Gëzim Tushi: Politika e mbrapshtë, përgjegjëse për emigracionin masiv

Flet Dr. Gëzim Tushi/ Jemi të vonuar në diagnostikimin e shkaqeve të emigracionit , të cilat janë politike, sociale, ekonomike e patriotike. Rënia e lindjeve nga 2.3 në 1.3 dhe pse mosha shkollore nga 1 mln në vitet 1992 ka arritur në 450 mijë, si dhe ajo mesatare nga 27 në 38.2 vjeç. Ka politikanë cinikë, të korruptuar, mosmirënjohës dhe indiferentë për hallet dhe varfërinë e qytetarëve

Të mos harrojmë që tre dekada më parë kemi qënë vendi me popullsisnë më të re në moshë 27 vjeç dhe tani 38.2 vjeç,

– 30 vjet më parë kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e sot kemi 450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për grua.

NOA

-Nuk mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë.

Pesha kryesore e përgjegjësisë për emigarcionin bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese e punëve në këtë vend

-Emigracioni nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale, ekonomike, kulturore e patriotike.

– Debati për emigracionin në parlament ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk ka dëgjuar argumentet e tjetrës.

– Emigracioni, është kthyer në një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen e vendit.

– Shqipëria po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet në shfaqjen e “defiçitit demografik”.

-Kohët e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit dhe kjo tregon se disa politikanë qëndrorë dhe vendorë janë drejt degradimit.

-Nuk janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët, por janë politikanët cinikë, mosmirënjohës dhe indiferentë ndaj problemeve të qytetarëve

– Përkundrazi ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe personalitet public.

– Shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, rendit social.

Intervistoi :Albert Z. ZHOLI

Problemet e shoqërisë shqiptare janë të shumta. Por sipas specialistit Tushi shumë probleme shqiptare vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare. Si një ndër socialogët më në zë shqiptar të viteve të fundit Tushi gjithmonë me guxim dhe me fakte sjell përpara publikut ato çka e shqetësojnë më shumë shoqërinë shqiptare dhe madje jep dhe rrugët e shërimit ndaj këtyre problemeve. Sigurisht një ndër problemet më të shumta është emigracioni, niveli i ulët i përfaqëimit të deputetëve, mangësia e formimit të tyre por dhe vendosje apo afrimi në politikë e “të fortëve” në shoqëri kur bota e qytetëruar preferon dhe propogandon intelektualët më të mirë. Pra këto do jenë disa nga problemet që do lexoni në këtë intervistë…

Pyetje: Emigracioni masiv i shqiptarëve ndaj vendeve perëndimore nuk ka të ndalur. A ka kush përgjegjësi për këtë situatë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Ballkanit?

Patjetër që dikush apo shumëkush kanë përgjegjësi politike, morale apo pse jo edhe të personalizuar. Besoj se pesha kryesore e kësaj përgjegjësie bie mbi klasën politike, menaxhuese e administruese të punëve në këtë vend. Të dy palët: pozita dhe opozita. Me vjen keq ta them, por debati për emigracionin asnjëherë nuk është bërë proces i “diagnostikuar” me përgjegjësi politike, sociale, ekonomike, kulturore e patriotike, duke “skanuar” ontologjikisht shkaqet objektive dhe subjektive të këtij fenomeni. Ka munguar një strategji “prej vërteti” që të jetë politikisht e arsyeshme dhe konsensuale. Shpesh në Parlament edhe kur është bërë ndonjë diskutim, ai ka qënë periferik. Më së shumti debati ka degjeneruar në “betejë ulërimash”, ku asnjëra palë nuk ka dëgjuar argumentet e tjetrës. Koha kërkon ndërhyrje të shpejta, strategji integruese, afatshkurtra, afatmesme e afatgjata. Ndryshe situata mund të bëhet akoma më problematike. Padyshim emigracioni, të paktën në përmasat, që zhvillohet dhe dimensionin social dhe demografik që ka marrë është kthyer në një “plagë sociale” komplekse shumë dimensionale, me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen e vendit, ekonomisë, zhvillimit kulturor dhe popullsisë në vendin tonë. Nuk jemi objektivë nëse nuk pranojmë që largimet e njerëzve nga vendi ka arsyet e veta. Duhen bërë sa më shpejt të jetë e mundur diagnostikime të diferencuara të këtyre shkaqeve dhe jo thjesht slogane politike, që vetëm e justifikojnë këtë realitet. Largimi i njerëzve, sidomos i të rinjve nga vendi është një “lajm i keq”. Padyshim duket se papunësia dhe emigracioni janë dukuri sociale të lidhura me mirëqenien dhe plotësimin e nevojave bazike e humane. Ai më së shumti ka qenë një histori e dhimbshme individuale, sociale dhe tani edhe demografike, të cilën politika shqiptare nuk ka mundur ta “diagnostikojë” dhe pastaj edhe të mund ta shërojë. Dështimi i politikave për demotivimin e emigracionit, është një nga shkaqet e “thyerjes së besimit” midis elektoratit dhe politikës. Kanë kaluar tre dekada dhe akoma politika e pozitës dhe opozitës për emigracionin ose ka mbetur në “ajër”, ose është kthyer në një lloj përgjegjësie “pluskuese” ose e shpërndarë dhe thjesht për efekte politike dhe përllogaritje elektorale të rradhës. Nivele të tilla emigracioni mund të jenë të “justifikuara” kur ka situatë lufte apo fatkeqësi të rënda natyrore e mjedisore. Për fat ne nuk kemi asnjërën prej tyre.

