Spartak Topollaj :Kriminelët kanë një fytyrë

407
Sigal

 

31 Korriku i 2022, ishte dita e fundit e jetës, së njërit prej kryekriminelëve terroristë më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi !

1 Gushti, nuk do të zbardhte kurrë më për këtë monstër me fytyrë njeriu, të quajtur  Muhammad Ajman Rabí al ZaWahiri, kreu i Al Kajdës, i cili qysh pas vrasjes më 2011 të sheikut Osama Bin Laden, ishte njëri nga më të kërkuarit ndërkombëtarisht, që më në fund, CIA amerikane, pas gjashtë muaj survejimi, jo vetëm e gjeti ku ishte strukur si miu në një vrimë të shtëpisë së një miku të tij taleban (axhutant  i njërit prej krerëve të Al Kajdës Sirajuddin Haqqani) në  Kabul të Afganistanit, por në një çast fatal për atë, kur guxoi të dalë në ballkon, me një dron të sofistikuar e asgjësoi, duke e hedhur në erë, pa dëmtuar askënd tjetër!!! Do të shkruaj më gjatë në pjesën e dytë të këtij opinioni për kryeterroristin egjiptian, famëkeqin Ajman, por le të bëjmë një retrospektivë, e të kthehemi 60 vite më mbrapa; kur duke u gëdhirë 1 Korriku 1962, në Burgun Ayalon të Ramallahut, pas gjykimit e dënimit me vdekje, u var në litar nga Izraeli, njëri prej kriminelëve më të mëdhenj nazistë, të Holokaustit apo Zgjidhjes Finale të Çështjes së Shfarosjes së Hebrejve, Otto Adolf Eichman ! Siç e shkruajtëm që në titull, kriminelët e këtyre përmasave kanë të njëjtën fytyrë, vetëm se në këtë rast, për koinçidencë, ata kanë edhe emër të njëjtë, me ndryshimin e vetëm, se krimineli gjerman, ka një H më shumë! Emri i plotë i tij është Otto Adolf Eichman, në shqip Ajhman! I lindur në Solingen ( qyteti i çelikut special për vegla apo orendi  në Gjermani ), më 19 mars 1906! Ai i nisi studimet në Linz të Austrisë, (që Hitleri synonte ta bënte kryeqytetin e pestë të Rajhut III), në të njëjtën shkollë ku kish mësuar edhe vetë Adolf Alois Hitler, BRG Fadingerstrasse ku edhe u edukuan, e u indoktrinuan me antisemitizëm. Ai u largua nga shkolla pa u diplomuar dhe u dha pas mekanikës, pa shfaqur asnjë interes pēr politikën, derisa një ditë, rastësisht takoi Ernst Kaltenbrünnerin e SS -ëve, në një miting të NSDAP dhe pranoi propozimin të bēhej pjesë e Partisë së tyre Naziste! Dhe kështu, me devocionin e një mediokri, që për kompensim dhe justifikim punonte si një ROLEX zvicerian në funksion të detyrës që i dhanë në Zyrën e mbledhjes dhe sistemimit të dokumentacionit superburokratik për projektin çnjerëzor dhe racist të Zgjidhjes Finale!!! Pikërisht për këtë devocion, shpejt mori gradën e lartë ushtarake. SS – OberSturmbannFührer duke u vënë madje në krye tê një Drejtorie, që merrej vetëm me Zgjidhjen Finale të Shfarosjes së popullsisë hebreje në Kampet e Përqëndrimit Nazist! Ai kishte varësi direkte nga Himmleri dhe Heydrichu, e nganjëherë edhe nga vetë Fyhreri, duke patur kështu edhe besimin absolut të tyre, të cilin, për hir të së vërtetës e justifikoi plotësisht, duke e kryer  me zell të paparë deri në fund, me bindjen se, kur vritet një njëri quhet vrasje, ndërsa kur vriten miliona, është thjeshtë statistikë?! Deri këtu mbërrinte kryecinizmi i të indoktrinuarve me supremacinë e racës ariane! Për vite me rradhë, por sidomos gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, nëpër duart e tij të ftohta dhe syve të akullt, kaluan mijëra e mijëra shkresa e dosje, me miliona emra njerëzish brenda tyre, fati i të cilëve ishte i paracaktuar për “fajin” e vetëm, se kishin lindur hebrej!!! Ai së pari studioi librin e themeluesit të lëvizjes sioniste Theodor Herzl  “Shteti Hebraik”, që e bindi për t’i hyrë punës në  shfarosjen e hebrejve si popull e si komb dhe mos lejimin e krijimit të një shteti hebraik! Madje, ai shkoi vetë aty në territoret palestineze më 1937, aso kohe Protektorat nën Mandatin Britanik dhe pá nga afër ngritjen e vendbanimeve hebreje ( kibbutz ).

