Ora e Kosovës, prezantohet në Tiranë. Universiteti Mesdhetar mikpritës i këtij eventi

26

Akademik Anastas Angjeli: Libri “Ora e Kosovës” më solli kujtime emocionuese të ditës së pavarësisë së Kosovës, atë ditë që e konsideroj me fat që kam qenë në Prishtinë

Ish Presidenti Fatmir Sejdiu: Mirënjohje për organizimin dhe mikpritjen, takime të tilla ndërlidhëse dëshmojnë një frymë të lartë miqësie

Sigal

 

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi prezantimin e librit Ora e Kosovës, pavarësia dhe shtetndërtimi, të Sh.T.Z Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës për vitet 2006-2010.

Në këtë takim ishin të pranishëm, Presidenti Alfred Moisu, Presidenti Bamir Topi, përfaqësues nga ministria e Jashtme e Shqipërisë, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi, pjestarë të trupës akademikë të UMSH dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof.Dr. Anastas Angjeli u shpreh: “Kujtoj me emocion, ditën e pavarësisë së Kosovës, atë ditë që e konsideroj me fat që kam qenë në Prishtinë edhe pse në bazë të rrezolutes 1244 nuk ishte e lejueshme për përfaqësues dhe ish-përfaqësues, Qeveritar të ndodheshin atje, por për shkak të mësimdhënies që unë në atë kohë bëja në Prishtinë e pata këtë shans, siç pata shansin që një ditë para 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të isha në promovimin e librit “Ora e Kosovës” në Prishtinë, të këtij libri jo të zakonshëm në shumë aspekte, dhe së pari të një autori jo të zakonshëm, presidentit Fatmir Sejdiu, që më duhet ta falenderoj që pranoi ftesën tonë të jetë sot këtu në Tiranë, për këtë promovim”.

Duke folur më tej për librin ai u shpreh se, libri është produkt i një përkushtimi të lartë profesional, shkencor dhe etik, duke i vlerësuar ngjarjet e mëdha dhe me peshë dhe personalitete politike dhe intelektuale të përfshira neto, t’i paraqesë pa ngarkesa subjektive (simpatie apo antipatie) apo qëndrime politike”.

Presidenti Sejdiu në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen për organizimin dhe mikpritjen, duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla ndërlidhëse dhe me një frymë të lartë miqësie në mes të palëve.

Në prezantim përshendetën Presidentët, Moisiu dhe Topi, rektori i UMSH, Prof. Dr. Adrian Civici, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Paskal Milo, redaktori i librit, z. Ibrahim Berisha.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu takim në UMSH

Presidenti Sejdiu u prit në një takim nga Presidenti i Universitetit Mesdhetar Prof. Dr. Anastas Angjeli, në mjediset e UMSH-së. Në takim u diskutua për zhvillimet në arsimin e lartë, forcimin e lidhjeve mes botës akademike te Tiranës dhe Prishtinës, rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të veprimtarisë akademike.

Prof. Dr. Anastas Angjeli në këtë takim e njohu me zhvillimet në UMSH në këtë 15 vjetorin e krijimit të tij. Fushat kryesore të veprimtarisë, botimet dhe punën shkencorë të trupës akademike të Universitetit Medhetar të Shqipërisë.

Në takim merrnin pjesë Rektori i Universitetit AAB në Prishtinë, Prof. Dr. Lulzim Tafa, rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Prof. Dr. Adrian Civici si dhe përfaqësues të rektoratit të UMSH.

Në takim u diskutua dhe për ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës ku një pjesë të pranishmëve kanë qëne pjesmarrës.