Engjëll Musai: Maskat që po i çjerrin maskën  Covido -“Rilindasve”   

467
Sigal

Engjëll Musai

 Drejtor i  Telegraf

Sot Tirana zyrtare do të presë për vizitë paafat  covid-19. Si e bindi “Picirrukja” e Liqenit  Edi  Ramën për maskat.

Ndërkohë që Rama  ekzaltohej  në kodrat e Liqenit  me këngën e “Picirukes”, kolla e kantautorit dhe psherëtimat e Korporatës së Oligarkëve  të  “Rilindjes”,  i kujtuan sundimtarit  të Covidit se ka ardhur koha për të dhënë sihariqin se duhen vënë maskat, që njerëzit as të mos qeshin, as të mos gëzojnë. Ndoshta duke ngrirë buzëqeshjen e qytetarëve  që u ka vajtur në majë të hundës nga papërgjegjshmëria  dhe tallja e kryerilindasit, populli do stresohet edhe më shumë, dhe në këtë mënyrë vala e emigrimit dhe kërkesat  për azil do të shtohen duke boshatisur vendin dhe lënë sa më pak votues anti-Rama. Por kjo është strategjia rilindase, pasi shqiptarët që kanë duruar Ramën për 20 vjet, do të durojnë edhe 5 muaj dhe me votën plebishitare do ta largojnë duke e çuar para drejtësisë atë dhe shpurën e tij, pjesë e skenarit antikombëtar për varfërimin e shqiptarëve. Ndaj dy ditë më parë, Rama doli për të dhënë “sihariqin e madh”, por ndryshe nga “Marsi i Zi” kur dilte nga kullat e Surrelit, vendosi të japë sihariqin nga selia e qeverisë, duke paralajmëruar shqiptarët se të enjten në territorin shqiptar do të hyjë covidi-19, ndaj të gjithë duhet të jenë me maska. Megjithëse thuhet se burimi kryesor  i  covid-19  në  Shqipëri  janë emigrantët  aziatikë dhe ata sirianë, që kanë shqyer kufijtë. Po kjo për Ramën, nuk duhet zënë në gojë, pasi janë mbi 7000 refugjatë që futen në muaj dhe fitimet prej tyre, kapin shifrat e 10 miliardë  lekëve brenda 1 muaji. E nëse bandat mafioze në bashkëpunim me Policinë e Shtetit fitojnë  miliarda, qytetarët duhet të blejnë maska, sepse një rregull të tillë sipas “Skënderbeut” e ka edhe Italia dhe disa vende të tjera. Por “Hamzait” nuk ja bënë goja të thotë se maskat dhe testimi bëhen falas në Itali dhe në Europë, ndërsa në Shqipëri me bekimin e kryeministrit oligarkët e maskave, së bashku me  koncesionarët e Laboratorit,  po i rrjepin qytetarët duke ua bërë një test covidi për 120 mijë lekë. Dhe kjo është një arsye më shumë se përse qytetarët duhet të fillojnë protestat mbarëkombëtare. A mbani mend se si qeveria tallej me emigrantët shqiptarë kur vargu i tyre  arrinte nga Kakavija deri në Gjirokastër ? Bëni testin u thoshte, që të fitojnë oligarkët e laboratorëve që janë pranë “Rilindjes”. Dhe tani, përsërit të njëjtën, por kësaj radhe nën tingujt  e “Picirrukes së Liqenit”, duke kërcënuar me gjoba po nuk bletë maska tek oligarkët e qeverisë. E nëse bëjmë një llogari të thjeshtë se sa para do të fitojnë klientela e “rilindjes”, shuma është marramendëse. Për dy milionë e gjysëm shqiptarë, nga 0.5 cent (500 lekë) copa fitimet kapin shifrat e 1 miliardë e gjysëm lekë në ditë dhe për 30 ditë, rreth 40 miliardë lekë. E nëse kjo shumë do të llogaritet deri në mars, sipas planifikimeve të “Hamzait”,  shuma arrin në rreth 250 miliardë lekë. Ja pra, pse Rama urdhëroi  venien e maskave duke kërcënuar me gjoba dhe polici. E ndërkohë që ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë  deklarojnë se vendosja e maskës duhet vetëm në qendrat e populluara dhe ato të shërbimeve, qeveria me idiotësinë e saj nuk  zbaton evidencat dhe protokollin e shkencës botërore. Ajo duhet të kryejë detyrat e shtëpisë  në lidhje me pastrimin dhe dezifektimin e rrugëve, të ujit të pishëm, të kujdeset për kushtet spitalore, pajisjet e domosdoshme  në spitale, dhe mbi të gjitha të bëjë testimet. Është e papranueshme  që ti nuk bën testime, por kërkon gjoba për maskat! Ishte skandaloze izolimi 3 mujor nga njëra anë, kur  nga ana tjetër i le qëllimisht të hapura linjat e ajrore dhe ato detare me Italinë. Nuk mund të akuzojë askënd,  por më duket se brenda saj kishte pak qëllime ogurzeza që më vonë të justifikohej diktatura e karantinës, çka u evidentua  edhe në raportin e para disa ditëve nga  “Freedom House”, ku Shqipëria ishte vendi ku u  shkelën më shumë liritë dhe të drejtat e njeriut.

