Mexhit Prençi: Koha dhe rivlersimi i dramave të ndaluara

592
Sigal

Duke shfletuar librin e Mexhit Prençit “Drama dhe spektakli i ndaluar”

 Në librin “Drama dhe spektakli i ndaluar”  analizohen edhe drama të tjera  të ndaluara si : “Armiq” të dramaturgut të ri, por të talentuar, Shpëtim Gina; “Mosha e Bardhë” e Dritëro Agolli,  “Partizani pa emër” i Fatos Arapit, “Dueli” i Qamil Buxhelit, “Çështja e inxhinier Saimirit” e Fadil Paçramit, “Ishin të gjithë bijtë e mi” të Artur Milerit. Rivlerësimi i dramave, të cilat janë të shumta  kërkon një punë studimore, sepse Udhëheqësi i partisë, edhe për grimcat humoristike shihte karakterin ideologjik me shfaqje moderniste të tyre. Në estradën e Tiranës, në fillim të viteve 80, aktori humorist Skënder Sollaku, rrëfen këtë  anekdodë: “Në  kohën e Zogut, mbi derë të dyqanit lexohej Kasap dhe brenda gjeje mish. Ndërsa sot  mbi derë lexon mish dhe brenda gjen vetëm kasap. Edhe për këtë anekdodë informohet Udhëheqësi. Në një mbledhje të Byrosë Politike këtë anekdodë e quan si një “pilulë të helmatisur”, që përhapet si një sëmundje ngjitëse dhe infekton masat e gjera dhe udhëzon që të mprehet vigjilenc.  Dramat e ndaluara janë të karakterit ideologjik, që nuk përputheshin me normat e realizmit socialist në letërsi dhe arte. Padyshim ato kanë  vlera artistike, estetike; kanë në themel pasqyrimin e hidhur të realitetit komunist, prandaj një pjesë e tyre duhet të rivlerësohen nga pikëvështrimi i kohës sonë si: Drama të Kolë Jakovës, Minush Jeros, Shpëtim Ginës, Ruzhdi Pulahës, Teodor Laços, Fadil Krajës, Loni Papës, Naum Priftit, Fatos Arapit, Qamil Buxhelit, Spiro Çomorës, Besim Lëvonjës, Dioniz Bubanit, Pëllumb Kullës, Dritëro Agollit etj janë një pasuri e letërsisë shqipe.

Janë një pasuri që pasqyron realitetin “Bardhë e Zi ”, një realitet ndryshe nga propaganda dhe ideologjia diktatoriale Mexhit Prençi rivlerësimin e konsideron si një domosdoshmëri  për tri arsye: “E para, se ato janë pjesë përbërëse e letrësisë së realizmit socialist, dhe si të tilla  studiohen në shkolla, ashtu si studiohet letërsia dhe arti i vjetër klasik, realizmi, romantizmi,  modernizmi etj, por jo si  shpjegohej dje. E dyta, duhet të analizohet nga një kënd i ri vështrimi alternativ për të përcaktuar vlerat, që mund të kenë dhe antivlerat ideologjike dhe politike që i shërbenin rregjimit të atëhershëm,  e cila ushtronte trysni  ndaj lirisë krijuese…E treta, kritikët dhe estetët që kanë ndikuar fuqishëm në skematizmin, ideologjizimin dhe politizimin e skajshëm të letërsisë dhe artit duhet të gjykohen edhe për faktin se sot nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi kritike dhe estetike. Sot,- vazhdon Mexhit Prençi,- janë shfaqur dy dukuri: disa kanë heshtur; të tjerë “Pushtojnë ekranet televizive”, ligjërojnë si studiues dhe estetë modernë pa korrektuar vetveten.Mexhit Prençi shtron pyetjen: Si do të bëhet rivlerësimi i letërsisë, artit, dramaturgjisë dhe kritikës së realizmit socialist? Me ç’kritere mund të bëhet rivlerësimi?