Por britanikët e zbuluan, e kapën dhe e përzunë! Rastin më të mirë për karrierë, pasi kish rënë në sy të krerëve nazistë si Kaltenbrunner, që ishte vetë austriak, ai e pati më 1938 kur Hitleri shpalli Anschluss – in, aneksimin apo më saktë pushtimin e Austrisë, kundërshtuar fort nga Kancelari Engelbert Dollfus , vrarë prej nazistëve qysh më 25 korrik 1934 ( me sarkazëm, Dollfussin, për shkak të trupshkurtësisë, vetëm 150 cm. nazistët e quanin Millimetternich – në bashkim fjalësh me emrin e Princit Klemens von Metternich, politikan dhe diplomat i shquar austriak, i njohur për shprehjen e famshme: Kur ftohet Franca, tështin tërë Europa! Në Wjenë, morën pallatin e Princit miliarder hebreoaustriak Albert de Rotschild dhe e kthyen në zyra të Qendrës për emigracion të Hebrejve, në krye të së cilës, u vu vetë Ajhman! Lufta dihet si përfundoi, ndaj nga frika e ndëshkimit që i priste, shumë prej hierarkëve nazistë, të ndërgjegjshëm për krimet e tmerrshme që kishin  kryer, sidomos ndaj miliona hebrejve në Kampet naziste të Përqëndrimit , Mat’hauzen, Dakau, Auschvitz, Treblinka etj apo Ghetot famëkeqe si ato të Warshavës, Wienës dhe Amsterdamit, u fshehën, ku dhe si mundën, duke ndërruar identitet! Kështu edhe Otto Adolf Eichman, Ajhmani pra, u fsheh pyjeve e fshatrave të Gjermanisë dhe Austrisë, deri sa mbërriti në veri të Italisë, ku me ndihmën e një prifti katolik italian, e miqve të tjerë, pasi mori dokumentet (passaportë) me identitetin e ri Ricardo Klement, u nis dhe mbërriti në Argjentinë më 1950! Aty jetoi dhe punoi 10 vite, deri sa një ditë, te Prokurori gjerman Bauer, mbërriti informacioni se pas  Ricardo Klement, fshihej dora vetë Otto Adolf Ajhman, pohuar në konfidencë mes miqsh të shkollës, nga një prej fëmijëve të Ajhmanit! Prokurori Bauer njoftoi MOSSAD – in izraelit, një nga shërbimet inteligjente më cilësoret në Botë dhe kështu, u organizua kapja dhe dërgimi në Izrael i këtij kryekrimineli, çka për arësye, që nuk u kuptuan kurrë, nuk u pasua edhe me të tjerë, si kryekrimineli me damkë, Doktori i vdekjes së Aëschvitz-it, Josef Rudolf Mengele, famëkeqin e eksperimenteve ndaj qindra njerëzve të gjallë, sidomos fëmijë, mundësisht binjakë monozigotë, i cili vdiq në liri në Brazil, më 1979, teksa lahej në Atlantik, i mbytur pas një iktusi apo hemoragjie cerebrale të pësuar! Në kapjen e Ajhmanit, ashtu si edhe të disa kriminelëve të tjerë nazistë të fshehur, ka patur rol dhe Simon Wiesenthal, një i mbijetuar i kampeve të përqëndrimit nazist, i cili ia kushtoi jetën e tij të gjatë, këtij misioni të rrezikshëm e delikat, por fisnik!

