Frank Shkreli: Dy pilotëve Amerikanë që ranë për lirinë e kombit Shqiptar u dëmtohet memoriali në Prizren

86

Nga Frank Shkreli

Po dëmtohen dhe po shkatërrohen memoriale të merituara dhe po  ngrihen memoriale të rremë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Nuk ka të ndalur shembja, prishja dhe dëmtimi i monumenteve  në trojet shqiptare. Duke filluar nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë nga autoritetet shqiptare, qoftë zhdukja e gjurmëve të shtëpisë  së Nënë Terezës në Shkup, dhe sot në rrjetet sociale  qarkullojnë fotografi të monumentit të dëmtuar në Prizren,  kushtuar dy heronjëve amerikanë, David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert,  që dhanë jetën për lirinë e Kombit shqiptar  në  operacionet  e para  të luftës së NATO-s,  të udhëhequra  nga Shtetet e Bashkuara,  kundër forcave terroriste serbe të Millosheviçit, më 5 Maj, 1999.  Është  interesant  fakti se ky dëmtim i rëndë që i është bërë monumentit të ushtarëve amerikanë në Prizren, i është njoftuar publikut,  fillimisht, jo nga media, por nga artisti prizrenas,  Z. Arbnor Morina, i cili siç duket  ka hedhur  në qarkullim  edhe fotot e para të monumentit  të dëmtuar rëndë në  Prizren,  siç mund të shikoni më poshtë nga fotot e Z. Morina.  Të pakën deri më tani, pra  pothuaj  20 orë pas dëmtimit të monumentit,  nuk shoh asnjë  medie me rëndësi  në  trojet shqiptare të ketë raportuar për këtë sulm ndaj  historisë së re të Kombit shqiptar dhe të luftës për çlirimin e Kosovës. Por sipas një lajmi të fundit, kryetari i bashkisë  së Prizrenit, Z. Mytafer Haskuka,  shprehet në lidhje me njoftimet në rrjetet sociale për dëmtimin e Monumentit në Prizren të kenë ndodhur  për  “arsye atmosferike”.Ai shkruan: “Disa portale dhe në rrjete sociale sot janë shpërndarë dezinformata  lidhur me dëmtimin e memorialit të dy ushtarëve  amerikanë, David A. Gibbs  dhe  Kevin L. Roichert, të cilët dhanë jetën gjatë luftës më 5 maj 1999, derisa ishin duke fluturuar me aeroplanët e NATO-s  për misionin paqësor. E vërteta e dëmtimit të këtij memoriali është se ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, dhe jo për shkak të dëmtimeve të qëllimshme prej ndonjë personi. Kjo është dëshmuar edhe pas verifikimit në terren nga zyrtarët komunalë”, -thotë Z. Haskuka. Për fat të keq, shembja dhe sulmet kundër monumenteve historike e të merituara në trojet shqiptare, nuk kanë të ndalur, ndërkohë që me miratimin e autoriteteve shqiptare , po ndërtohen monumente që kanë për qëllim shtrembërimin e historisë dhe mohimin e identitetit të shqiptarëve, në trojet e tyre.  Ku është  zemërimi i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre???!!!…   E kam fjalën për monumentet turke, greke dhe sllave që janë ndërtuar vitet e fundit në Shqipëri, por edhe për përpjekjet sllave për të përvetësuar historinë e lashtë arbërore në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe  Kosovë, po pa përjashtuar  edhe trojet e tjera shqiptare. Sidoqoftë, ky është një problem dhe përgjegjësi e autoriteteve aktuale shqiptare, kudo në trojet kombëtare, por sidomos atyre  në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët duhej të ishin mbrojtësit dhe kultivuesit e kësaj historie kombëtare.  Po të ishte e mbara, janë këto autoritete që sot duhet të reagojnë dhe të marrin masat e nevojshme për ruajtjen dhe mbështetjen e historisë kombëtare, përfshirë monumentet që janë pjesë e kësaj historie, siç është monumenti në Prizren, kushtuar dy pilotëve amerikanë.  Dëmtimi i këtij monumenti është bërë nga njerëz djallëzorë që dinë se ç’bëjnë pasi e kanë prishur  monumentin  në Prizren me qëllim për të shënuar  6-vjetorin  e ndërtimit të tij dhe me dëmtimin e tij sikur  kanë shënuar  Ditën  Përkujtimore të Veteranëve të Shteteve të Bashkuara.  Dje ishte shembja e Teatrit  Kombëtar  në Tiranë, pastaj fshirja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup dhe sot ja, “kryeqyteti” i shqiptarëve, Prizreni.  Nuk mund të mos ndodhte ndryshe.

