Flet historiani Petro Luarasi: “Tre gishtat” e gdhendur mbi Flamurin Kombëtar të Shqipërisë tek “Ushtari i Panjohur” janë një fyerje për rezistencën e një kombi dhe gjakun e dëshmorëve

217
Sigal

 Paradoksi monumental/ Flet historiani Petro Luarasi: “Tre gishtat” e gdhendur mbi Flamurin Kombëtar të Shqipërisë tek “Ushtari i Panjohur” janë një fyerje për rezistencën e një kombi dhe gjakun e dëshmorëve. Kjo shenjë duhet hequr pasi i përket përshëndetjes kombëtare jugosllave.

 

 

Rastësisht në internet më ndeshi syri artikullin e një studjueseje të shquar të artit shqiptar https://gazetashqiptare.al/…/arti-duhet-mbrojtur-pçr…/ që i parapriu një biçim dokumentari (‘’Partizani pak i njohur i Tiranës dhe simboli i 3 gishtave’’) ku ligjëroi pa oponent. Pavarësisht se temën e kam trajtuar i pari prej kohësh, me disa artikuj në gazeta, skenaristi pasi më ftoi për intervistë dhe ma voli mendimin e këshillat, pati mirësinë të mos më fuste në atë batak të keqinformimit publik.

Studjuesja në fjalë njihet e krenohet si e afërme e një Heroi të Popullit, i cili ia dhuroi jetën e tij të re tokës spanjolle në luftën e përbotshme kundër nazifashizmit e kolaboracionistëve. Po si do të mendonte e vepronte ajo nëse në ndonjë pllakë, në bazament të monumentit të përbashkët të vullnetarëve antifashistë shqiptarë në Spanjë, në vend të simboleve të tyre historike, yllit me tri cepa ose grushtit, të gdhendej a zhgarravitej ndonjë simbol fashist apo mercenarësh marokenë? Demokratët spanjollë, nga ana e tyre, jo emblemat fashiste, por edhe vetë eshtrat e diktatorit, kur u poqën kushtet, i shporrën nga varri monumental në një varr privat familjar. Shembuj të tillë gjenden me mijra në botën e qytetëruar, ku janë marrë masat përkatëse për të spastruar historinë, artin, kulturën, politikën si dhe ndërgjegjen njerëzore nga padrejtësitë, krimet, falsifikimet.

Që në krye të shkrimit kuptohet mirëfilli që studjuesja rreket të mbrojë jo vetëm simbolin joshqiptar ‘’tre gishta’’, vendosur në bazamentin jugor të monumentit ‘’Partizani’’, më 29 Nëntor 1949, por dhe skulptorin, të cilit i ka shkruar edhe një monografi.

Ndjej keqardhje që ajo, në të tilla pozita interesi, bie në kontradikta logjike dhe tjetërson të vërtetën duke u zhytur në ‘’disgracie’’ për çështje madhore kombëtare.

Studjuesja shkruan: ‘’Një komb i një populli që të prezantojë ekzistencën e tij, prezanton simbolet figurative, të cilat marrin pamjen e simboleve kombëtare dhe trashëgohen në mënyrë legjitime nga një brez te një tjetër…Vepra e artit nuk duhet të preket, nuk duhet të dëmtohet zanafilla e veprës së artit. Ajo duhet të mbrohet për qindra arsye, që lidhen me dëshminë e kohës dhe me dinjitetin e artistit.’’

Pyesim: Po kur preket ekzistenca e kombit, nderi i dëshmorëve, falsifikohet e vërteta historike dhe përlyhet vetë dinjiteti i veprës tërësore të artistit nën diktat që shkakton tjetërsim vlerash e dijesh, a duhet të merren masat dhe si? Unë kam mendimin se duhet të çohet në muze, por jo t’i vendosen kurora!

Studjuesja vazhdon: ‘’Brezat duhet ta njohin, për të kuptuar më mirë arkeologjinë e të menduarit të sotëm dhe psikologjinë e marrëdhënieve ndërvedi, për t’u dhënë shans ndryshimeve të domosdoshme të kohëpaskohëshme. Simbolet figurativë në veprat e artit janë dëshmi e përvojës njerëzore të një grupi të caktuar shoqëror, i shfaqur në një kohë të caktuar. Ata janë mjete që na njohim me kohën, me aktin e ngjarjes, me propagandën dhe ideologjinë politike të ekzistencës së grupit në një shoqëri kombëtare por edhe më gjerë.’’

