Kozma Gjini:Angazhimet e Naje Kondakçiut e takimet me Enverin

26
Sigal

-Treguat, se u ka rënë rasti të takoni disa herë me sh.Enver. Si e në ç’rrethana ka ndodhur kjo gjë?

-E di që ndokush do verë buzën në gaz për këtë që do të them, por unë e kam për nder që kam qënë vajza që kam patur disa herë rastin ta takoj, por edhe të shkëmbej fjalë me sh. Enver. “Nuk më harrohet dita kur e takova për herë të parë udhëheqësin e vendit. Isha vajzë e re dhe punoja në shtëpinë e kulturës të fshatit Këmishtaj. Isha zgjedhur sekretare e Komitetit të rinisë në kooperativë. Në Tiranë, në pallatin e sportit, u organizua një takim me rastin e 20-vjetorit të themelimit të organizatës së gruas. Në atë takim mora pjesë edhe unë si e ftuar. Pata nderin të më zgjidhnin në presidium pranë shokut Enver… dhe pas kaq vitesh, kur e kujtoj më duket si ëndërr, pasi ishte një gjë e mrekullueshme. Në raportin që mbajti shoqja Nexhmie Hoxha përmendej edhe emri im (Naje Kondakçiu-Allkanjari…, një vajzë fshati që ka thyer disa koncepte…e në radhë të parë ka mbaruar shkollën në Tiranë, i bie fizarmonikës e kitarës dhe ka mësuar të ngasë biçikletën si e para vajzë nga Myzeqeja…etj” Në atë kohë kjo ishte një gjë e rrallë, se thashethemexhinjtë bënin të tyren. Shoqja Nexhmije vazhdonte leximin e raportit: “…Gratë e fshatit pyesnin: A është Naja në grupin artistik? Po të jetë ajo, edhe unë e çoj çupën time të këndojë e të vallëzojë në grupin artistik”. Në atë kohë u bë një revolucion në fushën kulturore dhe pati shumë aktivitete e gjallëri në organizatën e rinisë.

Shoku Enver u anua paksa nga unë dhe më pyeti: -Që nga je, ti vajzë?  -Nga Këmishtaj e Lushnjës, -i thashë unë duke u dridhur nga emocionet. -Kam dëgjuar fjalë të mira për fshatin tënd dhe veçanërisht për rininë, se m’i ka treguar Nexhmija. Bravo! -Po, si e ke emrin?  -Naje Kondakçiu,- i thashë unë.  -Më thuaj pak, a vijnë të rinjtë në aktivitetet, që bëni në fshat?  -Posi, shoku Enver! Mbushet salla plot me njerëz, të cilët e ndjekin në këmbë shfaqjen. -Dmth, keni sallë të vogël.  -Për fshatin tonë nuk është e vogël, por në shfaqjet tona vijnë edhe të rinj nga fshatrat e tjera dhe nuk i nxë salla. -Bëjini shfaqjet jashtë, në natyrë. Edhe bota  në natyrë i bëjnë shfaqjet, në ajër të pastër. Më gëzove shumë me këtë që më tregove,- tha shoku Enver. Pastaj më pyeti: -Nuk më the, çfarë arsimi, çfarë shkolle ke mbaruar ti? -Liceun, i thashë unë. Ai pastaj drejtoi shikimin nga podi, ku Nexhmija vazhdonte leximin e raportit e fliste për mua. Kur këto që sapo i kisha treguar i dëgjoi në raport, Ai u kthye nga salla dhe pasi më kishte përqafuar mua, tha: “Le të thonë çfarë të duan thashethemexhinjtë! Ju gjithmonë vazhdoni të ecni përpara. Mos u tërhiqni nga fjalët, nga thashethemet, se shoqet do të vijnë pas shëmbullit tuaj”. Dhe me të vërtet kështu ndodhi. Shumë vajza ndoqën shkollat e gjallëruan grupet artistike nëpër fshatrat e tyre.

-Keni raste të tjera nga takimet me Enver Hoxhën?

