Florian Bombaj: Realiteti i Kovid Kapitalizmit në librin e Prof.Alqi Naqellarit

631
Sigal

Reliteti i Kovid Kapitalizmit në librin e Profesor Alqi Naqellarit

Florjan Bombaj

Pedagog në Universitetin Mesdhetar(PHD Grande École Montpellier SupAgro, Francë)

Së fundi, doli në qarkullim vëllimi i dytë i librit “Të shkruash në dy kohë, Socializmi” “Kovid Kapitalizmi, midis oksidentit plak dhe lindjes hibride” i Profesor Alqi Naqellarit. Ky libër është pjesë e krijimtarisë së vrullshme, tashmë të autorit të njohur në fushën e shkencës ekonomike brenda dhe jashtë vendit.

Monografia përbën një kontribut të rëndësishëm në mendimin sfidues ekonomik shqiptar, një kontribut në këndvshtrimin e kapitalizmit të sotëm nga Lindja e Largët e deri në Oksidentin plak, siç e cilëson autori. Recenzentë janë Profesor Maksim Meçaj, Florian Bombaj Phd në Francë dhe Valter Hoxha Phd në Francë. Redaktor pedagogia Ina Shehu dhe juristi, publicisti, analisti dhe drejtori i gazetës “Telegraf” Ëngjëll Musai. Dizajn poeti dhe shkrimtari Albert Vataj, Botuar nga Astrit Muça Shtëpia Botuese “EMAL”.

Problematika e monografisë.

Kjo monografi e titulluar “Të shkruash në dy kohë Socializmi”, “ Kovid Kapitalizmi, midis oksidentit plak dhe lindjes hibride” i kushtohet një analize të mirëfilltë të rrugëve strategjike që ekonomia shqiptare ka ndjekur pas rënies së komunizmit dhe efektet që secila politikë ekonomike ka pasur mbi strukturën dhe degët e ekonomisë shqiptare. Kjo gjithashtu duke analizuar paralelisht edhe goditjet e jashtme që ekonomia jonë ka marrë së fundmi nga tërmeti i nëntorit i vitit 2019 dhe periudha e pandemisë gjatë vitit 2020-2021. Kjo monografi gjithashtu trajton edhe problemin e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe rëndësinë, që ato kanë pasur dhe mund të kenë në strukturimin e ekonomisë shqiptare dhe jo vetëm. Monografia është e ndarë në 7 pjesë, renditja e të cilave është mjaft logjike. Secila pjesë ka një rrjedhojë logjike të narracionit shkencor duke qenë se ato gjenerojnë të dhëna të mbledhura ndër vite dhe një ekspertizë të autorit të mirë konsoliduar me artikuj shkencorë dhe shkrime në gazeta të specializuara. Autori duke e njohur mirë realitetin e ekonomisë shqiptare, pasi e ka përjetuar atë edhe në sistemin komunist, është në gjendje të identifikojë dhe të orientojë mendimin ekonomik modern drejt përshtatjes së tij në kontekstin shqiptar duke përdorur logjikën e pastër ekonomike të “racionalitetit instrumental”. Kjo monografi hyn në atë që komuniteti shkencor botëror e quan dilema e zhvillimit origjinal. Pra, nëse një vend duhet të ndjekë në mënyrë të verbër modele ekonomike, që janë zbatuar historikisht në vendet e zhvilluara perëndimore apo duhet orientuar vëmendja drejt modeleve alternative të zhvillimit ekonomik apo ajo që disa ekonomistë të rrymës heterodokse të mendimit ekonomik e quajnë “zhvillimi ekonomik i dëshirueshëm”. Interesi i kësaj monografie është të japë një vështrim origjinal të një “funksionimi të një ekonomie post-komuniste në një vend, dalja nga regjimi i të cilit shkaktoi dëme të mëdha në strukturat prodhuese dhe sektorët e ndryshëm të ekonomisë së tij.

Përmbajtja

Për sa i përket formës, monografia është e organizuar në shtatë7 pjesë, të cilat janë të lidhura mjaft logjikisht me njera tjetrën. Monografia është e plotë, me rreth 350 faqe, pa shtojca, me një bibliografi mjaft të gjerë. Dokumenti është mjaft i plotë. Të gjitha tabelat, të gjithë titujt janë të pranishme. Stili është mbresëlënës dhe është mjaft i lehtë për t’u lexuar. Rekursi sistematik në kapitujt për një prezantim të një pyetjeje dhe rezultatet i japin qartësi subjektit. Cilësia e tabelave dhe figurave është shumë e mirë. Shifrat në totalitetin e tyre gjithashtu janë të plota dhe tërheqëse për t’u lexuar. Është një dokument i strukturuar mbi punën shkencore të bërë ndër vite, por edhe artikujve të botuar në gazeta të specializuara.

