Sot 77 vjetori i krijimit të Brigadës së 24 S. me komandant Ndreko Rino

Komandant u caktua Ndreko Rino, “Hero i Popullit”, nga Libohova e Gjirokastrës

77 vjetori i krijimit të Brigadës 24 Sulmuese

(Bicaj-Kukës, 4 tetor 1944)

 

 

NOA

U themelua më 4 tetor 1944 në Bicaj të Lumës dhe kreu beteja të rëndësishme kundër pushtuesve. Si sot më 4 tetor 1944, në Bicaj të Lumës, festohet 77-vjetori i krijimit të Brigadës së 24 Sulmuese. Është një nga formacionet partizane, që ka lënë gjurmë të ndritshme në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke dhënë një ndihmesë të vlefshme në fitoren e lirisë, që e renditi Shqipërinë në fund të kësaj lufte të përgjakshme në krahun e fitimtarëve. Shifra dhe fakte nga veprimtaria e Brigadës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare:

-U krijua me 560 partizanë (siç e kishin filluar dhe brigadat e tjera) dhe brenda muajit tetor 1944, në terrenin e Kukësit, Brigada e kapi shifrën e 1000 luftëtarëve. Në fund, sipas dokumenteve zyrtare, ajo kishte 1185 partizanë, shumica nga Luma, Gora, Dibra, po edhe nga Shkodra, Lezha etj..

 Komanda e Brigadës:

Komandant u caktua Ndreko Rino, “Hero i Popullit”, nga Libohova e Gjirokastrës, me parë komandant batalioni në Brigadën e I Sulmuese. Komisar i saj u caktua Abedin Shehu nga Bicaj i Lumës, ish -komunist që në gjimnazin e Shkodrës dhe drejtues i partisë në Qarkun e Lumës, ish-oficer i shkolluar në Itali. Aksioni i parë luftarak i saj ishte një pritë e organizuar në bashkëveprim me Brigadën e XVIII S të Dibrës kundër një kolonë gjermane në rrugën Kukës-Prizren. Në fillim të nëntorit 1944 merr urdhër për të marrë pjesë në Luftën për çlirimin e Tiranës. Nga data 8-10 nëntor, për 3 ditë e net me radhë, Brigada e XXIV S, me një marshim të sforcuar luftarak arrin në Tiranë, ku komanda e saj merr detyrën luftarake: Rajoni i saj do të ishte mes Brigatës seë I S dhe Br. XXIII S në krahun e djathtë të rrugës Tiranë-Vorë, nga Autoreparti, Ura e Kamzës, Kodrat e Domjes, (me thellësi deri në Laknas), me detyrë: të godasë dhe asgjësojë forcat gjermane, që vinin për të hyrë në Tiranë nga Vora ose për të dalë nga Tirana për në Vorë. Do të bashkëvepronte me Brigadën e X S dhe batalionin “Antonio Gramshi, të vendosur në anën e majtë të rrugës Tiranë-Vorë, në kodrat e Kasharit”. Brigada hyri menjëherë në luftë me datë 11 nëntor, në etapën përfundimtare të saj dhe për 7 ditë e net, 4 batalionet dhe kompanitë e saj, në kushte të vështira moti (shiu të dendur), në mungesë të theksuar të armëve kundërtanke, u ndesh me forcat gjermane që tentonin të hynin ose të dilnin nga Tirana. Brigada ka zhvilluar këtu luftimet më të ashpra në historinë e saj. Përballë tankeve dhe autoblindave gjermane, partizanët e Brigadës vunë gjokset e tyre duke shkruar faqe heroizmi të pashembullt.

Në këto luftime të Brigadës ranë 15 kuadro e partizanë:

-Vehbi Shehu, Ramadan Shahu, Nuredin Braha, Sadik Palushi, Hakik Gjici, Mahmut Neci,

-Ramadan Kotarja, Xheladin Mici, Abaz Peposhi, Sabri Gjici, Idriz Gafurri, Elmaz Ademi, Osman Qinami, Gani Duraku, Shefit Smana.

Pas çlirimit të Tiranës Brigada merr detyrë dhe niset në ndjekje të forcave gjermane, drejt Lezhës dhe Shkodrës. Në këto luftime vritet partizani Xhafer Ollomani. Më 24–27 nëntor Brigada e 24 S lufton e sulmon forcat gjermane në vijën Beltojë-Bërdicë-Bahcallëk, përballë një mbrojtjeje gjermane të përforcuar, të mbështetur fort me artileri të rëndë (të vendosur në Kalanë e Rozafës) me kundërsulme edhe natën.