Pyesim: Si duhet të mendojmë sot, të përqafojmë simbolin ‘’tre gishta’’ të cilin e njohin mirë bashkëkombasit shqiptarë kosovarë, por aspak ne në Shqipëri. Opinionet dhe fantazia nuk janë argumente që përligjin shtrembërime të historisë edhe në një vepër arti.

Studjuesja shton:

‘’Në mënyrë logjike njeri prej kompozimeve ka kohë që po diskutohet në mjedise intelektuale dhe jo të tilla, në arsye të dorës së majtë të flamurtarit, e cila ka figurën e një dore me tre gishta të hapur dhe dy të mbyllur… Pse kjo dorë e flamurtarit është shprehur nga artisti në këtë formë figurative? Cili është funksioni dhe kuptimi abstrakt i saj? Me pak fakte dhe shkurtimisht po iu njoh pa hyrë në historinë e fakteve të njohura. Të mos harrojmë se koha kur u porosit monumenti ishte një kohë e miqësisë dhe e dashurisë së Partisë Komuniste Shqiptare me Partinë Komuniste të Jugosllavçve, që edhe e ndërtoi partinë shqiptare. Ishin vitet 1941-1948, kur diktatorët Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito ishin të lumtur me politikat e tyre të mbrapshta komuniste. Ishte koha kur popujt shqiptar dhe jugosllav përshëndesnin dhe i adhuronin miqësinë e dy partive dhe dy udhëheqësve. Madje, brohorisnin në të dyja gjuhët. Asaj kohe, ish-partizanët shqiptarë edukoheshin dhe stërviteshin si oficerë të ardhshëm në Zagreb dhe Beograd, si dhe Enver Hoxha ndjehej mjaft i mirëpritur në Jugosllavinë e Titos, duke kaluar ditë të tëra të gëzueshme.

Pyesim: A ka studjuesja të na tregojë ndonjë foto a dokument të kohës ku kryekomandanti partizan të ketë nderuar me tre gishta mbi flamurin kombëtar që të përligjet vepra artistike, sidomos kur u publikua më 1949. Sepse tjetër gjë janë politikat, ndjenjat dhe tjetër gjë simboli historik gjithëpërfshirës gjatë luftës.

Në lidhje me opinionin e studjueses se “…tre gishtat e hapur në këtë formë ishin përshëndetja kombëtare jugosllave, e dokumentuar për herë të parë në kryengritjen e parë dhe të dytë serbe, të ndodhura në fillim të shek. XIX …që simbolizonte trinitetin e shenjtë “Ati, Biri, Fryma e shenjtë”, e sqarojmë se e ka informacionin apo shikimin të gabuar, pasi simboli ortodoks i ka tre gishtat të bashkuara dhe jo të hapura shiko foton e kryengritjes. Në rast se skulptori i ri e ka futur simbolin me këtë kuptim i bën dëm të madh bashkimit kombëtar dhe idealit ‘’në luftë pa dallim feje…’’. Por ky symbol nuk ka qenë vetëm i çetnikçve, por edhe i repartit famëkeq nazist SS.

Studjuesja shton:

Jashtë këtij konteksti dhe asaj kohe, ky simbol nuk duhet të argumentohet dhe as të keqinterpretohet, as të tentohet të hidhet urrejtje kundra monumentit, i cili ka përmbushur në një mënyrë dinjitoze kërkesën e kohës…Tentoj të mbroj historinë e zhvillimit të mendimit intelektual dhe artistik të kohës kur u ndërtua monumenti, i cili është vendosur sot në marrëdhënie me mendimin intelektual dhe artistik të sotëm, për të glorifikuar përmes artit të skulpturës monumentale, luftën partizane dhe sakrificat e atyre djemve të rinj idealistë, që dhanë jetën për kombin e tyre, qofshin këta edhe partizanë jugosllavë, të cilët u vranë dhe ata për të njëjtin qëllim. Ishim në luftë botërore.”

Për vete aspak nuk po ngrihem kundër monumentit, apo partizanëve antifashistë jugosllavë, aleatë dhe forcë e madhe heroike gjatë luftës, por pikërisht kundër një simboli nazist e shovinist që na u kall pas lufte mbi flamurin kombëtar.

