Flet tenori Agim Hushi/ Skenave të botës i kam dhënë emrin e Shqipërisë. Ja elitat e muzikës që e quajtën rast të jashtëzakonshëm vokal

48
Sigal

Flet tenori me famë botërore Agim Hushi

Skenave të botës i kam dhënë emrin e Shqipërisë.

  • Mbrëmjet pranë radios italiane, me tenorët e mi të mëdhenj, më mbollën në thellësi të ndërgjegjes time, dëshirën, për t’u bërë tenor.
  • – Mustafa Krantja, Marie Kraja, Nina e Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Feim Ibrahimi e Çesk Zadeja, më quajtën një rast të jashtëzakonshëm vocal.
  •  

Intervistoi: Fadil Shehu

Hushi është tenor i famshëm me origjinë nga qyteti i Kavajës, i cili pas diplomimit në Institutin e

Lartë të Arteve, pati një karrierë të shkurtër, por tepër të suksesshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Pas largimit nga Shqipëria, ai u diplomua në Akademinë e Arteve të

Bukura të Budapestit dhe që nga ajo kohë ai vazhdon të debutojë me shumë sukses në shumë nga skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me shumë dinjitet atdheun dhe kulturën e vendlindjes së tij.

 Nëse do të doja të tregonit diçka nga gjurmët, që kanë lënë në kujtesën tuaj vitet e fëmijërisë tuaj, cilat prej tyre do të kujtonit?

-Fadil, është një pyetje që gjithmonë më emocionon dhe më zgjon kujtime nga koha e fëminisë time. Vështirë të veçoj mes ëndërrave, që ka çdo djalë i asaj moshe për t’u bërë futbollist, artist apo dhe pilot. Por në subkoshiencën time, po linin gjurmë ca netë magjike kur nga ajo radioja e thjeshtë, në atë shtëpi të vjetër kavajase, pas radio përrallës në Radio Tirana, unë dëgjoja një program të quajtur Italia Sera. Ishte një program i ndërtuar me zërat magjike dhe ariet më të bukura të tenorëve. Me imagjinatën e fëmijës unë u futa padashur në botën magjike të operas dhe mrekullia e Carusos, Giglit, Tagliavinit, Schipos, Di Stefanos, Del Monakos dhe mësuesit tim të ardhshëm Franko Korelli, kanë qenë padyshim ato momente, që jo vetëm s’do t’i harroj kurrë, po gjithashtu formuan pasionin tim për kanton. Kam patur një fëmini të varfër, por do t’i shtoj gjithashtu një pasuri tjetër, librin. Kam rendur pas topit, kam mësuar në një shkollë të thjeshtë dhe jam rritur në një familje të thjeshtë në Kavajë, por kam jetuar në një botë shumë të madhe. Kam mësuar lexim që në moshën pesë vjeçare dhe që nga libri i parë “Aventurat e Çipolinos”, s’ka kaluar ditë të jetës time pa lexuar … Letërsia ruse me gjigandët e saj, letërsia franceze dhe angleze, u bënë shtylla të formimit tim letrar…

-Cili ka qenë Agim Hushi në moshën e fëminisë dhe adoleshencës?

-Një djalë i qeshur, i gjallë, me ëndërra dhe synime të mëdha për jetën. Një optimist i madh dhe i paepur përballë vështirësive dhe një bote të vështirë.

-Ishte arti, pasioni, që lindi brenda jush në këtë moshë, apo rastësisht kaluat si student i arteve në degën e kantos?

-Janë pikërisht këto mbrëmje të radios italiane, me tenorët e mij të mëdhenj, që mbollën në thellësi të ndërgjegjes time, dëshirën, për t’u bërë tenor. Dëshirë që shpërtheu pasi unë kryeva studimet universitare për letërsi. Shkruaja vjersha, cikle poezish, tregime në shtypin qëndror të kohës, si gazeta “Drita” apo revista “Nëntori”, madje në konkursin kombëtar të 25 vjetorit të çlirimit, fitova çmim me një dramë… Pikërisht kur sapo kisha filluar punën si mësues letërsie, në një shkollë të mesme bujqësore në një fshat të thellë, Rostej. Pikërisht në atë kohë legjendat e operas shqiptare si Mustafa Krantja, Marie Kraja, Nina e Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Feim Ibrahimi e Çesk Zadeja, më quajtën një rast të jashtëzakonshëm vokal. Dhe ashtu ndodhi. Unë jam rasti i vetëm unik në historinë e Operas Shqiptare që u emërova solist, pa asnjë ditë arsimimi muzikor. Studimet në Akademinë e arteve i vazhdova më vonë.

