MSc. Albert Habazaj: Fotografi letrare për djemtë e Skelës. Refleksion mbi romanin “Ismaili, një histori shqiptare” e autorit Gëzim Zilja

27
Sigal

Djemuria e Vlorës së viteve 1960-‘65

Aty, nga filimi i vitit 2019, nisa të mbaja copëza shënimesh, se kisha ndërmend të shkruaja disa mendime për monografinë “Stërgjyshërit tanë në epokën historike: shek.XIX”, që nis me urtësinë e Ciceronit: “Nescire qui ante quam natus sis açiderit, id est semper esse puerum = Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh gjithë jetën fëmijë”. Është një monografi e veçantë në llojin e vet, që i përket fushës të cilën unë lëvroj, ku natyrshëm dhe harmonishëm gërshetohen historia, studimi e kronika me këngët epiko-historike, brenda gjinisë së këngës popullore të folklorit shqiptar. Po të lë rehat djaloshi 73 vjeçar, ky burrë me peshë të rëndë – Gëzim Zilja me “Ismailin” e tij?! Jo vetëm vlonjatët e njohin Zilen si një intelektual të guximshëm, sa të prerë, aq të drejtë në gjykim. Po aq, ai është edhe njeri i penës së zgjedhur rrëfimtare, falë diturisë, leximit të pandërprerë, kulturës qytetare dhe thjeshtësisë, që me çdo botim të ri na intrigon bukur dhe na suprizon këndshëm, që si në letërsi, po më dukshëm në publicistikë e gazetari, fjalën e shkruar e ka gozhdë.

Të kuptohemi, me librin “Ismaili, një histori shqiptare” nuk kemi të bëjmë me histori, as me biografi të figurave të Pavarësisë, si ajo e Burrit të shtetit shqiptar, Plakut të bardhë që ngriti flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore në Nëntorin e Njëzet e tetë në Vlorë. “Ismaili…” është letërsi, letërsi shqipe, letërsi për fëmijë, me ngjyra të biografisë në formë letrare. “Ismaili…” është një roman tërheqës, një alterego e autorit dhe grupmoshës së tij çamarroke kur ishin vetëm adoleshentë me ëndrra e çapkënllëqet e asaj kohe. Vërtet që ngjarjet zhvillohen në Vlorë, m’u në Kryevlorë, siç ishte Skela me rrethinat e saj të kufizuara si gjeografi, por të pamata, të pakonceptueshme si botë, si shoqëri, si familje, si edukim e moral. Mbushur me ngjarje të papritura e aventura, pikërisht një fotografik i gjallë dhe i saktë i çunave të Skelës, i atyre dëshirafluturakëve të viteve 1960-’65 na sjell Zilja me romanin në fjalë…

Në lëmin e prozës letrare, Gëzim Zilja e ka konfirmuar veten si një autor serioz, që ka një stil të tijin, të thjeshtë e të rrjedhshëm, me gjuhë të qartë, të pastër e të pasur, të zhdërvjellët e të zgjedhur, që të bën për vete, ku bien në sy mjetet dhe mënyra e shprehjes, ku duket se del në skenë stili romantik, por autori dallon tërësisht për stilin biorealist të të shkruarit, ngopur natyrshëm me figurat e shëndetshme letrare, ardhur si pjesë e së tërës sonë letraro-kulturore në rrafshin e ndihmesës në ravijëzimin e letërsisë ekzistenciale.

Nuk e di çfarë më ka ndodhur, por kisha menduar që do të bëja një shkrim të madh për “Ismailin…”, aq shumë më pëlqeu romani dhe më kanë lënë mbresa të forta, të palargueshme nga kujtesa. Rri e rri e bëj autorin me veten, duke kujtuar atë që e pyetën: “Pa na thuaj një fjalë të madhe?” Dhe ai, zavalli, pa asnjë rrudhë në tru, ua ktheu: “Buall!…”. Kështu dhe puna ime. Hë sot, hë nesër dhe hiç, vetëm dëshirë në erë. Të tjerë autoritete letrare kanë shkruar për këtë vepër, mesa më kujtohet, edhe tek “Telegrafi” ynë. Iu lumtë pena! Unë kënaqem. Gjithsesi, më në fund, po guxoj dhe unë që t’i hedh dy çapa shkrimorë për romanin e shkrimtarit identitar të Vlorës, Të Vërtetin Gëzim Zilja.