Analiza e detajuar

Pjesa e parë fillon me një analizë të detajuar të prioriteteve ekonomike që duhet të ketë Shqipëria. Sipas autorit, një goditje e kërkesës agregate për sektorin turistik, i cili është prioritet strategjik i vendit tonë, tregoi dobësi strukturore të ekonomisë sonë, pasi që turizmi do të thotë varësi ndaj kërkesës agregate “të importuar” për shërbime. Kur kjo kërkesë zhduket për arsye të ndryshme, motori lëvizës i ekonomisë ngadalësohet. Sipas tij, sektori prodhues duhet të jetë kuintesencial dhe jo ai i shërbimeve. Autori në narracionin e tij shkencor orienton mendimin ekonomik të politikëbërjes drejt industrisë minerare dhe me burime fosile, të cilat në vendin tonë janë me bollëk. Ai vendos theksin edhe tek rëndësia që duhet të kenë bankat në financimin e projekteve me rëndësi strategjike në krijimin e vlerës në këtë sektor (psh. Riaktivizimi i Uzinës së përpunimit të Bakrit në Rubik). Një rol të rëndësishëm sipas autorit duhet të luajë vendimmarrja politike pasi është ajo në gjenezë të ndryshimeve, që lidhen me konceptimin e sistemit ekonomik modern dhe integrimit të tij në tregje më të avancuar si ai i Bashkimit Europian. Një kontribut unik do të nënvizoja unë i kësaj monografie është koncepti i shtetëzimit të burimeve natyrore. Kjo pasi hyn në logjikën e përhershme të dilemës “tregu apo shteti”. Kjo filozofi ende debatohet midis ekonomistëve modernë pasi ka burime natyrore, të cilët mund të konsiderohen si të mira të përbashkëta (Ostrom, 1990). Për më tepër, ky debat lidhet edhe me konceptin e asaj që një grup shkencëtarësh modernë e quajnë “kualifikimi i ofertës dhe renta territoriale” (Pecqcuer, 2001). Ky kontribut i jep vlerë të shtuar monografisë, sepse debaton midis sistemeve ekonomike hibride dhe atyre tërësisht anglosaksone të tregut të lirë ose “libertarian”. Teza e autorit që ndihet gjatë gjithë kësaj pjese është që prodhimi sjell prosperitet dhe jo shërbimet. Gjithsesi, nëse duhet stimuluar kërkesa sezonale për të mira dhe shërbime kjo padyshim që do të kishte efekte pozitive në bilancin tregtar, por pikë së pari duhet plotësuar kërkesa e brendshme me të mira dhe shërbime cilësore dhe të kontrolluara. Kjo në fakt do të mbronte dhe sigurinë ushqimore të vendasve, por edhe të turistëve.

Autori e shikon vendosjen e turizmit si prioritet kombëtar para prodhimit si një gabim strategjik.

Pjesa e dytë, rrëfen me shifra dhe metodologji shkencore strikte që vlera e shtuar që turizmi jep në Produktin e Brendshëm Bruto nuk është në lartësinë e duhur të pritshmërive dhe se rishikimi i treguesve makroekonomikë në lidhje me turizmin është i nevojshëm.

Pjesa e tretë trajton teorinë Keynes-iane, ku autori, jo pa të drejtë, deklaron se “Konsumi është pasojë dhe nuk është shkak i rritjes ekonomike”. Në këtë kontekst sipas tij teoria Keynes-iane duhet së pari të kuptohet dhe pastaj të aplikohet sipas kontekstit kombëtar dhe jo shabllon sipas teorisë origjinale. Kjo tezë ngjizet edhe më tej, kur deklarohet se ekonomia shqiptare rritet me prodhim-akumulim dhe jo e bazuar tek borxhi. Në ndjekje të kësaj filozofie, autori duke përdorur në mënyrë metodologjike konceptet e ekonomisë dominante, bazohet tek iluminizmi francez kur deklaron se vlera krijohet nga njerëzit dhe jo nga kapitali “ Il n’y a de richesse que d’hommes – Pasuria e vetme është njeriu” (Jean Bodin, 1530-1596). Autori e shikon largimin e një pjese të rëndësishme të fuqisë punëtore si një vlerë e humbur për ekonominë shqiptare. Autori beson tek teza që në Shqipëri roli i shtetit është i kufizuar, kjo, sepse duke qenë të varur nga importet si ekonomi: politika monetare e vendit tonë në një ekonomi ku Euro si monedhë është pothuajse lojëbërëse në treg, ka rol të vakët në arritjen e objektivave të zhvillimit ekonomik. Këtë tezë të tij autori e përforcon duke treguar që pikërisht kriza sanitare e tregoi këtë defekt strukturor të ekonomisë sonë.