Do të kërcejë përpjetë në varrin tim duke qeshur, kur të kujtoj se në ndërgjegjen time, kam rol për jetët e mbi 5 milionë njerëzve dhe kjo më jep një kënaqësi të veçantë,- deklaroi ai, në kulmin e cinizmit çnjerëzor, teksa gjykohej! Për fjalët e fundit të Ajhmanit, pak çaste para ekzekutimit me varje, jepen tre variante, por ai, deri në fund i qëndroi bindjes, se kishte bërë vetëm detyrën, madje ndihej më se i lumtur, që s’kishte përse të shprehte kurrfarë pendese, madje mbahej krenar për zbatimin me devotshmëri të lartë të detyrës! Në të vërtetë, iluzioni se kryekriminelë të tillë,  mund edhe të pendohen është më se i kotë, megjithatë kapja, gjykimi dënimi dhe ekzekutimi i tyre, të paktën është një homazh për të afërmit e miliona viktimave, që ata shkaktuan mizorisht!!! Tani lé t’i kthehemi, kryekriminelit tjetër, Muhammad Rabí Ayman al Zawaihiri . Ai kish lindur në një familje intelektualësh dhe politikanësh egjiptianë, me plot juristë, shkrimtarë dhe mjekë nga Buhayra, vendosur herët në Maadi , lagje e Kajros. Daja i tij , Abd’- al Rahman Azzam Pasha, ishte i pari Sekretar i  Përgjithshëm i Ligës Arabe (me 22 shtete anëtare), ndërsa i ati, prof.Dr.Muhammad Shafii al Zawahiri, dermatologu më i njohur në Egjipt dhe e motra, Heba, onkologe e shquar. Gjyshi nga nëna, Abd al Wahhab Azzam, ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj arabë në Egjiptin monarkik të Mbretit të 10, e të fundit të Dinastisë Shqiptare, Farukut,  themeluar nga Mehmet Ali Pasha, dinasti, që e sundoi këtë vend 150 vite rresht, duke i fshirë pluhurin e kohës dhe të shkretëtirës së Saharës Egjiptit, çka çoi në zhvillimin dhe modernizimin e këtij shteti me histori të lavdishme faraonike, që po harrohej! Edhe vetë Ajmani ishte mjek, shkrimtar e poet, e që fliste shkëlqyeshëm anglisht dhe frengjisht!

Qysh 14 vjeç, u bë ndjekës i Sayyid Qutb  Ibrahim  Hysain al Shad’hili, (ideolog i famshëm islamik), ekzekutuar me varje bashkë me 6 të tjerë, më 1966 nga regjimi i Naserit, me akuzën për Grusht Shteti ! Ajman, u bë pjesë e një grupi të Vëllezërve  Musulmanë, ku indoktrinimi ose më saktë në shqip trushplarja, e shndrruan shpejt në një anarkoterrorist të fshehtë, qysh kur studionte në Universitetin e famshëm Al Azhar të Kajros! Pasi u bë pjesë e krahut ekstrem të “Vllazërisë”, Xhihadit Islamik, Ishte ndër ideatorët dhe organizatorët në hije, i atentatit ndaj Presidentit egjiptian Muhammad Anwtar al Sadat më 6 Tetor 1981, teksa po ndiqte nga tribuna, një paradë ushtarake në Kajro, atentat ky, realizuar nga “Xhamá Islamija” (Populli Islam), që s’ia  falte Sadatit Marrëveshjen e Camp David me Izraelin, nën nxitjen e SHBA, ashtu si 14 vite më vonë, 4 Nëntor 1995, me të njëjtin motiv për tradhëti, vritet në Tel Aviv Kryeministri i Izraelit Yitzhak  Rabin, nga studenti nacionalist Yigal Amir, që s’mund ta pranonte nënshkrimin nga