Kozma Gjini: Këmishtaj feston 40-vjetorin e gjimnazit. Ja historiku i saj

413

Këmishtaj feston 40-vjetorin e gjimnazit

Fillimisht, në bankat e shkollës u ulën mbi 40 nxënës dhe pas 4 vitesh u diplomuan 35 prej tyre

Shkolla mban emrin e mësuesit “Koli Allkanjari”

 

Sigal

U përkujtua me një ceremoni festive mjaft mbresëlënëse 40-vjetori i krijimit të shkollës së mesme të fshatit Këmishtaj, bashkia Divjakë. Në këtë takim shumë miqësor, morën pjesë nxënës dhe mësues të shkollës (sot), ish-nxënës dhe ish-mësues të shkollës së 40 viteve më parë, mësues në pension,intelektualë e banorë të fshatit dhe disa nga maturantët e parë që ka nxjerrë shkolla.Në takim ndodheshin edhe drejtori i ZVAP Divjakë, z. Llazar Stasa, Përgj. i Njësisë Admin. z. Ariol Qose, djali i mësuesit Koli Allkanjari, emrin e të cilit mban shkolla e Këmishtajt, z.Petraq Allkanjari dhe të ftuar të tjerë.

Shumëkush, sapo dëgjon emrin Këmishtaj, e mban mend se për cilin fshat bëhet fjalë, pasi kjo ekonomi ka qenë shkollë e përhapjes së përvojës së përparuar për prodhimet bujqësore e blegtorale. Madje, në vitin 1975 Këmishtaj zuri vendin e parë në Republikë për prodhimin e drithërave të bukës. (Por këtë le t’ia lëmë një shkrimi tjetër).

Për të ardhur deri në këtë përvjetor, mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme “Koli Allkanjari” kishin bërë të gjitha përgatitjet e mundshme duke i kthyer mjediset e shkollës në përcjellës të vlerave mësimore dhe edukative, të punës që bëhet me talente të çdo fushe dhe informacione e aspekte figurative mbi historikun e shkollës etj.

Drejtori i shkollës, z. Ylli Dhima, entuziast për arritjet e deritanishme, u shpreh se kolektivi i mësuesve aktualë ndjehet komod që ndjek rrugën e mësuesve të parë, të cilët me punën e tyre kanë hedhur rrënjë në kujtesën e banorëve të komunitetit. Ai i shoqëroi vizitorët në klasat cabinet, të cilat plotësojnë të gjitha kriteret për zhvillimin normal të mësimit. Shkolla është rikonstruktuar vitet e fundit dhe pranë saj ngrihet po kaq hijshëm edhe palestra e pajisur me mjediset e lojrave sportive dhe të gjimnastikës.

Shkolla e mesme e Këmishtajt e ka bazën në arsimin e suksesshëm 9-vjeçar. Ishte një privilegj dhe përgjegjësi të punoje mësues apo drejtues në këtë shkollë, sepse niveli kulturor dhe informacioni intelektual e familjar i komunitetit ishte goxha i lartë e konkurues. Është një fshat (dhe përreth) arsimdashës dhe këtë e tregon fakti se gjatë gjithë periudhës, që nga krijimi i shkollës e deri më sot, ka patur një frekuentim të rregullt të fëmijëve në shkollë, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe rrugëve të përbaltura që përshkonin fëmijët për të ardhur deri në shkollë. Sot kalohet me sandale në dimër përmes Mërtishit, kurse atëhere nuk kaloje dot as me çizme. Kjo shkollë ka nxjerrë nga dyert e saj me qindra specialistë të fushave të ndryshme si: agronomë, zooteknikë, inxhinierë, mësues, ekonomistë, oficerë, mjekë etj.

Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit, në shtator 1981, u hap këtu shkolla e mesme e profilit “Zootekni”. Ishte ky një drejtim i diktuar nga prirja e përgjithshme që shkolla të përgatiste bujqë e blegtorë të kualifikuar që t’i përgjigjeshin nevojave të ekonomisë. Burim i kontigjentit të nxënësve ishin dëshirat e akumuluara të nxënësve, të cilët mbaronin arsimin bazë dhe u drejtoheshin të mesmeve në qytet apo fshatra të tjerë. Nxënësit vinin me një dëshirë të madhe në shkollë që nga fshatrat: Këmishtaj, Goriçaj, Mërtish, Sopez, Korije, Senez e Sektori i Gradishtës. Ishin nxënës të edukuar, e të etur për dije. Kam patur rastin dhe fatin që në kohën që kam shërbyer mësues në këtë shkollë (1969 deri në fundgusht 1986), të isha edhe drejtori i parë që firmosa në dokumentin zyrtar të maturës së pare shtetërore 1981-1985.