Por mbi të gjitha paradoksi ‘’tre gishtat’’ mbi flamurin kombëtar shqiptar, i inaguruar më 1949, i çjerr maskën demagogjisë së regjimit dictatorial, i cili ndërsa kurorëzoi demaskimin e revizionizmit titist dhe shpartalloi e dënoi ‘’agjentët’’ e tij, iu griti në piedestal simbolin e flamurtarit çlirimtar! (Një fakt interesant: Mehmet Shehu, i njohur si ushtaraku më i shquar, drejtuesi kryesor i operacionit për çlirimin e Tiranës, të cilin e ka përshkruar me hollësi në librin e tij të botuar më 1945, nuk gjendej në inagurimin e Monumentit! Ai ia dedikonte librin 127 dëshmorëve dhe jo ”tre gishtave”!) ‘’Tre gishtat’’ që nuk duheshin gdhendur mbi flamurin kombëtar shqiptar janë një simbol akuze për dje, sot e në të ardhmen.

Në lidhje me ‘’hipotezat’’ e studjueses mbi skulptorin, besimin e tij ortodoks se ‘’dhe partizanët e krishterë shqiptarë, ashtu si dhe ata myslimanë të asaj kohe shkonin drejt betejave, duke iu lutur Zotit për t’i ndihmuar dhe kjo dorë i përket më së pari “Trinitetit të shenjtë”, i cili nuk është pronë vetëm e të krishterëve jugosllavë?” – studjuesja pa dashur ka gatuar fletët e një lakrori që së pari duhet ta shijojë vetë…

Studjuesja dëshmon se autori i dy basorelievëve paskish qenë vetë skulptori i monumentit, ”i cili pa e përfunduar ende Akademinë e Arteve, u përcaktua fitues në një konkurs të shpallur nga qeveria shqiptare e asaj kohe’’. Ky fakt më kujton një tjetër ngjarje edhe më ‘’enigmatike’’ mbi monumentin e Heroit Kombëtar, që lidhet edhe me trinitetin e shoqërisë, ‘’kolltuk, para, lavdimani-së’’. Po përmend shkarazi se si u mënjanua një plagjiaturë në konkurset për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeu, në Tiranë.

Informatori raporton mbi Skënder Luarasin (Shtator, 1950)

‘’Skënderi këtë radhë foli në lidhje me konkurset sa vijon:

Ç’pret nga konkurset që të dalin të mirë, kur vetë nga lart i vendosin që përpara se kujt do t’ia japin çmimin. Kjo dihet tash nga të gjithë. Pse e pakët është ajo që bëri komisioni për konkursin e monumentit të Skënderbeut. Vetë S. duke e ditur se A. e kish vjedhur projektskicën e tij për Skënderbeun, nga një skulptor jugosllav (skulptori kroat Antun Augustinčić ,1900-1979, shën. P.L.) që sot është skulptor zyrtar i Titos, deshi t’ja jepte këtij… Ay s’kish bërë gjë tjetër veçse monumentit të Pilsudskis (Józef Piłsudski,1867 –1935, shën. P.L.) të qeverisë së vjetër polake, të bërë nga skulptori jugosllav, i kish vënë taskën e Skënderbeut. Ç’do të thoshin sovjetikët kur të shikonin se Skënderbeu ynë ishte një kopje e keqe e armikut të madh të Bashkimit Sovjetik! Por edhe vetë skulptori i Titos do të na hidhte në gjyq për hajdutllëk. Ja gjëra të tilla bëhen këtu dhe pastaj prit prodhime artistike. Me këtë rrugë s’mund të kemi prodhime, por shterpësi. Vlerat reale s’duhet të pengohen në rrugën e tyre…’’

Informatori raporton mbi Skënder Luarasin (Tiranë, më 2.4.1954)

‘’Skënder Luarasi flet rreth skulpturës, bie fjala në konkursin për monumentin e Skënderbeut ku bënte pjesë edhe ai si juri. Skënderi në lidhje me qëndrimin e shokut S. si juri thotë:

‘’ N/Kryeministri donte t’ia jipte çmimin A,  jo për meritë, po vetëm për shkaqe të tjera. Po të mos kisha kundërshtuar unë, ne sot do të kishim në Tiranë jo monumentin e Skënderbeut, po kopjen e monumentit të diktatorit fashist të Polonisë, Pilsudskit, me mjekër dervishi. Vetëm kur nxorra origjinalin nga kishte kopjuar A., atëhere deshën s’deshën u detyruan t’ia jepnin Janaq Paços…’’

(Monumenti i Skënderbeut në Tiranç është vepër e Odhise Paskalit i ndihmuar në konceptimin e tij nga Janaq Paço e Andrea Mano. Ai u inagurua në Tiranë, më 1968, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar).

Po të mos ishte denoncuar, ‘’batakçillëku i trinitisë’’ do të kurorëzohej dhe nuk do të kishte Zot në Shqipëri ta zbriste nga kali! Por sa rrezikoi qytetari i ndershëm e atdhetar për këtë denoncim!