Ibrahim Hamza: Krijimi i liqenit të Fierzës

108
Sigal

Më 25 shkurt 1978 filloi krijimi i liqenit artificial të Fierzës. Miting madhështorë, i pa organizuar dhe spontan mbi digë.


Inagurimi për fillimin e punimeve të hidrocentralit të Fierzës u bë më 24 nëntor 1971. Në këtë kohë ishin përcaktuar të gjitha objektet që do të ndërtoheshin dhe volumet e punimeve që do të kryheshin për ndërtimin e këtyre objekteve. Do të hapeshin tetë tunele, nga të cilat katër të turbinave dhe katër të tjerë të devijimit dhe të shkarkimit të ujrave. Do të ndërtohej diga 156 metër e lartë me matriale rrethanore. Volumi i rezervuarit, që do të krijohej, do të kishte 2 miliardë e 600 milionë metër kub ujë. Do të kishte 4 turbina me prodhim secila 125 mijë kw dhe një prodhim vjetor 1.8 miliardë kw. Hidrocentrali do të përfundonte në vitin 1978.

Më 21 korrik 1974, sipas parashikimeve të bëra, u bë devijimi i lumit Drin në tunele dhe pas kësaj vazhdoi puna me intensitet të lartë për ndërtimin e të gjithë veprës.

Në punë e sipër,krahas atyre që ishin parashikuar , dolën  probleme të tjera, të cilat krijuan vështirësi të mëdha. Ndër ato më kryesoret ishin: Në zonat ku hapeshin tunelet, që ishin me përmasa të mëdha, sidomos ato të shkarkimit, njëri nga të cilët ishte 12 m X 16 m në seksion të pabetonuar, në shumë vende u hasën formacione të dobta të tokës. Gjatë kohës u shtuan edhe faktorë të tjerë të jashtëm, që ndikuan negativisht në mbarëvajtjen e punimeve.

Të gjitha këto kishin të bënin me sigurinë e veprës dhe me kohën e caktuar për vënien në shfrytëzim të saj. Ato diktuan nevojën për të riparë përsëri disa objekte, që ishin në ndertim e sipër, ose që do të ndërtoheshin më vonë edhe për të kryer punime të tjera shtesë.  Në tunelet e devijimit, në ndonjë zonë pati shëmbje që doli deri në sipërfaqe. Aty u deshën të bëhen betonime masive . Diga do të ngrihej, jo sa ishte parashikuar në fillim, por 168 metra e lartë. Kjo shtesë nuk do të ndikonte në rritjen e volumit të ujit të liqenit ose fare pak, duke e shtuar atë vetëm me100 milionë metër kub ujë . Ajo pjesë e digës që do të rritej, nuk do të mbushej me ujë.

Këto këkonin kryerjen e volumeve të reja të mëdha punimesh jashtë atyre të parashikuara në projektet fillestare. Si pasojë, gjatë vitit 1976, u qartësua se hidrocentrali nuk mund të mbaronte dhe të vihej në punë plotësisht në vitin 1978, siç mendohej në fillim të punimeve, para pesë vjetësh. Ai do të vihej në shfrytëzim me faza. Ky përfundim u arrit duke patur parasysh objektet që kishin mbetur për t’u ndërtuar si dhe mangesitë që po krijoheshin në pajisje.

Në fillimin e vitit 1977 drejtuesit dhe punonjësit e Fierzës ishin para dy rrugëve:  Njëra prej tyre ishte, që afati i vënies në shfrytëzim të veprës të shtyhej ,ndërsa rruga tjetër ishte që të bëhej e pamundura që vepra të vihej në shfrytëzim në afatin e caktuar që në fillimin e punimeve .Për të arritur vënien në shfrytëzim të veprës me dy turbinat e para në vitin 1978, drejtuesit e ndërmarrjes dhe specialistët, projektues dhe zbatues , përcaktuan objektet që duhej të përfundonin  gjatë vitit 1977. Ndër të tjera, duhej të përfundonte plotësisht tuneli numër tre i shkarkimit, dy tunelet e turbinave me portalet përkatëse, diga të ngrihej mbi kuotën 260, të bëheshin çimentime të shumta e të tjera.

