Xheladin Çelmeta/ Çeta “Dajti”, formacioni me kontribute të çmuara gjatë LANÇ

960
Një dokument muzeal i vitit 1974, të cilin po e bëjmë publik për herë të parë në këtë shkrim, flet edhe një herë për atë valë të pandalur të angazhimit mbarëpopullor të gjithë trevave të Tiranës dhe të Shqipërisë së Mesme gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; angazhim që nuk u ndërpre asnjëherë deri në ҫlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Që nga krijimi i çetës së parë antifashiste në Shqipëri dhe Europë, asaj të Pezës me komandant legjendar “Heroin e Popullit” Myslim Peza, nisi “reaksioni zinxhir” i krijimit të çetave të tjera partizane në të gjithë vendin dhe kthimi i tyre në batalione, grupe e brigade partizane… Dokumenti që po bëjmë publik sot, ka për autor Bedri Çelikun, dhe evidenton karakteristikat e rezistencës antifashiste të fshatit Skuterrë, një zonë kjo vetëm disa kilometra në juglindje të Tiranës, gjatë viteve 1943-1944. Dokumenti shoqërohet me foto të pabotuara më parë, të çetës “Dajti” në ditën e krijimit të saj më 13 mars 1943. Në njërën nga ato, paraqitet komandanti i kësaj ҫete, Hamit Deda nga Skuterra, në mes dy luftëtarëve të dëgjuar të kohës së luftës, Lym Keta, i njohur si një nga atentatorët më të famshëm kundër fashistëve, si dhe Adnan Qatipi një prej drejtuesve të rëndësishëm të formacioneve partizane të LANÇ. Lym Keta paraqitet në foto ulur, me një mitraloz dykëmbësh në dorë. Këto foto të rralla, përcjellin sot emocione të fuqishme, kur mendon se sa të armatosur ishin ushtritë pushtuese dhe nga ana tjetër; se sa “zjarr” kishin zemrat e luftëtarëve partizanë që luftonin pa asnjë kompromis kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, “për një botë të re”, për Shqipërinë e lirë. Ja disa fragmente nga materiali në fjalë, me titull: “Skuterra-bazë partizane”: “Një nga fshatrat që ka ndihmuar shumë luftën, pa fjalë që është dhe fshati i vogël i Skuterrës. Si ҫdo fshat që ka historikun e tij, edhe Skuterra ka zanafillën e saj… Aty nga viti 1942, Hamit Deda, djali nga Skuterra ishte në burgun e Tiranës. Dhe siҫ dihet, në atë burg shokët bënin një punë të madhe me të gjithë të burgosurit, që kapeshin nga fashistët dhe izoloheshin aty. Hamiti, kur pa t’i afrohen e t’i flasin shokë si; Abdyl Këllezi, Ali Demi, Luigj Filipi, etj, e ndjeu veten të lirë dhe kuptoi se ata shokë ishin luftëtarë që i flisnin për të mirën e Atdheut dhe të popullit. Hamiti u njoh me ata menjëherë e u bë shok i tyre. Madje mburrej që u lidh “me shokë nga të katër anët e Shqipërisë”. Kur u lirua nga burgu më 23 nëntor 1942, shkoi në shtëpinë e Luigj Filipit dhe bashkë me të ka shkuar në breg të Lanës për t’u takuar me Kozma Nushin. Kozmai porositi që para se të formohej ҫeta “Dajti”, duhej të krijoheshin në çdo fshat baza të sigurta për luftëtarët. 
Si u formua çeta “Dajti”
Puna për krijimin e çetës “Dajti” ishte me plot rreziqe. Luigji dhe Hamiti shkonin nga një fshat në tjetrin. Nga Iba në Mushqeta, nga Pëllumbasi në Kryezi, nga Priska e Madhe në Surrel, në Shkozë e gjetkë. Ata dinin se cilat familje ishin “besnike të luftës” dhe aty krijonin baza për luftëtarët. Kështu më 13 mars 1943 u krijua ҫeta “Dajti” me 13 veta, ku bënin pjesë: Myslym Keta, Shemsi Haka, Adnan Qatipi, Tasi Mitrushi, me të cilët u bashkuan fshatarët Xhelal Bultica, nga fshati Bulticë, Pasha Hysa, Sul Rrema nga Priska e Madhe, etj. Si komandant i çetës u caktua shoku Hamit Deda nga Skuterra. Në bazat e luftës në Skuterrë shkonin njerëz të rëndësishëm të rezistencës, si Gogo Nushi, Spiro Koleka, etj. Nga kjo arsye shpesh armiku e kërcënonte Skuterrën deri dhe me masakra. Edhe kur armiku hyri në Skuterrë me forca të shumta dhe i vuri zjarrin fshatit, më 4 shtator 1943, nuk u dëgjua asnjë psherëtimë, përveç këngës partizane. Populli i kësaj zone kishte bërë një betim: Të luftonte deri në fund pushtuesit nazifashistë. 
