170-vjetori i lindjes së Sami Frashërit, Presidenti Meta: Mirënjohje për figurën e ndritur të ideologut të Rilindjes Kombëtare

321
Sigal

Presidenti Ilir Meta përkujton 170-vjetorin e lindjes së figurës së ndritur të ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri.

Me anë të një postimi në rrjete sociale Meta shprehet se: Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës.

Ja postimi i plotë i Presidentit Meta:

Sot, në 170-vjetorin e lindjes, nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë figurën e ndritur dhe veprën e shquar të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, i cili në momentet më të errëta të kombit i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë dhe frymëzoi popullin në luftën për pavarësi dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar.

Autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri me largpamësi e afirmoi si rrallëkush dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve për t’u integruar në Europë, duke thënë se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane.

Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës.

Mirënjohje rilindasve të vërtetë për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj. 🇦🇱