Në fakt, pak kohë më parë, festova 2-vjetorin e pronësisë time të romanit “Ismaili, një histori shqiptare”, 240 faqe, me 30 nishane letrare për skelarët e vegjël të Vlorës, dhuruar nga vetë autori me atë firmën – konstelacion vetëtime të Gimit dhe pikërisht në Skelë, në kafen tonë të preferuar “Da Capo”. Romani është ndërtuar në formë tregimesh, të lidhura ngushtë me njëra -tjetrën në 30 krye. Tashmë “Ismaili, …”është bërë një nga librat e mi më të dashur, ku, nuk lexoj, por ndjej dy dashuri të mëdha të autorit: dashurinë për Skelën dhe dashurinë për detin e Vlorës. Shpesh e marr me vete në punë, kthehem me të në shtëpi. Më është bërë si rit përditshmërie. Kur mërzitem, e hap dhe lexoj fragmente nga bota e pastër e Skelës, lagjes buzë detit, vijoj me “Ismailin” që kishte shtëpinë prapa portës së fushës së stërvitjes së futbollit, eci “Në eskursion” e deri tek “Kthimi në shtëpi”. Në qenien time, nuk po dalloj, a lexoj librin apo isha dhe unë një personazh i romanit.Të paktën, me këto dy, tri mbresa, u çlirova sadopak nga një merak e dëshirë imja dhe vura në jetë një fjalë të urtë: “Nga hiçja, malli Birçja…”.

Gëzim Zilja

Gëzim Zilja dhe Ferenc Molnàr

Duke lexuar Malon e Gimit, seç m’u fanit Ferenc Molnàr, shkrimtari i njohur hungarez, i cili më ka mbetur në kujtesë, qysh në vitet e rinisë fillestare apo adoleshencës së lartë, aty nga viti 1977 apo 1978 e deri në sot. Me atë librin e bukur për fëmijë, romanin “Djemtë e rrugicës Pal”, ai na njeh me historinë e dy grupeve rivale të rinjsh në Budapest. Na kujtohet se si “luftonim” bashkë me çunat e Rrugicës Pal për të mbrojtur “Atdheun e vogël të kalamanjve”, sheshin e lodrave nga një grup tjetër, të cilët donin ta “pushtonin” me dhunë. Si tani, më kujtohet se si u shkreha në lot, ku vdiq personazhi më simpatik dhe më i ndershëm i librit, Ernest Nemeçeku dhe i përjetoj ende e ndje emocione e mallëngjim. Edhe pse shumë të varfër, ata ishin shumë besnikë ndaj njeri-tjetrit, por jo vetëm. Ata kishin edhe një fushë të tyren, të cilën e mbanin vetë në administrim, aqsa krijuan edhe një “ushtri” dhe çdo muaj krijonin zgjedhje për të vendosur kryetarin. Në lojërat e tyre, shumica e pjesëtarëve ishin togerë e nëntogerë, përveç Nemeçekut, djaloshit të vogël flokëverdhë e shëndet lig, i cili ndryshe nga të tjerët nuk kërkonte grada e të bënte rolin e drejtuesit, por mbetet i paharruar, sepse ishte më trimi, më i ndershmi, më i çiltri, më i thjeshti nga të gjithë shokët, ashtu si edhe shoku i tij ngushtë Jani Boka. Nemeçeku detyrat ndaj shokëve nuk i kreu për hir të gradave imagjinare, po në emër të ndjenjës së madhe e të pastër të shoqërisë. Ky libër na përcjell dhe një mesazh të lartë universal për virtytet e njeriut idealist: Besa e dhënë nuk duhet shkelur kurrë dhe shoqërinë e vërtetë duhet ta mbrojmë gjithmonë, qoftë edhe me jetë.

