Viktor Gjikola: Si ndërtuam qytetin e Kurbneshit në 1950-ën

 

  • -I nternuari i parë ishte Pajo Islami e pas tij Ihsan Budo (35 vjet internim), 1957.
  • -Në vitin 1961 erdhën  familjarë e të afërm të admiralit Teme Sejko.
  • – Në Kurbnesh vinin shpesh nëpunës të lartë të shtetit dhe specialistë të huaj ndërsa më 1968 erdhi vetë Enver Hoxha.

Në fund të viteve 50 të shekullit të kaluar, në brigjet jugore të lumit të Urakës, nisën punimet për ngritjen e një qyteti për minatorët dhe familjarët e tyre. Bashkë me qytetin u ngrit Fabrika e Pasurimit të Bakrit, miniera, kinema, bibliotekë, shtëpi kulture, duke u kthyer në qendër e rëndësishme të industrisë së bakrit për atë kohë.

Sigal

***

Punëtorët e minatorët erdhën kryesisht nga Mati e Kthella. Specialistët e gjeologjisë, bakrit ishin nga gjithë Shqipëria. Në Kurbnesh vinin shpesh  nëpunës të lartë të shtetit dhe specialistë të huaj. Më 1968 erdhi vetë kreu i shtetit komunist. I nterrnuari i parë ishte Pajo Islami e pas tij Ihsan Budo (35 vjet internim), 1957. Në vitin 1961 erdhën  familjarë e të afërm të admiralit Teme Sejko. Pastaj vijnë: Bardhyl Belishova, familjet e byroistëve : Familja Theodhosi, Hazbiu, Balluku, etj. Në vitin 1992, qyteti kishte 1350 banorë dhe zona e Selitës 5400 banorë ( sot ka tre familje ). Në këtë qytet punuan e drejtuan shumë nga Mirdita e gjithë Shqipëria, disa prej të cilëve u bënë emra me peshë për kohën. Drejtuesit e  e Kurbneshit industrial u ngjitën në administratën qëndrore si Preng Pepa, Ramazan Vladi etj. Në këtë qytet të vogël jetuan e mësuan botuesi e politikani, Fatmir Toçi, ish ministrat e brendshëm të RSH, Luan M Rama  e Sandër Lleshi. Kurbneshi pati një jetë kulturore të pasur dhe cilësore jo vetëm në pasurimin e këngës së re mirditore, por edhe me shaqje estrade e teatri. I pari drejtues kulture ishte  poeti e dramaturgu Ndrec Kolndreu. Pas tij erdhën,  Mihal Baca, Sulejman Kamberi, Servet Cara, Bardhok Koka, Mark Gjoni, etj. I pari Artist i merituar  nga Selita është aktori i shquar i skenës dhe ekranit, Preng Lëkunda. Pas tij, Mjeshtri i madh, Gjokë Beci. Përgjatë kësaj kohe u dallua krijimtaria muzikore e Servet Carës dhe disa krijuesve të tjerë. Në këtë qytet kaluan fëmininë, poetët Preng Maca, Xhelal Luca, Fran Lleshi e Gjovalin Lleshi si dhe soprania Ertila Koka. Krijuesit e studiuesit  Selitas kanë botuar libra e studime si: Gjokë Beci, Ndue Bushkola, Bardhok Pulaj ,Viktor Gjikolaj, Alket Bushi, Mark Përgjoni, Gjon Bushpepa , Ded Rramani, Kol Beci, Bajram Cara, Hysni Cara, Bardhok Arapi etj…

Sporti

Selita sportive ka shkëlqyer me futbollistët e saj  si, Dod Arapi, Albet Arapi, Gjovalin Bushi, Kastriot Kolmarku, por edhe perlatasi Mark Toma , i rritur në qytetin e Kubneshit, futbollist i ekipit ‘’Minatori’’. Arjana Arapi , me gjithë motër ishin dallëndyshet e volejbollit mirditor. Për shumë kohë, Ekipi i Alpinistëve, i drejtuar nga Bashkim Cara, ishte në kategorinë e parë. Sportistë selitas, kanë marrë pjesë në disa spartakiada kombëtare, ku janë dalluar për shpirtin e garës. Sot , qyteti i dikurshëm është zbrazur, por edhe krejt Selita është boshatisur. Këtu kanë jetuar me shekuj brez pas brezi, me vështirësi të mëdha, që jepte terreni e moti i egër, por kurrë nuk ka qënë kjo situatë demografike (ma e ulta e gjithë historisë). Sot të gjitha mundësitë janë nëse selitasit i kthehen vendlindjes me projekte për turizmin, blektorinë dhe bujqësinë. Në Kurbnesh më 13 qershor është dita kulturore e Selitës që përkon edhe me ditën e  SHENANDOUT. Grupi organizator i kësaj dite përsërit ftesën për t’u bërë pjesë e kësaj dite…

MOJ SELITË BAJRAKU!

SOFËR BUJARIE.

KUSH TË ERDH TE PRAGU,

HARROI PËR T’U KTHYE…

Kurbneshi, vend internimi

 

Në vitet e diktaturës Kurbneshi është shfrytëzuar nga pushteti i kohës dhe si vend internimi. Janë disa familje që jetuan për vite të tëra në këtë qytet. Kurbneshi u përdor si vend internimi për shkak të motit mjaft të ftoftë, largësisë nga kryeqyteti, punës së vështirë në minierë, se strukturat e sigurimit ishin në gjendje të kontrollonin gjithçka, etj. Banorët e mbetur të Kurbneshit kujtojnë familjen e Kadri Hazbiut, Koço Theodhosit, Spiro Rushës, Hysen Budës, etj. I kemi njohur mjaft mirë djemtë dhe vajzat e Kadri Hazbiut, pohojnë banorët e pakët të Kurbneshit. “Petriti kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinier, por e caktuan nëntokë si punëtor ngarkim-shkarkimi. Ishte i urtë dhe mjaft i sjellshëm me të gjithë”-sqarojnë ata. Mirditorët ruajnë konsiderata mjaft të mira për Agron Dautin (djalin e dytë të Kadri Hazbiut). Këtë mbiemër mbante Agroni kur luante futboll me skuadrën e Dinamos. Kur e caktuan në galeri nuk e priti mirë një gjë të tillë. Edhe vëllai i madh thoshte herë pas here: “Agroni është i papërmbajtshëm”. Lajmin se ai u vetvra në galeri u prit me dhimbje jo vetëm nga të afërmit, por dhe nga ata që e njihnin e kishin punuar me Agronin. Kur i treguan Petritit nuk e besonte se vëllai ishte vetvrarë. Menjëherë pas njoftimit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe është shprehur: “Edhe këtë na e bëre mor vëlla”! Sipas ekspertizës ai kishte lidhur dinamit në trupin e tij dhe kishte ndezur fitilin. Mirëpo ka dhe minatorë dyshues për ngjarjen. Ata nuk ngurojnë të shtrojnë pyetjen: U vra Agron Dauti apo e vranë? Njerëzit e tjerë të familjes së Kadri Hazbiut punonin në ndërmarrjen komunale. Pjestarët e kësaj familje, por dhe ato të familjeve të tjera të internuara paraqiteshin çdo ditë në zyrën e policisë dhe raportonin vendndodhjen e tyre. Koço Theodhosi fillimisht është caktuar drejtor i Fabrikës së Pasurimit, mirëpo pa kaluar gjashtë muaj ai është arrestuar e burgosur. Djali i tij, Arben Theodhosi ka punuar deri në vitet ’90-të në galeritë e minierës së Kurbneshit, si punëtor transporti.