Sami Frashëri, enciklopedisti i madh, publicist, gazetar, polemist, përkthyes, hulumtues dhe kritik.
Mbrëmjeve Sami Frashëri, së bashku me vëllezërit e vet mësonte gjuhët arabe, perse, frënge e greke, si dhe lexonte veprat letrare
– Për frëngjishten e ndihmoi edhe një francez, i martuar me një kushërirë të tyre nga ku ra në kontakt me idetë e iluminizmit francez
Prof. XHEVAT LLOSHI
Jeta e Sami Frashërit nuk njihet gjerësisht; hulumtimi i mëtejshëm i arkivave turke do të mundësonte që të arrihej te një paraqitje më e plotë e saj. Përshkrimet në gjuhën turke, të cilat nuk kanë qenë të pakta duke filluar menjëherë në vitin e ndarjes së tij nga jeta, nuk janë njohur nga lexuesi shqiptar dhe do të ishte me vlerë përkthimi e tyre shqip, veçanërisht i një “Autobiografie”, shkruar për Ahmet Ihsanin dhe botuar më 1896 në “Servet-i Fünun” më 19 qershor. Përveç përmendjes në tekstet shkollore, në trajtimet e ndryshme për literaturën shqipe, në enciklopeditë, në parathëniet e botimeve të shkrimeve të tij dhe në artikujt me rastin e përvjetorëve të tij, disa njoftime më të plota janë dhënë nga Hikmet Turhan Dağlioğlu (1934), Hikmet Feridun Esi (1944-1945 në gazetën “Aksham”), nga Kristo Frashëri (1955) dhe në librin e A. Levendit, turqisht më 1969, të përkthyer shqip më 2004. Në “Hyrjen” e librit të Hasan Kaleshit Sami Frashëri në letërsinë dhe filologjinë turke (sipas punimit të tij të vitit 1968) janë renditur shkrimet kryesore rreth jetës e veprës së Samiut.

Lindi Samiu më 1 qershor 1850 në Frashër, në familjen që do të bëhej e shquar me emrat e tre vëllezërve, e tre pishtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: Abdylit, Naimit dhe Samiut. Gjyshi Durmish beu, timarat, kishte ardhur nga Berati. Te zëri për fshatin Frashër Samiu në “Kamus” ka shkruar: “Bejlerët e Frashërit e kanë prejardhjen nga kazaja e Tomoricës, që është afër Beratit, por nga nevoja u shpërngulën së andejmi në fshatin Stanimaka [Asenovgrad], që u ishte dhënë si malikane, duke u detyruar të qëndronin aty.” Fjala ‘malikane” do të thotë pronë e madhe. Nuk e di nga e ka gjetur Th. Frashëri (2022), që Frashërllinjtë paskan qenë “malakas” në kuptimin e malësorit; nuk formohen kështu fjalët e shqipes. Libri i këtij autori është me një paraqitje pretencioze edhe nga ana gjuhësore, ndërsa A. Shkurti (2023) i ka bërë një kritikë të ashpër e të gjithanshme, mbështetur në argumente.
Në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut [1655-1661] Frashërllinjtë u lejuan të shpërnguleshin në Frashër. Ata rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Beu, i cili mesa duket e kishte Frashërin vendin e prejardhjes dhe prej tij ka qenë familja e Dumellarëve (apo Dulellarëve), që i bie kështu të ketë qenë mbiemri i tyre. Por në fund të shek. XIX vendin e tyre shterpë shumica e banorëve u detyruan ta lënë. Kështu do të ndodhte më pas edhe me vetë familjen e vëllezërve Frashëri. I ati, Halid Dume/Dule, një bej timarli i rënë nga vakti, ishte martuar më 1835 me Eminenë (lindur më 1814, nga familja Myteveliu-Mirahori e Korçës). Te “Kamusi” Samiu ka shkruar se Mirahor Iljaz beu: “është stërgjysh nga nëna i autorit të ngratë dhe themeluesi i qytetit të Korçës.”; ai vdiq më 1511. Halidi me Eminenë patën gjashtë djem e dy vajza. Motrat quheshin Nafiseja dhe Shahnishaja (1848-1871). Djemtë qenë: Abdyli, Sherifi, Naimi, Samiu, Tahsini, Mehmeti. Djali i fundit Mehmet bej Frashëri (1856-1918) do të bëhej gjithashtu veprimtar i shënuar i lëvizjes kombëtare. Samiu ishte fëmija i katërt në radhë. K. Frashëri e ka gabim që më 1995 e ka quajtur djali i tretë. Mësimet e para i mori po në Frashër, ku veç shkollës, mësoi edhe nga Baba Alushi i njohur dhe myderrizi Mahmud efendi Tepelena. Vetë Samiu ka shkruar: “Bejlerët e Frashërit mbanin në konakët e tyre hoxhë të posaçëm, të cilët u mësonin fëmijëve në mënyrë të përsosur gjuhët arabe e perse.” Sipas Hikmet Turhanit (1934), Samiu u ka treguar fëmijëve të vet: “Nuk më kujtohet të kem luajtur me fëmijët e tjerë, kur kam qenë i vogël”.