Matura e parë

 

Fillimisht, në bankat e shkollës u ulën mbi 40 nxënës dhe pas 4 vitesh u diplomuan 35 prej tyre. Pothuajse të gjithë nxënësit ishin kontigjent i tetëvjeçares sonë. Nisur nga nota mesatare që vumë si kriter, pati frenime të disa nxënësve, por kjo shërbeu si motiv që nxënësit e tetëvjeçares të angazhoheshin më tepër për të rritur realisht notën mesatare.

Matura e parë ishte një kontigjent me nxënës cilësorë dhe të edukuar, të cilët nuk na sollën asnjë shqetësim përgjatë katër viteve të studimit në shkollë. Filloi shkolla, por mungonin tekstet mësimore. Për disa javë mësuesit dhanë mësim me shënime. Janë për t’u lavdëruar përpjekjet dhe mundi e sakrificat e mësuesve për kalimin e vështirësive për realizimin e programit. Në vitin e pare patën fatin të punonin mësuesit: Vjollca Shtëmbari, Simon Llupo, Evelina Çuko, Jani Ziu, Vladimir Shani, Kozma Gjini, Donika Qorri, Perikli Kondakçiu, Lumturi Kurteshi, etj. Provimet e maturës së parë ishin vërtet një ngjarje serioze e shënuar dhe nxënësit treguan se kishin një përgatitje të lartë profesionale. Nga matura e parë vazhduan studimet e larta 10 nxënësit më të mirë, që e kishin mesataren mbi 9. Nuk e harroj një detaj, kur shkoja për të dorëzuar kërkesat e nxënësve tanë në Seksionin e Arsimit të rrethit. Shefi i arsimit të rrethit të asaj kohe, z. Arben Xhoxhi, pasi e kishte pare dosjen e Këmishtajt, më tha: “Na keni nxjerrë probleme me kërkesat e shumta të maturantëve për në Universitet. Edhe gjimnazet i kemi me kufizim, sepse qeveria ka plane studimi të përcaktuara.” Por ishin të detyruar t’i fusnin në komitet të gjitha kërkesat me mesataren e lartë.

Maturantët e parë (1981-85):Arben N. Gjini, Arben V. Maka, Apostol S.Basha, Arjan A. Koci, Adelina N. Gjoni, Burbuqe E.Koci, Flutura S.Maka, Fidela Ll. Naci, Filloreta A. Mone, Gurim S. Arapi, Hilli Ll.Cauli, Koli T. Dhima, Klarita M. Ndoni, Luljeta M.Leshi, Luljeta Nd. Gjini, Llamba Ll. Mita, Mimoza Z.Ndoni, Majlinda P. Gjini, Mynyr K. Meco, Marjana Ll.Leshi, Maksim S. Ndoni, Micurin U.Petro, Marjana M. Ndoni, Llambi Ll. Ndoni, Perikli P. Gjini, Petrit T. Leshi, Petraq V. Ciko, Thoma S. Pjetri, Vjollca T. Xhile, Vjollca L. Maka, Vladimir A. Cauli, Xhemal I. Datja, Pavlina J. Qorri, Florenca G. Ndoni dhe Afëdrita L. Stavri.

Katër nxënës e mbrojtën diplomën me temë studimore, e cila përputhej me drejtimet e zhvillimit të ekonomisë. I deleguar i Seksionit të Arsimit në provimet e maturës ka qënë z. Sokrat Nushi. Nxënësit e maturës sonë konkuronin në olimpiadat mësimore e sportive me shkolla paralele dhe vazhdimisht pasuronin me trofe historikun e shkollës.

Godina e sabotuar e shkollës

 

