Jeton Muçollari: Si të bëhet skema e sigurimeve shoqërore më e qëndrueshme?

Në çdo shoqëri që synon drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor, sigurimet shoqërore nuk duhet janë thjesht një mekanizëm financiar, por një kontratë morale midis shtetit dhe qytetarit. Një premtim i heshtur që djersa e sotme nuk do të harrohet nesër. Megjithatë, në vende si Shqipëria, kjo skemë është shoqëruar me problematika të theksuara ndër vite, duke e bërë jo gjithmonë të drejtë dhe të qëndrueshme.


Sigurimet shoqërore para vitit 1990

NOA

Në sistemin socialist, sigurimet shoqërore nuk ishin thjesht një marrëdhënie midis individit dhe kontributit të tij, por një detyrim i shtetit ndaj qytetarit. Shteti ishte garantuesi absolut: ai punësonte, ai paguante dhe ai siguronte. Në atë kohë, koncepti i konkurrencës së lirë apo i diferencave të mëdha në paga ishte pothuajse i panjohur. Pagat ishin të kufizuara brenda një strukture të ngushtë dhe, për rrjedhojë, edhe pensionet ishin relativisht të barabarta. Punësimi ishte i detyrueshëm dhe i regjistruar, ndaj çdo qytetar ishte automatikisht pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore. Ashtu si dhe pagat e përgjithshme në shtet që kishin një raport 1 me 2 midis pagës minimale dhe asaj të lartë, po ky raport ekzistonte edhe tek pensionet, masa e pensioneve kishte një diferencë të vogël nga pagat. Paga minimale në shtet ishte 360 lekë në muaj, ndërsa pensioni i plotë minimal 350 lekë, ndërsa pagat mbi 700 lekë ishin vetëm për disa sektorë në punë të vështira edhe për nënpunësit e lartë, kurse pensioni maksimal ishte 700 lekë. Ndryshe nga sot ruante diapazonin normal me pagat.

Problemet qe paraqet skema
Reforma e pare e Sigurimeve Shoqërore ndodhi në vitin 1993, duke marrë në konsideratë ekonominë e tregut, dhe ndryshimin e pagave, por u rrojt përsëri raporti I pensionit të ulët me maksimal si ai I para viteve 1990 në raportin 1 me 2, por ndryshe ndodhi me pagesat e kontributeve mbi pagat, të cilat shkuan në raportin 1 me 5 midis rrogës minimale dhe asaj maksimale . Ata që kontribuonin më shumë, nuk përfitonin në të njëjtën nivel pensionin pasi I pengonte ligji. Ky raport i padrejtë midis pagave dhe pensioneve krijonte një hendek të dukshëm: paga maksimale që paguheshin kontributet ishte disa herë më e lartë se ajo minimale, por pensioni maksimal mbetej vetëm dyfish i atij minimal.

Ishte sikur mundi i një jete të tërë të matej me një peshore të prishur, ku pesha e sakrificës nuk përkthehej në shpërblim. Reforma e dyte e vitit 2014 erdhi si një përpjekje për të rregulluar këtë çekuilibër, por ajo solli sfida të reja. Sistemi ndryshoi formë, por jo plotësisht thelbin. U ngushtua diferenca e kontributeve, nga 1 me 5 në raportin 1 me 3,4 midis pagës minimale e asaj maksimale, ndërsa mungesa e një kufiri të qartë maksimal për pensionet krijoi paqartësi dhe barrë për vetë skemën. Në vend që të vendoste një ekuilibër të qëndrueshëm, sistemi mbeti pezull mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke mos arritur të ndërtojë një drejtësi të plotë. Emigracioni ndër vite ka bërë që të largohen nga vendi ata që janë kontribuuesit e skemës shoqërore, të rinjtë forca vitale e punës. Kjo ka bërë që raporti midis pensionistëve dhe kontribuuesve të skemës të jetë pothuajse i barabartë, me një diferencim të lehtë të të punësuarve, kjo një kambanë alarmi për shtetin. Një sistem i tillë është si një urë e ndërtuar mbi dy shtylla të dobëta: mjafton një lëkundje e vogël dhe ajo rrezikon të shembet.