Rabini të Akordit të Paqes së Izraelit, me Presidentin e Autoritetit të shtetit të Palestinës, Jaser Arafat, gjithashtu, realizuar me ndërmjetësimin amerikan! Zawahiri shkoi në Afganistan në krah të talebanëve, që luftonin ushtrinë pushtuese sovjetike të Brezhnjevit, ku u njoh, u lidh dhe u miqësua ngushtë me Osama Bin Ladenin, sheikun miliarder saudit, që kish themeluar një nga organizatat më të fuqishme terroriste në Botë, Al Kajdën (shqip – baza) ! Zawahiri akuzohej edhe për atentatin barbar të 17 Nëntorit 1997, ndaj një grupi të madh  turistësh, me 72 viktima në Luksor, brenda Tempullit të Mbretëreshës Hatshepsut të Egjiptit (rreth 3500 vjet më parë). Një variant tjetër, jep 62 viktima! Ai kish shkuar edhe në Daghestan, ku ishte arrestuar, e mbajtur 6 muaj në burg nga sovjetikët! Por, akuza më e rëndë për Ajman Zawahirin, pa asnjë diskutim, mbetet superatentati unikal i 11 shtatorit  2001, me 3.000 viktima, te Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, në Pentagon dhe me avionin e rrëzuar në Pensilvani, ideator dhe “arkitekt” i të cilit, dihet tashmë, që ishte ai, truri i një përbindëshi të terrorizmit të pamëshirshëm! Në 3 dhjetor 2001, Ajman i shpëton njē atentati në Zhalabad, ku mbetën të vrarë, gruaja e tij Azza dhe tre fëmijët! Më pas i shpëton edhe disa atentateve të tjera, si në maj 2004 në Pakistan, në janar 2006 në Damadola, po fshat pakistanez, ku ai edhe plagoset! Në 3 mars 2008, Zaëahiri publikon librin “al Tabrí’a”, në të cilin replikon ashpër me Imam al Sharif, një super i penduar i Al Kajdës! Pas vrasjes së Osama Bin Ladenit, nga komandosët amerikanë të Navy SEAL, në Abotabad, Pakistan, Zawahiri, bëhet Kreu suprem i Al Kajdës. Edhe pse zyrtarisht ai paraqitej sikur Al Kajda e tij, nuk pati lidhje mé Khalifatin Islamik, apo ISIS, frymëzues i padiskutueshëm i të cilit, mbetej vetë Zawahiri. Po më 2011, shpërthyen nga pakënaqësia ndaj regjimeve të korruptuara autokleptokratike revoltat popullore, të njohura si pranvera arabe. Së pari në Tunizi, ku regjimi autokrat dhe kleptokratik i Presidentit Zine ben Abidine Ben Ali, që sundonte prej gati 25 vitesh, qysh kur përmbysi me një Grusht Shteti “doktorësh” Presidentin Habib Burgiba, si gjoja të paaftë mendërisht, ishte bërë i urryer dhe i padurueshëm nga populli! Vrasja e tregtarit ambulant të frutave Muhammad Al Buazizi nga policia e dhunshme, ishte shkëndija që ndezi zjarrin përvëlues për regjimin e korruptuar dhe represiv të tij! Ben Ali, kur pa tërbimin e popullit, mori bashkëshorten e dytë Leila Trabelsi (një ish parukiere, abuzuese dhe e urryer, po aq sa i shoqi), gjashtë fëmijēt, nga tre me të dy gratë dhe ia mbathi me avionin e tij, mbushur sa nuk mbante më, me kuti plot gurë të çmuar, ar dhe valutë të huaj, për në Xhedah, të Arabisë Saudite, ku jetoi i qetë deri sa vdiq më 2019! Pasuria e tij llogaritej mbi 5 miliard $ !