Mirpo vënia në shfrytëzim e Fierzës në afatin e caktuar ishte me rëndësi të jashtëzakonshme në atë kohë që po kalonim. Kjo lidhej me nevojat e mëdha dhe të ngutshme që kishte vendi ynë për energji elektrike. Ky hidrocentral konsiderohej çlirimi i dytë i Shqipësisë për disa arsye ,ndër të cilat ishin: Ai dyfishonte energjinë elektrike që prodhohej deri në atë kohë..Kjo energji do të vinte në punë  Kombinatin Metalugjik të Elbasanit, që po shkonte drejt përfundimit dhe puna e tij mbështetej  në energjinë që do të prodhonte. Për herë të parë në historinë tonë, në kohë të veçantë, do të eksportohej enegji elekrike. Veç këtyre ,në vitin 1970 kishte përfunduar  elektrifikimi i plotë i vendit tonë. Energjia që do të prodhonte Fierza, po të shprehemi në mënyrë figurative, e betononte këtë arritje të madhe.

Objektivi më i afërt i pa diskutueshëm do të ishte, që në fillim të vitit 1978 të mbylleshin portat dhe të krijohej liqeni gjatë prurjeve të mëdha të lumit, pra gjatë përiudhës së reshjeve të pranverës .

Në të gjitha këto diskutime u theksua se këto me punë të zakonshme nuk mund të arriheshin. Gjëndja e jashtëzakonshme e punimeve kërkonte edhe masa të jashtëzakonshme. Viti 1977 do të ishte viti i mobilizimit të jashtëzakonshëm për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës në afatin e caktuar dhe me cilësi të lartë Gjatë gjithë muajve të pranverës, të verës dhe të vjeshtës vazhdoi puna e pa ndërprerë ditën dhe natën në digë e në të gjitha frontet. Këto organizime çuan në realizime massive. Në digë u arrit të hidhej 10 mijë metër kub materiale në ditë, shifër kjo e lartë dhe e pa arritur asnjëherë më parë. Po ashtu edhe në tunele u arrit që të realizoheshin nga dy plasje në ditë, që ishte një rekord, sepse plasjet kishin disa procese  pune, si ajrim, pastrim materialesh, kontroll formacionesh dhe në shumicën e rasteve edhe forcime metalike. Kjo bëri që të avancohej dy herë më shumë se më parë në hapjen e atyre tuneleve ku realizoheshin këto procese pune. E gjithë kjo u shoqërua me betonime masive. U dyfishua prodhimi dhe hedhja e betonit nëpër objekte, duke arritur mbi 1 mijë metër kub në ditë. U arrit të futej në tunelet e turbinave një tubacion në ditë ,kur më parë futej një tubacion në muaj , e shumë të tjera. Në këtë fazë punimesh vështirësi të shumta u ndeshën në shumicën e objekteve e në çdo hap të ndërtimit të veprës. Ato u kaluan me një heroizëm të madh.

Ky mobilizim bëhej duke qëndruar në krye gjatë të gjithë kohës  drejtuesit, që nga ndërmarrja, kantieret, sektoret e deri të brigadat. Mjaft inxhinierë dhe punonjës punonin me orar të zgjatur. Kurdoherë gjëndeshin në frontin e punës pranë objekteve drejtuesit dhe kryeinxhinierët e kantiereve : Sotiraq Selenica, Besnik Bekteshi, Edmond Pinguli, Gjergji Note , Genc Ajazi, Naim Mlloja, Gaqo Malaveci , Kujtim Damnori, Rrapush Zyka, Sabaudin Xhafa, Savo Kondi, Faik Deda, Lin Tari, drejtori dhe kryeinxhinieri i ndërmarrjes të shfytëzimit të sapokrijuar Luigj Pjetri e Ari Carcani, e dhjetra inxhinierë të tjerë përgjegjësa sektorësh, inxhinier objektesh , si dhe  drejtuesit e ndërmarrjes që i ndiqnin nga afër të gjitha këto punime. Pranë objekteve gjëndeshin edhe projektuesit e veprës ,Farudin Hoxha, Egon Gjadri, Adnan Qatipi ,Skënder Kosturi ,Mehmet Haderi e të tjerë. Punonjesit i rralluan shkuarjet në shtëpi me leje, duke qëndruar në punë deri në mbarimin e objekteve në të cilin punonin.