Omer Sejfedini (2002), pjesëmarrës në Luftërat Ballkanike, në ditarin e vet ka përshkruar Frashërin, ku u ndodh në atë kohë: “Ky fshat, që ka dhënë kaq njerëz mendjendritur, s’është gjë tjetër, por një copë shkëmbi. Në çdo anë gurë. shtëpitë janë të mëdha dhe të sistemuara mirë. Rrugës fola me disa shqiptarë. U fola për njerëzit e mëdhenj të këtij fshati, për Samiun, Abdylin dhe të tjerët. Më treguan për disa ndërtesa prej guri, që gjendeshin në largësi dhe shtuan: Tani të gjitha janë të zbrazura! Treguan se njerëzit e atij vendbanimi kishin gjetur prehjen në kasaba dhe e kishin harruar këtë dhe.”
Pas vdekjes më 1859 të babait, Halid Frashërit, dhe më 1861 të nënës, barra e familjes i mbeti Abdylit si vëllai më i madh; ai kishte lindur më 1839 dhe kishte qenë në Janinë që më 1857 me të atin. Në atë qytet kishte mjaft shqiptarë dhe miq të familjes së Frashërllinjve. Për të mundësuar shkollimin e më të vegjëlve, Abdyli e shpërnguli familjen në Janinë më 1861 (dhe jo më 1865, sipas K. Frashërit). Ai merrej me tregti e më pas pati një nëpunësi. Aty Samiu bashkë me Naimin do të ndiqte gjimnazin e njohur “Zosimea”, të cilin e mbaroi më 1868 për shtatë vjet në vend të tetë; dëftesa mban datën 14 korrik. (Datat e tjera të dhëna nga disa autorë, nuk janë të sakta). Kështu iu dha mundësia që të mësonte edhe diçka nga gjuhët e huaja: greqishten, latinishten e italishten, por sidomos përvetësoi frëngjishten, që do ta shfrytëzonte me dobi të veçantë gjatë gjithë jetës. Te zëri për Abdylin në “Kamus” ka shënuar: “… mbrëmjeve, së bashku me vëllezërit e vet në formë bisede e këshillimesh, mësonte dhe ushtronte gjuhët: arabe, perse, frënge e greke, si dhe lexonte veprat letrare”. Për frëngjishten e ndihmoi edhe një francez, i martuar me një kushërirë të tyren. Kryesore ishte se aty ra në kontakt me idetë e iluminizmit francez. Nga mësuesit e medreseve përmirësoi njohjen e arabishtes e të persishtes, të cilat ia lehtësuan më pas ta zotëronte shumë mirë turqishten osmane, që do të bëhej gjuha kryesore e shkrimeve të tij, krahas shqipes amtare. Punoi disa kohë në zyrën e korrespondencës zyrtare dhe kur gjeti punë në Stamboll, ai kaloi atje më 1872, duke shpresuar të plotësonte ëndrrën e vet për t’u bërë shkrimtar. Gjeti vend si nëpunës më 1873 në Zyrën e shtypit (Matbuat Kalemi). Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane jo vetëm mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare së bashku me rilindësit e tjerë, por edhe u njoh me intelektualët përparimtarë turq më në zë, e në veçanti me letrarët dhe gazetarët, duke u përfshirë në jetën politike e kulturore turke, aqsa të bëhej përfaqësues i shquar i saj dhe kështu u bë i pari shqiptar, që u përket me meritë dy kulturave.