Alarm i Ramës, të enjten vjen virusi në Shqipëri.

Situata më e rëndë virusale  ka kaluar por virusi  është ende i rrezikshëm dhe qarkullon, por kjo nuk e justifikon “diktaturën e shëndetit”. Deri të mërkurën virusi ishte i “fshehur”, të enjten ai do të dalë nga skutat sipas  “rilindasit” dhe do të bëjë batërdinë. Është plotësisht e drejtë që kujdesi duhet, por jo të terrorizohen qytetarët, pasi më i rëndësishëm është vetëndërgjegjësimi, sesa  agresiviteti  policor,  i cili më shumë duket për nga mënyra se si po trajtohet çështja si një presion përpara fushatës zgjedhore. E nëse duhet të jemi të sinqertë, duhej që kushdo që shkeli ligjin për karantinën duhej të ndëshkohej, pasi karantina ishte masa më ekstreme dhe me kosto të jashtzakonshme për ekonominë kombëtare, të bizneseve dhe asaj qytetare. Por fakti ishte që në mëngjes  vendoseshin gjobat  dhe natën shihte ëndërra se po ikën  pushteti, dhe fal gjobat. Kjo është mungesë serioziteti nga Rama dhe tallje që të pagdhendurit e tij i bëjnë inteligjencës shqiptare.

Po kur qytetarët  ecin  në rrugë, të vetëm, në pyje, në kodra, në liqene, buzë detit etj. përse duhen vendosur gjoba ? Po shkencërisht, nëse dikush vendos maskën dhe e heq në lokal atëherë ngarkesa e viruseve të depozituara në rrugët e frymëmarrjes do shkarkohet me shumicë në lokalet dhe restorantet ku njerëëzit  do të qëndrojnë. Po si ka mundësi që në lokale lejohet të pihet, në restorante të ushqehesh me maskë në gojë ?!Atëherë të mbyllen dhe  qeveria të kompesojë bizneset dhe pagat e të punësuarve. Gjobat thotë Kryeministri, do të mbahen tek faturat e dritave dhe ujit. Po në rast se qytetarët do të revoltohen  për shkak të mungesës së strategjisë qeveritare dhe nuk i paguajnë dritat dhe ujin, çdo bëhet ?! Prandaj duhet përgjegjshmëri, protokoll serioz dhe krijim i kushteve bashkëkohore shëndetësore në spitale, jo si në kohën e monizmit, se atë shërbim kjo qeveri nuk ka për ta arritur as për 100- vjet, edhe pse grumbullon rreth 160 milionë euro në vit nga sigurimet shëndetësore, por këto para shkojnë tek oligarkët e qeverisë që deri më tani kanë marrë rreth 600 milionë euro koncesione ose rreth 720 miliardë lekë.

Dhe paradoksi më i madh që përbën edhe një turp,  ka të bëjë me faktin që mjekja e epidemiologjisë Silva Bino, anëtare e komitetit anticovid, thoshte “faleminderit që e kapa në kohë covidin dhe e kalova”. Pra e thënë ndryshe, faleminderit  Edi Ramës që më bëri drejtoreshë dhe më dha mundësinë të bëja testin. Pra kush bën  testin e kap në kohë sëmundjen dhe shpëton, kush nuk e kap në  kohë vdes, ose kush nuk e bën testin e ka riskun e madh. Po ata qindra, mijëra fakirë, në qytete e fshatra, në çadra dhe në shtëpitë e rrënuara nga tërmeti, ç’duhet të bëjnë ?!

Protokolli amerikan për covid dhe izolimi i shqiptarëve,  deti, rrezet e diellit dhe shëtitjet në male e pyjet me oksigjen.

 Silva Bino është pjesë  e Komitetit Teknik Anticovid, por fatkeqsisht ajo nuk di se cili është protokolli  publik që përdoret në Shqipëri, dhe në rastin më të keq ka dijeni,  por nuk e  bën publik  këtë  protokoll, çka nesër nuk do ta përjashtojë nga përgjegjësia atë, dhe klanin e kryeministrit, pjesë e këtij grupi. Dhe ky  është  skandal që nuk mund të mbulohet  nga maskat e kryeministrit Rama. Në Itali, SHBA, Gjermani, Suedi, Turqi dhe kudo në botë protokolli i trajtimit të covid-19 bëhet publik. Ndërsa tek ne mbahet  sekret dhe kjo ka një arsye, e cila ka të bëjë me mungesën e medikamenteve dhe teknikës, aspiratorëve  profesional, kushteve  spitalore dhe mbi të gjitha, e testimeve të vogla.