Shkolla e Këmishtajt fillimisht ka qënë në një godinë gjatësore me tulla e shtylla në gurë, dhjetra metër larg aktuales. Ishte e vjetër dhe rrezikohej të shëmbej. Erdhi një ditë dhe u projektua e u zbatua projekti për një godinë të re. U ngrit kati i parë, por ustallarët u burgosën, sepse kishin sabotuar, siç u hap fjala. Se çfarë ishte ky sabotim, doli bllof më vonë. Kështu, në vitet 70-80 tetëvjeçarja e zhvillonte mësimin në një lokal të ri. Projekti ishte që të ndërtohej një godinë dy katëshe që të zgjidhte problemin e mësimit të nxënësve para dite. Fakti që në dimër tavani i kësaj godine pikonte dhe çfarë binte jashtë, hynte brenda në klasa, bëri që kolektivi mësimor të reagonte dhe iu drejtuam me një kërkesë-ankesë pushtetit lokal. Kërkesa jonë ishte diskutuar nga autoritete të pushtetit në rreth dhe një ditë shikojmë se inxhinieri e tekniku i seksionit të arsimit po gërmonin me kazma në thellësi të themeleve të shkollës. Konstatuan se bazamenti i gurëve, për masat e themelit, ishin konformë kërkesave teknike si për fortësinë dhe cilësinë, që do të thoshte se themelet e mbanin katin e dytë.

Kërkesa e kolektivit tonë ra në dorën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit,z.Gjergji Velo, i cili me dashamirësinë që e karakterizonte e kaloi procedurën buroktarike në aparat dhe e mbrojti në këshill projektin e ngritjes së katit të dytë të shkollës së Këmishtajt. Me përfundimin e katit të dytë, në shtator 1985, numëroheshin 22 klasa, por prapë nuk mjaftonin, pasi 8 klasa i zinte e mesmja, 12 klasa 8-vjeçarja dhe fillores i mbetej të bënte mësim pasdite. Me hedhjen e katit të dytë u zgjidh deri në një farë mase zhvillimi i mësimit, por jo plotësisht.Sot është krejt ndryshe. Godina I është nënshtruar një rikonstruksioni total dhe nxënës e mësues janë tashmë të motivuar për punë e mbajtjen pastër të mjediseve të shkollës. Klasat kabinet plotësojnë mirë nevojat për konkretizimin e mësimit.

Mirënjohje mësuesve të larguar nga jeta

“Vdekja nuk ekziston, bija ime. Njerëzit vdesin vetëm atëhere kur ne i harrojmë” i ka shkruar së bijës, Izabel Allende. Pjesëmarrësit në festë kujtuan me respekt mësuesit që kanë ndërruar jetë këto tri-katër dekadat e fundit. Ne ndjehemi të keqardhur që në pak vite na janë larguar nga kjo jetë mjaft nga kolegët tanë, prandaj në shenjë mirënjohje për ta dëshiroj që t’i sjellim parasysh si figurë. Të palodhurit që na mungojnë sot: Rako Daka, Todi Illiu, Trifon Petro, Gona e Mihal Tashi, Spiro Pjetri, Simon Llupo, Jashar e Natasha Kolushi, Kristaq e Spofokli Gjermeni, Ngjelina e Gjena Allkanjari, Diella e Andon Cauli,Veri Akulli, Gona Qose, Filip Nushi dhe jo pa qëllim e lash për në fund, eprorin e kulturuar e metodistin, drejtorin me përvojë e dashamirës, z. Sokrat Kondakçiu. Homazh për këta mësues që e shkrinë jetën për shpërndarjen e dritës së diturisë. Në shenjë mirënjohjeje, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për kolegët e tyre të larguar nga jeta.

Baza e nisjes shkolla e parë shqipe

 

Duke përkujtuar përvjetorin e 40 të krijimit të shkollës së mesme, nuk ka se si të mos kapërcejmë vështrimin pak më tej në kohë. Me orientimet që dha qeveria e Ismail Qemalit, në disa fshatra të Lushnjës u hapën shkollat shqipe, si në Bishqethëm,(1912), Këmishtaj (shtator, 1912) Ngurrëz(1913 nga mësuesi patriot Thanas Nushi), etj, ndërkohë që këto kishin një shëmbull, sepse në Libofshë shkolla shqipe ishte hapur më 1908. Në atë kohë, njerëz të arsimuar nuk gjendeshin në fshat, por këtë detyrë, me orientim të vlerave mëmëdhetare, që qarkullonin në mbështetje të pavarësisë, e mori përsipër çeljen e shkollës, z. Themi Dhima, i cili, sipas dëshmitarëve të vjetër, dinte të shkruante e të lexonte. Kështu ka ndodhur edhe me çeljen e shkollave të tjera, sepse këtyre individëve që dinin pak lexim e shkrim në shqip, u bëhej thirrje që të tregonin patriotizëm.