Sipas A. Budës te “Historia e Shqipërisë” (1984, vëll. 2) më 1871 atdhetarët shqiptarë në Stamboll i rifilluan përpjekjet për krijimin e një organizate patriotike, të bëra që më 1864 dhe një rol të rëndësishëm në këto përpjekje, krahas K. Kristoforidhit, luajti H. Tahsini, ndërsa rreth tij “u bashkuan jo vetëm personalitete që ishin aktivizuar qysh në përpjekjet e para, por edhe intelektualë të rinj si Sami Frashëri, Jani Vretoja etj.” Ky është një montazh dashamirës, por jo i vërtetë në histori. Për K. Kristoforidhin kam shkruar hollësisht më 2021 dhe nuk do të paraqes citime këtu. Ndërsa Samiu më 1871 ende nuk kishte ardhur në Stamboll. Për fat të keq përralla për një mbledhje më 1864 në Stamboll, që të përcaktohej alfabeti i shqipes dhe të botoheshin libra shqip është përsëritur nga A. Uçi në ribotimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar” më 2009 (vëll. 3) te zëri për Jani Vreton. Kjo tashti, të shkruash se në mbledhjet për alfabetin më 1864 paska marrë pjesë edhe Samiu, është në kufirin e qesharakes, sepse Samiu atëherë ishte 14 vjeç dhe ndiqte mësimet në gjimnaz. Këto njoftime antihistorike janë përsëritur edhe te zëri për Ismail Qemalin nga K. Naska po në atë vëllim, ndërkohë që vetë kjo autore thotë se Ismail Qemali më 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë. Më 1864 Ismail Qemali u martua me ngulmimin e së ëmës, ndërsa në Stamboll u kthye në pranverën e vitit 1865. Historia nuk duhet të shkruhet me dokrra të sajuara. Përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve për një alfabet të përgjithshëm para vitit 1879 i kam trajtuar më hollësisht në librin “Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip” (2021).
Koha kur u shtjellua veprimtaria e Samiut ishte pas reformave të Tanzimatit. A. Levendi (1969) e quan se atëherë nisi jeta kulturore e kohëve të reja në Turqi, u mundësua shfaqja e gazetarisë, u lëvruan gjini të reja letrare, pati hapje në fushat e shkencës dhe të kulturës. Është e kuptueshme që pati edhe kundërshtime të forta nga rryma konservatore, ndërsa vitet e fundit të sulltan Abdyl Azizit e më pas të “sulltanit të kuq” Abdylhamidit ishin vite të errëta, madje edhe me goditje të rënda nga jashtë për Perandorinë, që tashmë quhej “e sëmura e Bosforit”.
Për rrugën e mëtejshme politike në këto rrethana do të zhvillohej një ndeshje e gjerë ndërmjet tri rrymave: osmanizmit, islamizmit dhe turkizmit. Samiu përfundimisht përqafoi drejtimin e tretë, të nacionalizmit turk, i cili ishte përftuar nën ndikimin e ideve të Revolucionit Frëng, të romantizmit europian, por edhe prej një faktori të fuqishëm, që ishte ngritja e nacionalizmit te popujt e nënshtruar të Ballkanit. Në nivelin ideologjik ishte një rilindje, e cila u shpreh në hulumtime të gjera historike, etnografike, gjuhësore e folklorike. E tillë ishte edhe Rilindja shqiptare, edhe lëvizja e turkizmit. Prandaj për Samiun qëndrimet e tij ideologjike ishin më të ndërlikuara. Ai ishte atdhetar i përkushtuar shqiptar, por u përfshi edhe në drejtimin e turkizmit. Me fjalë të tjera, ai e shihte rilindjen dhe përparimin ndriçimtar në të dy krahët. Kundërshtimi i osmanizmit do të thoshte pranimi i një fryme të re përparimtare për vetë turqit, dhe njëkohësisht pranimi i kërkesave kombëtare të popujve të tjerë, e në radhë të parë të popullit shqiptar. Megjithatë, studiuesi japonez Y. Ishimareu (2006) ka vënë në dukje se në fillimet e veta, më 1876, te “Sabahu” Samiu shkruante në frymën e osmanizmit dhe një herë ka shkruar edhe: “Ne, osmanlinjtë, përpiqemi të mbrojmë të drejtat e vatanit tonë të përbashkët.” Edhe K. H. Karpovi (2017) e ka cilësuar osmanist dhe ka shkruar: “Samiu e konsideronte vetën si një ‘turk’, ngaqë ishte anëtar i elitës shtetërore osmane dhe ai nuk shihte kurrfarë konflikti midis identitetit të tij politik osman dhe etnisë shqiptare”. Madje ky autor ka nxjerrë në pah përkrahjen fillestare të Samiut, që shihet edhe te dhurimi i ‘Alfabetares’, për sulltanin si emir i gjithë myslimanëve. Kjo ndodhte në fillimet e së ashtuquajturës Çështje Lindore, lidhur me problemet e Bosnjë-Hercegovinës. Por do të ishte çështja shqiptare më 1878, e cila do ta bënte të kuptonte më thellë prapambetjen e shoqërisë osmane. Sidomos në revistën “Hafta” ai shprehu idetë e veta etnike, duke e lënë termin osman vetëm për shtetin. Lidhur me umetin, ai tashmë e përcakton të lidhur me gjuhën dhe jo me besimin. Për Samiun gjuha ka qenë kriter i identitetit etnik, dhe prandaj ajo do të shërbente edhe për futjen e qytetërimit perëndimor në Perandorinë Osmane, duke nënvizuar rëndësinë e vetëdijes etnike.
