Milo Konomi: Si i ndërtuam tunelet nr.3 dhe 4 në HEC-in e Fierzës dhe inaugurimi në 28 nëntor 1978

136
Sigal

Kujtimet e inxhinier Milo Konomi : Si i ndërtuam tunelet nr. 3 dhe 4 në hidrocemtalin e Fierzës

 

  • Punonim 24 orë në ditë, ritmet e punimeve ishin të mëdha
  • -Mme rastin e 28 nëntorit 1978 hidrocentrali do të vihej në shfrytëzim.
  • -U montuan rekord 4 turbinat, por me datë 28 nëntor 1978 u vunë në punë vetëm 2 turbina
  • – Viti 1987 si filloi ndërtimi i rrugës Fushë Krujë – Shkodër,

Shaban Bitri

Mirë se ke ardhur në kantier

Ishte pranverë e vitit 1974. Bashkë me të fejuarën time, Vitën, nga fshati Palasë, shkuam për disa ditë me pushime në bregdet, në Dhërmi. Atëherë sapo kisha përfunduar studimet dhe isha në pritje të mbrojtjes së diplomës. Kisha marrë emërimin në hidrocentralin e Fierzës dhe isha gjithë merak për të filluar punën. Nga Dhërmiu kemi në Fierzë njeriun tonë, ing. Milo Konomin, – më tha një nga banorët e fshatit, ndërsa pinim kafenë e pushimeve së bashku. Pas disa muajsh u martuam dhe nga fundi i gushtit unë u nisa vetëm në Fierzë. Të nesërmen shkova të kërkoja në kantier inxhinier Milo Konomin. -Mirë se ke ardhur! – tha duke më buzëqeshur. E kam marrë vesh me kohë se do të na vijë në kantier një dhëndërr i Palasës… Biseda me Milon rrodhi e ngrohtë që në fillim, gjithë buzëqeshje dhe çiltërsi. Me këshilla dhe porosi, që do të më ndihmonin shumë në punën time. Hidrocentrali është vepër e vështirë, – mbaj mend një nga këshillat e tij të para, – por duhet ta marrësh pa mërzitje, duhet të kesh vullnet dhe pasion për profesionin dhe gjithçka do të shkojë mirë.

Së bashku me Milon shkuam në Drejtorinë e Përgjithshme të Hidrocentralit dhe u paraqita te Drejtoria e Kuadrit për të marrë emërimin. Letra përcjellëse ishte në kantierin e tuneleve, ku punonte si kryetopograf edhe ing. Milo Konomi. Unë u caktova te tuneli nr. 3 dhe 4, dhe prej asaj dite të parë, takimet dhe bisedat me Milo Konomin ishin të përditshme. Milo Konomi kishte filluar punën për herë të parë në Hidrocentralin e Vaut të Dejës në vitin 1967 si topograf. Ndërkohë që punonte në kantier, nisi studimet për Inxhinieri Ndërtimi në Shkodër, aty ku ishte hapur një degë e Universitetit të Tiranës. Me mbarimin e studimeve në vitin 1971, ai mori edhe familjen dhe u sistemuan fillimisht me shtëpi në qytetin e Shkodrës. Pas transferimit në Fierzë, ai e mori familjen me vete. Banesa e familjes Konomi në Fierzë ishte relativisht e mirë dhe e vendosur në një zonë të qetë. Me Milon takoheshim çdo ditë, jo vetëm se na lidhte puna, por filloi të na ngjiste shumë edhe miqësia. Kështu që shoqëria po forcohej çdo ditë, por edhe çdo ditë merrja këshilla të vlefshme prej tij për ecurinë e punës në kantier dhe problematikat që shfaqeshin. Milo ishte një specialist shumë i mirë, por mbi të gjitha ishte i komunikueshëm, me zemër të gjerë, dhe unë si inxhinier i ri e konsideroja si udhërrëfyes në punën time.