Pjesa e katërt lidhet me rëndësinë e ekonomisë virtuale dhe kriptomonedhave në vendin tonë. Sipas tij, duke analizuar avantazhet dhe dizavantazhet e këtyre monedhave autori rrëfen, se: “Këto kushte nuk e favorizojnë futjen e kripto monedhave. Eshtë me rrezik për ekonominë, nëse pranohet zyrtarisht qarkullimi dhe njohja e saj në raport me monedhat reale. Kjo mund të bëhet kur atë ta njohin pjesa më e madhe e vendeve të botës”. Narracioni i autorit vazhdon me konceptin e neobankave dhe sigurimit të tyre në një botë që po shkon drejt digjitalizimit. Një problem i ngritur me të drejtë prej tij është ajo që po debatohet shumë sot në mjediset akademike dhe shkencore kudo në botë me atë që quhet “Siguria kibernetike”. Kjo pasi bankat dhe pagesat online do të jenë shumë vulnerabël, nëse kjo siguri nuk do të garantohet.

Pjesa e pestë jep një vëzhgim global të efekteve të krizës sanitare mbi ekonomitë botërore dhe modelin ekonomiko-politik, që duhet të zbatojë Shqipëria. Teza e fortë që mbron autori në fakt është ajo se “mbivlera” është ajo që shpëtoi kapitalizmin perëndimor duke e shpjeguar idenë e tij, që ishte avancimi teknologjik i këtyre vendeve perëndimore që u dha atyre mundësinë t’i bënin ballë kësaj krize, sepse sipas tij sot mbivlera sigurohet nga mbivlera relative dhe mbivlera e tepërt, sepse është e lidhur me përmirësimet teknologjike, me shkurtimin e kohës së domosdoshme dhe rritjen e mbikohës. Autori e përfundon këtë pjesë duke deklaruar se globalizimi ka rritur edhe më shumë pabarazitë midis shteteve dhe njerëzve dhe se ekonomitë shumë të hapura me sistemin globalist janë ato që vuajtën më shumë se të tjerat.

Pjesa e gjashtë bën një rishikim të sistemeve kapitaliste dhe lejon lexuesin të shikojë ndryshimet konceptuale midis tyre. Një rëndësi legjitime në monografi i është dhënë nga autori sistemit socio-ekonomik gjerman. Autori duke analizuar sistemin tatimor gjerman dhe tiparet e ndryshme të tij, pranon ndoshta pa e shprehur në mënyrë të hapur që aplikimi i asaj që quhet në botën akademike moderne “Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar Social” ka qenë një ndër faktorët e suksesit të avantazhit që ka krijuar ekonomia gjermane ndaj asaj franceze në dy dekadat e fundit. Më pas autori duke analizuar politikat ekonomike dhe vendimet e secilit shtet europian dhe mbarëbotëror, tregon se ekonomitë mikse janë ato që i përballuan më mirë efektet negative të krizës sanitare. Kjo tregon në fakt, siç pranohet gjerësisht edhe në ambientet akademike europiane dhe më tej se kapitalizmi perëndimor është në një krizë sistematike dhe identitare.

Pjesa e shtatë trajton rolin e institucioneve ndërkombëtare në rang botëror dhe kombëtar. Autori mbron tezën se institucioneve të tilla si FMN për shembull, u ka humbur vlera fillestare e misionit të tyre. Në fakt, kriza sanitare dhe digjitalizimi i ekonomisë po tregojnë se institucionet financiare si FMN po humbasin terren në funksionet e tyre. Autori e mbyll monografinë duke analizuar arsyet e ekzistencës së BE-së dhe konjukturat aktuale që e vënë në dyshim këtë projekt në gjenezë gjermano-francez. Kjo sepse dalja nga BE e Britanisë së Madhe dhe forcat e ekstremit të djathtë në disa vende duket se po e trondisin këtë projekt. Sipas mendimit tim, këtu mund të shtohej edhe kundërshtimi që i bëhet Euros si monedhë në disa vende të Bashkimit Europian si Franca, Italia etj.

            Vlerësimi global

Kjo monografi përbën në gjykimin tim një kontribut real në pozicionimin e vendit tonë në debatet më të mëdha gjeo-ekonomike dhe socio-politike që po kalon bota dhe vendi ynë. Për akademikët dhe kërkuesit shkencorë mund të jetë një burim i mirë informacioni, pasi të dhënat dhe tabelat që monografia përmban janë e një niveli analize shumë të mirë dhe mund të përdoren në hulumtime të mëtejshme. Mendoj që një ekuilibrim më i mirë i pjesëve si në numër kapitujsh edhe në numër faqesh mund t’i jepte monografisë pamjen e një libri të mirëfilltë didaktiko-mësimor.

Si përfundim, unë do të doja të përmblidhja mendimin tim duke shprehur mbështetjen time të plotë për Profesor Alqi Naqellarin dhe duke e falenderuar për kontributin e tij me këtë monografi bashkëkohore dhe sfiduese.