Kështu kaloi viti 1977. Puna duhet të vzhdonte edhe gjatë dimrit me të njejtin intensitet deri në përfundimin e plotë të objekteve që lidheshin me ngritjen e liqenit, pavarësisht nga vështirësitë e reja që mund të dilnin nga koha e keqe që mund të bënte. Përpara ishte edhe festa e Viti të Ri. Largimi  i punonjësve nëpër rrethe në mes të dimrit , kur edhe rrugët mund të bllokoheshin, do të bënte që gjatë muajit  janar të ndërpritej, ose të ngadalsohej së tepërmi puna në shumë objekte. Kjo gjë që do të krijonte vonesa të mëdha për vënien në shfrytëzim të veprës. Me qëllim kjo gjë të mos ndodhte , iu bë thirrje të gjithë punonjësve, që nuk kishin ndonjë problem të veçantë në familje, të mos shkonin në shtëpi për Vit të Ri, por ta festonin në Fierzë. Pjesa më e madhe e tyre iu përgjigjen

Thirrjes për të kaluar Vitin e Ri 1978 në Fierzë, së bashku me punonjësit e veprës iu përgjigjën edhe artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore dhe Ansamblii Këngëve dhe Valleve të ndërrmarrjes artistike “Migjeni”në Tiranë . Këto ansamble erdhën në Fierzë. Në mbrëmjen e 31 dhjetorit 1977 dhe në orët e para të natës se 1 janarit 1978 në të gjitha kantieret, në mensat, punonjësit organizuan mbrëmjet e Vitit të Ri. Artistët  u ndanë në grupe dhe shkuan në të gjitha këto mbrëmje, në çdo kantier gjatë gjithë natës e deri afër mëngjesit. Me 1 janar 1978, në mbrëmje, të dy ansamblet dhanë shfaqje në kinoklubin e Zonës B për rreth 4 orë. Këto shfaqje u ndoqën nga një numër i madh punonjësish dhe ndikuan që të mos e ndjenin aq shumë boshllëkun që në festën e fund vitit nuk ishin pranë familjeve të tyre .

Tre ditët që ansamblet qëndruan në Fierzë, koha ishte shumë e ftohtë. Borë binte pak dhe temperaturat ishin nën zero. Edhe më datën 2 janar, ditën që u larguan, koha ishte shumë e keqe për të kaluar nëpër Qafë të Malit. Artistët e këtyre ansambleve, që erdhën nga Tirana,  për t’ua bërë kalimin e festës së Vitit të Ri sa më të gëzuar punonjësve që po ndërtonin veprën, kontribuan në mënyrën e tyre për ndërtimin e hidrocentalit të Fierzës.

Kështu kaloi edhe Viti Ri, dhe vazhdoi puna me intensitet si më parë në të gjitha objektet. Vështirësitë më të mëdha i përballuan shoferat, që transportonin gurë në digë, sepse rreshqitnin në akull.

