Moikom Zeqo dhe Diana Çuli:Dy fjalë për mungesën e Sadije Agollit, shpirtit binjak të Dritëroit

968
Sigal

Dy fjalë për një mungesë

Diana Çuli

Ishte ndjesia tepër e pranishme e mungesës së Sadije Agollit në tryezën time të punës, që m’u shfaq befas, në tjetër mënyrë, ajo që më bëri të bie në mendime pasi mbarova së lexuari këto

tregime që nuk i botoi kurrë dhe që m’i dërgoi vajza e saj, Elona. Dhe ktheva kokën, sikur do ta shihja, u zhvendosa në kohë dhe në hapësirë, u ndodha te dera prej hekuri e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku shpesh e takoja kur ajo vinte atje dhe e pyeta:  – Përse, Sadije, nuk i ke botuar? Përse nuk ke vazhduar të  shkruash? Përse ke munguar? Ajo më buzëqeshi dhe tundi dorën me shkujdesje, siç bënte gjithmonë, kur nuk donte të fliste për veten. Sikur veten e hidhte tutje, diku, atje ku nuk duhet të dukej. Pastaj më vështroi me ngulm dhe u largua e u tret trotuareve të Rrugës së Kavajës.  Unë u riktheva tek karrigia ime, para kësaj tryeze ku kaloj orë të gjata, me vështrimin e saj të thellë me vete. Iu riktheva përsëri tregimeve të saj, sikur ta kërkoja aty përgjigjen. Mendova pas pak se ky botim i vonë, është përsëri një botim i parë dhe i ri, i pritur me kureshtje, se ato që ka shkruar dhe i ka ndryrë në sirtar të kyçur autorja e tyre, erdhi dita dhe ngritën krye. Sepse ato fjalë të shkruara me aq kujdes, për të mos qenë asnjera e tepërt dhe e pavend, ato subjekte të trajtuara me aq finesë dhe këndvështrim femëror, janë në të vërtetë grimca nga bota e grave dhe e vajzave të asaj kohe, që me stërmundim, me forcë të madhe vullneti e karakteri përpiqen të ngrihen mbi peshën paragjykuese, tradicionale e të rëndë të shoqërisë shqiptare. Pa dyshim, puna si gazetare e ka ndihmuar Sadije Agollin të njohë në hollësi jetën e familjeve shqiptare të viteve ’60-të , periudhë ku më së shumti vendosen subjektet dhe personazhet e tregimeve, po edhe aftësia e saj vëzhguese dhe psikologjike për të depërtuar në të gjitha ato nuance të padukshme nga jashtë të grave dhe vajzave, të lidhura me vargonj mendorë patriarkalë nga etërit, vëllezërit e burrat e tyre. Nuk janë tema që merren nga fshatra të thellë, ku ndoshta vëreheshin më hapur këto qëndrime konservatore ndaj gruas, përkundrazi, ato ndodhin në apartamente luksoze, në shtëpi qytetare, ku familje me emër sofistikojnë deri në kulm mekanizmat për të mos i hapur rrugë bijave të tyre për të patur një vend edhe ato në shoqëri. Autorja i shpreh të gjitha këto përmes një zhbirimi psikologjik të hollë, mes marrëdhëniesh të stërholluara të çiftit, ku askush nuk mund të quhet përgjegjës për sjelljet, por kushdo mund të shihet si një burim njerëzor për t’u shqyrtuar e për t’u kuptuar. Të tillë janë tregimet Shkëmbi, Sirtari i komodinës mbeti i pandrequr, Vajza e maturës C e sidomos Kur lëshon helmin e padukshëm. Shumë pak është studiuar letërsia e shkruar nga gratë shkrimtare nga kritikët e studiuesit tanë. Është kaluar me nga një përmendje shkarazi e nga pak shkrime të shkurtra krijimtaria e autoreve si Lavdie Leka, Eglantina Mandia, po edhe e Elena Kadaresë dhe e Natasha Lakos që dhanë shumë kontribut letrar në prozë (Elena) e në poezi (Natasha) në dekadat ‘’60, ’70, ’80. Shumë pak është trajtuar nga analistët tanë se, ndërkohë që botoheshin vepra me të ashtuquajturat ‘tema të mëdha’ – ndërtimi i socializmit, i njeriut të ri, puna në kooperativat bujqësore, ndërkohë që përshkruheshin artistikisht, qoftë edhe mjaft bukur, luftërat e pamposhtura të popullit shqiptar për liri, ishin këto pak gra shkrimtare që hynin me imtësi në sjelljet njerëzore, që përshkruanin marrëdhëniet dashurore, familjare në gjithë ndërlikimet e koklavitjet e tyre, ku vuanin edhe burrat, po më shumë gratë, për shkak të peshave të shumta që shqiptarët dhe shqiptaret mbanin në kurriz të tyre, për shkaqe të shumta objektive ose jo. Kjo ishte një ‘rrymë’, le ta quajmë, një prirje, një qëndrim edhe i vetëdijshëm ndaj qëndrimit dhe orientimit zyrtar që kërkonte vetëm pasqyrim të fitoreve të socializmit, të jetës së lumtur të burrave dhe grave dhe të emancipimit të plotë të tyre, që sipas këtij koncepti, ishin arritur në shoqërinë shqiptare. Sadije Agolli në tregimet e saj ecën në këtë rrugë që ecin edhe koleget e saj, të asaj periudhe. Ajo hyn brenda shpirtit të gruas, në guximin e saj për të mos u shtypur, në mënyrat e saj herë herë edhe negociuese, por herë herë të vendosura e pa kthim, në pyetjet, pikëpyetjet, hamendjet, dhimbjet e vajzave, motrave, bashkëshorteve, jo aq dhimbje fizike, sa shpirtërore. Do të veçoja tregimin e fundit, ndoshta të pambaruar, Kur lëshon helmin e padukshëm, ku shpaloset më së miri kjo platformë letrare dhe ideore e Sadijes. Aty kemi një çift intelektualësh, ku nuk bëhet fjalë që bashkëshorti i këtij tregimi të ketë pikëpamje të ngurosura e tradicionale ndaj gruas, por në ngritjen dalëngadalë të perdes së teatrit të marrëdhënieve burrë-grua, autorja me mjeshtëri hyn në çdo skutë të kësaj marrëdhënieje dhe na jep një botë aspak të lehtë e bojë rozë. Këto tregime të vëllimit E dikurshmja në apartamentin Nr.13 janë një pasqyrë e kohës, e jetës së grave dhe vajzave të dy brezave më parë, e përpjekjeve të shqiptarëve për të përballuar shumë pesha të ndryshme shoqërore e ideologjike – në tregime nuk mungojnë as personazhet dogmatikë, që përfaqësonin regjimin – një pasqyrë e shkruar me realizëm, po edhe me lirizëm e me një përmasë origjinale vëzhgimi letrar. Ishin edhe plotësim i një mungese në portretin e Sadije Agollit dhe e kontributit të saj si autore e si gazetare e kulturës shqiptare. Dhe, megjithëse ky shkrim është për tregimet e saj, nuk mund të lë pa përmendur pikërisht kontributin e gjatë që ajo ka dhënë ndër shumë vite, përveç shkrimeve, artikujve e reportazheve, edhe për figurat e shquara të artit shqiptar. Vetëm me një shfletim të shpejtë të revistës së njohur kulturore-artistike të atyre viteve, Skena dhe ekrani, ndeshim në portrete të grave të shquara artiste si Behije Çela, Jorgjie Truja, Edi Luarasi, Drita Pelingu e të tjera, shkruar nga Sadije Agolli me art, me njohuri profesionale, por kryesorja, me shumë dashuri e respekt. Nuk e di përse shpresoj që në sirtarët e kyçur të Sadije Agollit mund të jenë duke pritur të shfletohen edhe krijime të tjera të saj…

