Kryebashkiaku Veliaj/ Bashkia e Tiranës do ta ndërtojë Teatrin Kombëtar edhe për 100 vite të tjera me fonde publike

107

Kryebashkiaku Veliaj: Bashkia do ta ndërtojë Teatrin Kombëtar me fondet publike

Dje kryebashkiaku i Tiranës Veliaj bëri me dije se Teatri Kombëtar do të ndërtohet me fondet publike, dhe jo nëpërmjet koncesionit, sikurse ishte bërë e ditur deri tani. Kryebashkiaku Veliaj: Me propozimin dhe vendimmarrjen që mori sot (dje)  Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare, ne do realizojmë të njëjtin projekt të teatrit, thjesht në vend që të jetë operatori privat, do jemi ne operatori që e realizon, pra do bëjmë teatrin e propozuar të Bjarke Ingels, një teatër modern për 100 vitet e tjera të Tiranës. Bashkia e Tiranës përveç fondeve të veta ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të financojë, ose të japë atë, që quhet garancia sovrane, që ne të mund të kreditohemi. Është një procedurë që ne bëjmë tipikisht, fjala vjen investimi që  ne po bëjmë në UKT, e kemi me një kredi të BERZH-it. Financimet që po bëjmë në Qytetin Studenti dhe në qendrat studentore i kemi me një financim të KFV-së, kështu që Bashkia e Tiranës, në mënyrë periodike tërheq financime, pra kreditohet për të bërë një punë, të cilën pastaj e paguan ndër vite. Kështu që qeveria shqiptare ka rënë dakord që të mbështesë propozimin e Bashkisë së Tiranës edhe unë them për të gjithë ata që kishin merak pjesën private dhe nuk kishin merak realizimin e teatrit, tani do duhet të gëzohen që do të realizojmë një teatër me financim publik dhe me një investim të Bashkisë së Tiranës, që do të ketë të njëjtën cilësi investimi si bulevardi i ri, Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, liqeni, amfiteatri dhe shumë vepra publike që Bashkia e Tiranës ka realizuar në kohë rekord në këto 5 vite.