Lekë Mirakaj: Gjurmët e forta historike të dy revoltave të burgosurve politkë të Spaçit dhe të Qafë Barit

18
Sigal

Rastësia e solli që ndoshta ngjarjet që kanë lënë gjurmë të forta në historinë e popullit tonë kanë ndodhur pikërisht në muajin e Majit. Muaj i luleve, i pranverës, shpresave, por që disa herë është shoqëruar me ngjarje tragjike. Është kthyer në ritual të përvitshëm edhe në periudhën e post diktaturës të vrasjes me tradhëti ose të vetë vrasjes të Qemal Stafës, një i ri, besoj, idealist, që vdiq pa e dijtur se përse po sakrifikonte dhe nuk mund ta dinte, se sa herë do mallkohesh për kontributin që dha, në të ashuquajturën fitore të komunizmit përbidësh. Po me vetëdije të trashëguar nga indokrinimi komunist harrojmë se dy ngjarje të përmasave historike, në harkun kohor të aplikimit të diktaturës më çnjerëzore, më antikombëtarë më të turpshme të historisë tonë, na bëjnë sot të ndjehemi të zhgënjyer e të turpëruar para historisë dhe brezavet që do vijnë.

Heshtja është mohim dhe mohimi është paradhoma e përsëritjes të krimeve komuniste. Me të drejtë thuhet që popujt që nuk luftojnë, nuk e meritojnë lirinë. Është bërë një propogandë e përmasave të jashtëzakonshme për të krijuar idenë se tek ne nuk pati desidencë. Një gënjeshtër e madhe e gatuar në guzhinën e mbeturinave të ish diktaturës komuniste dhe trumbetuar nga proferucë dhe media e kapur. Do mjaftonin vetëm kujtimi i dy revoltave të burgosurve politkë të 23 Majit 1973 në Spaç dhe e 22 Majit 1984 në Qafë Bari, për të thënë me bindje se në Shqipëri jo vetëm që ka pas një desidencë të vazhdueshme, po edhe revolta të mirëfillta politike. Është fakt se shkaku i dukshëm i revoltave ishte dhuna çnjerëzore e autoriteteve të burgut, po kjo nuk zbeh faktin që në ato revolta pubklikisht me zë të lartë u hodhën parulla politike, ndoshta për herë të parë u ndigju ajo parullë që do bëhesh lejtmotiv i studentëve vite më vonë, e duem Shqipërinë si gjithë Evropa. Sot mbushen 40 vjet nga dita kur të burgosurit e Qafë Barit, për disa orë e kthyen ferrin , që kishin krijuar komunistët në një territor të lirë , ku ushtoi thirja poshtë komunizmi. Në këtë ditë të burgosurit i bënë të vegjël kriminelët Edmond Caja, Lekë Ymeri, Zylyftar Ramizi. Është dita ku u ngritën madhërishëm dhe u ngjitën në pjedestalin e pavdekësisë martirët Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Sandër Sokoli e gjithë ato djem të guximshëm që e paguan me vite të gjata burgu dhe tortura heroizmin e tyre. 22 Maji i 1984 dhe 23 Maji i 1973 duhet të bëjnë krenar gjithë shqiptarët pa dallim, dhe duhet të turpërojnë politikanët tanë që jo vetëm nuk i janë përgjigjur të vërtetës historike, po për turpin e tyre, nuk kanë pasur kurajon edhe sot mbas 40 vjetësh, t’i japin vlerësimin që meritojnë heronjve, që u ngritën në revoltë.Turp dhe faj ,që edhe sot ligjërisht i konsiderojnë terroristë, turp e faqja e zesë , për klasën politike , që as sot nuk ka kurajon të demaskojnë krimin komunist. Kanë kaluar 40 vite nga revolta e Qafë Barit dhe 51 vite nga revolta e Spaçit dhe është koha ose thënë më saktë, ka kaluar koha, që heronjve të revoltave t’i ngrihet, një monument që do shërbente jo vetëm si akt mirnjohje për sakrificën e tyre, po do shërbente si akt frymëzimi për brezat që do vijnë. Me veprime të këtilla do dëshmohesh se po bëhet një akt i duhur drejt pajtimit shoqëror. Heronjtë e Qafë Barit, Sokol Sokoli,Tom Ndoja , Sandër Sokoli na obligojnë të jemi vigjilentë, na kërkojnë të respektojmë e të vlerësojmë aktin e tyre heroik dhe na kujtojnë se përgjegjësit direkt të dhunës as sot nuk janë vënë para përgjegjësisë.Të kujtojmë e mos të harrojmë.