Sikurse dikur kemi admiruar personazhet kryesore të klasikut hungarez të letërsisë botërore për fëmijë e të rinj dhe jemi bërë pjesë e bëmave të një grupi djemsh që banojnë në njërën nga rrugët e Budapestit, sot, akoma më shumë, dashurojmë botën çamaroke me aventura rrugicash të bukura të skelarëve të Vlorës të shkrimtarit të mprehtë e të ditur shqiptar, vlonjatit Gëzim Zilja. Natyrisht që këto paralele hiqen si imazh forme një impuls i përzgjedhjes motivore, se struktura, subjekti, përmbajta është e ndryshme.

Mili dhe skelarët

Autori Gëzim Zilja, në thelb na rrëfen se Ismaili i romanit të tij ka dalë nga shpirti i një fëmijërie të zbathur e të leckosur, ku buka me gjalpë ishte luks. Nuk është mëkat të lindësh i varfër. Mëkat është të mos luftosh për të dalë nga mizerja dhe varfëria.Ky roman është një vepër me vlera jetësore dhe artistike, që lexohet me një frymë e të ngarkon me mbresa të mrekullueshme njerëzore.Edhe pse pa aparat fotografik apo kamera, kujtimet e ruajtuar në arkivat e shkrimit të mësuesit, qytetarit, pushtetarit, shtetarit dhe shkrimtarit Gëzim Zilja sillen shumë origjinale, me përshkrim imtësor, me vërtetësi e seriozitet, sepse autori ka kujtesë fenomenale, zotëron mjeshtërinëe rrëfimit të jetës dhe sakrificave të pritura dhe të papritura në hapësira të banuara dhe bashkësi njerëzore konkrete.  Ai na sjell imazhet e një kohe të largët, por shumë të dashur për ne. Një realitet Vlore, me një fëmijëri Skele, shumë herë të hidhur, të ëmbël pak herë.

Në fakt, sekush, të paktën nga mosha jonë e lart, gjen diçka të bukur a të trishtë nga fëmijëria e tij e largët.

Ky libër ka, së pari vlera njohëse për Vlorën e vjetër, se na njeh me Vlorën e virgjër të viteve ‘gjashtëdhjetë,aq të vështira, por sa të dëlira, me gjeografinë fizike të qytetit, lagjeve me emrat e parë, kufijtë e tyre të përcaktuar, deri edhe me mëhallat, fiset e banorët, me mentalitetin e kohës, me karakterin e të rriturve, me psikologjinë e mënyrën e jetesës së banorëve, me marrëdhëniet me njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, me kodet e pashkruara, por detyrimisht të zbatueshme nga çunakëria skelare, ku spikat uniteti i tyre si skuadër. Në libër kemi një jetë të gjallë, të natyrshme, në lëvizje, pa buzëkuq, kemi etnografi dhe pedagogji po ashtu. Njihemi me çamët e Skelës, vlonjatizuar po aq a më shumë se vendasit, me kopshtet e tyre të famshme, me zanatet që ushtronin, se u jepnin bukë, me pragmatizmin e tyre shpëtimtar për mbijetesë e më tej. Ky libër ka disa prurje të freskëta nga gjuha lokale, që i bëjnë një shërbim të mirë dialektologjisë në fushën e gjuhës shqipe.