Nuk janë të mjaftueshme sloganet justifikuese apo deklaratat e njëanshme, që duan thjesht ta barazojnë këtë dukuri me pasoja vetëm me sintagmën demokratike të të drejtave të njeriut. Po kjo është e vërtetë që jetojmë në një botë me treg të globalizuar dhe njeriu ka të drejtë të jetojë dhe punojë kudo. Por nga ana tjetër po përballemi me shqetësime serioze sikurse janë plakja e popullsisë, largimi i të rinjve, tkurrja e tregut të punës apo mungesa e profesionistëve të caktuar. Nuk mund të jesh i qetë kur statistikat flasin se vetëm në vitin 2022 kanë kërkuar vetëm azil politik në vendet e BE gati 32 mijë vetë, apo që jemi vendi që kemi rritmet më të larta të plakjes së popullsisë. Dhe të mos harrojmë që tre dekada më parë kemi qënë vendi me popullsinë më të re në moshë 27 vjeç dhe tani 38.2 vjeç, që kemi patur rreth 1 milion fëmijë të moshës shkollore e sot kemi 450 mijë, që kishim 2.3 fëmijë për grua dhe tani vetëm 1.3 fëmijë për grua.

Shqipëria po plaket dhe në këtë proces demografik emigracioni ka pjesën e vet në shfaqjen e “defiçitit demografik”.

Nga ana tjetër, nëse do vazhdojme këto ritme rënia e lindshmërisë dhe vazhdimi i pandalshëm i emigracionit, atëherë jo vetëm shoqëria shqiptare do plaket dhe do bëhet shoqëri me “flokë të bardha”, por do detyrohemi të mendojmë për të importuar nga jashtë brezin e ri. Gjithashtu do agravohen problemet, që kanë të bëjnë me nevojat e tregut të punës si dhe sistemet kryesore të mbrojtjes dhe kujdesit social. Kjo besoj është arsyeja pse duket qartë pse preferencat e njerëzve që duan të ikin dhe të emigrojnë, janë të ndryshme nga preferencat dhe deklaratat qeveritare. Nëse ato nuk përputhen ekuacioni nuk ka zgjidhje. Zgjidhja kërkon që shoqëria dhe ekonomia shqiptare të ketë ritme më të larta zhvillimi përmes një lëvizjeje më të shpejtë dhe cilësore në të gjitha fushat e jetës.

Nuk mund të ndalet emigrimi pa vendosur në shina të sigurta “trenin” e shtetit ligjor, pa garantuar reformën në drejtësi dhe besimin në sistemin gjyqësor. Është ultimative rritja tek njerëzit tanë i kuotës së besimit se në këtë vend do ketë drejtësi sociale, system meritokratik vlerash dhe jo deformacione nepotike. Duhet medoemos një përqëndrim më i fortë në goditjen e korrupsionit. Sidomos në politikë dhe administratën publike. Nuk mban më koha pa realizuar rregullimin e raporteve të tregut të punës me reformën universitare, në mënyrë që të zbutet fenomeni i zgjeruar i “proletariatit të të diplomuarve”, që mbarojnë shkolla duke mbetur jashtë tregut të punës. Doemos edhe media duhet të zbutë tonet nihiliste e denigruese ndaj realitetit tonë, duke krijuar dhe ushqyer sintagmën se “ky vend nuk bëhet” apo se “duhet ikur nga ky vend”. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore, urbane, sociale e mjedisore, është konditë ‘sine qua non’ për të ndryshuar imazhin dhe realitetin e vendit tonë. Vendi ynë dhe të rinjtë tanë nuk kanë nevojë për “ilaçe mediatike”, që ushqejnë mosbesim dhe pesimizëm.

Cilët janë faktorët kryesorë të këtij emigrimi edhe pas 33 vitesh?

Në mënyrë sintetike besoj se faktorët e këtij emigracioni me përmasa paradoksale janë dy. Në një optikë filozofike, mund të themi se njëri është faktori subjektiv individual, që lidhet me pakënaqësinë, mungesën e shpresës, padurimin dhe iluzionet e krijuara nga situata. Dhe faktori i dytë lidhet me situatën ekonomike e sociale brenda vendit. Më saktë ndër dy faktorët, njëri është i brendshëm dhe ka lidhje me varfërinë ende të lartë, papunësinë e padominuar, tranzicionin e zgjatur, nivelin akoma jo të kënaqshëm të shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore. Shqiptarët janë europianë dhe besojnë se Europa është edhe “shtëpia e tyre”, prandaj po shfaqin një ndjenjë të natyrshme padurimi për të ecur akoma me shpejtësinë e “trenit të ngadaltë” të tranzicionit 30 vjeçar.