Mungesa e testimeve, përgjegjësi dhe papërgjegjshmëri e Ramës…

Sot Europa, SHBA dhe vendet e qytetëruara e mbajti nën kontroll situatën me profesionalizëm dhe testimin masiv duke bërë edhe gjurmimin e të sëmurëve. Vetëm testimet masive do të bënin që qytetarët të dinin se janë apo jo të prekur nga covidi dhe në këtë mënyrë do të qëndronin në karantinë 2 javore, duke shpëtuar veten dhe shoqërinë. Në botë ata që prekeshin njoftoheshin me sms duke i këshilluar që të qëndronin në banesë. Ndërsa tek ne, sms-të i dërgonte kryeministri për të bërë propagandë dhe për të treguar se po kujdesem. Dhe ne jemi koshientë që në mëngjes pa dalë dielli dilte Rama, pastaj njoftimet e zëdhënëses  së shëndetësisë, në drekë Manastirliu, në darkë e mbyllte prapë Rama. Dhe çfarë thoshin ? Llogje Kavaje. Do nxjerë policë, merrni leje tek kompania  “e-albania”, sepse sapo ishte dhënë me koncesion dhe duhej patjetër të fitonin para oligarkët e tij dhe ndonji delenxhi nga Italia. Në vend që të flisnin ekspertët, specialistët, dietologët etj. ne dëgjonim vetëm gallatat e Ramës, që u thoshte njerëzve se në mëngjes dalin fëmijët  më nënën, në drekë  pleqtë, mbasdite baballarët. Të premten mbasdite nuk duhet të dalë asnjë, të shtunën vetëm kush ka punë dhe gjatë javës vetëm 2 orë, sa për të bërë pazare në dyqan por nga ora 10.00 deri në12.00,  se pas kësaj ore vjen virusi. Ndalohen shëtitjet në male dhe bregdet, në makinë burri duhet të qëndrojë para  dhe gruaja në sediljen e pasme. Dhe këshillat e Ramës për coronavirusin  vazhdonin:  “Po vajtët në bankë nuk ju ngjtet, edhe në restorant nuk ju ngjitet, në park mos ikni se ju ngjitet, në pazar si tufa për 2 orë nuk ju ngjitet, me biçikletë ju ngjitet, ndërsa kur vijnë të pafytyrët dhe ju sjellin një qese me vaj dhe miell nuk ngjitet. Sa turp!

E sikur të mos mjaftonin këto tallje të kryeministrit ndaj qytetarëve, një ditë të bukur na del edhe ministri i Mjedisit dhe na thotë se muzika është rrezik për të përhapur virusin e covidit. Por pas dy ditësh del përsëri dhe kërkon ndjesë. Ndaj dhe njerëzit talleshin dhe ironizoni ministrin e qeverisë duke paralajmëruar  të gjithë qytetarët që të kenë kujdes nga telefonat që në vend të zileve kanë muzikë.  Kjo është më shumë se papërgjegjshmëri, ndaj theksojmë se lërini të dalin dhe të flasin specialistët se e çmendët  këtë popull, që prej revoltës ndaj jush po kërkojnë azil kudo në botë. Prandaj ju sot urdhëroni qytetarët  të blejnë maska tek oligarkët, ndërkohë që ato duhet të rimbursohen nga qeveria. Nuk merrni përsipër të bëni analizën por  i detyroni ta bëjnë testin  tek kompanitë e oligarkëve dhe paguani nga 120 mijë lekë, ndryshe nga bota që i ka falas. Po Check-up –in  përse e paguajmë 120 milonë euro ?! Apo për të majmur maskarenjtë?  Kjo është më shumë se fatkeqësi. A i patë si i lanë me ditë të tëra mijëra  emigrant  rrugëve për një test,  se qeveria nuk ua bënte qytetarëve që erdhën për të bërë një pasaportë  dhe për t’u çmallur me familjarët, pasi nuk i dihej nëse i gjenin apo jo gjallë prindërit e tyre. Por Rama thotë maska, duke mbyllur spitalet publike. Sipas ekspertëve të shëndetësisë ka trajtim  me Antiviral, meqënëse  covid  është virus. Por në Shqipëri e trajtojnë me Antibiotik, sepse nuk kanë para medikamente antivirale pasi dihet që ato janë të shtrenjta. Kjo është edhe arsyeja që të gjithë VIP-at , biznesmenët dhe ata që kanë mundësi pagese shkojnë dhe trajtohen jashtë shtetit dhe janë kthyer shëndoshë  e mirë. Ndaj dhe qeveria për të mbuluar zullumet e veta merret me gjoba, maska, autoblinda, policë, rrahje në rrugë të të rinjve pse protestojnë për mungesën e përgjegjësisë  nga ana e ministrisë së shëndetësisë  dhe  qeverisë.