Lokali i parë që shërbeu si shkollë ishte në oborrin e kishës së“Shën Kollit”. Kishte dy dhoma dhe një aneks ku mësonin fëmijët në kushte mjerane: një tavolinë, një dërrasë ku shkruhej me të zezë dhe një karrige. Por kjo ishte një bazë për vijimin e arsimit të popullit. Zhvilloheshin lëndët: Lexim, Gjuhë, Shkrim, Aritmetikë e Njohuri fetare. Mësimi zhvillohej në kushte primitive dhe nxënësit rrinin të ulur në tokë, në shilte apo rrogoz. Në fillim frekuentonin djem nga fshati, për t’u ndjekur më vonë edhe nga fshatra të tjerë përreth. Gjithsesi, kjo ishte baza e suksesshme e nisjes, starti ku mori një impuls modest zhvillimi i arsimit në fshat.

 

Shkolla mban emrin e mësuesit Koli Allkanjari

Me vendim të Këshillit të Komunës Gradishtë, nr.20. dt.14.04.2005, me kryetar të këshillit, z. Behar Keka dhe kryetar të komunës z. Vasil Sema, shkolla e mesme e Këmishtajt mori emrin e mësuesit të nderuar “Qytetar nderi”, zotit Koli Allkanjari.

Kush është Koli Allkanjari? Koli Todi Allkanjari ka lindur më 8.11.1906 në Krutjen e Poshtme. Për shkak të përplasjeve me regjimin, gjyshi i tij u largua nga fshati dhe e vendosi familjen në fshatin Mërtish (kurse vet emigroi në Rumani dhe atje mbeti). Pas disa mësimeve që mori në skolinë greke të fshatit, ai vazhdoi shkollën “Plotore” në Lushnjë.

Koli Allkanjari qe i pari dhe i vetmi djalë i kësaj zone që do të vazhdonte rregullisht shkollën Normale të Elbasanit e do të kompletohej me arsim përkatës në vitet 1927-1931.

Nga viti 1931 e deri në 1938 ai do të punonte mësues jashtë rrethit: Në Sinjë të Beratit, Rroskovec, Luar e Kolonjë. Më 1938-45 mësues në Këmishtaj. Në 1945-46 në Zaloshnjë të Skraparit.1 946-48 punoi mësues në Kolonjë. Sërish në Këmishtaj, më 1947 e më tej.

Më 1953 emërohet shef i arsimit i lokalitetit të Gradishtës. Nga viti 1962 e deri sa doli në pension, në vitin1964, z.Koli ishte në krye të shkollës së Këmishtajt.

35 vjet në profesionin e mësuesit, z. Koli Allkanjari arriti të krijonte personalitetin e tij si një mësues e drejtues korrekt, njeri i dashur me bashkë fshatrët, metodist e mësues i respektuar. Ka shkruar artikuj në revistat e kohës “Edukata e re”, “Shkolla kombëtare” etj. I martuar me vajzën e gjermenëve, Sijen, ai krijoi familjen dhe rritën fëmijët: Liria, Gona, Kristina, Petraqi, Athinaja, Agroni, secili me kontribut në profesionin e vet.

Sot shkolla e mesme e Këmishtajt përbëhet nga një staf mësuesish të profilizuar dhe kompetentë të lëndës së tyre, me arsim përkatës, por edhe metodistë e punëtorë, të cilët bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbajtur lart emrin e mësuesit të shkollës “Koli Allkanjari”.

Këta mësues janë: Ylli Dhima-drejtor, Eralda Prençe, Brunilda Xheka, Irena Derka, Majlinda Stambolliu, Esmeralda Cauli, Entela Marku, Dorina Kondakçiu, Jorgjie Kurteshi, Andon Allkanjari, Mirela Prifti, Aida Belliu, Marcela Nushi, Valbona Toromani, Rita Ziu, Kelvin Pepa, Blerantina Xhaferri, Vilma Prifti, Blerta Rrasa, Elda Lila, Miguela Buxheli, Florida Sinaj, Erisa Kondakçiu, Estera Pupi, Arben Pjetri, Ardjana Shtëmbari, Liljana Ndoni, Eglantina Topi, Miranda Gjini, Matilda Loniku, Erisa Hoxha dhe Hygerta Çanaku.

 

Nesër do lexoni:

-Shkolla e Këmishtajt ka qënë (dhe është) një ndër shkollat model të rrethit të Lushnjës.

– Shkolla e Këmishtajt ishte shkollë eksperimentale ku u zbatua studimi“Matematika 1”,

-Një punë vitale u bë për pajisjen e klasave kabinet me mjete mësimore sa më funksionale në shërbim tëtemave tëmësimit.

-Ekzistonte një frymë solidariteti për të ndihmuar njëri-tjetrin në çdo aspekt