-Cilët kanë qenë bashkëstudentët, të cilët u bënë artistë të njohur me vlera kombëtare dhe botërore?

-I kujtoj shpesh me shumë respekt, Manjola Nallbani, Inva Mula, Kastriot Tusha dhe të tjerë.

-Çdo të thoshit për pedagogët tuaj?

-Natyrisht pa pedagogët e mij, unë s’do të isha kurrë ky që jam sot… S’do harroj kurrë pasionin dhe përkushtimin e Simon Gjonit të madh, kompozitorit të “Lule Bore”, profesorit tim të parë personal të solfezhit… Lili Tafajt, mësueses së parë të pianos, Rozmari Jorganxhi, pedagoge që më dha mësimin e parë në kanto… Po s’do harroj kurrë dashurinë, pasionin me të cilën më mësuan për një vit në opera Nina Mula dhe profesori im për katër vite në Akademinë e Arteve, “Artisti i Popullit” Ramiz Kovaçi.Të gjithëve u mbetem mirënjohës.

-Thuhet se, me regjisorin më të sukseshëm në teatrin kombëtar të operas dhe baletit, Nikolin Gurakuqi, keni patur një bashkëpunim tepër të frutshëm. Është e vërtetë?

-Mund të them se kam punuar me disa regjisorë, të cilët padyshim i respektoj. Por kam patur fatin dhe privilegjin të punoj me artistin e madh, këngëtarin lirik në T.K.O.B. Nikolin Gurakuqi. Madje të punoj me të në të gjitha interpretimet e mia artistike. Me kryeveprat botërore të vënë në skenë me regjinë e tij, ai mbetet një legjendë e gjallë vlerash, një vigan për kontributin e tij në skenën e operas shqiptare.

-Jeni diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, 30 vjet më parë. Sa ju ka shërbyer kjo shkollë në karrierën tuaj?

-Shkolla shqiptare e artit, veçanërisht ajo e kantos, ka qenë një fidanishte, e cila ka kultivuar dhe nxjerrë talente të mëdhenj, që kanë shkëlqyer në vite brenda dhe jashtë Shqipërisë. Natyrisht shkolla shqiptare e kantos ka vlerat e saj historike, që kanë vënë themelet në artin operistik. Ishte pikërisht kjo shkollë, që vuri bazat e vokalit tim prej tenori operatik…

-Vitet e fundit sërish keni përfunduar, një tjetër shkollë arti, Akademinë, “Franz Liszt”, në Budapest, Hungari. A ishte e vështirë për një student shqiptar të hynte në këtë tempull?

-Pikërisht studimet me Nina Mula, Ramiz Kovaçi në Tiranë më dhanë atë bazë teknike vokale, që bënë të mundur të fitoja bursë studimi pasuniversitare për tre vite, ndërmjet qindrave që konkuruan. Kjo Akademi e famëshme, u kthye vërtet në një tempull për mua për të kuptuar në mënyrë më të plotë, artin e madh të kënduarit dhe të operas. Pata fatin të studioja me dy pedagogët më të mëdhenj hungareze, Bende Zsolt dhe Sipos Jeno. Pas vitit të parë të studimeve, vlerësuar si rast i veçantë nga komisioni i provimit vjetor, u emërova solist në Operan e Budapestit….

-Thonë se artistët shpesh “grinden” me personazhet, tipat e karakteret, të cilët i lënë pa gjumë. Po ju Agim ju ka ndodhur ndonjëherë, një gjë e tillë?