Puna në hidrocentral ishte e vështirë dhe e lodhshme

Pas një viti e gjysmë në punë më emëruan përgjegjës sektori dhe krahas punës së vazhdueshme në kantier, bënim mbledhje të këshillit teknik, së paku një herë në javë. Në mbledhje diskutohej për ecurinë e punimeve, realizimin e grafikut, diskutime, të cilat shoqëroheshin shpesh me debate. Milo e ndjente gjithmonë kur mbledhja kishte kaluar me debate. Nuk fliste menjëherë, por më fuste krahun dhe më drejtonte drejt kafes. Puna në hidrocentral është e vështirë dhe e lodhshme, – niste bisedën Milo. – Mbledhjet shoqërohen gjithmonë me debate, diskutime, sepse edhe çështjet që trajtohen janë shpesh të panjohura. Por ti nuk duhet të mërzitesh, sepse unë jam i bindur se më punën tuaj, me vullnetin dhe pasionin që ke për profesionin, të gjithë do të binden shumë shpejt se ti ke bërë maksimumin e mundshëm në punë dhe në mbledhjen tjetër puna dhe mundi yt do të vlerësohet. Këto këshilla të ing. Milo Konomit, kurajoja e tij, më mbanin me këmbë në tokë dhe më mësonin që të isha më i përmbajtur në diskutime, gjë e cila solli shumë shpejt ngritjen e një opinioni pozitiv në kolektivin e punës dhe rritjen e unitetit mes kolegëve, për më shumë sukses. Milo punonte në grupin e topografisë në një objekt të vështirë. Pas disa ditëve e pashë sërish te i njëjti objekt të shqetësuar. Para filxhanit të kafesë, siç diskutonim shpesh për punët, Milo filloi të tregonte se rezultatet e matjeve rezultonin në “kufirin e tolerancave teknike” dhe për këtë ishte i shqetësuar. E ku është problemi? – e pyeta si pa të keq. Kjo është një vepër shumë e madhe dhe korrektësia jonë duhet të jetë shumë e lartë. Në këto vepra duhet përgjegjshmëri dhe saktësi. U mundova ta qetësoj, por ai u qetësua vetëm kur rezultoi se parametrat teknikë ishin të sakta dhe procesi i punës kishte shkuar krejt normalisht. Dhe atëherë nuk e fshihte gëzimin. Milo nuk ishte vetëm një specialist shumë i mirë, por ishte edhe njeri human, i komunikueshëm, i dashur me shokët e miqtë. Nuk dinte të nxehej, por gjithmonë i qeshur dhe i qetë. Pas dy vitesh në Fierzë, unë mora edhe familjen nga Dibra. Vita filloi punë si mësuese fizike në shkollën e mesme profesionale. Në këtë kohë, miqësia me Milo Konomin u shtua dhe gjithmonë, sidomos në raste festash e gëzimesh, mblidheshim së bashku.

Më 20 dhjetor 1976 do të na vinte vjehrra nga Palasa për festat e fundvitit. Ditën që u nis nga Tirana me autobus, dolëm ta prisnim. Pritëm disa orë, por autobusi u vonua. Dikush na tha se “autobusi do të vonohet, pasi rruga ishte me borë dhe ngricë, madje ka mundësi të mos vijë fare”.

Shoferi i linjës kishte treguar guxim dhe autobusi kishte mbërritur në qytezë në mesnatë. Vjehrra ishte ulur në stacionin e parë në Fierzë dhe aty disa specialistë të fabrikës së betonit e kishin pyetur se ku do të shkonte. Ajo u thotë se do të shkonte te Shaban Bitri. Por ai është larg prej këtu, i kishin thënë punëtorët. Po Milo Konomin mund ta njoftoni?- u kishte thënë nëna e Vitos. Milo, së bashku me bashkëshorten e tij, Ruthon, kishin dalë dhe e kishin marrë në shtëpi.Ne atë natë nuk fjetëm. U bëmë shumë merak. Herët në mëngjes dolëm dhe shkuam direkt te Milo, me idenë që ta pyesnim mos kishte dëgjuar ndonjë lajm për autobusin e linjës. – Pse pyet? – më tha Milo. – Prisnim të vinte vjehrra, – i thashë. – Nuk di gjë, – tha, por ndërkohë nuk e fshehu dot buzëqeshjen…Pas tij doli te dera Rutho dhe pas saj u shfaq vjehrra. Nuk e mbajtëm gëzimin dhe u futëm brenda në shtëpi, ku pimë së bashku kafet e mëngjesit… Në këto rreshta nuk mund të lëmë pa kujtuar edhe Ruthon, bashkëshorten e Milos, e cila kujdesej shumë për ne, sidomos në rritjen e djalit tonë, Alfonsit. Ajo u kujdes shumë për të, madje në fshehtësi  bëri edhe ritet e pagëzimit…

