Xhahid Bushati: Lec Bushati, drita e magjia aktoriale e artistit me 150 role

71
Sigal

Si realizoi me ngrohtësi rolin e Sergeit, të këtij djaloshi me vullnet të mirë

“Duket sikur është thënë gjithçka për Çehovin. Po akoma është thënë pak për atë që ai ka lënë trashëgim në karakterin tonë, për faktin që Çehovi me eksperiencën e tij ka përcaktuar të sotmen e jetës së atyre që e kanë atë të shtrenjtë. Pothuajse nuk është thënë asgjë për ndjenjën e Çehovit, e këtij njeriu gjithmonë të gjallë e të dashur për ne, për atë ndjenjë të fuqishme dhe fisnike. Sepse jeta është e pamëshirshme: disa njerëzve, pa të cilët ne pothuaj nuk mund të jetonim, duhej t’u jepte jo pavdekësinë, po të paktën një jetë të gjatë, që ne gjithnjë të ndjenim mbi supet tona dorën e tyre të lehtë.”

-K. Paustovski,Ndjenjat e Çehovit-

Aktori shkodran, Artist i Merituar, Lec Bushati, lindi në Shkodër, më 10 korrik 1923 dhe pati një jetë 50 vjeçare në skenë e në film, me mbi 150 role. Filloren dhe gjimnazin i ka kryer në Kolegjin Saverian të qytetit të lindjes, Shkodrës. Gjatë atyre viteve, ka të paharruara dy gjëra: erudicionin kulturor të padër Xhovani Faustit, që i jepte filozofi, të padër Daniel Dajanit, që i jepte letërsi; dhe i pëlqente të recitonte. Atëhere për botën e tij fëmijërore recitimi ishte një gëzim i fshehur, që ia ruante vetëm zemra. Kurse për aktor as që më shkonte mendja se do të bëhej një ditë! Por jeta ka edhe të papritura. Ai që recitonte plot pasion zakonisht netëve të Kshndellave, në vitin 1942, gjithnjë në Kolegjin Saverian, e “detyrojnë” të marrë pjesë në dramën “Princi i Drishtit” të Zef Harapit. Kishte rolin e një malësori. Më pas mori pjesë te drama “Udha”, të cilën e përktheu Tefë Krroqi. Këto shfaqje zakonisht jepeshin me rastin e ditës së Karnavaleve, që Shkodra ime i ka pasur traditë dhe traditë të bukur. Leci ishte ndër maturantët e fundit të Kolegjit Saverian. I dha lamtumirën Kolegjit në vitin 1945. Edhe këtu dua të përmend dy gjëra: së pari, sipari i skenës së Kolegjit ishte punuar nga piktori i talentuar Kolë Idromeno; dhe së dyti, Leci pa në at’ skenë aktorë të talentuar, si: Tefë Krroqi, Gjenerim Topalli, Injac Saraçi, Pjerin Ashiku etj. Në vitin 1945, një grup studentësh të kulturuar, të cilët kishin kulturë perëndimore, sepse kishin studiuar jashtë shtetit, së bashku me maturantët shfaqën dramën “Bujtina e të varfërve” të M. Gorkit, me regjisor Filip Ndocaj, më 05.02.1945. Ndër më kryesorët ishin Qemal Draçini dhe Zef Zorba. Ndërsa Leci kishte një rol, atë të Kleqit. Këta intelektualë, që kishin marrë përsipër të gjallëronin jetën kulturore të qytetit, donin t’i jepnin atij një koncept të ri, larg prapambetjes, dhe një lloj arkaizmi që vihej re. Idealet e tyre estetike përkonin me intelektualizmin e tyre në kuptimin më të mirë të fjalës. E, më pas, vazhduan me dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit. Leci interpreton rolin e gazetarit. Ndërsa më 18.11.1945, vunë në skenë “Juda Makabe” të At Gjergj Fishtës. Regjisor ishte Zef Zorba. Interpretojnë: aktorët: Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Gac Çuni, Qazim Lila, Jonuz Tuli, dhe piktorin e skenës Gjon Hila. Në këtë pjesë Leci luan rolin e Judës.