Padyshim në këtë tendencë eruptive të emigrimit kanë ndikimin e tyre edhe situatat sociale që zhvillohen në vendin tonë, sikurse janë niveli i lartë i krimit, neurotizmi social, dhuna e zgjeruar në familje dhe jetën publike, nivelet shqetësuese të korrupsionit zyrtar, avashllëku dhe burokracia e zgjeruar e administratës publike dhe plot faktorë të tjerë strukturorë e infrastrukturorë.

Faktori i dytë është diferenca e dukshme e standarteve dhe nivelit të jetës në vendet e perëndimit. “Magneti” i Perëndimit është tejet atraktiv me praninë e shtetit të mirëqenies sociale, standartin e jetës dhe cilësinë e lartë të shërbimeve shëndetësore, arsimore si dhe statusin përgjithësisht të shoqërisë paqësore e mikpritëse.

Nga ana tjetër duhet parë realiteti matanë atdheut, sepse sigurisht jo të gjithë shqiptarët që emigrojnë kanë fat në procesin e ndërlikuar të adoptimit me realitetet në emigracion apo me sfidat e vështira të nacionalizimit dhe fitimit të statusit të qytetarit të barabartë në vendet ku emigrojnë. Një pjesë prej emigrantëve tanë bëjnë kompromise të detyruara dhe “adoptohen” me ndryshime drastike të statusit, që kanë patur në vendin e tyre. Kjo do të thotë se shpesh edhe intelektualë me status të përcaktuar si inxhinier, mjek, mësues, pedagog, aktor apo regjisor jo gjithmonë kanë shansin të ushtrojnë profesionin e tyre. Studimet tregojnë se kur emigrojnë përgjithësisht njerëzit bien dy ose tre gradë në shkallën sociale. Ndërkaq është e njohur trajektorja apo kurba zhgënjyese dhe dezilonuese e emigrantit: Ikën nga Shqipëria i mërzitur nga vështirësistë e jetës dhe shpesh i zhgënjyer edhe nga realitetet e vështira të emigracionit me dëshirë rikthehen në atdhe, me shpresën se gjërat do jenë përmirësuar, se sistemi i vlerës dhe meritës do jetë efektiv, se cilësia e shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore do jetë përmirësuar. Por kur shikojnë se gjërat nuk janë aty ku ata besojnë se duhet të jenë, bëjnë përsëri gati “valixhen e emigrantit” dhe largohen përsëdyti. Ndoshta këtë herë dhe përfundimisht.

Është me rëndësi të dorës së parë që politika dhe ata që janë në “bordin e shoqërisë” të shtojnë përpjekjet dhe të ndërtojnë strategji më të akseleruara për të rritur “kapacitetin riadoptues” të vendit për të pritur emigrantët e riatdhesuar. Emigracioni në Europë po kalon krizat e veta, të cilën po e përjetojnë edhe njerëzit tanë. Në këto kushte është e pritshme të kemi edhe procese irreversibile të rikthimeve dhe riatdhesimit të njerëzve tanë në atdhe. Por kjo kërkon politika për krijimin e kushteve të procesit të “vetabsorbimit” të tyre në tregun e punës dhe shërbimeve.

Nesër do lexoni

– Ka një “rënie në pikiatë” të besueshmërisë dhe kredditeve të politikanëve tanë në jetën e sotme politike dhe publike

–Kohët e fundit janë shtuar rastet e korrupsionit dhe kjo tregon se disa politikanë qëndrorë dhe vendorë janë drejt degradimit.

-Nuk janë qytetarët cinikë dhe xhelozë me politikanët, por janë politikanët cinikë, mosmirënjohës dhe indiferentë ndaj problemeve të qytetarëve

– Përkundrazi ata i respektojnë politikanët me dinjitet, integritet moral dhe personalitet public

– Shumë politikanë nuk janë në gjëndje të kuptojnë pasojat sociale të sjelljes së tyre, pengesat që i krijojnë zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, rendit social

– Nganjëherë përmallemi me aparatçikë mediokër dhe nëpunës të nivelit të ulët dhe në raste të tjera, me ndonjë nëpuëns të ditur por të korruptuar

– Kur në demokraci tronditet rendi social, si rregull shkaku është se “politikanët kanë filluar të mendojnë vetëm për vete”.

– Çudi, ne përzgjedhim vetëm ata njerëz që shfaqin ambicje politike, por që nuk i kanë cilësitë adekuate, aftësitë kulturore e profesionale