Ritmet e punimeve ishin të mëdha

Ditët, muajt e vitet iknin si pa kuptuar. Puna kishte një ngarkesë të madhe dhe ishte pa ndërprerje 24 orë në ditë. Ritmet e punimeve ishin të mëdha, pasi me rastin e 28 nëntorit 1978 hidrocentrali do të vihej në shfrytëzim. U montuan 4 turbinat, por me datë 28 nëntor 1978 u vunë në punë vetëm 2 turbina. Me vënien në punë të dy turbinave të para, vazhdonte puna për vënien në punë edhe të dy turbinave të tjera. Ndërkohë puna në kantieret e tjerë filloi të binte dhe dalëngadalë filluan transferimet drejt digës së liqenit të Komanit. Aty nga dhjetori i vitit 1980 e gjithë ndërmarrja u transferua në Hidrocentralin e Komanit dhe një pjesë e kuadrove, inxhinierëve dhe teknikëve, ndër ta edhe Milo Konomi u transferua fillimisht në Koman dhe familja u sistemua në Shkodër. Më pas, aty nga viti 1982 edhe Milo u transferua në Shkodër, në kantierin e ndërtimit të banesave për kuadrot dhe punonjësit e H/C të Fierzës. Ai dha një kontribut të çmuar për realizimin në kohë të banesave. Ndërkohë unë vazhdoja të punoja në Fierzë, deri në realizimin e plotë të punimeve dhe dorëzimin e plotë të veprës një komisioni qeveritar nga Ministria e Energjetikës. Gjatë kësaj kohe kontaktet me Milo Konomin u rralluan, por ato u shtuan sërish në vitin 1986, kur pas Komanit u transferova në Shkodër, ku u emërova kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Rrugëve për zonën e Veriut. Në këtë ndërmarrje punonte edhe Milo Konomi si kryetopograf, kështu që erdhi sërish koha që të punonim ngushtë me shokun dhe mikun tim.

Në vitin 1987 qeveria shqiptare planifikoi ndërtimin e rrugës Fushë Krujë – Shkodër, ndërtimi i së cilës iu ngarkua ndërmarrjes sonë. Ky ishte një objekt i vështirë, që kërkonte angazhim të madh mjetesh dhe zgjidhjet e duhura teknike. Bashkë me Milon diskutonim me orë e ditë të tëra, për t’u dhënë zgjidhje problemeve teknike. Por me punë të palodhur, me optimizëm dhe korrektësinë që Milo kishte vazhdimisht, u jepnim zgjidhje problemeve teknike me kosto të ulët ekonomike. I gjithë personeli inxhiniero-teknik kishte kontribut, por dora e Milos dallohej në çdo proces të punës… Në Shkodër miqësia familjare u rrit më shumë. Gjendeshim pranë njëri-tjetrit për çdo problem. Për ditë festash dhe gëzimesh bëheshim bashkë dy familjet dhe kalonim këndshëm. Milo, me qetësinë dhe ëmbëlsinë e zërit, ishte gjithmonë i qeshur dhe krijonte një atmosferë gazmore.Me fillimet e demokracisë ritmet e punimeve në objekte filluan të ulen dhe nga fillimi i vitit 1993 pothuajse ndërmarrjet u paralizuan. Në këtë kohë, aty nga fillimi i vitit 1994, Milo me familjen u transferua në Vlorë. Marrëdhëniet shoqërore nuk i ndërpremë kurrë. Mbanim kontakte të vazhdueshme, por aty nga korriku i vitit 1999 u sëmur dhe pas disa muajsh, me gjithë interesimin maksimal të familjes, më 19 shtator 1999, u nda nga jeta…

