Sefer Pasha: Si e shpëtoi Jorgo Sulioti Drejtorin e Sigurimit në malet e Janinës

578
Sigal

Gjesti i lartë i policit Skënder Mema vikat si vargjet e Ndre Mjedës për gegët e toskët

Studiuesi Zaho Golemi, i cili merret me arkivat më befasoi kur në faqen time të fejzbukut kishte postuar disa poezi, tregime, fejtone e reportazhe të botuara në shtypin e kohës në diktaturë kur isha djal i ri. I lexova krijmet e atyre moteve me shumë dhimbje. Në krijme përmendej shpesh socializmi, partia, Enver Hoxha e Byroja Politike. Nuk ja vlente që t’i përmblidhja në një libër më vete. Ishin mollë të kalbura. Por një tregim ma ngacmoi imagjinatën. Me artin tim mediokër nuk i ndahesha këmba – këmbës heroit pozitiv dhe njeriut të ri. Tregimin pasi e lexova e hoqa mënjanë. Kisha shkruar një ngjarje të jetuar. Personazh kisha “Heroin e Popullit” Jorgo Suliotin nga Gjirokastra. Heroi që përshkruaja një natë së bashku me një zbulues fare të ri i kishte zënë dëbora në malet e Janinës. Zbuluesi ishte 21 vjeç. E kishte shërbimin e parë në tokën helene. Të dy i zuri cikloni. Heroi Jorgo Sulioti ishte i kalitur me vaj e me uthull. Kurse zbuluesit të ri filluan t’i ngrijnë veshët dhe maja e hundës. Jorgo Sulioti u vu në pozitë të vështirë. Po i rrezikohej jeta e oficerit të zbulimit. Më në fund ai shkon në një stan të braktisur të barinjëve grekë. Aty gjen vetëm një kalë. “Ujku” i vjetër gjeti gjithashtu një gunë të dhirtë. E mer gunën dhe ja hedh kalit mbi kokë. E zë për krahu zbuluesin e ri dhe e fut nën gunë, ku ishte mbuluar koka e kalit. Kafsha qe kaba e madhe. Kur kali shfrynte: lëvizte guna e dhirtë. Heroi kokën e zbuluesit e puthiti pas asaj të kalit. Mos luaj i tha ai zbuluesit. Guna e dhirtë qe e madhe dhe zbuluesi nisi ta ndjejë ngrohtësinë e frymëmarrjes së kalit, që për fat qëlloj i urtë. Nuk hodhi vickla. Edhe pse binte borë ajo nga “zjarri” i frymës së kalit shkrinte menjëherë. Edhe vetë Jorgo Sulioti e futi kokën nën gunë. Kështu ata u bënë tre kokë. E kalit, e zbuluesit dhe e Heroit. Ishte natë dhe pas disa orësh guna mbi kokën e kalit u nxeh si furrë nga frymëmarrja e kafshës. Zbuluesi filloi ta marrë veten. Filloj t’i ngrohet trupi. Heroi, Jorgo Sulioti, ja mbështolli të dyja këmbët me plehun e bagëtive të barinjëve grekë. Plehu e mbronte nga ngrirja e lëkurës së trupit. Këtë e dinte Heroi. E kishte hequr mbi kurriz dhe herë të tjera. Në mëngjes zbuluesi i ri e përqafoi Jorgo Suliotin. Ai e shpëtoi nga vdekja. Vite më vonë zbuluesi u bë Drejtor i Sigurimit të Shtetit.

E veçova këtë tregim që e pata botuar në rininë time. Sot nuk ka më heronj të tillë. Nuk dëgjon në media një lajm të gëzueshëm. Përballesh me monstra, vrasës, vjedhës e me lloj – lloj mafiozësh. Në vitet e demokracisë e hoqën zvarrë Jorgo Suliotin dhe ai vdiq i sakatuar. Heroi i atyre moteve me oficerët e zbulimit e futën në Athinë në valixhe terroristin Anastas Marin, udhëtuan maleve ditë e natë gjersa e varën në litar në Vrisera të Dropullit të Sipërm, ku terroristi kishte hedhur në erë me dinamit mapon e madhe të zonës kufitare. Personazhi i Jorgo Suliotit është i papranueshëm sot. Vendin e këtij heroi e ka zënë batakçiu. Flitet për njeriun ujk. Tek po e falemderoja në fejzbuk Zaho Golemin, i cili tani punon në Akademinë e Rendit, një lajm i mirë m’i përzuri personazhet e realizmit socialist. Në djall vafshi thashë me vete. Nga dolët nga varri i realizmit socialist? U mora me lajmin e mirë. Në spitalin “Nënë Tereza” një punonjës policie, i cili kurohej për një problem shëndetësor, kishte nevojë për t’i bërë transfuzion gjaku. Familjarët po dhuronin gjak. Por aty trokiti dhe një polic, i cili ishte koleg me pacientin, që kishte nevojë për gjak. Personeli mjekësor që do t’i merrte gjakun e kishin pyetur policin se si e kishte emrin. Dhe polici qe përgjigjur se quhej Skënder Mema. Ishte nga fshati Buzmadh i Mallakastrës. Personeli i bëri dhe pyetje të tjera profesionale policit që lidheshin me grupin e gjakut, cilësinë e të tjera. Pacienti që do ta merrte gjakun, që gjithashtu ishte polic, qe nga fshati Kryezi i rrethit të Pukës. Për të shuar kureshtjen polici Skënder Mema u thotë se mbi fshatin e tij në Buzmadh të Mallakastrës është një ulli i moçëm. Po të hipësh në majën e ullirit duket Sazani dhe Karaburuni. Fjalën e nget më tutje polici – pacient Shkëlzen Dervishi. Ai tregon se mbi shtëpitë e tij në Kryezi të Pukës është një kreshtë që quhet Qafa e Benës. Po të dalësh aty duket Gjakova. Zogjtë e Kryeziut i marrin bërthamat e qershive në sqep dhe i mbjellin në Gjakovë. Qershitë e Gjakovës janë nga të Kryeziut të Pukës.