Disa vite më vonë vazhdon Institutin dy vjeçar “Aleksandër Xhuvani…

Këtu, pasioni për recitimin gjeti një fushë më të gjerë. Profesori i letërsisë, Skënder Luarasi kishte gjithmonë dëshirë që Leci, përherë, t’i recitonte fragmente nga tragjeditë e Shekspirit. Kurmbaronte së recituari, i thoshte: “Dëgjo Lec, vendi yt është në teatër!” Vitet më pas treguan, se Profesor Luarasi kishte pasur të drejtë. Në Institut ka pasur dhe profesorë të tjerë të nderuar e mendjendritur, si: Çabej, Cipo, Pashko Geci, etj. Në vitin 1964 mbaroi shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Xhuvani”. Në vitin 1949 u kthye nga ushtria. Si i thonë një fjale, ende pa u çmallur mirë me shtëpinë, filluan ngacmimet nga ana e regjisorëve Andrea Skanjeti dhe Lec Shllaku. Ata e ftonin në teatrin profesionist. Me fjalët e tyre, padashur plotësonin një dëshirë të pandërprerë e ngulmuese të profesor Luarasit. Dhe, më në fund, hyri takimi i parë me regjisorin Andrea Skanjeti. Me Skanjetin ishte njohur qysh në Shtëpinë e Kulturës. Me grupin teatror të atij institucioni kishte interpretuar në dramat “Nën gështenjat e Pragës”, “Çështja ruse”, “Portreti” etj. Tani me Andrean u takua përsëri, kësaj radhe në teatër, si profesionistë. Interpreton në rolin e Vuk Mirash Ucit te drama “Nora” e A. Skanjetit. (Në kujtimet e tij, autori dhe regjisori Skanjeti do të thonte: “Lotët që kujtoj më tepër janë ato të aktorit Lec Bushati në dramën “Nora”, kur njeh të bijën. Tek ai kam parë lot të vërtetë, që rrodhën nga sytë, që shkaktuan dhe lot ndër spektatorë”.) Në kujtimet e tij regjisori Andrea Skanjeti shprehet: “ Leci, punëtor i paepur i skenës dhe i ekranit. Është një ndër aktorët më të mirë të skenës. Shtyllë e fortë e teatrit “Migjeni”. Njeri me edukatë dhe kulturë, atëhere i vetmi me shkollë të lartë. I favorizuar nga fiziku dhe me një brendi shumë të ndjeshme, arriti të na japë një sërë rolesh kaq reale dhe të besueshme sa nuk harrohen lehtë. Si njeri: i thjeshtë dhe mirënjohës, pa mendjemadhësi dhe i sinqertë. E kam simpatizuar përherë. Ai ma ka shpërblyer me një dashuri e miqësi të vërtetë”. Kurse me Lec Shllakun, si regjisor, teatri i Shkodrës vuri shumë pjesë të huaja, si nga Molieri, Goldoni, Hygoi, Ostrovski etj. Me këtë regjisor luajti rolin e Sllavit te drama “Jeta fillon përsëri”, rolin e Anselmit të “Kopraci” të Molierit, në fillim rolin e hamallit pastaj të Florindos te “Shërbëtori i dy zotërinjve”, interpretova edhe te “Tirani i Padovës” etj. Ndërsa me regjisorin-pedagog Esat Oktrova, që shfaqte kulturë qoftë në komunikim me pjesën, qoftë në komunikim me aktorët; interpretoi në dramat: “Shtëpia e kukullës” e Ibsenit, “Gënjeshtra me këmbë të gjata”, “Zekthi”, etj. Në fund punoi me regjisorin Serafin Fanko, që shquhej për shijet e tij të holla e interesante drejt një shfaqjeje-ansambël, Leci interpretoi te “Gjaku i Arbrit” i F. Krajës, “Hetimi” i P. Vajs, “Toka jonë” e K. Jakovës, etj. Por edhe filmi zë një vend të rëndësishëm në jetën e aktorit Lec Bushati. Luajti gjithsej në 15 filma. Realisht, skena e teatrit zë hapësirë më të madhe sesa celuloidi filmik. Në filmin “Skënderbeu” dubloi zërin e Skënderbeut. Po përmendim filma të tjerë, si: “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo 1963, në rolin Ushtaraku i lartë), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Lugina e pushkatarëve” (1970, në rolin e diversantit), “Operacioni zjarri” (1973, në rolin e Ndrecës), “Rrugë të bardha” (1974, në rolin e fshatarit), “Shembja e idhujve” (1977, në rolin e Kapedanit), “I treti” (1978, në rolin e Sokratit), “Ditët që sollën pranverën” (film televiziv 1979, në rolin kryesor, atë të Vuksan Sadrisë, “Mëngjese të reja” (1980, në rolin e dyqanxhiut), “Nusja” (1980), “Qortimet e vjeshtës” (1981, në rolin e Sokol Markut), “Flaka e maleve” (1982, në rolin
e Kol Marashit), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Të paftuarit” (1985, në rolin e babait të Hjorgës), “Muri i gjallë” (1989, në rolin e Arbërit).

