Ardit Demiri i Postës harxhon 279 MLN lekë për makina luksoze, ku i çoi furgonët elektrikë?

22

“Pas bashkive dhe spitaleve, Posta Shqiptare renditet në një nga institucionet që zhvillon prokurime pa pushim, zgjatje kontratash, shpesh herë në shkelje të ligjit. 4 vitet e fundit është bërë gropë nga korrupsioni i drejtuesve. Siç shihet, humbjet çdo vit kapin deri 2 miliardë lekë.”

Sigal

Qysh kur mori drejtimin e Postës Shqiptare (në tetor 2022) administratori Ardit Demiri nuk kujdeset për humbjet e shoqërisë shtetërore, por fokusohet tek harxhimi i të ardhurave. Akoma shoqëria nuk ka bërë publik bilancin e vitit 2022, as të vitit 2023, ndërsa Demiri “administron” harxhimin pa kriter të të ardhurave. Pas bashkive dhe spitaleve, Posta Shqiptare renditet në një nga institucionet që zhvillon prokurime pa pushim, zgjatje kontratash, shpesh herë në shkelje të ligjit.

Ky më poshtë është grafiku zyrtar i humbjeve të shoqërisë, përpunuar sipas të dhënave të dorëzuara në QKB.

Shoqëria që deri në vitin 2019 ishte me fitim, në 4 vitet e fundit është bërë gropë nga korrupsioni i drejtuesve. Siç shihet, humbjet çdo vit kapin nga 60 deri 200 milionë lekë (të reja). Kjo vjen nga shpenzimet pa kriter të administratorëve.

Shërbimi Postar Shqiptar në fund të vitit 2020 raportoi të ardhura 2,702 milionë lek dhe shpenzime 2,755 milionë lek. Në këto kushte, Posta Shqiptare shënoi humbje neto prej 53 milionë lek ( të reja) për vitin 2020. Kështu vazhdon kurba e keqadministrimit deri në momentet që raportojmë.

Këtë herë Gijotina.com po sjell në vëmendje një tjetër tender të Postës Shqiptare, me anë të të cilit po bëhet një shpenzim i tepët dhe i përsëritur.

Prokurimi i urdhëruar nga Demiri ka si objekt ‘Blerje Automjete’, është hapur më datë 8 mars 2024 dhe do të mbyllet më datë 25 mars 2024, me fond limit në vlerën 279 milionë lekë. Duke pasur parasysh se Posta Shqiptare ka aq shumë mjete sa nuk ka ku i parkon, bëjmë pyetjen: A mund t’i kursente Arditi këto lekë?

Ajo që na bie në sy është loti me objekt “Blerje automjet personeli”, ku nga vlera totale 278 milionë lekë, 67 milionë lekë do të shpenzohen për këtë automjet. Dhe bëhet fjalë për blerjen e një furgoni që mund të transportojë 20 persona.

“Ajo që na bie në sy është loti me objekt “Blerje automjet personeli”, ku nga vlera totale 278 milionë lekë, 67 milionë lekë do të shpenzohen për këtë automjet. Dhe bëhet fjalë për blerjen e një furgoni që mund të transportojë 20 persona.”

Deri këtu mund ta marrim si të mirëqenë që një furgon i thjeshtë transporti personeli kushtoka kaq shumë lekë. Por, s’mund të harrojmë se disa furgonë të tillë Posta Shqiptare i bleu në vitin 2021. Në atë vit përmes projektit ‘Shko Gjelbër’ Posta Shqiptare ka blerë 11 furgonë elektrik, ku një pjesë ishin për shërbim postar dhe një pjesë për transport personeli.

“Posta Shqiptare Sh.A., fuqizoi flotën e automjeteve me 12 furgonë ekologjik kargo nga të cilët: shtatë  furgona ekologjikë kargo, pesë furgonë 100%  elektrikë kargo dhe 6 stacione karikimi EV”, raportonte Posta në atë vit.

Çfarë u bë me këto furgonë? Ishin propagandë apo tenderi aktual për të cilin po raportojmë është një justifikim për të shpërdoruar ca para?

Sepse siç shohim, ky projekt ka edhe një lot tjetër me objekt ‘Blerje automjete për dërgesa postare’. Sipas informacioneve do të blihen 6 makina të tjera për të shpërndarë postat dhe do të shpenzohen 211 milionë lekë.

Gjithsesi ne vazhdojmë të këmbëngulim, që duhet dhënë llogari se çfarë u bë me automjetet e blera në vitin 2021?

Duke parë, raportin e KLSH në vitin 2020, kur ka filluar gropa në financat e Postës, shohim se rekomandohet që të mos bëhen tendera jashtë mundësive për investime. Pra, nuk mund të blesh makina të reja kur je me humbje. Mesa duket, administratori ecën me parimin të bëjë siç kanë bërë paraardhësit. Kohët kanë ndryshuar. Drejtorët po japin llogari penale për shpërdorimet, pavarësisht mbështetjes politike që mund të kenë.