Edhe sikur të bëja një studim më vete, do të ishte e pamundur të futesha imtësisht në strukturën e romanit, por, nuk mund të rri pa përmendur skuadrën simpatike të 12 skelarëve -çamarrokëve të prapë e të pashtruar, që me çapkënllëqet e tyre na mbërthejnë në tekst, me gjasë, po na fusin në tjetër botë naive, me frymëmarrje, pothuaj të harruar, por që qeshim si fëmijë, edhe pse thinjoshë tashmë, tek lexojmë “Ismailin”, se, si duket, jemi vetë atje…Me identitetet e tyre, me bëmat dhe botën e tyre na njeh vetë autori, se, me psikologji, me sociologji, me histori e prapësi, pa diskutim që dhe me mirësitë e bukura e të freskëta të “bosave” të vegjël të Skelës, e ka botën e tyre ende nën lëkurë, se ishte vetë një ndër ta dhe del si personazh kryesor i librit, edhe pse rrëfen në vetën e tretë. Skuadra e tyre përbëhej nga 12 “gangsterë” të paparë, po vocërrakë të mirë shumë: “Në grumbullin e shtëpive pas stadiumit ishin rreth 12 shokë: Ismaili i Kasëm Luarit,që ishte komandanti dhe e thërrisnin shkurt Mili, Ristua me nofkën “Kokëlopa”, Agroni, që i thoshnin Goshe Telendari, se ishte më i papërballueshëm në grindjet me fjalë, Astriti, që kishte nofkën Gjishtoku, sepse njërën pëllëmbë të dorës dhe të shputës së këmbës e kishte me gjashtë gishta, Fatriu, Ladi i Aishesë, Koçi i Aretisë, Buli që emrin e vërtet e kishte Petraq, Ylli me nofkën Nastradini, Ylli i Haxhiresë,  Koçua i Neropit dhe Luani, që kishte dy nofka: Lalan dhe Kunadhe. Ishin një grup dhe të gjitha prapësitë i bënin bashkë. Kur ndodhte që dikush trazonte një shok, pavarësisht nga arsyet, grupi merrte vendim dhe menjëherë fillonte “hakmarrja”. Ishte një ndeshje “tek për tek” midis kundërshtarëve. Të tjerët nuk ndërhynin Fitonte ai, që ishte mëi fortë. Por kishte edhe raste kur rregullat e kalorësisë nuk zbatoheshin dhe kërciste grushti pesë  me pesë apo dhjete me dhjetë. Nuk përdoreshin mjete të tjera veç grushteve dhe shqelmave”.

Tek ky paragraf nis subjekti, shtrihet e zbërthehet “Ismaili”. Këtu gjen paradigmën e rrjedhjes së ngjarjeve të gëzuara apo të hidhura, ndodhitë interesante e tërheqëse nga jeta e përditshme e atyre trumcakëve aq të këndshëm, trima e të devotshëm, që rriteshin me frymën e ngrohtë të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të atyre gjërave që ata kishin të shtrenjta, të shenjta.  Tek ky paragraf kemi “Molin Zero” të romanit, fjalët kyçe të tij, por unë lexoj dhe kodin moral, “rregullat e lojës” dhe një mësim të fortë dhe mesazh të lartë, që vogëlushët e dikurshëm të Skelës u japin horrave të sotëm të politikës shqiptare…

I kam mbushur me nënvizime dhe shënime të gjithë tregimet, që nga “Skela, lagjja buzë detit”, “Ismaili”, “Në eskursion”, “Mavro Koçi”, “Ylli Nastradini”, “Mashtrimi me bukët e grurit”, “Skifteri që hante bagëtitë dhe pulat e fshatit dhe një histori të mëparshme me ishullin e Sazanit”, “Në fund më dhanë një thelë pjepër”, “Më dërgoi babai: mos kini 500 lekë borxh”, “Kumar me lekët e bukës”, “Peshkimi me kamaq”, “Nora shkon me djem”, “Rina e bukur u rrëmbye”, “Astrit Gjishtoku”, “Më fal, o babaxhan!”, “Lalan Kunadhja”, “Një urdhër i çuditshëm”, “Mili pyet babanë”, “Jorgani i Çifutit”, “Sa kushton të flasësh në telefon?”, “Martesa e Shaqes”, “Limoni i prerë”, “Ylli i Haxhos dhe Koçua i Neropit vjedhin “të Voglin”, “Ylli i Haxhos ngec në serë”, “Top prej vërteti”, “Isa Brekbabai”, “Dita e parë në shkollën e re”, “Një edukatë ndryshe” “Hakmarrja” deri tek “Kthimi në shtëpi”, ku jam njohur me njerëzit e mrekullueshëm të Skelës dhe Vlorës, që me gjithë varfërinë, ishin aq të ndershëm dhe të dashur…Kam përjetuar, kam qeshur, kam heshtur e kam qarë me aventura fëmijësh, situata groteske, përpjekje për mbijetesë, me pjekurinë e burrërimin e parakohshëm të vogëlushëve, me mirësitë, krenaritë fëminore, talljet e prapësitë,virtytet dhe besnikërinë ndaj njëri-tjetrit, sepse “Kodi i Skelarëve nuk mund të shkelej”. Tutje nëpër lexim, ende më ka ngelur në mendje miqësia Monda – Mili, që rrëfen autori. Ç’ligështim brengosës ndjen nga mirësia fisnike e Mondës dhe të shoqit, ç’lot shkasin kur mbaron tregimin e gajtë “Limoni i prerë!”. Ç’sinqeritet Vlorë ka ky roman!

