3 vjet pa Dritëro Agollin/ Akademik Rexhep Qosja: Dritëroi ishte pasardhës i denjë i Rilindjes Kombëtare

1188

Rexhep Qosja: Dritëro Agolli, pasardhës i denjë i Rilindjes. Krijimtaria e tij letrare është një jetëshkrim shpirtëror i popullit shqiptar

Urimi i studiuesit të madh në 80-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit

[14 Tetor, 2016]

Dritëro Agolli po mbush tetëdhjetë vjet.

Është ky përvjetor i madh i letërsisë shqipe.

Dritëro Agolli tashmë është klasik i letërsisë shqipe. Vendi i tij në këtë letërsi është i përcaktuar dhe i qëndruar përgjithmonë. Dritëro Agolli është shumë i çmuar prej historianëve të letërsisë dhe, njëkohësisht, shumë i lexuar dhe shumë i dashur prej lexuesve.Fat të këtillë nuk kanë shumë shkrimtarë. Një numër i shkrimtarëve janë shumë të çmuar prej studiuesve të letërsisë, por nuk janë shumë të lexuar e të dashur prej lexuesve. Të këtillë janë shkrimtarët e mëdhenj botërorë Marsel Prusti, Xhems Xhojsi, Virxhinia Uolfi, Uiliem Fokneri. E të tjerë. Një numër i shkrimtarëve janë shumë të lexuar e të dashur prej lexuesve, por nuk janë aq të çmuar prej studiuesve të letërsisë. Të këtillë janë shkrimtarët e letërsisë zbavitëse, të letërsisë kriminalistike, të letërsisë politike, të bestselerëve të ndryshëm, ndër të cilët hyjnë Agata Kristi, Zhorxh Simenoni, Den Brauni i famshëm. E të tjerë.

Pse është Dritëro Agolli kështu i çmuar prej studiuesve të letërsisë shqipe dhe kështu i lexuar e i dashur prej lexuesve shqiptarë?

Janë më shumë arsye për këtë.

E para, Dritëro Agolli është shkrimtar aq i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe aq shumë i lexuar e i dashur prej lexuesve sepse është shkrimtar me dhunti të gjithanshme. Ai është poet, tregimtar, romancier, dramaturg, skenarist, publicist, eseist dhe gojëtar i dalluar.

E dyta, Dritëro Agolli është shkrimtar aq i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe aq shumë i lexuar e i dashur prej lexuesve sepse ai është shkrimtar që në veprat e tij ka paraqitur anë të ndryshme të jetës shqiptare, që ka kënduar e trajtuar gëzimet dhe vuajtjet, të mirat dhe të këqijat, fitoret dhe disfatat, lirinë dhe dhunën në jetën kombëtare. Krijimtaria e tij letrare është një si jetëshkrim shpirtëror i popullit shqiptar.

E treta, Dritëro Agolli është shkrimtar që në të zakonshmen jetësore e sheh dhe e trajton të pazakonshmen, që në të përditshmen e sheh dhe e trajton edhe të përhershmen, që të në voglën e sheh dhe e trajton edhe të madhen, që në të mirën e sheh dhe e trajton edhe të keqen. Jo shumë shkrimtarë e kanë një dhunti të këtillë.

E katërta, Dritëro Agolli është shkrimtar shumë i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe shumë i lexuar e i dashur prej lexuesve edhe për arsye se me krijimtarinë e tij ka çuar, ka përhapur shumë gëzim në popull me humorin e tij. Humori është një kategori shumë e rëndësishme estetike, të cilën krijuesit me dhunti të veçantë e bëjnë shumë ndikuese, shumë të kuptimshme dhe shumë të dëshirueshme. Nuk kanë shkruar për të rastësisht gjenitë e mendimit filozofik dhe estetik sikundër janë Aristoteli, Tomas Hobsi dhe Imanuel Kanti. Ai, humori, është mjeti që njerëzve u bën të mundshme të notojnë më lehtë nëpër detin e shqetësuar të jetës. Por ai, humori, mund të ketë rol edhe më të madh në krijimtarinë letrare, ashtu siç e ka edhe në krijimtarinë e Dritëro Agollit.Ai mund të jetë një si ilaç për frikën e natyrshme që njeriut ia shkakton vdekja, për vuajtjet që njeriut mund t’ia shkaktojë pleqëria, për shqetësimet që njeriut i shkaktojnë të papriturat në jetë.