Ai kish patur dhe mbështetjen e Italisë dhe SISMI-t të saj, që e “shpërbleu”, teksa strehoi KM socialist italian të akuzuar për korrupsion Betino Kraksi, (mik edhe i Nanos), që, deri sa ndërroi jetë në Hammamet, nga diabeti, nuk e pa dot më Italinë! Pranvera arabe, erdhi me erëra të fuqishme edhe në Libi, ku Gadafi, që gjoja “vuante” në Çadrën tribale, kishte pasuri përrallore, dëshmuar në video brenda pallateve të tij, kur u pushtuan nga turmat, por jo intuitën e Ben Ali?! Duke menduar se populli e donte, nuk u arratis, deri sa u kap nga turma, u poshtërua pasi e nxorrën nga një tombino dhe u vra nga një adoleshent, me revolverin e artë, rrëmbyer atij! Tani ishte rradha e Egjiptit, ku regjimi autokleptokratik i Muhammad Hosni Sayyid Ibrahim Mubarakut, në 30 vite, kish ngjallur po ashtu pakënaqësi të mëdha! Ai dhe djemtë e tij kishin akaparuar miliarda $ pasuri! Sheshi i Lirisë ( Miidan Tahrir), në Kajro ishte epiqendra e protestave, që zgjatën me javë dhe u përhapën në gjithë qytetet e Deltës së Nilit…Mubaraku u rrëzua dhe u arrestua bashkë me djemtë Ala dhe Gamal, po ashtu abuzues dhe të korruptuar! Mendohet që numëri i të vrarëve të ketë qenë i madh, por se sa saktësisht, ndoshta nuk do të mësohet kurrë! Ai u lirua më 2017 dhe ndërroi jetë 91 vjeç në spital! Situatën e shfrytëzoi “Vllazëria Musulmane”, e cila fitoi në Zgjedhjet e zhvilluara përgjithësisht korrekte dhe President shpallet Mohammed Mursi Isa al Ayyat, përfaqësues i moderuar i tyre, i specializuar në SHBA, i cili pati edhe një meritë, mbajti fjalën e dhënë, teksa na priti me Ministrin Panariti dhe zotin Nuri Domi në Presidencë, se Egjipti, shteti më i madh arab me 100 milionë banorë, ku është edhe Selia e Ligës Arabe, shumë shpejt do ta njihte KOSOVËN, çka edhe ndodhi pas pak kohësh! Nga ana tjetër, ushtria që sundonte prej 60 vitesh, dhe kishte goxha pushtet, vigjilonte dhe e shfrytëzoi pakënaqësinë popullore, madje edhe zhgënjimin nga Morsi të një pjese të mirë të “vëllezërve musulmanē “ prej mefshtësisë së tij, frika e koptëve ortodoksë (mbi 10 milionë) dhe Papës së tyre Tewdros, oponenca e Sheikut të Universitetit Al Azhar , Tayyib, opozitarët si i pavaruri shkencëtar atomist Baradei, ndaj vëllazërisë, e rrëzuan nga pushteti, madje e arrestuan dhe e gjykuan, deri sa i sëmurë, ndërroi jetë në burg, më 2019, si edhe pas tij, paraardhësi i vet Mubarak më 2020! Pushtetin e mori përsëri ushtria, që vuri në krye të shtetit, Gjeneralin Muhammad Sayed Hyssein Khalil Abd’al Fattah el Sisi ! Dëshira dhe synimi i ekstremistëve islamikë të “vllazërisë” dhe sidomos Al Kajdës dhe Zawahirit, për ta kthyer edhe Egjiptin në shtet tekokratik sunit, i ngjashëm me Iranin e ajatollahëve shiitë , dështoi dhe prej aso kohe, President është El Sisi, që nuk vonoi të vetëgradohej Feldmareshal! Se si u zhvilluan ngjarjet në Siri ( ato shpërthyen pak javë mbasi ne paraqitëm Letrat Kredenciale në Damask), me protestat kundër regjimit të Bashar Hafëz al Assadit, është e njohur dhe natyrisht meritojnë një shkrim më vete, por aty, ekstremizmi Islamik, deri në shkatërrimin e një qytetërimi të lashtë e të zhvilluar me monumente unikale si ato në Palmira, (të cilat patëm fatin t’i shohim nga afër), lufta civile, ISIS, dhe çështja kurde, shtó edhe ndërhyrjen ruse, kërkojnë analizë të veçantë ! SHBA nën Obamën, luajti dobët në politikë dhe diplomaci, e thënë ndryshe, në vend të vinte vetulla, nxorri sytë, sidomos në Sirinë e shkatërruar plotēsisht me mbi 250.000 të vrarë , e miliona të shpërngulur! Këte mendim, e diskutonim disa herë miqësisht me dy Ambasadoret amerikane në Kajro, Margaret Scobay dhe Anne Patersson (që mbas Egjiptit, u emërua Zv/sekretare e DASH-it)! E vetmja gjë e mirë ishte fitorja mbi ISIS – in dhe Khalifatin Islamik, që me prerje kokash live të pengjeve perëndimore dhe barbari të tjera, fitoi urrejtje botërore! Krerët e këtij shteti, sa të improvizuar, aq dhe primitivë, u vranë pothuaj të gjithë, si Abu Bakr al Baghdadi, Ibrahim al Hashimi al Qurayshi, Maher Al Agal, Abu Osama al Masri, Abu Hasan al Muhaxhir, Jalaluddin Haqqani, Abu Musab al Zarqawi etj etj ! Interesant është fakti, se një nga terroristët më të kërkuar të Al Kajdës, Sirajuddin Haqqani, sot është Ministër i qeverisë së talebanëve afganë ?!!! CIA vendosi shpërblimin 25 milionë $, për këdo që do të jepte informacion të besueshëm për vendndodhjen e Ajman al Zawahirit, te i cili, më në fund ia mbërriti mbrëmjen e 31 korrikut! Askush nuk do të mësojë kurrë, se cili ishte njeriu, që i mori këto 25 milionë dollarë, por një gjë tjetër dihet me siguri, që Bota, nga 1 gushti 2022 është më e sigurtë dhe se tani e tutje, do të ketë një kryeterrorist më pak !

Si diplomat shqiptar, që jetova dhe punova për 5 vite në këtë Rajon me kaq histori dhe plot zhvillime, parë me objektivitet, mund të them me bindje, se popujt arabë, me një histori të lashtë, e të lavdishme, meritojnë paqe, begati dhe përparim !

Spartak Topollaj

 

HISTORIAN  &  DIPLOMAT

 

3