Të regjistrohet në kujtesë dallëndyshja si zog i shenjtë për fëmijët me ëndrra të bukura, apo pëllumbat si shpendët më të dashur të Milit. “Pëllumbat lidhen në çift dhe ashtu jetojnë, pa e ndërruar njëri-tjetrin deri në fund të jetës… Është një gjë shumë zbavitëse të shikosh pëllumbat, kur “kojnë” të vegjlit e tyre”. Fëmijët çamarokë të Skelës ishin aq humanë dhe të dashur me shpendët, saqë u vinin emra pëllumbave, si Cërkosh, Bardhosh, Bardhoshe, Kaçubjan, Dykaçubs, Kokëbardhë, Pullkuq, Korrozi, Bisht’haps, Larash, Lugat, Çalash, Krahëthyer, Këmbëlesh, i Bardhi, i Kuqi, i Ziu, i Vogli etj., etj., me fjalët ndjellëse me aq përkëdheli: “vid, vid, vid”. Këtu lexoj mesazhin që na përcjell autori për emancipimin altruist të shoqërisë, se edhe ne dëshirojmë të kemi një shoqëri të emancipuar si ajo e çifteve të pëllumbave…

Nuk mund të le pa përmendur 20 fotot skelare, bardhezi apo dhe ato me ngjyra, që kanë emërtesat përkatëse nuk janë thjeshtë një thyerje tabuje mbi strukturën e prozës së gjatë apo qershia mbi tortë e romanit, por ato kanë domethënie të madhe, janë dëshmi e gjallë e asaj kohe të jetuar, që nuk mund ta fshijmë dot, janë dokument me vlera historiko-kulturore për jetën e qytetit në vitet 1960-‘65, në rrjedhat e kohës deri tek bulëzimet demokratike, që janë vërtet kapituj plotësues imazhi për tekstin e shkruar, nga të cilat më janë ngulitur ato me emrat “Ndeshjet e futbollit duhen fituar me çdo çmim”, “Shkëmbi i “Doktorit”, “Buka e grynjtë”, “Buka është me listë. Nëse nuk keni emrin …” etj.

Kemi nevojë të ndihemi njerëz

Se Ismaili, personazhi kryesor i romanit “Ismaili, një histori shqiptare” është alteregoja e autorit, nënkuptohet, përderisa ai shprehet: “Ky është Ismaili im, që unë e dua me shpirt”. Ai është personazh social e funksionon në shoqëri vëllazërore, në miqësi të vërtetë, sikurse autori që zotëron këto vlera e virtyte qytetare.

Miqësia sjell fuqinë/ na ndez muskujt, na jep tru,/ i fal kupës shenjtërinë/ kupa vjen na mbledh këtu” – këndon në një vjershë të bukur skocezi i madh Robert Bërns.

E unë, duke kaluar disa çaste të dëlira me miqtë e mi vlonjatë, shkrimtarin dhe matematicienin Gëzim Zilja, piktorin Edi Kojani dhe aktorin Ilirian Ali, këndova me dëshirë këtë vjershëz:

Bota e Artit është më e bukura, më e gjera.

Çasti është mbret në shoqërinë e pastër,

pastaj në organigramën e shpirtit vijnë të tjerat.

Secili në miqësinë tonë është një qiell i kaltër…