Luftimet 
Në material paraqiten edhe betejat që ka zhvilluar ҫeta “Dajti”: Lufta kundër fashistëve italianë në Lanabregas; më vonë lufta në minierën e Priskës së Madhe, luftimet e ashpra kundër nazistëve më 4, 5 dhe 6 shtator 1943, ku mbetën të vrarë mbi 40 armiq. Nga ana e partizanëve nuk pati asnjë humbje. Me krijimin e batalionit “Dajti”, luftimet u zhvilluan në Qafë Priskë, Farkë, etj. Kur u formua Brigada e 23 Sulmuese, biri i Skuterrës, Hamiti, kaloi si zëvendëskomandant i batalionit të parë, i cili mori pjesë në luftën për ҫlirimin e Krujës, duke luftuar tek Ura e Zezë, ku batalioni nuk lejoi asnjë nazist për të kaluar. Më pas i ndoqi ata deri në Milot e Lezhë. Krismat e fundit të kësaj ndjekje u dëgjuan në fshatin Bërdicë më 27 nëntor 1944, dy ditë para se të ҫlirohej Shkodra, që do të shënonte ҫlirimin e gjithë Shqipërisë nga okupatorët. 
Replika
Saktësimi që bën Gëzim Deda, djali i komandantit të çetës “Dajti”
Gëzim Deda, ish ushtarak, djalë i komandantit të çetës “Dajti” (Hamit Deda është ndarë nga jeta afro një dekadë më parë), tepër sklupuroz në ruajtjen e materialeve dokumentare të të atit, thotë për “Telegraf” se është shumë i vëmendshëm për gjithçka që botohet për luftën nacional-çlirimtare sot. Thotë se ndjehet mirë që shtypi përgjithësisht vlerëson këtë luftë legjendare të shqiptarëve, që I rreshtoi ata në krah të fitimtarëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botëror më 9 Maj 1944. Urren shpifjet ndaj kësaj lufte, por edhe papërgjegjshmërinë dhe pasaktësitë e atyre që shkruajnë. “Historianët, sidomos sot, thotë ai duhet të jenë sklupurozë në detajet e kësaj lufte, në thënien e së vërtetës për luftën”. Dhe sjell një gazetë “Ushtria” të disa viteve më pare (prill 1998), ku autori gabimisht është shprehur se “në aksionin e datës 28 e 29 prill 1943 ҫeta “Dajti” me në krye trimin Xhevdet Petrela korri fitore…”. Nuk dyshoj që kjo mund të jetë bërë krejt pa dashje, thotë ai, por në këtë moment dua të saktësoj lexuesit se në krye të kësaj ҫete ka qenë im atë dhe jo ai që citohet. Se kjo është e vërteta”. 
Kush është Hamit Deda?
Jetëshkrimi
Ka lindur, më 1 nëntor 1917 në Skuterrë, Krrabë, baba i dhjetë fëmijëve. Aktiviteti i tij mbas ҫlirimit; ka qenë komandant i Forcave të Ndjekjes në Tropojë nga viti 1945-1946. Komandant i kufirit tokësor e detar nga derdhja e lumit Buna deri në derdhjen e lumit Erzen, në vitet 1947-1950 dhe për qytetin e Lezhës e Shëngjinit. Komandant i brigadës së Punës (Rrapi i Treshit, Tiranë, 1950-1956). Liruar në vitin 1957 dhe emëruar kryetar lokaliteti Petrelë, viti 1957-1959. Riveshur në strukturat e ministrisë së Brendshme në drejtorinë e Policisë, Tiranë, si shef armatimi, grada ushtarake “major”, më vonë “nënkolonel”. Dalë në pension në vitin 1967. 
Sigal