-Jo! Unë personazhet e mij i kam dashuruar. Dua të them se kam patur fatin se kam kënduar gjithmonë role, të cilat janë përshtatur në mënyrë gati perfekte vokalit tim si, Radames, Manrico, Kalaf, Des Griuex, Turiddu, Cavaradosi, Oronte etj. Kështu që personazhet e mi i kam patur të bindur dhe besnikë…

-Në cilin prej koncerteve tuaja të parë, të konsideruar të sukseshëm, keni menduar dhe jeni shprehur me vete, se tashmë rruga e suksesit, do të jetë më e lehtë?

-S’ka patur kurrë të tillë. Në fillim të viteve 90-të, nuk ishte e lehtë të thoje, jam shqiptar, aq më tepër tenor lider… Por gjithësesi kur Richard Bonynge në Sydney Opera më 1998, më quajti Des Grieux, më i madh i botës, gjërat u dukën më thjeshta…

-Mendoni se figura e Calf, të cilën e keni “gdhendur” me shumë dashuri, ju ka lumturuar më shumë, duke u kurorëzuar me sukses të padiskutueshëm me trofe?

-E kam të vështirë ta them. I dua personazhet e mi si një prind, që i do fëmijët e tij, me të njëjtën dashuri. U kam dhënë shpirt, dashuri, kujdes të gjithëve… Për nga bukuria mbase do vlerësoja rolet e Puçinit si Calaf, Des Grieux, Cavaradosi dhe për nga forca ato të Verdit: Manrico, Radames, Oronte…

-Keni mëse dhjetë vjet që jetoni dhe kontribuoni si Tenor në artin dhe kulturën Vjeneze. Cila është gjëja më e rëndësishme, që keni mundur të arrini në harkun e këtyre viteve, në vendin e njohur si ikona e artit europian, Austri?

-Nuk është pak të gjesh veten në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë…Aq më tepër në rangun akademik. Kam dhjetë vjet, që drejtoj departamentin e Operas në Konservatorin e Vjenës. Firma ime vendoset në disa prej diplomave më prestigjioze të botës, në fushën e artit klasik… Është vërtet, shumë më tepër se të këndosh…

-Interpretoni me shumë sukses në skenë, role në disa gjuhë të botës. Po në shqip keni patur rastin të përjetoni sukses të tillë?

-Kam kënduar duet nga Opera “Mrika” e Prenk Jakovës dhe arie nga opera “Toka jonë” e Pjetër Gacit.

-Si do i vlerësonit marrëdhëniet tuaja me kolegët dhe partnerët tuaj në shqipëri dhe vende të tjera?

-Kam patur një fat të madh nga natyra. I jam gëzuar arritjeve të kolegëve dhe gjithmonë kam besuar se çdo artist, çdo person në këtë botë, ka pjesën dhe rolin e tij.

 -Sa i besueshëm është në koncertet tuaja prania e dirigjentit?

-Dirigjentët janë pjesa e padukshme e çdo suksesi apo dështimi… Kam pasur fatin të punoj me disa nga dirigjentët më të mëdhenj të botës siç është legjendari Richard Bonynge dhe e njoh mirë këtë rol në shfaqjen operatike.

-Keni interpretuar role të ndryshëm në mjaft vende të botës. Mendoni se në njerin prej tyre ka qenë dhe jeta e Agim Hushit?

-Pjesë të jetës time ka patur në çdo shfaqje apo koncert, pavarësisht vendit apo rëndësisë së tyre. Jo në njërin…

-Është e vërtetë se në një nga koncertet tuaja brilante të sukseshme, keni përjetuar lot gëzimi?

-Po! Madje shpesh… Kam përjetuar vërtet ngjarje të mëdha… Siç ishte themelimi i Malajsia Lirik Opera, në kryeqytetin fantastik, Kualalumpur, ku unë pata suksesin e hapjes rrethuar me respektin e një kombi…

-Jeni shprehur se, Kina konsiderohet atdheu juaj i dytë. Përse?

Sepse ndryshe nga Europa, që priret nga publiciteti i artistit dhe jo nga vlerat e tij, në Kinë. kjo nuk ndodh. Atje të presin sipas emrit, po të përcjellin sipas vlerës reale në skenë…

-A është e vështirë të bësh gjëra të bukura, të rëndësishme, të cilat mbeten gjatë në kujtesën e spektatorit?