Kur e dëgjova gjestin e policit Skënder Mema natyrisht që më erdhi mirë. Një polic nga jugu pa i thënë kush dhuron gjak për një koleg nga veriu. Gjesti është fisnik. Në kohën tonë të trazuar bëhet diversion dhe i dëgjon shpesh me sarkazëm shprehjet “lab i keq”, “çeçen i zgjebosur”, “rrebel” “zhele”, “barbar”, “kusar” e të tjera. Edhe ata që janë tek burimet njerëzore bëjnë të njëjtën gjë. E thonë troç: “Nga është kjo kandidaturë?”. “Se mos nuk është nga tanët?”. Edhe kur zhvillohen protesta “regjizorët” i “shoshin” ata që do të jenë në mitingjet agresive. Shprehjet “ është nga jugu, apo nga veriu” bërbëliten rëndom. Kur e goditën të vetët ish komandantin e Gardës Andrea Prendin në koridoret e Kryeministrisë nuk kishte asnjë gardist nga jugu i vendit.

Muza dhe shëmbulli i policit Skënder Mema që dhuroi dy herë gjak për kolegun nga Kryeziu më kujtoi poezinë e Ndre Mjedës “Gjuha Shqipe”: /Geg’ e toskë, malci, Jallia/ /Jan nji komb, m’u da s’duron/ /Fund e majë nji a Shqipnia//E nji gjuhë t’ gjith’ na bashkon/.

Policit Shkëlzen Dervishit, të cilit ju bë transfuzioni i gjakut prej Skënder Memës personeli mjekësor ja kishte zënë në gojë shëmbullin e kolegut nga jugu. Dhe e kishin përshëndetur. Jemi vëllezër të një gjaku. E qëmtova këtë fakt dhe i bëra një shënim Zaho Golemit. Kot thonë që Heroi Pozitiv ka vdekur. Nuk ka pse mendiat të mbyten vetëm nga lumi i ngjarjeve me vrasje, rrëmbime, vjedhje e përdhunime. Polici Skënder Mema nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe. Gjesti i dhurimit të gjakut është bërë në heshtje e me modesti. Ai nuk e ka rrahur gjoksin. Ky gjest nuk është transmetuar në ndonjë kanal televiziv. Veçse ky shëmbull nuk është fillikat. Duhet gërmuar. Përballë këtij veprimi zbrapset ushtria e mafies. “Koha është e maskarenjëve, por Atdheu i shqiptarëve” ka shkruar Ali Asllani. Qafirët të udhëhequr nga mafia e kanë mendjen tek dollari. Askush nuk e ka në defter Skënder Memën, i cili bëri një gjest të thjeshtë për t’u admiruar.

Infermierja që i mori gjakun policit Skënder Memës kur e pyeta më tha një gjë që më mbeti në mendje. E kishte marrë në telefon nga Anglia i vëllai i pacientit Shkëlzen Dervishi. Quhej Napolon. Ne jemi tre vëllezër i kish thënë emigranti nga Anglia. Skënder Mema u rreshtua i katërti. Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, ai që i dhuron gjak mikut, i cili është në të keq, quhet “Vëllam Gjaku”. I tillë është për ne në Kryezi të Pukës polici Skënder Mema nga Mallakastra. Tani e tutje ne do t’i themi Shkëlzenit “Vëllami i Skënderit”. Vëllami është miku besnik. Brezat do ta kujtojnë në Kryezi si në doket e qëmotit veprimin e vëllamit Skënder Mema. “Vëllamët” Skënder Mema dhe Shkëlzen Dervishi janë dy brigje të një lumi, paçka se ledhet e shtëpisë të polic Skënderit i lag lumi i Vjosës, kurse arat e Shkëlzenit i freskon lumi i Kunorë Dardhës mes për mes Kryeziut. Të dy i bashkon lumi i miqësisë së shqiptarëve me rrëfenja, zakone, tradita e vlera të vërteta autentike.

**