E pesta, Dritëro Agolli është shkrimtar shumë i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe shumë i lexuar e i dashur prej lexuesve edhe si një gojëtar i madh në jetën letrare, kulturore, politike, në përgjithësi shoqërore. Ai edhe në gojëtari, si edhe në krijimtarinë letrare artistike, është mjeshtër i vërtetë, është artist i vërtetë. Të gjithë ata që kanë pasur rastin të jenë dëshmitarë të shpërthimeve të gojëtarisë së tij, siç kam pasur unë, dy tri herë, kanë mundur të binden se me ç’mjeshtëri sipërore artistike merendohen e bukura dhe e urta në atë gojëtari.

E gjashta, Dritëro Agolli është shkrimtar shumë i çmuar prej studiuesve të letërsisë shqipe dhe shumë i lexuar e shumë i dashur prej lexuesve shqiptarë edhe pse është i vendosur si asnjë krijues tjetër, pse është i vendosur shumë natyrshëm dhe shumë krijueshëm, në traditën letrare dhe, në përgjithësi, kulturore shqiptare. Në krijimtarinë e tij letrare e publicistike jetojnë të shprehura artistikisht ndjeshmëria dhe mençuria popullore.Në krijimtarinë e tij letrare, në poezi e në prozë, ne lexuesit e veprave të tij, gjithashtu, dëgjojmë zërin e Naim Frashërit, të Andon Zako Çajupit, të Ndre Mjedjes, të Fan Nolit, të Migjenit, të Lasgush Poradecit. Ai është kështu vazhdues, gjallërues, pasurues i gjuhës së fshehur, plot mençuri e plot bukuri, të popullit dhe të krijuesve më përfaqësues të tij.Duke e çmuar aq lart krijimtarinë letrare dhe publicistike të Dritëro Agollit, studiuesit e letërsisë në të vërtetë çmojnë lart njëkohësisht dhuntinë aq të gjithanshme krijuese të popullit shqiptar; dhe duke e lexuar aq shumë e duke e dashur aq shumë krijimtarinë e gjithanshme letrare e publicistike të Dritëro Agollit lexuesit shqiptarë njëkohësisht e duan krijimtarinë e popullit të vet.

Sofje, 26 nëntor, 1987

I nderuari Dritëro Agolli,

Para së gjithash dua t’ju falenderoj nga zemra për dhuratën e paçmueshme, që kini patur mirësinë të ma dergoni. Gjesti juaj më emocionoi. Duke prekur librat e tua, unë përjetoj ate gëzim të rrallë njerëzor, i cili rrallë u ndodh njerëzve, prandaj ai mbahet mend për tërë jetën. Ndofta tani e tutje, do të kem fatin e mirë të përjetoj dhe hope të tjerë të tillë, por me zor se do të shlyejnë në ndërgjegjen time këtë hop të parë që e kam priutur me kaq padurim, më tepër se dy dhjetëvjetorë.

Takimi i parë i përkthyesve të vendeve Ballaknike mund t’ju siguroj, kaloi në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt. Më lejoni të ndaj mendimet me ju e të them disa fjalë për veprat e tua të përkthyera në Bullgari. Edhe në raportin e Marko Gonçevit, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” u quajt si një majë në zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare, si vepër i ka tejkaluar kufijtë e gadishullit Ballkanik dhe që gjer sot nga ana tjetër, megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet nga botimi i romanit, si njerëz të lertërsisë sonë dhe të kulturës shoqërore, ashtu dhe një rreth i gjerë lexuesish, kur më takojnë, nuk harrojnë të përmendin dhe heroin tuaj “Zylo” dhe shpesh shprehen: “Mor po, i pa përsëritshëm është ky heroi yt Zylo”.

Besoj vetë marrja e personit tim, të përkthyesit modest, si protagonist letrar, flet edhe më shumë dhe do t’ju bindja për ndikimin e librit tuaj të përkthyer tek ne.

Para jush mund të tregoj krenarinë që ndjej, se tre romane nga thesari i letërsisë së sotme shqiptare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe dy veprat e tuaj, janë të parat përkthyer në Bullgari.

Po ju dërgoj këtë album të vogël me fotografi nga tërë anët e Bullgarisë dhe me këtë dua në mënyrë simbolike t’ju përshëndes nga të gjitha rrethet tona, ku ka shumë qytete dhe ndër to shumë biblioteka dhe shumë të tilla familjare, ku kanë gjetur mikpriten dhe të dy librat e tua.

Duke ju falenderuar edhe njëherë, ju uroj shëndet, shëndet, per të shkruar edhe dhjetra vepra të tjera, si dhe shumë lumturi personale.

Juaja,

Marina Marinova