Pjesëmarrjes së Samiut në lëvizjen nacionaliste turke G. Shpuza i ka kushtuar një kumtesë të gjatë (2004), si dhe një tjetër më 2006. Sipas autorëve turq, Samiu i përkiste tërësisht turkizmit, madje ishte një prej pionierëve të nacionalizmit turk. J. Akçura është shprehur: “Ai është nga mbrojtësit e parë të turkizmit dhe të turkologjisë.” Kumtuesi Zeki Gyreli (2006) është shprehur: “Veçoria kryesore që e dallon atë nga bashkëkohësit e tij letrarë dhe mendimtarë është fakti, se ai me kohë e kishte kuptuar fuqinë e ndjenjës nacionaliste, që me shpejtësi marramendëse po përhapej anekënd Europës. Kjo veçori dhe qasja e tij shkencore ndaj kësaj çështjeje e bëjnë Samiun njërin prej prijësve ideorë të nacionalizmit turk”, si dhe një personalitet të shquar ndër shkrimtarët e vijës së nacionalizmit turk. Në zanafillën e turkizmit kishte qenë Ahmed Vefik Pasha (ndër të tjera, autori i të parit fjalor të turqishtes së Anadollit), ndërsa pasuesit e tij ishin Sulejman Pasha (hero i Shipkës, autor i një “Gramatike të turqishtes”), Aliu Suavi dhe Sami Frashëri në fushën e letërsisë dhe të shkencës, me synim arsimimin dhe përparimin e popullit. Shoqata turkiste, në të cilën sipas Z. Gyrelit bënte pjesë edhe Hasan Tahsini, botoi gazetën “Ikdam”. Gjithsesi, Z. Gyreli e quan se Samiu e mori si pikënisje të veprimtarisë së vet turkizmin, por: “Qëndrimi i tij në këtë temë është më tepër akademik sesa politik.”
Ndërkaq, vlerësohet roli i tij në procesin kombformues si shqiptar, edhe turk, mirëpo atëherë do të dukej se këto dy anë bien në kundërshtim njëra me tjetrën. Për ta kapërcyer këtë, disa nga studiuesit turq kanë folur për një identitet të dyfishtë të tij. G. Shpuza e quan këtë rrjedhim të mitologjizimit të figurës së Samiut nga historiografia turke dhe shqiptare. Diskutimi kishte nisur në vitet 30-40 të shek. XX lidhur me manifestin politik të Samiut, kështu që ose ai nuk ishte autori, ose ishte tradhtar i çështjes nacionale turke. Kapërcimin e kundërtisë autori i kumtesës e sheh te shqyrtimi i momenteve të jetës dhe të veprimtarisë së Samiut dhe te shkallët e ndryshme të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të lëvizjes nacionalist turke.
Nesër do lexoni:
Vepra Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe çdo të bëhetë manifesti i Rilindjes Kombëtare
- – Mendime për shpëtim të mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuar është quajtur Manifesti.
- -. Që në rreshtat e parë të veprës Samiu pohonte: “Shqipëtarët janë m’i vjetër i kombevet t’Evropësë.”
- – Shqipëria ka të drejtën historike për të dalë një shtet më vete, i lirë e i pavarur, si një komb me histori të lashtë.
- – Zëri i shqiptarëve është dëgjuar vetëm kur është dëgjuar krisma e armëve të tyre dhe kur interesat e tyre janë përputhur me interesat e disa fuqive të mëdha.



