-Kam disa, po dhe një rast do të tregoj. Isha delegate në Konferencën e 13-të të rrethit tonë. Në konferencë kishte ardhur edhe sh. Enver. Në darkë, grupi i Këmishtajt, të cilin e dirigjoja unë, dha koncert përpara shokut Enver. Edhe sot më bëhet mornica kur kujtoj që me fizarmonikë në krah, dirigjoja grupin artistik të fshatit tim, kurse trupi më dridhej. Të kuptohemi, niveli ishte ai që ishte në atë kohë, (1963).  Shoku Enver ngrihej në këmbë dhe vazhdimisht përplaste duart, ngaqë në grupin tonë kishte shumë vajza nga fshati. Ditën e dytë, kur po dilnim në fotografi, me bazë kooperative, shoku Enver erdhi tek ne dhe tha: “Më pëlqeu grupi juaj artistik. Po ajo vajza që i binte fizarmonikës, nga qyteti është?”  “Jo, i thanë shoqet, është kjo, Naja…dhe ai u përkul paksa dhe më takoi e më përqafoi me dashuri duke më thënë:”Nuk të njoha, se mbrëmë ishe e veshur me fustanellë popullore myzeqare.” Shoku Enver më përgëzoi dhe më tha:”Bravo! Më keni gëzuar shumë me shfaqjen tuaj. Shumë mirë. Mos u tërhiqni nga konceptet, por luftoni për emancipimin e gruas në Myzeqe.” Kam patur fatin e madh që kam marrë pjesë në 6 Kongrese: në Kongresin e 6-të dhe të 7-të të Partisë dhe në Kongresin e 6-të, 7-të, 8-të, 9-të të BGSH-së. Kam takuar me shokun Enver në Kongresin e 7-të të BGSH-së në Shkodër ku përsëri isha në Presidium. Shoku Enver më pyeti në një nga sallat e çlodhjes në kohë pushimi për shoqet e Myzeqese, për emancipimin e tyre e sidomos për fatin e vajzave të Zgjanës. Unë i tregova shokut Enver për përparimet që janë arritur në Myzeqe dhe në Zgjanë për emancipimin e gruas. Në Kongresin e 7-të të Partisë kam takuar përsëri me shokun Enver e kemi dalë dhe në fotografi.  Kam patur fatin të takoja përsëri  shokun Enver në vitin 1969 në Pogradec. Isha me pushime së bashku me Petraqin. Një ditë, ne dolëm vonë nga kampi dhe si duket qe fati ynë… Kur po ecnim, shikojmë shokun Enver që po vinte që nga rruga e vilës ku pushonte. Me pamjen tërheqëse e trupin siç e kishte ai… u afrua drejt nesh. Na përshëndeti dhe unë i afrova karrigen. Ai na përshëndeti, më falenderoi dhe u ul. Isha me burrin dhe një shok tjetër. -Që nga jeni ju?  – Nga Lushnja,- i thamë ne. -Ku punoni? -Në organizatën e gruas – thashë, kurse unë jam student, i tha im shoq. -Sa fëmijë keni? -Një djalë. -Ah! ç’ jeni ju çiftet e reja, sot! Bëni një djalë dhe një vajzë dhe e lini me kaq e nuk mendoni se do shtuar Shqipëria. Po shëmbulli personal si përgjegjëse e gruas, ku është? – Mirë është që të kesh dy djem dhe një vajzë, i thashë. Shoku Enver qeshi me zë dhe foli: -Ah! Mua me Nexhmijen nuk na la lufta, po ju tani keni kohë të bukur, keni bollëk e kushte të mira për t’i rritur fëmijët. Biseda vazhdoi gjatë e për shumë probleme. I kam pafund shënimet dhe kujtimet. Ai interesohej shume për jetën në fshat, për emancipimin e gruas, për aktivizimin e të rejave në jetën kulturore, për fejesat e martesat etj. Shoku Enver tha: “Këtu kemi ardhur për pushime e duhet ta çfrytëzojmë diellin dhe rërën tonë se kur të kthehemi na presin hallet e punët. Vizitojini edhe zbulimet arkeollogjike këtu në Pogradec, se janë të bukura e tregojnë kulturën e popullit tonë,”- dhe në këto momente, njerëzit ishin grumbulluar rreth shokut Enver dhe u bë si një meting i paplanifikuar.

-Kishte delegacione të huaja në Kongresin e 10 të BGSH?

-Tematika e Kongresit ishte “Afirmimi i personalitetit dhe rritja e dinjitetit të gruas shqiptare”. Kongresi i 10 i BGSH i filloi punimet më 7 qershor 1988. Kishte delegacione te disa vendeve, po me sa më kujtohet, nuk është  se ishin të vendeve të rëndësishme të Evropës.Kam mbajtur disa shënime nga punimet e atij Kongresi.(Hap fletoren e shënimeve).Pasi folën nga shoqet tona: Afërdita Shabani, Valentina Leskaj, Loreta Kalaci, Eli Xoxa etj, nisën të përshëndesnin delegacionet e grave të vendeve të huaja: Përshëndetën kongresin: Kryetarja e delegacionit të grave të Vietnamit Truong My Hao; ajo e delegacionit Panafrikan të gruas Hardiel Rahantamala; kryetare e Lidhjes së grave të Zimbabve Xhois Muzhuru; kryetare e grave të Brazilit; Lilian Pereira; kryetare. e grave të Danimarkës; Lotte Roertaft-Madson; kryetare e delegacionit Ekuadorit. Alisia Noronjatë kr. e delegacionit të Egjiptit Zejnab Efni; delegacioni i grave të Kanadasë Sushil Kor; delegacioni i Portugalisë Manuela Tavares; i grave të Spanjës Lusia Arago; ajo e Sirisë Jeser Blanko; e Tanzanisë Xhois Hamisi etj. Sh.Lumturi Rexha, Presidente e Kësh. Përgjithshëm. të BGSH, dha një pritje për delegacionet e huaja.

-A jeni e vlerësuar me çmime apo stimuj të tjerë për kontributin tuaj gjatë kësaj periudhe?

-Mbaj disa urdhëra e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si: “Urdhër për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore, të Kl.II.-te” “Urdhër me rastin e 40-vjetorit të çlirimit për kontributin e dhënë në drejtim të emancipimit të gruas dhe angazhimin në veprimtaritë kulturore e artistike me masën e rinisë dhe të rejave dhe luftën kundër zakoneve e mbeturinave të huaja” Me dekret të Pres. Kuv.Pop. nr. 6161. “… dalluar për një punë shumë të mirë e të palodhur duke vënë të gjitha aftësitë për organizimin, drejtimin e gjallërimin e jetës së org. së rinisë e të gruas”.