Në këto luftime të ashpra nga Brigada e 24 S bien 5 partizanë:

-Imer Mata, Isuf Seferi, Islam Xhahu, Emri Halilaj, Hasan Lika. Me 28 nëntor në darkë Br. 24 S zë pozicion në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës dhe me 29 nëntor në mëngjes ajo është në mes të qytetit, ku atë ditë parakalon para popullit të Shkodrës, që ka mbushur rrugët dhe pret me brohori çlirimtarët.

Jeta e Brigadës vazhdon edhe pas çlirimit

Për një javë në dhjetor 1944, së bashku me Br. 27 S të Shkodrës, Br.24 S marshoi drejt Ulqinit dhe Tivarit dhe pastaj veproi në Shkodër, Malësi, Kukës e Shijak, ku u shpërnda në maj 1945.

Gjatë një përvjetori

Lufta e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë”,  është shprehur në një përvjetor prefekti i qarkut Kukës, Zenel Kuçana, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e krijimit të brigadës 24-të sulmuese partizane. Në fjalën e tij, Kuçana tha se kjo datë do të kujtohet brez pas brezi si dita e krijimit të formacionit më të madh luftarak të krahinës së Lumës një ngjarje e shënuar, jo vetëm për popullin e Kukësit, por edhe për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë.

“Kuksianët janë shquar në historinë shumë shekullore të popullit shqiptar, për ideale të larta patriotike dhe dashurinë e madhe për atdheun ku kanë dhënë jetën me dhjetëra luftëtarë e patriotë. Nga gjiri i kuksianëve kanë dalë luftëtarë trima që e sakrifikuan edhe jetën, që nga Ramadan Zaskoci , Hasan Kërxhaliu Hero i Popullit, deri tek dëshmori i fundit i luftës së Kosovës Halit Coka, duke kontribuar për këto ditë lirie që jetojmë e gëzojmë ne sot”,- tha ai.

Pasojat e LDB

Pasojat e Luftës së dytë Botërore ishin të shumta. Rreth 62 milion njerëz, që është ekuivalentja e 2.5% e popullsisë së planetit, humbën jetën. Lufta përfundoi me kapitullimin dhe pushtimin e Gjermanisë, humbjen e Japonisë dhe Koresë si edhe me dorëzimin e territoreve të Finlandës që ishin në dorë të Sovjetikëve. Globi tashmë do përballej me një ekonomi të shkatërruar, si të Evropës ashtu edhe të Azisë. Ushqimi i shfrytëzuar nga të dyja palët armike nuk do të ishte i mjaftueshëm për të gjithë popullsinë. Shumë persona që luftuan u zhgënjyen nga lufta duke humbur shpresën për një jetë më të mirë (është për t’u theksuar numri i madh i vetëvrasjeve në periudhën pas luftës e shkaktuar nga depresioni). Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk shihej si ëndrra që më në fund të gjitha luftërat do të përfundonin, por duke ditur këtë vende të ndryshme do të merrnin masa. Aleatët do të formonin OKB-në (Kombet e Bashkuara) të udhëhequr nga ShBA në vitin 1945, kjo lidhje do t’u formonte në San Francisko, Kaliforni, me shpresën që konfliktet në të ardhmen nuk do të shkonin deri aty ku kishin shkuar deri tani.

Perandoritë që kishin ekzistuar deri atëherë si Perandoria e Holandës, Perandoria e Francës dhe Perandoria e Britanisë, nuk do të ekzistonin më. Aleanca të reja do të krijoheshin në shumë territore të ndryshme si në Azi dhe Afrikë. Filipinet kërkonin akoma pavarësinë e tyre të plotë duke i kujtuar ShBA-së fjalën e dhënë për pavarësi dhe në 1946 do e fitonin një gjë të tillë. Për Gjermaninë dhe Poloninë do të hartoheshin territore të reja. Gjermania e ndarë në katër zona të ndryshme do të vuante më shumë dënimin e pasluftës. Nga katër zonat që ajo u nda, tre pjesë ishin në dorë të aleatëve që vendosën edhe një sistem demokratik konstitucional. Pjesa tjetër e mbetur, ishte në dorë të Bashkimit Sovjetik. Ky i fundit shtiu nën kontroll edhe shumë vende të tjera të Evropës lindore. Frontet ishin të dukshëm tani. Në njërën anë qëndronin aleatët me ShBA në krye dhe në tjetrën anë qëndronte Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite të tij. Furnizimi i Evropës me bombën atomike, do të rriste akoma më shumë tensionin dhe kjo do të shënonte fillimin e Luftës së Ftohtë.