Meditim për një rol që nuk e interpretoi artisti Lec Bushati

Për një çast mbeti i stepur. E mbuluan mendimet. Një fill mendimi e kërkonte si rrugëzgjidhje. E mbuluan edhe djersët. Kërkonte të komunikonte me dikë: i afërt apo i largët qoftë, veç të komunikonte. Çdo gjë përreth tij ishte e huaj, e panjohur. Në atë mjedis të panjohur, njërën e kishte të njohur e të shtrenjtë. Leci, kësaj here, po pyeste zemrën…, se zemrën e kishte pyetur shumë e shumë herë. Si një mjegullnajë iu shfaq ngjarja. Udhëtonte si një rezemre nëpër atë qiell të huaj, në një hotel të largët parizian, ku aktori nga Shkodra (Albania) po bëhej gati për të interpretuar sekuencat e para të filmit “Larg Barbarëve”. Por, në atë muzg të ftohtë, në atë dhomë me dekor të panjohur, i qëndronin mbi krye bluzat e bardha. Fjalët e tyre në gjuhë të huaj shqiptoheshin e përsëriteshin: “E pamundur?! Çuditemi sesi ka ardhur deri këtu?! Si ka udhëtuar?! Sa është lodhur..!” -”Mos, bre mik! Mos ma thuaj atë fjalë!” – u përgjigj aktori, sa i turbulluar aq dhe fytyrëzbehtë. Aktorit i shpëtoi një pikë loti në faqe. Iu duk sikur skena mbylli një herë e përgjithmonë siparin e saj. Roli që ëndërroi po humbiste (humbi) prapa kuintave. Në dëshpërimin e aktorit roli bëhej i largët, i largët… e i pamundur. Bëri edhe një përpjekje. Edhe një…Zemra…, tashmë, e lodhur kishte firmosur urdhrin… Pas asaj dite aktori Lec Bushati do të jetonte me mallin e përhershëm për teatrin. Edhe për at’ skenë, ku skaliti personazhe dhe secilit i fali zemrën e tij të madhe; që tashmë ishte lodhur, lodhur … deri më 16 shtator të vitit 1996, kur pushoi së rrahuri.