Gjatë muajve janar dhe shkurt takimet apo mbledhjet u spostuan nga diga dhe bëheshin te salla e makinerisë, në një nga ambjentet e saj. Aty vinin të gjithë drejtuesit e kantiereve dhe përgjëgjësit e shtabeve që kordinonin punët. Ditën punohej e kontrollohej kudo, ndërsa në mbrëmje bëhej bilanci punës së kryer gjatë 24 orëve të fundit. Më 24 shkurt, para dite, në një nga këto mbledhje, Emin Musliu që vazhdonte të ishte drejtori i përgjithshem, në prani të Rrahman Hankut dhe Xhafer Spahiut, përkatësisht ministër i Ndërtimit dhe minister i Industrisë, shpjegoi çfarë ishte  bërë gjatë ditëve të fundit  dhe se ndërtimi i objekteve kishte ecur sipas planifikimit. Në përfundim u vendos që të nesërmen, në orën 10 para dite, të mbylleshin portat e tuneleve numër 1 dhe 2 të devijimit dhe të fillonte krijimi i liqenit. U caktuan edhe disa punë që do të bëheshin deri të nesërmen dhe punonjësit që do të merreshin me mbylljen e portave. Pas mbarimit të këtij takimi të dy ministrat u larguan për në Tiranë.

Mbas dite u mblodhën disa nga drejtuesit kryesorë të Partisë, drejtorë kantjeresh, drejtues të organizatave të masave e të tjerë dhe iu komunikuan ato që u vendosën para dite për fillimin e krijimit të liqenit të Fierzës. Atyre iu tha se nuk do të organizohej ndonjë aktivitet ,sepse inagurimi i vënies në shfrytëzim të veprës do të bëhej më vonë. U porositën, ndër të tjera, që puna do të vazhdonte normalisht në të gjitha objektet. Ata punonjës që nuk ishin  në turne të vepronin si të dëshironin, kush të donte të vinte mbi digë, të tjerët të shkonin  e të pushonin.

Në mëngjesin e datës 25 shkurt 1978 shkuam në digë, afër hyrjes së dy tuneleve të devijimit. Punonjësit që do merreshin me uljën e portave të tuneleve zunë vendet e tyre dhe kontrolluan e bënë gati mekanizmat. Megjithse nuk ishte bërë njoftim tjetër veç takimit të një ditë më parë, lajmi se do fillonte krijimi i liqenit të Fierzës ishte përhapur me shpejtësi kudo. Gjatë kohës që po bëheshin gati për uljen e portave, njerëz vinin pa ndërprerje. Me mijëra veta  ngjiteshin mbi  digë, duke ecur në këmbë. Këta ishin punonjës të veprës nga të gjitha kantieret e banorë të fshatrave të afërta të Pukës. Erdhën drejtuesit e rrethit dhe banorë nga qyteti i B Currit e nga fshatrat për rreth qytetit. Një pjesë e madhe u ulën në faqen e përparme të digës, duke krijuar një amfiteatër gjigand. Të tjerë qëndronin në dy faqet e malit dhe mbi betonet e veprës së marrjes e portaleve të tuneleve. Të gjithë vrojtonin hyrjen e tuneleve nga kalonte uji dhe që pas pak nuk do të kalonte më.

Në orën 10 filloi ulja e portave. Gradualisht, ato takuan pjesën e sipërme të lumit duke shkaktuar valë. Më në fund u puthitën në bazamentin e tunelit numër 1 dhe të tunelit numër 2. U ndërpre dalja e ujit . Mbyllja e portave dhe fillimi i krijimit të liqenit të Fierzës u shoqëruan me ngritjen në këmbë e të gjithve dhe me duartrokitje e brohoritje të fuqishme në mënyrë krejtësisht spontane. Nga zëri i fuqishëm  ushtonte lugina e Drini. Për minuta të tëra vazhdoi entuziazmi, duke e shëndruanr mbylljen e portave në një miting madhështor , spontan dhe të paorganizuar aty në pjerrësinë e digës dhe në faqet e malit mbi të. Asnjë organizim, që mund të bëhej, nuk do të mund të arrinte këtë, ku grumbullime të mëdha punonjësish në këmbë, entuziasmoheshin në atë mënyrë dhe nuk dëgjohej asgjë përveç zërit të tyre. Ndërkohë, filloi të krijohej liqeni.