-Po nëse kërkon të shesësh … Emri, fallciteti, kontakti, të çojnë në skenë. Po arti s’ka fare lidhje me këto. Unë s’kam marrë emër nga skenat ku kam kënduar, siç bëjnë shumica sot, po u kam dhënë atyre, nga emri im.

-Cili spektator ju ka emocionuar dhe lumturuar më shumë?

-Publiku është kudo njëlloj… Suksesi i vërtetë është atje, kur njerëz të thjeshtë ndihen ndryshe pas këngës tënde dhe të nesërmen e mbrëmjes pas shfaqjes, ndjejnë se bota është diçka më ndryshe, më e bukur…

-Sa kanë ndikuar prindërit, në formimin tuaj intelektual si qytetar dhe artist?

-Prindërit e mij kanë lënë një gjurmë ndryshe, nga ajo që dy prindër artistë mund të më linin. Prindërit e mij janë njerëz të thjeshtë, të varfër, por që më mësuan të vlerësoj arritjen me punë të madhe dhe të dua, të jem i ndershëm me gjithçka në jetë, jo vetëm me njerëzit.

-Çfarë do të thoshit në këto momente për të afërmit, shokët e miqtë tuaj në Shqipëri?

-Dashuria dhe respekti, qëndrojnë në themel të gjithçkaje të bukur, ku përfshihet dhe arti.

-Nëse një artist ka fituar sukses dhe famë, mendoni se jeta e tij tashmë bëhet më e lumtur?

-Nuk besoj, të paktën unë pasi kam vënë re se ka dhe nga ata, që për famën harrojnë njerzillikun, njerëzit rrotull, bile dhe familjen e tyre. Të famshëm të bëjnë kontributet reale, vlera që lë pas si artist dhe njeri dhe jo reklamat apo media.

-Nëse nuk do të ishit sot artist, çfarë do të bënit?

-(Buzëqesh) Kam shumë pasione. Mbase shkrimtar, poet, piktor, fizikan apo mjek… Janë pasione të vjetra…

-Thoni shpesh se jeni rritur, mes vargjeve, jetoni me muzikën, amator i fizikës dhe i dashuruar me Kristinën. Vërtet si keni mundur të jetoni mes këtij kuarteti të këndshëm?

-Eshtë pasuria e jetës time secili nga këto pasione…

-Mos ndoshta këtu keni harruar pasionin për futbollin, madje si tifoz i zjarrtë i “Besës” së Kavajës, ku ka kontribuar dhe dinastia Hushi?

-Jo… Kohën e lirë e mbush me futboll dhe si tifoz i “Besës” dhe Gjermanisë.

-Sa e vlerësoni dhe jeni borxhli ndaj kontributit dhe mbështetjes së bashkëshortes suaj, Kristina?

-Me Kristinën jemi rritur që nga momenti i parë në Shkodër, kur u njohëm si studentë të pedagogjikes dhe kemi ndarë bashkë përmbi tridhjetë vite, një luftë dhe dashuri për jetën, që na ka bërë të lumtur dhe pjesë të pandarë të çdo arritje.

-Si është një ditë e zakonshme si qytetar, prind, bashkëshort dhe artist, për Agim Hushin?

-E bukur. Plot idera, arritje, shijime…Një strofë, një fragment pikture, një kompozim i ri, një menu e re për drekë, një film i ri…

-Keni një djalë fotokopje juaj, Aldo. Çfarë ka marrë nga nektari i prindërve të tij artistë?

-Aldo ka marrë dashurinë për botën dhe njerëzit, për artin dhe udhëtimet…

-Shkoni shpesh në Shqipëri për koncerte dhe pushime? Si do i vlerësoni sot vlerat e reja të artit dhe muzikës shqiptare?

-Shkoj shpesh në Shqipëri…madje këtë muaj isha me pushime, shkova kudo. Shqipëria është shtëpia ime. Me mall dhe dashuri… Ka artistë të rinj të mrekullueshëm, të talentuar. Po do thoja janë disi më të stresuar se ne, që kemi qenë më të varfër… Janë më pak idealistë. ndoshta ky është stili i ri i të jetuarit…