Në gjurmë shkrimesh dhe arkivash

*Më 01.09.1959, regjisori Andrea Skanjeti vuri në skenë dramën “Votra e huej” të autorit Ndrekë Luca. Kjo premierë u dha më 07.11.1959. U luajt 43 herë. Rolin e Sokolit e ka nxjerrë me sukses Lec Bushati. *Viti 1960. Drama “Tragjedia optimiste” e Vishnjevskit. Regjisorë: sovjetiku V. Bartko e shqiptari A. Skanjeti. Lec Bushati, në rolin e bukur të Aleksejt, na dha në mënyrë të veçantë mjeshtrinë e hollë të talentit të tij. Ky rol qe i vështirë, i natyrshëm dhe bindës. *Një fotografi e Lecit 18-19 vjeçar. Ai bën hapat e para si amator në “Bujtinën e të varfërve” të M. Gorkit. Shkrimtari Filip Ndocaj bënte atëherë regjinë, ndërsa partnerët e amatorit të ri ishin 30-40 vjeçarët: Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Gjon Karma, Muhamet Bala, Injac Saraçi. Rolin e Sergeit, të këtij djaloshi me vullnet të mirë, e interpretoi në skenë me ngrohtësi aktori L. Bushati. Te Sergei i aktorit Bushati gjetëm njeriun e zgjuar, të urtë dhe të pjekur, me ndjenja delikate, që di të dashurojë me forcë. Të gjitha këto nuanca aktori i zbulon përpara spektatorit me natyrshmëri, përderisa, më në fund, në personin e Sergeit ai na jep figurën e hijshme të njeriut, që ka jetuar si njeri. 51 vite më parë, në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në skenën e teatrit “Migjeni” iu paraqit spektatorit shkodran drama “Shqiponjat”. Kjo dramë është shkruar nga pesë shkrimtarë shkodranë: Ton Shoshi, Fadil Kraja, Jonuz Dini, Frederik Rreshpja dhe Paulin Sekuj. Regjisor: Serafin Fanko. Skenografia: Çesk Vuksani, Lec Fishta. Interpretuan: Lec Bushati, Elez Kadria (ka interpretuar 2 role), Gjon Deda, Prenk Lëkunda, Vitore Nino, Tinka Kurti, Agron Dizdari, Ana Shala, Sul Dibra, Ymer Bala, Bep Shiroka, Zef Deda, Viktor Bruçeti, Ndrek Prela, Gjosho Çarkaxhia, Ndoc Sheldia, Rrok Vuji, Jonuz Dini, Pistol Soja, Paulin Lacaj, Adem Kastrati, Lec Ndreka. Merko Sina. Marrin pjesë amatorë nga qendrat e punës, studentë të Institutit, nxënës të shkollave “Jordan Misja” dhe “28 Nëntori”. Kostumet: Zina Ashta, Abdullah Mema dhe këngëtar Bik Ndoja. Efektet zanore: Zef Cungeli. Ndriçimi: Teufik Duka. Butaforia: Sali Kola, Zef Gaci. Grimi: Kin Jaku. Premiera u dha më 30 dhjetor 1967, u shfaq 15 herë, numri i spektatorëve: 7.898. Para pak ditësh, trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ishte mysafire në skenën e Pukës, me dramën “Rozafa” të F. Krajës, vënë në skenë nga regjisori S. Fanko. Kishte ndodhur diçka. Në skenë kishte lëvizje, shqetësim… Leci nuk ndjehej mirë. Si do të bëhet ai? Grupi i mjekëve u gjend menjëherë. Leci me atë buzëqeshje karakteristike, me grimin e kostumin e rolit, i gatshëm për shfaqje. Me zërin e tij të qetë, tha: – Pse u shqetësuat, doktor? Do të më kalojë, duhet të japim shfaqje patjetër, njerëzit po presin…” Mjeku kardiolog A. Hoxha, duke parë gjendjen e rënduar të Lecit, megjithëse e kishte prerë biletën për të parë shfaqje, hipi në skenë, t’i shërbente atij gjatë gjithë shfaqjes. Shfaqja filloi. Sapo doli në skenë Artisti i Merituar Lec Bushati, publiku shpërtheu në duartrokitje… “Ka jetësuar personazhe sociale e historike kombëtare në dramat “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës, “Nora” e Andrea Skanjetit, “Cuca e maleve” e Loni Papës, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Përkolëgjinajt” e Kolë Jakovës. U dallua veçanërisht me rolin e Tuç Makut në dramën “Toka jonë” e Kolë Jakovës (1970), ku theksoi natyrën e rëndë, autoritare e të vrazhdë, me fjalën e ngadaltë, gjestin shenjues dhe qëndrimin “e matur”, duke u kujdesur sakaq për ruajtjen e një petku dhe hijeje kinse të dhembshur, prindërore e të përkorë me Lekën, Murrashin, Filen, etj. Me rolin e Luçianit te drama “Lindje në shtrëngatë” e Serafin Fankut, i dha frymë një figure komplekse, ambiguide, falë rrafsheve dhe kundërshtive të ndërthurura semantike që plotësonin njëri-tjetrin, si dhe heshtjeve të mbushura me nënkuptime e gjendje të dyzuara në një stil dhe formatim epiko-dramatik luajti më vonë rolin e malësorit Balë në dramën “Shpartallimi” (1978), si dhe atë të Plakut të urtë, mendtarit dhe kumtarit të vetëdijes së fisit të Arbërit në dramën “Gjaku i Arbërit” (1981), të dyja të Fadil Krajës. Në studimin dhe këndvështrimin e tij, studiuesi Josif Papagjoni, do të shprehej: “Interpretimi i tij aktoresk ishte i ndjerë, përgjithësisht në tone të ulëta, me pauza të gjata e të mbushura me emocion, duke realizuar paradigma etnopsikologjike të pëlqyera gjerësisht nga publiku. Kishte një zë të thellë, sy të ngulitur, lëvizte mirë nëpër gjendjet dramatike të personazheve, në udhëkryqin për të zgjedhur e përcaktuar fatin apo rrugën e pritshme të tyre; ishte impozant dhe i hijshëm nga pikëpamja plastike. Luante me dritëhijet, kundërshtitë dhe pjesën e kamufluar e të mistershme të personazheve, të cilat e mbanin ngrehur tensionin e brendshëm shpirtëror të lojës. Me rolin e Kadri Bajraktarit në dramën “Baca i Gjetajve” ai e pasuroi më tej aktrimin me një tjetër pamje, duke mishëruar tanimë një figurë “negative”, atë të njeriut inatçor e hakmarrës, i cili u trajtua edhe nga një këndvështrim realist e i natyrshëm.”