Por le t’i kthehemi shkurtimisht lajmit të 24-orëve të fundit, në këte seri dëmtimesh të monumenteve në trojet shqiptare, pikërisht,  historisë së monumentit, kushtuar dy ushtarëve amerikanë, të dëmtuar keq në Prizren. Monumenti u është dedikuar dy pilotëve, Oficerit David A. Gibbs, 38 vjeç, i lindur në Massillon të shtetit Ohio dhe Oficerit Kevin L. Reichert, 28 vjeç, i lindur në Chetek, të shtetit Wisconsin.  Ata humbën jetën në kulmin e rinisë së tyre për lirinë e Kosovës dhe për paqën në Ballkanin Perëndimor, kur helikopteri i tyre i tipit AH-64 Apache ishte rrëzuar në malet, në afërsi të Tiranës me 5 Maj, 1999.

Oficeri David A. Gibbs dhe Oficeri Kevin L. Reichert dhanë jetën për lirinë e shqiptarëve gjatë operacioneve të para të NATO-s,  kundër forcave serbe në Kosovë

Ishte qeveria e Republikës së Kosovës,  ajo që ishte kujdesur për ngritjen e këtij memoriali në Prizren, kushtuar dy pilotëve të Ushtrisë amerikane, të cilët bënë sakrificën e fundit duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës, gjatë një operacioni në terr, natën, në territorin shqiptar, në fillim të operacioneve ushtarake të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.  Memoriali ishte një simbol nga populli i Kosovës për të nderuar dhe për të kujtuar këtë sakrificë të tyre, por ishte njëkohësisht, edhe përmendorja si mirënjohje në shenjë falenderimi për bashkpunimin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës.

Fatkeqësisht, pjesë të këtij memoriali, që ishte ndërtuar për të kujtuar përgjithmonë, ushtarakët dhe ushtaraket e Shteteve të Bashkuara që luftuan për të sjellë  paqë, liri dhe për të ndaluar genocidin serb kundër shqitarëve në Kosovë, është sot i dëmtuar dhe i rrëzuar përdhe, pikërisht aty, në qytetin e Lidhjes së Prizrenit.  Çfarë simbolike për shqiptarët dhe çfarë mesazhi po dërgon personi ose personat anti-shqiptarë që morën pjesë në këtë akt terrorist?

Për fat të keq, dikush është i interesuar të shuaj frymëzimet, sado të pakta që duken sot për sot, për horizonte të reja në marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Ata që heshtin përballë këtyre akteve barbare,  sidomos autoritetet shqiptare në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë,  ndajnë përgjegjësitë  e mëdha me këta terroristë që duan të shlyejnë, jo vetëm historinë dhe identitetin kombëtar  të shqiptarëve, por të dëmtojnë  rëndë edhe lidhjet dhe miqësinë e “përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara”, siç thoshte dikur Presidenti  Ibrahim Rugova.

Këtë shkrim të padëshiruar, po e mbyll me fjalët e artistit nga Prizreni, Z. Arbnor Morina, i cili ka përhapur fillimisht edhe fotot e memorialit të dëmtuar në rrjetet  sociale:  -“Shikoni në çfarë gjendje është memoriali në Prizren, kushtuar  këtyre  dy ushtarëve amerikanë!  Imagjinoni sikur ta vizitonin këtë  memorial familjarët e ushtarëve të rënë!  Për ta parë se për kon’ e kanë dhanë jetën këta dy”, –është shprehur  Z. Morina në reagimin e tij rrjetet sociale, kur  ka parë monumentin e dëmtuar në Prizren. Vërtetë, “Për kon’ e kanë dhanë jetën këta dy” ushtarë

Amerikanë!?

Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*