ujqish, kishte nisur për të mos mbaruar kurrë. Më 21 gusht të vitit 1968, kur ushtria sovjetike pushtoi Çekosllovakinë,- vazhdon narratori.- Shefi Tahir Bejo paskësh thënë: ’’Ç’zbarkim i shkëlqyer që kanë bërë rusët. Por çekët i zunë në gjumë. Mjaftuan këto fjalë që shefi të vihej në shenjestrën e gjuetisë së shtrigave. Me shpejtësinë e erës e përjashtuan nga partia, e shkarkuan nga të gjitha detyrat, deri sa e dërguan punëtor të ngarkim-shkarkimit në stacionin e trenit në Laç. Nëse Tahir Bejo mbeti tërë jetën njeri i urtë e punëtor, ashtu siç e njoha, Gjenerali i madh, që e dinte mirë zanatin e vrastarëve, për çudi nuk i shkoi ndërmend se një ditë do të pësonte fatin e pararendësve, që ndoshta edhe ai vetë e përgatiti me heshtjen dhe duart e tij të gjakosura. ‘’Ëndërra e trembur del hair’’, është një tregim tjetër i jetuar i këtij libri, nëpërmjet të cilit ai zhbiron ankthin e tij për t’u çliruar nga ‘’gogoli’’i luftës klasave, që i ndiqte njerëzit e asaj kohe këmba- këmbës, edhe në ëndërr, bile deri në varr. Kështu ndodhi edhe me mua, tregon autori i këtij tregimi. Punoja mësues në fshatin tim. Një ditë prej ditësh një aseçi dërgoi një letër, atje lart në qyngje, ku shpifte se babai im paskësh qënë komandant balli. Por thoshte edhe një të vërtetë, se xhaxhai im, Hylmi Hysi, ishte pushkatuar nga partia si pjesëmarrës në grupin e dytë të deputetëve, gjë që e kisha deklaruar në dokumentat e mia. Mjaftonin këto që të pushohesha nga puna si bir i një familjeje armike. Kaq e pata, thashë me vete. Nisa të rend si ai punëtori i papunë i Migjenit. Për mua çdo gjë ishte tjetërsuar në një ‘’mollë e ndalume’’. Kisha dëgjuar se Enveri çdo ditë e fillonte punën me letrat e popullit. Ndaj vendosa t'i qëndis një letër, ashtu siç dija unë. Shpresoja se do t’i binte në dorë vetë ’’Zeusit’’. Pas disa ditësh pashë një ëndërr të frikshme, sikur më sulmoi një gjarpër. Por shpejt ia shtypa kokën. Kur ja tregova babait, ai më tha, se ëndrra e keqe ndonjëherë del hair. Dhe kështu doli vërtet. S’kaloi shumë kohë, kur një njeri i mirë i komitetit më pëshpëriti në vesh, se për mua kishte ardhur një lajm i mirë. Vetë Enveri, me dorën e tij, kishte shkruar këto fjalë: ’’Personi ka bërë një autokritikë bolshevike në letrën e tij, nuk i ka fshehur asgjë partisë, prandaj të rikthehet në punë’’. Kur e mora vesh, m’u duk sikur rilinda për së dyti. Pati shumë ‘’minj’’ zyrash, që u munduan ta fshihnin atë letër, por nuk mundën. E tillë ishte koha. Po të fliste ‘’Zeusi’’, ’’shenjtërit’’, nuk guxonin të hidhnin valle, as para hijes së tij. Duke u rikthyer në punën si mësues, u gëzova dyfish. Së pari, kisha fshirë si me dorë atë njollën e zezë, që më ndiqte pas si një qen i tërbuar dhe i isha rikthyer përsëri profesionit tim të bukur të mësuesisë, me të cilin u dashurova që në bankat e Normales së Elbasanit’’. Një tregim i bukur i këtij vëllimi është dhe ai me titullin intrigues ’’Kali që më hipi mbi shpinë’’.