Sadije Agolli , Mjeshtre e redaktimit dhe letërsisë shqipe

E lindur në qytetin e Shkodrës, më 14 shtator 1942, Sadija do të pikaste herët pasionin e saj për letërsinë, gjë që do të bënte të niste studimet në Tiranë në Fakultetin e Letërsisë. Ajo i përket brezit të parë të studentëve që dolën nga auditorët e Filologjikut që do të kishin më pas një kontribut në historinë e redaktimit dhe letërsisë shqipe. Për gati gjysmë shekulli përkrah një prej personazheve më të njohur të letrave shqipe, Sadije Agolli diti të ruante personalitetin e një gruaje model duke krijuar gjithë hapësirat e duhura për t’ia bërë më të lehtë veprimtarinë e tij krijuese dhe jo vetëm. Bashkëshortja e shkrimtarit të popullit ishte lexuesja dhe redaktorja e parë e veprave të tij, duke i qëndruar pranë për 52-vite. Sadije Agolli u bashkua përjetësisht me Dritëro Agollin në dyvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, në shkurt 2019.   Sadije Agolli ka qenë gazetare dhe redaktore për vite me radhë duke i dhënë një kontribut të madh publicistikës shqiptare: Gazeta “Mësuesi”; Revista “Skena dhe Ekrani”.

Moikom Zeqo: Jeta e Sadija  Agollit, si bashkëpunëtore  e  një shkrimtari  të famshëm

“Një grua e cila e njihte mirë kulturën dhe artin. Ka shkruar dhe vetë tregime dhe ka dhënë kontributin e saj në gazetarinë shqiptare, madje ka punuar në një revistë të specializuar, “Skena dhe ekrani”. Pra ajo kishte profilin e vet. Një profil që është i dokumentuar në qindra fletë të shkruara dhe të botuara në shtyp.  Sadija jetoi, bashkëpunoi me një shkrimtar të famshëm e me autoritet siç ishte Dritëroi. Madje mund të them se faktori proverbial për ta mbajtur gjallë Dritëroin, ka qenë pikërisht gruaja e tij Sadije Agolli. Sadija është shpirti binjak i Dritëroit. Në njohjet e mia gati 40-vjeçare më dukej se ishin të dy shpirtrat në një trup.”