Një shkak tjetër i kësaj gjendje mbetet ekonomia informale, kjo hije e padukshme që gërryen themelet e shtetit. Natyrisht që ndër vite ka ardhur duke u përmirësuar, pasi janë forcuar rregullat e kontrollet e institucioneve por mbetet përsëri një sfidë e shtetit, për të shtuar kontribuuesit e Sigurimeve Shoqërore. Punëdhënës që paguajnë në dy mënyra, paga të deklaruara në letër dhe paga reale të fshehura, krijojnë një realitet të dyfishtë: një për shtetin dhe një për xhepin. Në këtë lojë të padrejtë, humbësi më i madh është vetë punëmarrësi, i cili sot merr më shumë në dorë, por nesër përballet me një pension të vogël dhe të pamjaftueshëm. Si mund bëhet më efektive skema e pensioneve? Për ta bërë këtë skemë efektive, nuk mjafton një ndryshim sipërfaqësor; kërkohet një transformim i thellë. Ligji duhet të rivendosë drejtësinë, duke lidhur në mënyrë të qartë kontributin me përfitimin. Një kufi minimal dhe maksimal i pensioneve, i ndërtuar mbi baza reale të masës së kontributeve, do të rikthente besimin e qytetarëve tek sistemi.

Ndoshta mund të ishte interesante edhe mënyra tjetër që të hiqet kufiri maksimal i pagimit të kontributeve, për të qenë në koherencë të plotë me ligjin aktual të sigurimeve shoqërore. Po aq e rëndësishme është lufta kundër informalitetit. Shteti duhet të jetë jo vetëm ligjvënës, por edhe garant i zbatimit të ligjit. Kontrolli i rreptë, transparenca dhe ndëshkimi i shkeljeve janë mjete të domosdoshme për të ndërtuar një sistem të drejtë. Pagesat përmes bankave dhe deklarimi i plotë i pagave reale nuk duhet të jenë zgjedhje, por rregull i panegociueshëm. Kalimi i skemës së pensioneve në dy shtylla, solidare dhe të trashëgueshme. Në horizont, duket një zgjidhje e re me dy shtylla: një shtetërore solidare, që garanton minimumin jetik për çdo qytetar, dhe një të trashëgueshme, ku individi ndërton të ardhmen e tij mbi bazën e kontributeve personale. Një fond i tillë, i trashëgueshëm dhe transparent, do t’i jepte kuptim të ri vetë nocionit të sigurimit. Qeveria ka një ide, por ende pa dhënë detaje të tjera. Gjithësesi me aq sa është bërë e ditur thuhet që të kontribuojnë punëdhësit për punëmarrësit dhe shteti do kontribuojë me të njëjtën shumë të punëdhënësit.

Kjo është mjaft e sforcuar dhe në përfundim fondi do ishte mjaft modest, e nuk do kishte ndikim të konsiderueshëm në masën e pensionit. Më mire do ishte që punëmarrësi, i vetëpunësuari apo në profesione të lira, të kontribuonin vetë në fondin e trashëgueshëm, i cili duhet të jetë transparent e i lexueshëm nga kontribuuesi. Kjo do kërkonte që pensionet shtetërore të kishin kufi minimal dhe maksimal jo shumë të madh, por as ajo që ka qenë më herët 1 me 2, diçka të ndërmjetme me kontribute e paguara. Duke vendosur kufirin maksimal të pranueshëm të pensioneve, dhe interesim më të madh të punëmarrësve, do bënte që të rritej fondi I kontributeve në sigurimet shoqërore solidare.

Në këtë kuptim mund të shihej e arsyeshme që një pjesë e kontributeve që paguan punëmarrësi të kalonte në fondin e trashëgueshëm. Meqenëse kontributet do të jenë në interes të tyre, mund të rritej kufiri i kontributeve të punëmarrësit ndoshta aq sa i punëdhënësit me 15%, por gjysma, 7,5%, të kalonte në fondin e trashëgueshëm dhe 7,5% në fondin solidar. Ligji do rregullonte edhe rastet e të punësuarve në punë të pavarur, të vetëpunësuarve, ata në bujqësi, etj. Pra pensionisti do merri dy pensione njëherësh, njërin shtetëror dhe tjetrin të trashëgueshëm, që do e vendoste vetë kohën e përfitimit, vitet dhe masën e pensionit, të cilat do rregulloheshin me ligj. Vetëm atëherë, kur çdo qytetar do të ndiejë se kontributi i tij vlerësohet, skema e sigurimeve shoqërore do të bëhet jo vetëm efektive, por edhe e drejtë dhe njerëzore.