Haxhiu dhe Qamileshat e rritura në haremin e bashkisë

 Teoria e mbylljes  masakroi shqiptarët dhe ndryshe nga  protokolli amerikan, gjerman dhe sidomos  ai  suedez, i cili  përcakton të kundërtën dhe nuk u mbyllën, krijuan imunitetin e tufës por edhe respektoi udhëzimet e specialistëve të shëndetësisë, ndryshe nga ne që në rolin e specialistit na dilte nga kulla e Surrelit Kryerilindasi.

Ushqimet , dielli dhe deti rezultuan si më të shëndetshmet. Por urdhëri nga “Kulla e Surrelit” nuk lejonte qytetarët që ta shfrytëzonin të vetmen dhuratë  që na ka dhënë zoti,  ku Shqipëria gëzon edhe detin, edhe djellin, edhe alpet. Mjafton të përmendim një fakt që ka të bëjë me protokollin amerikan të trajtimit të covidit. Mes shumë kritereve mjekësore, medikamentoze, kushteve  dhe teknikës spitalore, është edhe një fakt domethenës: Përdorimi i Vitaminës C dhe agrumeve, përdorimi i ushqimeve me Vit.D,  ku karrota është e pazëvendesueshme dhe duhet përdorur çdo ditë, por vitaminën D e marrim edhe me rrezet e diellit, pavarësisht se qeveria bllokoi plazhet. Përdorimi i qepës dhe e detyrueshme përdorimi minimalisht i dy thelpinj  hudhër. Ka dhe shumë të tjera por përmendëm vetëm këto katër pika që njerëzit kanë mundësi t’i realizojnë. Pra këto janë të deklaruara nga specialistët e mjeksisë amerikane dhe kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të shkojnë si tufa në bregdet, por duke respektuar rregulla. Po ku ka më mirë se sa vendet malore me oksigjen të pastër ?!

Qeveria Rama ti lërë hipokrizitë dhe të paguaj raportet  dhe ti japë  ilaçet e covidit  falas për të sëmurët,  sepse e ka detyrim pasi i shkurtoi  shtretërit e spitaleve sapo erdhi në pushtet në 2013, sipas teorisë së ministrit të kohës Ilir Beqaj. Ku shkojnë 160 milionë eurot e ISKSH-së, po PPP e analizave, dializës, laboratorëve etj. Ja pra për këtë ditë duhen, por këto miliona nuk preken edhe pse shqiptarëve u janë mbyllur spitalet, pasi këto para i marrin delenxhinjtë e pushtetit bashkë me  grabitqarët e tyre. Me këto para të paguhej edhe testi anticovid, edhe maskat edhe trajtimi tek spitalet private, meqënse shteti nuk ka mundësi t’i kryej në këtë periudhë. Por Rama njëherë thotë nuk duhet maska ndaj mos u dëgjoni injorantët. Pastaj thotë disa ti mbajnë dhe disa jo. Më vonë e futi vendin në karantinë 3- mujore të rrethuar me policë dhe autoblinda me mitraloz dhe që do të mbahet mend  si  çmenduria Rama, që i varfëroi shqiptarët dhe u mbylli kufijtë  për në Europë. E  nëse  Ramës i dhembsej vërtetë populli  ai nuk bënte masakrën duke nxjerrë me mijëra policë, xhandarë dhe banditë  të veshur me uniformë  për të të arrestuar artistët, të rinjtë dhe duke masakruar e shkatërruar Teatrin, ku do të lulëzojnë ‘Kullat e pandemisë’. Ja pra këto dhe shumë të tjera si këto, janë një arsye më shumë se përse shqiptarët për vendosjen e maskave nuk besojnë  tek  Haxhi Qamili dhe Qamileshat e tij,  që u rritën në haremin e Bashkisë së Tiranës. Nga kjo situatë e maskave do të përfitojnë dhe  majmen vetëm oligarkët e supermarketeve, qendrave  tregtare dhe fasonëve që janë të lidhur me qeverinë, ndërsa 80% e bizneseve në Shqipëri do falimentojnë. Personalisht mendoj se duhet kujdes, jo frikë, por ndërgjegjësim nga të gjithë qytetarët në të mirë të vendit dhe interes të shëndetit duke dëgjuar ekspertët e shëndetësisë dhe jo delenxhinjtë e votave.