Ky entuziazëm kaq i madh e i paparë e dëgjuar ndonjë herë tjetër në luginën e Drinit kishte një domethënje të madhe. Mbyllja e portave dhe krijimi i liqenit në këtë kohë ishte një arritje shumë e madhe e punonjësve të veprës. U arrit ai objektiv, që në fillimin e vitit 1977 konsiderohej tepër i vështirë, apo i pa arritshëm. Kjo arritje e madhe, që e priste i gjithë vendi ynë dhe çdo familje shqiptare, ishte rezultat i një pune 7 vjeçare e të gjithë punonjësve që kishin marrë pjesë në ndërtimin e veprës, që nga fillimi i punimeve. Ishte rezultat i punës së drejtuesve , të inxhiniërve të ndërtimit dhe të projektimit ,që nuk iu ndanë asnjëherë fronteve të veprës .Por veçanërisht ishte rezultat e një mobolizimi të jashtzakonshëm gjatë vitit 1977 dhe fillimin të vitit 1978 , të 11 mijë punonjësve që ishin në atë kohë aty dhe që shënonte pikën kulmore të punëve , si dhe 2 mijë punonjësve të tjerë, që ndonse nuk ishin në objektet, e gjithë puna e tyre mbështeste ndërtimin e veprës.  Kjo fitore do të pasohej me shumë të tjera deri në përfundimin e plotë të hidrocentralit të Fierzë, të kësaj vepre madhështore, që ndërtoi populli shqiptar në këto vite.

Liqeni artificial i Fierzës është më i madhi në vendin tonë i krijuar nga dora e njeriut. Sipërfaqja e pasqyrës së ujrave është 72.5 km katrore. Thellësinë më të madhe e ka 128 metër. Ka një vëllim prej 2 miliardë e 700 milionë metër kub ujë. Ka një gjatësi prej 72 km, dhe ndjek konturet e luginës së Drinit ku është formuar, dhe gjërësinë në pikën maksimale prej 2,3 km. Sipërfaqja e përgjithshme ujëmbledhëse  e tij është 11829  km katrore. Liqeni është ngritur me faza, sipas objekteve që përfundonin dhe që lidheshin me garancinë e veprës. Për herë të parë kuotën 296 ,që është niveli maksimal i lejueshëm i ujit në liqen, e arriti në pranverën e vitit 1981. Në këtë kohë kishin përfunduar plotësisht të gjitha objektet. Liqeni mbështetet në digën e ndërtuar me materiale rrethanore, që fillon në kuotën 144 dhe përfundon në kuotën 312 .Në të dy krahët ka nga tre shtresa të trasha me gurë ,zhavore dhe fillter ,ndërsa në mes ka bërthamë argjile të përzier me një përqindje të caktuar filtri. Bërthama e argjilës është ngritur mbi një bazament me rrerth 30 mijë metër kub hekur- beton.

Vepra është ndërtuar me cilësi të lartë dhe plotësisht e garantuar. Profesor Egon Gjadri , njeri nga projektuesit e veprës, ndër të tjera ka shkruar:” ..Digat në Kaskadën e Drinit janë ndërtuar me siguri EXTRA, me pak fjalë kanë një siguri të jashzakonshme. Sipas veprave janë edhe koefiçentët e sigurisë EKSTRA, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vende të tjera të Europës…”Ashtu siç ishte përgjegjësia shumë e madhe e ndërtuesve për të ndërtuar veprën plotësisht të sigurtë , ashtu është edhe sot përgjegjësia shumë e madhe e atyre që e shfrytëzojnë për të zbatuar me korrektësinë e shkallës më të lartë rregulloret e caktuara për mirëmbajtjen dhe sigurinë.

Hidrocentrali i Fierzës , që kur është vënë në shfrytëzim 47 vjet më parë ,jo vetëm që ka dhënë sasi shumë të madhe energjie vet ,por ka qënë edhe rregullatori i të gjithë sistemit energjitik të vendit tonë. Këtë funksion do ta këtë edhe  në të ardhmen për një kohë shumë të gjatë. Kjo është bërë e mundur sepse ka rezervën e ujit, liqenin e Fierzës.