Historia e hidrocentralit

 

Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Ishte tetori i vitit 1978, kur nisi punën turbina e parë e HEC-it të Fierzës, i ndërtuar me ndihmën e shtetit kinez, i cili në korrik të po atij viti do të shënonte fundin e marrëdhënieve me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Ish-drejtori i veprave të mëdha energjetike, inxhinieri Niko Naska, kujton se, nisja e punës për prodhimin e energjisë elektrike nga Fierza u bë pikërisht në 70-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, duke sjellë njëkohësisht dhe dyfishim të prodhimit të energjisë elektrike. Nuk dihet tamam se sa ka kushtuar ndërtimi i Fierzës, por ajo që dihet me siguri është fakti se pajisjet dhe teknologjia e ardhur nga Kina janë shkëmbyer me mineral kromi, ndërsa të gjithë koston vepra energjetike e ka shlyer pas tre vjet punë (1981). “Të gjitha objektet dhe nënobjektet e kësaj vepre janë projektuar nga inxhinierë shqiptarë dhe janë ndërtuar nga ndërtuesit shqiptarë. Me punën e saj kjo vepër e ka shlyer veten në vitin 1981 (3 vjet punë) dhe që nga ai vit e në vijueshmëri punon për nevojat ekomomike të vendit”, thotë Naska. Për ndërtimin e saj morën pjesë për 7 vite radhazi inxhinierë të njohur të asaj kohe si: Pandi Çezmaxhiu, Nesti Lubonja, Rrahman Hanku, Emin Mysliu, Spiro Pappa, Skender Kosturi, Egon Gjadri,Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Dhimiter Cico, Gezim Struga, etj Që nga ‘78, kur u vu në punë për herë të parë, HEC-i i Fierzës nuk është përfshirë në procese të mëdha rehabilitimi, jo sepse nuk ishte nevoja, por pas ‘90-ës qeveria shikonte të tjera probleme që po pengonin zhvillimin e vendit. HEC-i i Fierzës është vepra e parafundit energjetike, ndërtuar nga sistemi komunist, por edhe qeveria pluraliste nuk ndërtoi asnjë objekt. Pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës, u ndërmor një tjetër projekt, ai i Komanit, i shtrirë mbi lumin Drin. Pas këtij hidrocentrali, puna nisi për një tjetër vepër energjetike, HEC-i i Banjës, por procesi u ndërpre, për shkak të ndryshimit të regjimit. Këtu mësojmë se po bëhen më shumë se 22 vjet (në vitin 1986 u vu në punë HEC-i i Komanit) që vendit tonë nuk i është shtuar asnjë burim i ri energjetik. Hidrocentralet e vegjël të ndërtuar dhe të dhënë me koncesion në vitet e demokracisë nuk përbëjnë më shumë se 1 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike. Aktualisht vetëm 35 për qind e burimeve ujore shfrytëzohen nga hidrocentralet në vend. Sipas specialistëve, është i domosdoshëm ndërtimi jo vetëm i HEC-ve të mëdha, por edhe 1132 HEC-ve të vegjël e komunalë. Deri në vitin 1988 ishin ndërtuar rreth 83 HEC-e të vegjël. Energjia elektrike e prodhuar nga Fierza transmetohet nëpërmjet linjave të tensionit të lartë Fierzë-Burrel-Elbasan, Fierzë-Koman-Tiranë-Elbasan, Fierzë-Gjakovë etj., së bashku me nënstacionet elektrike përkatëse në Fierzë, Koman, Tiranë, Elbasan etj.