Po letërsia e ndaluar si do të vlerësohet kur deri dje ishte e burgosur!?…Letërsia e kohës së realizmit socialist e politizuar si ajo e papolitizuar me temë historike, të dashurisë, sociale, qoftë në prozë, poezi, dramaturgji, spektakël, film, pikturë etj është e domosdoshme të rivlerësohet nga vështrimi i kohës sonë. Nëse vepra realizon katër elemente që janë: kriteri artistik, estetik, ideor dhe mesazhor, (do të shtoj dhe gjuhësor) ku secili ka rolin dhe peshën e vet si në rrafshin e krijimtarisë së mirëfilltë ashtu edhe në rrafshin e gjykimit kritik dhe estetik të saj. dhe përbëjnë një unitet për vlerësimin tërësor të veprës. Nëse një vepër transmeton mesazhe dashurie, që mundin urrejtjen, mesazhe paqeje dhe harmonie, mesazhe për të ndërtuar të mirën e të bukurën dhe për të  shkatërruar të keqen dhe të shëmtuarën në harmoni me artistiken, estetikën, ideoren  dhe gjuhësoren vepra i shërben  të sotmes dhe të ardhmes. Po nëse vepra përveç faktorit artistik, estetik dhe ideor përmban edhe faktorët ideologjik e politik, që ngrenë në mit diktatorin, që i thurrnin lavde shtetit totalitarist të kohës padyshim mesazhet janë ideologjikë, partiakë dhe të njëanshëm. Në këtë rast vlerat artistike, estetike, ideore dhe gjuhësore nuk mund ta kthejnë antivlerën në vlerë. Rivlerësimi do të nxirrte në dritë vlerat dhe antivlerat e çdo vepre të realizmit socialit. Nuk do të kishim zëvendësimin e monizmit të vjetër me një monizëm të ri. Dramaturgët  dhe artistët sakrifikuan për lirinë krijuese dhe mirënjohja ndaj tyre është rivlerësimi i veprave të tyre edhe në gjininë e dramaturgjisë.

 

 

 

 

 

 

 

Mexhit Prençi . Vendlindja Bardhaj-Reç në Dibër me 25 mars 1937. Ka kryer arsimin e mesëm në shkollën pedagogjike “Demir Gashi” Peshkopi. Mësues i gjuhës shqipe në shkollat shtatëvjeçare Lurë, Zall-Dardhë. Më 1961 nis studimet për teatër në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”. Diplomohet më 1965. Fillon punën në Ministrinë e Kulturës, inspektor teatri, 1965-1967. Drejtues i revistës “Teatër” dhe shef i sektorit të skenës në Shtëpinë Qëndrore të Botimeve Skenike, gjer më 1974. M Prençi pohon: -Për të qenë i sigurtë përgatita për shtyp dramën e Dritëro Agollit  “Mosha e Bardhë”, mbasi flitej se Dritëroi mund të bëhej kryetar i LSHA dhe isha më i mbrojtur nga censura. Drama trajton me art marrëdhëniet e rinisë universitare në lidhje me dashurinë, konfliktet, shakatë,  humorin, grindjet, vështirësitë. Trajton edhe dramën reale që ka secili me veten dhe në marrëdhënie me të tjerët. Ky vështrim i ri e trembi diktaturën dhe e “burgosi” dramën “Mosha e Bardhë”. Një gjykim i rreptë m’u bë  për dy ditë në kolektiv ku ishin edhe P Mitrojorgji, shef i shtypit  i dërguar nga K Q dhe të deleguar nga  komiteti i partisë Tiranë. Në këtë mbledhje dënohem për liberalizëm në botime pas Plenumit IV, të 1973 (shtatë vjet në fshatin Kashar). Në mbledhje isha dhe unë. Sapo mbaroi mbledhja  mekanizmi i nënshtrimit ishte futur te çdo punonjës. Pa kthyer kokën nga Mexhiti u larguan për të pirë kafe në Lidhjen e Shrimtarëve. Vështroj Mexhitin të ngurtësuar, me siguri mendonte familjen dhe fatin e fëmijëve. I afrohem dhe shkojmë për të pirë kafe në “Flora”. Për mua ishte një veprim njerëzor, ndërsa për Mexhitin siç më ka thënë më vonë, sfida ime i kumtoi që ta përballonte të keqen me guxim. Në vitet 80 përsëri drejtues i revistës “Teatër”. Pas përmbysjes së diktaturës në fillim viti 1990, pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura. Mexhit Prençi ka dhënë një kontribut të çmuar si kritik në fushën e dramaturgjisë, autor i shumë dramave, eseist dhe publicist. BOTIMET: “Kritika 1  (dramë-regjisurë-aktrim)”, “Kritika 2 (drama dhe spektakli i ndaluar ”, Monografia “Marie Logoreci”,  “Optikë alternative për dramën”. Ka botuar 8 drama, 6 pjesë teatrore për fëmijë, 35 pjesë radiofonike…etj.

 

Asije Hoxha